Ndahet nga jeta akademik Bahri Beci, gjuhëtar dhe studiues i shquar

Nga edlira.ruzi, ATSH

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ U nda nga jeta gjuhëtari Bahri Beci, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.
Kryesia e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë njoftoi me hidhërim të thellë bashkësinë e shkencëtarëve albanologë, shqiptarë e të huaj; miqtë dhe kolegët e tij të shumtë brenda e jashtë vendit, për ndarjen nga jeta të akademikut Bahri Becit, personalitet me veprimtari të shumanshme në disa fusha të gjuhësisë shqiptare historike e bashkëkohore për më shumë se gjashtë dekada; autor i dhjetëra veprave monografike dhe studimore në fushën e dialektologjisë, të fonetikës, të gramatikës, të rrugës së formimit të shqipes së njësuar, të historisë së gjuhës shqipe dhe të statusit të saj në lidhjen gjuhësore ballkanike.
Bahri Beci u lind në Shkodër në vitin 1936, në një familje me tradita atdhetare. Menjëherë pas mbarimit të studimeve universitare (1958) u emërua kërkues shkencor në Institutin e Gjuhësisë e Letërsisë, ku kreu detyra të rëndësishme drejtuese, si përgjegjës sektori e drejtues projektesh, sekretar shkencor dhe drejtor.
Bahri Beci u dërgua për specializim në Paris, ku mbrojti doktoratën me temën “Sistemi zanor dhe bashkëtingëllor i së folmes së qytetit të Shkodrës”.
Me kthimin në Tiranë, përfundoi disertacionin e shkallës së parë me studimin ”Të folmet e gegërishtes qendrore” dhe disertacionin e shkallës së dytë me studimin “Të folmet veriperëndimore të shqipes dhe sistemi fonetik i të folmes së Shkodrës”.
Veprimtaria universitare e Bahri Becit shtrihet në disa vende, duke përfshirë Institutin e Gjuhëve dhe Qytetërimeve Orientale në Paris INALCO. Bahri Beci ishte anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (2008) dhe anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës dhe i redaksisë së Atlas Linguorum Europae (ALE).
Fusha kryesore e veprimtarisë shkencore-kërkimore të Bahri Becit ka qenë historia e dialekteve dhe nëndialekteve të shqipes. Brenda kësaj problematike vend qendror zunë studimet dialektologjike për të folmet veriperëndimore dhe qendrore të shqipes (Shkodër, Dibër).
Bahri Beci mori pjesë si delegat dhe nënshkrues i Rezolutës së Kongresit të Drejtshkrimit (1972) dhe është autor i dy studimeve monografike për proceset njësuese në formimin e shqipes letrare të sotme.
Vepra shkencore e Bahri Becit karakterizohet nga sinergjia e studiuesit në ekspeditë kërkimore dhe njëherësh në një proces formimi të thelluar bashkëkohor perëndimor.
Homazhet e lamtumirës për akad. Bahri Becin do të bëhen mëngjesin e ditës së martë, 22 gusht 2023, në Akademinë e Shkencave, salla “Aleks Buda”.

Botime shkencore
• Të folmet veriperëndimore të gjuhës shqipe dhe sistemi fonetik i së folmes së Shkodrës, Tiranë: 1995;
• Gramatika e gjuhës shqipe, për mësuesit e gjuhës shqipe, Tiranë: 1997, Prishtinë: 1998 dhe 2002;
• Gramatika e gjuhës shqipe për të gjithë, Shkodër: 2000, Prishtinë: 2001, Shkup: 2004; Tiranë: 2004
• Probleme të politikës gjuhësore dhe të planifikimit gjuhësor në Shqipëri, Pejë: 2000;
• Dialektet e shqipes dhe historia e formimit të tyre, Tiranë: 2002;
• Probleme të lidhjeve të shqipes me gjuhët e tjera ballkanike, Pejë: 2002;
• Fonetika e gjuhës shqipe, Prishtinë: 2004; Tiranë: 2004;
• Gegërishtja qendrore dhe grupimi i të folmeve të saj, Tiranë: 2007;
• Historia e standardizimit të shqipes, Tiranë: 2010;
• Struktura dialektore e shqipes, Tiranë: 2016;
• Historia e formimit të strukturës dialektore të shqipes, Tiranë: 2019;
• L’union linguistique balkanique a la lumière des données de la langue albanaise, Tiranë: 2020

Përsiatje, ese, memuare
• Një libër që nuk do të doja ta shkruaja, Tiranë: 2013;
• “Homo ideologicus” në shkencën shqiptare, Tiranë: 2015;
• “Përjetime” 1936-2021, Tiranë: 2021;

Bashkëautorësi
• Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe, Napoli: 2007;
• Atlasi Gjuhësor Evropian, ALE;
• Të mësojmë shpejt gjuhën shqipe (metodë për mësimin e shqipes nga të huajt, e botuar dhe ribotuar në gjuhët kryesore, anglisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht etj.

Libra shkollorë
• Abetarja “hap pas hapi”, Tiranë: 2006-2020;
• Seri të plota të librave të gjuhës shqipe për shkollat nëntëvjeçare (klasat II-IX) në Shqipëri (1970-2004, me bashkautorë), në Kosovë (2004-2020) dhe në Mal të Zi (2004-2020).
Referime
1. ^ Elsie, Robert (2010). Historical Dictionary of Albania (në anglisht). Rowman & Littlefield. fq. 37. ISBN 9780810861886.
2. ^ a b “”Përjetimet” e një akademiku si Bahri Beci”. liberale.al. 2021.
3. ^ a b c d “Bahri Beci”. ashak.org.
4. ^ Beci, Bahri (2021). Përjetime” 1936-2021. UET press. fq. 7–10. ISBN 9789928320438.
5. ^ Beci 2021, fq. 24.
6. ^ Dërhemi, Eda; Pani, Pandeli (2006). Sociolinguistic Studies on the Albanian Language (në anglisht). Mouton de Gruyter. fq. 21. ISSN 0165-2516.
Kategoritë:
• Gjuhëtarë shqiptarë
• Akademikë shqiptarë
• Lindje 1932
• Vdekje 2023
• Njerëz nga Shkodra
• Memuaristë shqiptarë
• Anëtarë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë
• Anëtarë të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here