ALI HASAN FURRIKU NJERI ME VLERA NË KOMUNITET. Nga Muhamet Cufaj

Të flasësh për një figurë poliedrike, shumëdimesionale, si Ali Hasan Furriku, është sa e lehtë për atë që e ka njohur, aq dhe përgjegjësi e madhe, sepse ai me kontributin dhe sherbimet që ka dhënë në komunitetin pukjanë ka lënë gjurmë të pashlyeshme të suksesit, arritjeve dhe realizimeve si sasiore dhe cilësore. Rrefenjën time do ta mbështes në dy tre fakte reale për të nxjerrë cilësitë e këtij individi me cilësi të larta, i cili nuk e ndryshoi trajektoren e tij të mendimit dhe qëndrimit në asnjë situatë duke i qëndruar besnik moralit, virtyteve dhe formimit të tij.

Ali Hasan Furriku është një trashëgimtar i denjë i vlerave më pozitive të shtëpisë së Hasan Nezirit të Kabashit të Pukës. Ai lindi, u rrit dhe u edukua në një troll, që mbarte vlera e virtyte të trashëguara nga tradita shekullore e një dere prijëse dhe udhëheqëse të një krahine të tërë, e cila e kishte pranuar, që ajo të ishte derë prijëse, mbrojtëse dhe zgjidhëse e çdo nevoje, halli e detyrimi në mardhënie brenda familjes, fshatit, mes fshatrave e më gjërë.

Shkollimin dhe edukatën ai, si dhe gjithë fëmijët dhe rinia e kohës e morën në odat e burrave, e aq më tepër, që në at’ shtëpi kishte shumë bujtës dhe udhëtarë, të cilët vinin për miqësi, shoqëri, apo për nevoja, ku dera e kësaj shtëpie të madhe ishte e hapur, sofra e shtruar dhe diskutimi, konsultimi dhe këshillimi i paqtë, i arsyeshëm dhe i llogjikshëm. Pikërisht këtu u hodhën bazat e edukimit me vlerat dhe virtytet më të shkëlqyera të malësorit Ali Hasani. Ai që i vogël, rrinte me veshë ngritur, në heshtje dhe me kuriozitetin më të lartë, për të degjuar, marrë e përthithur çdo muhabet që dëgjonte, nga të moshuarit. Ai gjithmonë, si djalë i zgjuar dhe me interes për dije, mbahej pranë më të vjetrit, më të moshuarit, si një nxënës, i zellshëm.

Në mendjen e tij shtjellonte çdo pasazh, bisedë e konkluzion bisede të cilës pleqtarët ia lidhnin kokën, (arrinin në konkluzion) me urtësi dhe me zgjuarsi. Jo vetëm që i dëgjonte, po edhe më pas këshillohej me babain apo kushërinjët, duke u konsultuar me takt dhe interes, se si u arrit në përfundim të kësaj, apo asaj zgjidhjeje. Kjo ia përforconte mendimet dhe e bënte më të vendosur në vetvehte për të gjykuar drejt, pa anësi. Të gjitha këto m’i ka thënë vetë Aliu në bisedat, që zhvilloja me të në stolin e parkut të qytetit, kur ai ishte në pension dhe unë isha drejtues i shkollës 8 vjeçare të qytetit.

Dilte nga shtëpia, dhe pasi bëntë një ecje të shkurtër, kthehej e ulej në at’ stol të përditshëm. E vija re nga dritarja e zyrës dhe nuk vonoja t’i shkoja e të rrija me të, se e kisha shkollë dhe kualifikim. Çdo sekond, që kaloja me të, çdo bisedë kishte fillin e filozofisë, zgjuarsisë dhe të mendimit të përparuar. Ai nuk ishte qeflinjë i lokaleve dhe banakëve të klubeve si pensionistët e tjerë, as i lojrave, apo grumbullimeve, në të cilat secili me shpoti vetëlëvdohej për kohën e shkuar, apo anatemonte, përgojonte veprimet e të tjerëve, ngrinin zërin nderveti e shamatoheshin, sikur po ndanin prenë e fituar…., të cilët, më pas ndaheshin në drejtime të ndryshme për në banesat e tyre për të pushuar, ndonëri dhe i qartaqefuar nga bisedat e rënda të konsumuara pa kriter. Ndonjeri dilte edhe pas dite, bashkoheshin në lokale dhe vazhdonin të njejtin rit.

