Ali Bajrami: Ju tregoj pse e shkrova librin “Tplani vendlindja ime” !

I hodha këto shënime personale nga jeta ime, prej fëmijërisë deri në vitin 1990, por edhe të familjes time dhe komunitetit të Tplanit, në shenjë mirënjohjeje dhe dashurie për vendlindjen time, ku dhe kam kaluar pjesën më të madhe të jetës. Shpresoj që do të lexohen nga nipat dhe mbesat e mia për të kuptuar se si ka qenë jeta në diktaturë me të gjitha kufizimet e mundshme dhe përpjekjet tona patriotike atdhedashëse për të mbijetuar në një regjim shtypës.
Kjo etapë historike ka qenë për mua një periudhë jete e vështirë, me shumë sfida dhe përballje, por edhe e bukur, pasi jemi përpjekur ta jetojmë jetën tonë në familje, me kushërinj dhe fis, pavarësisht shtypjes politike, varfërisë dhe mungesave të shumta, me dasma, miqësi, lindje fëmijësh dhe gëzime të tjera që shoqërojnë jetën njerëzore pavarësisht sistemeve politike.
Kam dhënë në fillim disa informacione për pozitën gjeografike të Tplanit, për historinë e banimit të tij, zhvillimin në vitet e para dhe rolin e njerëzve të tij në nivel krahine, pastaj edhe vendi apo në disa raste edhe në nivel ndërkombëtar me disa poetë, shkrimtarë dhe sportistë të njohur nga Tplani. Kam përshkruar më shumë jetën në regjimin komunist, duke u ndalur në anët negative të këtij sistemi i cili i errësoi edhe ato arritje të pranuara me fenomene si lufta e klasave, kolektivizimi i ekzagjeruar, varfëria e skajshme dhe mungesa e lirive dhe të të drejtave themelore të njeriut si prona, besimi fetar, lëvizja e lirë, liria e fjalës, liria e shprehjes, spiunimi masiv etj. Kam përshkruar edhe momentet e para të pluralizmit në vitet 1990-1991 dhe kontributin tim modest, por më shumë pasion dhe vendosmëri në Tpla, por edhe të bijve të shquar të Tplanit për themelimin e pluralizmit politik dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në Tiranë në dhjetor 1990.Kontributi i tyre vijon edhe sot.
Sot shumica e banorëve të Tplanit janë larguar në Tiranë, Durrës apo edhe jashtë shtetit në emigracion, duke i lënë shtëpitë e braktisura dhe shkëputur lidhjet me vendlindjen.
Këta 30 vjetët e fundit një brez i dytë ka lindur larg vendit të origjinës së prindërve apo gjyshërve të tyre, në Shqipëri apo kudo nëpër botë. Ky fakt më ka shtyrë që të shkruaj këto kujtime apo shënime, që aty këtu marrin edhe trajtat e informacionit dhe statistikave ndër vite për Tplanin, për t’u dhënë një libër modest, por të shkruar më shumë dashuri për vendlindjen tonë.
Unë besoj që edhe nipat dhe mbesat e mia do të marrin nga ky libër shumë informacione për historikun e fshatit të origjinës, për mënyrën e jetesës, zhvillimin kulturor, social dhe shoqëror, për gjatë më shumë se një shekulli zhvillimi historik të Tplanit, Tropojës dhe vendit.
Ata do të kuptojnë se shpesh në histori fati i njerëzve është i paracaktuar nga sistemi politik, kufizimet dhe tragjeditë që vijnë nga instalimi i diktaturave. Prandaj duhet të luftojnë gjithmonë që të ruajnë lirinë, pluralizmin dhe demokracinë, që të mos e pësojnë siç e pësoi brezi im dhe të të gjithë shqiptarët nën regjimin komunist 1944-1990.
Kam dhënë një informacion për fiset kryesore të Tplanit, aq sa lejonte ky libër. Unë nuk e kam patur si qëllim kryesor këtë gjë, siç e ka bërë në një libër bashkëfshatari im, studiuesi i njohur Ibrahim Kadria, por në mungesë të informacionit dua t’u them me sinqeritet se çdo pasaktësi apo harresë nuk është bërë me qëllim, por për shkak të mungesës së informacionit dhe pamundësisë për ta siguruar atë. Unë kam respektin tim më të madh dhe të dëshmuar gjatë gjithë jetës time për çdo familje të Tplanit të Krasniqes.
Kam dhënë një informacion dhe një përshkrim më të zgjeruar për familjen time dhe fisin tim Doçaj, si një detyrim familjar, por edhe për bjeshkën tonë të dashur.
Ju kërkoj ndjesë për çdo pasaktësi dhe ngatërresë që mund të ketë në këto shënime, duke qenë i hapur për të reflektuar ndaj çdo sygjerimi nga ju në një botim të dytë.
Kam bindjen se kur t’i lexoni këto kujtime, do t’u afrojnë më shumë me fshatin e origjinës juve të gjithë, por sidomos nipat dhe mbesat tona që kanë lindur dhe do të lindin në të ardhmen larg vendlindjes së gjyshërve në Shqipëri, por edhe jashtë saj në Europë dhe SHBA.
Ky libër është dhurata ime për ta.
Tek e fundit, kjo është një trashëgimi kulturore dhe rikthimi tek rrënjët tona do ta begatojë më shumë jetën tonë, por edhe të nipave dhe stërnipave tanë, do ta pasurojë më shumë jetën e tyre, sot dhe në të ardhmen.
Ju falenderoj nga zemra, ju lexues të dashur!