Aliu nuk ishte i tillë, jo se i nënvlerësonte bashkëmoshatarët, po karakteri i tij nuk përputhej me tiket e moshës së tretë, me bisedat pa brumë, e pse jo dhe me thashe themet, që rendomë janë dukuri e kësaj moshe ndaj moshës së dytë dhe asaj të re, të cilat vijnë si rezultat i deficiencës dhe e pamundësive për t’u realizuar si këto mosha në kohën e tyre, që tashmë kishte perenduar.

Me Ali Asanin shtëpia ime kishte lidhje shoqërie, miqësie. Njeri nga vëllezërit e tij kishte mbesën e shtëpisë sonë për bashkëshorte, vetë Aliu kishte kushërinën e nanës sime, të cilat kishin dalë nuse nga e njejta derë e Tafilakëve. Xheva ishte e bija e të zotit të shtëpisë së Madhe të Tafilakëve Haxhi Qerim Tafilaku, i cili kishte 6 vajza, të martuara 3 në Kabash, dy në Laçaj dhe një në Lajthizë të Pukës, vëllai tjetër kishte po një kushërirë tjetër të nanës sime nga familja e Topallëve të Qerretit.

Cilësitë burrërore të Aliut, baxhanakut të babës tim, m’i ka artikuluar me dhjetra herë im at në bisedat, që zhvilloja me të. Babai im i vlerësonte pozitivisht gjithë dhëndurrët e shumtë të familjas së Tafilakëve, ua listonte vlerat dhe anët poyitive, dashurinë dhe respektin, sjelljet dhe mardhëniet e ndërsjellta, që ata kishin mes tyre, po kur vinte fjala tek Aliu, ai thoshte: – mos e luaj, ai flet ndryshe, ai ka yndyrë sa shumë të tjerë së bashku. Nuk i nënvlerësoj asnjërin për nga burrnia, për nga sjellja dhe asgjë tjetër, po Alis i pushon fjala.

Si vetë koha, ku u rrit dhe u burrërua para kohe, ai iu fut jetës dhe në saj të zgjursisë natyrale u integrua në jetë si gjithë të tjerët. Mbajti qëndrim të drejtë parimor dhe nuk u përlye në asnjë pozitë të panevojshme, – ma thoshte im at. Ai, si dhe ne kishim oferta të shumta, po Alia e peshonte dhe e vlerësonte situatën dhe e ruajti vehten të pastër qelibar .

-Pas çlirimit të vendit Alia u vlerësua si një njeri me dije dhe me mundësi të mëdha për të dhënë ndihmë dhe për të kontribuar në ndërtimin e vendit, në pushtetin e ri dhe në ekonomin e rrethit, – më theksoi baba. Kudo ku shkoi e ku punoi ai vetëm gjurmë të mira la, nuk u prish me asnjeri, i ecte puna, ishte organizator i zoti, i drejtë për të gjithë, nuk i afronte servilat, njerëzit që rraportonin nuk i afronte, bile ata hezitonin që t’i thonin ndonjë gjë, se ua merrte fëtyrën para punëtorëve. E takoja rrallë, se isha i vetëm e me fëmijë shumë dhe të vegjël, po njëkohësisht nga punët e shumta të fshatit nuk lëvizja shumë jashtë tij, po Ai nuk më harronte, më çonte falmeshëndete me kushërinjtë e mi, që punonin në sharrat, ku ai drejtonte.

– Më ra rasti që ta takoi për një hall timin, – vazhdon rëfimi babai im. Në at’kohë Ali Hasani ishte Kryetari i lokalitetit të Fushë-Arrësit. Kam pas nje lisnajë bugu në një mal këtu afër shtëpisë. Ishte plot lisa të drejtë, e ruaja bashkë me vëllanë tim, Nezirin, si arën e kallamoqit. E rralloja, ia hiqja shkurret dhe kishte filluar një zhvillim të mirë dhe të shëndetshëm. Shumë nga lisat kishin shkuar deri në masën, që për nevoja mund të përdoreshin për landë për të ngritur edhe çati për shtëpi në rast nevoje. Si zakonisht, futesha dhe e kontrolloja. Vura re se një lis ishte më i hollë se të tjerët, edhe pse ishte i gjatë mbi 6 metra, i kishte filluar maja që t’i thahej dhe nuk premtonte që të merrte zhvillim si të tjerët, ndaj me kujdes, pa lënduar të tjerët, e preva, ia hoqa degët dhe e solla në shtëpi. E mbështeta në një mollë në fund të oborrit. Ishte koha e korrjes së fierit (tek ne korrej fier, thahej, vihej në mullar dhe përdorej dimrit si ushqim për dhitë, në mungesë të sanës).

As që më shkonte në mendje, se ai lis do të bëhej objekt për të më marrë të pandehur si dëmtues i pyllit. Pas nja tre javësh, një ditë të bukur, vinë në oborr të shtëpisë 3 polic nga posta e qytetit dhe më kërkojnë mua. Në shtëpi ishin fëmijët e vegjël.

– Ku është Alia, – i pyesin fëmijët? Ata tremben, se përdoreshin shpesh fjalët, rri urtë se erdhi polici, apo haje ushqimin etj., që rendomtë përdoreshin nga nënat më së shumti si shprehje.

– Në mal u thonë fëëmijët, po nuk vonohet dhe vjen, se ka ardhë koha me i sjellë dhitë në shtëpi. Baba vazhdon bisedën, – isha në mal me bagëti, i lëshoja për mëngjes dhe në drekë i sillja në shtëpi. Erdha dhe i mbylla në trell. Më vijnë fëmijët të trembur e më thonë, se kanë ardhë tre policë e po të presin në oborr.

– Çfarë nuk më shkoi në mendje, unë nuk kisha bërë gjë, nuk i kisha rënë njeriu në qafë, shmangësha, që të shkoja në mbledhje të katundit, se nuk duroja dhe flisja për padrejtësitë që shikoja, as në punë në ndërmarrje shtetrore nuk kisha pranuar të shkoja, pasi e dija se kishte një përpjekje për të më bërë ndonjë reng, nga se unë kisha sherbyer në xhandamërinë e mbretit Zog si xhandar i thjeshtë për të siguruar një mbijetesë, si shumë të tjerë, po gjatë gjithë shërbimit tim nuk kisha kryer asnjë reprezalje, as shkelje të të drejtave të asnjë njeriu edhe në qoftë, se ai ishte vrasës, apo kriminel sillesha me të njerëzisht. Kudo populli më ka dashur dhe respektuar për mardhëniet e drejta që kam patur me ta. Prandaj isha i sigurtë se nuk do të kisha ndonjë padi. Isha i djersitur, se ishte vapë e fundkorrikut. Dal në oborr, përshëndetem me policët dhe i ftoi ata që të futemi në shtëpi.

-Ti je Ali Sahit Cufaj më drejtohet njeri nga ata.

– Po, unë jam, – u përgjigjem prerë.

– Ti do të vish me ne në polici, se ke një denoncim, sepse ke dëmtuar pyllin pa leje.

– Çfarë, – u them unë i çliruar, dëmtuar pyllin, po hala nuk kemi filluar as të presim gjethe, se është herët.

– Jo ke prerë lisat, thekson njeri, ndaj do vish me ne.

-Aha, lisat, po e kam pre, shikojeni ku është, është i shtrembëre dhe e ka majën e thatë, e kam pre me u lëshu frymën të tjerëve, në prozhmin tem, që e ruaj më shumë se arën e kallamoqit. Shkoni, mor burra, se u kanë lodhur deri këtu për gjëra që janë pa vlerë.

– Do vish me ne se s’ban, ne kemi edhe prangat, po nuk po t’i vemë deri sa t’i afrohemi qytetit.

-Mua me më pa katundi të prangosur, pa ba asnjë gjë? Jo nuk ka mundësi me ndodhë kjo. Unë po nisem, ju ecni pas meje e takohemi atje, se vi vetë tek posta.