Miqësisht,

Ali Bajrami

Hyrje

Gjithnjë gjatë jetës time kam patur idenë për të shkruar diçka për vendlindjen time Tplanin e Krasniqes, si pjesë e Malësisë së Gjakovës, apo Tropojës, siç është thirrur prej dekadash.
Kjo ide erdhi duke më ngacmuar gjatë viteve që jam në pension në Tiranë, i rrethuar nga nipa dhe mbesa të mrekullueshëm që herë pas here më pyesin me interes për vendlindjen time dhe vendin e origjinës së tyre, fshatin Tpla.
Kam patur privilegjin të kem lindur, rritur dhe kaluar gjithë jetën time, në Tpla, deri pas ndërrimit të sistemit më 1992, kur unë si shumë familje nga Tplani u shpërngulëm në Tiranë, Durrës dhe jashtë shtetit.

Në bashkëbisedim me nipat dhe mbesat u kam shpjeguar se si çdo fshat apo qytet, si çdo vend, përfshirë lumenj, dete, pyje, kodra, fusha, bjeshkë etj, janë të emërtuara me emra të larmishëm që kanë etimologji të ndryshme gjuhësore, nga shpjegimet shkencore deri te gojëdhënat e të parëve tanë.
Kështu ndodh edhe me fshatin Tpla. Para 10-15 brezash, fusha ishte e mbuluar me ujë dhe quhej liqeni i Bogdanit.
Me kalimin e kohës vendi i zbrazjes së ujit në pikën më të ulët të fushës, që quhet Rrasa e Grisë, thellohej gradualisht dhe lirohej sipërfaqja e fushës e cila kthehej në kullota bagëtish (livadhe). Sa më shumë thellohej rrjedha, aq më shumë zmadhohej fusha në sipërfaqe.
Nga viti 1880 kullimi i fushës arrin në kuotën zero. Tani e gjithë fusha është shndërruar në livadhe me sipërfaqen prej 1500 ha.
Në fillim janë zbuluar vendet që kanë qenë më të ngritura, siç është kreu i fshatit në veri, që quhet Kryekand (pasi vetë fusha e Tplanit ka pamjen e një shumëkëndëshi), pastaj Hasanpapajt rreth kodrës së Bogdanit, e me radhë Buçpapajt, Gjonajt, Gjeçajt, Haçajt gjer në Ballëfushë në lindje të katundit ku janë vendosur Malajt e Grisë. Këto familje që kanë prejardhjen nga Bujani, Grija, Geghyseni etj, kanë bashkëjetuar në Tpla për breza me radhë në paqë dhe harmoni. Ata kanë qenë bashkë në vërri dhe në bjeshkë, në dasma dhe në mortje, në paqe dhe luftë për çlirimin dhe pavarësinë e Shqipërisë. Edhe këto kujtime që shpesh marrin pamjen e një monografie, synojnë në mënyrë modeste të dëshmojë këtë histori familjare, por edhe më gjërë të të gjithë Tplanit të Krasniqes, Tropojës dhe në disa raste edhe të vendit, gjë që do ta lexoni në vijim të këtij libri.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here