Baba ka patur një veti të veçantë, ecte shumë shpejt, ishte dhe i gjatë bile edhe në pleqëri ecte shumë shpejt. Niset para, tre policët nuk ia dalin që të ecin baras me të dhe ngadalësojnë hapin. Shkon drejt dhe tek lokaliteti, se i njihte procedurat ligjore, se për të ndaluar një person që nuk përbën flagërancë, duhet të vihej në dijeni pushteti. Për fat gjen Alinë në zyre. Troket në derë dhe pasi i thotë nga brenda zëri gjegjës, – hajde, hap derën dhe futet brenda. Përshëndetet me Kryetarin, Aliun. Në at’ moment, aty gjeti edhe komandantin e policisë, i cili ishte për punë tjetër kordinuese me pushtetin vendor në zyrën e kryetarit.

– Çfarë ka ndodhur Ali? Ke ba fjalë me njeri? Me të thënë të drejtën edhe nga vapa, po edhe nga ecja shpejt dhe pa pushuar ishta i djersitur, dhe këmisha më ishte bërë qull. Ashtu siç isha unë edhe i nevrikosur, ma lexoi menjëherë shqetësimin Alia.

– Jo mor burrë, po më kanë ardhur tre policë tek shtëpia, se kam pre në prozhmin tem mbi shpi një lis të shtremtë.

– A ti je Ali Sahiti, – hidhet dhe më thotë komandanti i policisë?

– Po, unë jam, zotni.

– Unë nuk jam zotni, po jam shok, ndaj drejtohu mirë, se nuk paskan faj ata që shkruajnë letra për ty. Na ka ardhur një denoncim nga fshati yt, se je dëmtuesi më i madh i pyjeve, nuk le lis pa pre. Edhe shumari i pyjeve të zonës suaj ka bërë një relacion.

– Nuk po të njoh, të më falësh, po unë nuk jam kriminel dhe, se të thash zotni, nuk të ula, përkundrazi, kështu jam mësuar me folë me eprorët. Unë e kam sosur për të jetuar mes atyre maleve e hamallave, ato më sherbejnë mua, se mbaj bagëtitë, unë e gjithë katundi, dikush më pak e dikush më shumë, po nuk është e vërtetë, se as që jam duke bërë shtëpi, as stan, as kësollë që të pres lisa e lëndë ndërtimi. Policët që paske derguar ti po vinë pas, ata e panë lisin, që kam pre para tre javësh dhe e kam mbështetur për një mollë në fund të oborrit. Atij që ia ka vra synin ky lis, të gjejë ndonjë pretekst tjetër, se pak a shumë e njoh forcën e pushtetit dhe ligjet, po kam edhe dhimtën teme për bimësinë.

Në nerva e sipër Alia është ngritur në këmbë dhe ka reaguar shumë ashpër.

– Çfarë bëhet kështu, si i kaloni kompetencat dhe sillni shqetësime në popullatë në këtë farë mënyre. Përse nuk jam njoftuar, si shkoni të arrestoni njerëzit pa patur fakte dhe arsye të veprimeve flagrante. Kjo është një vrejtje shumë e madhe për ty komandant, po edhe për sjelljen dhe presionin që kanë bërë punonjësit tuaj në familjen e zotnise në fshat dhe të fëmijëve të vegjël të tij.

– Kërkoni falje për shqetësimin dhe mos e përsërisni më këtë veprim. Ali merre vehten, dhe kthehu në shtëpi, se nuk do të ndodhin më raste të tilla. Ky ishte rasti ku një pushtetar drejton me mendje dhe me zemër njëkohësisht, nuk udhëhiqet nga konjukturat. Gjykon drejt dhe vendos prerë .Kz ishte Ali hasani, që nuk i diskutohej fjala kur bëhej fjalë për të drejtat e qytetaarëve të vet.

Nga ky rast unë nxjerri dy konkluzione me rëndësi, së pari se sa me fanatizëm ruheshin pyjet, jo vetëm nga punjonjësit e ndërmarrjes, që për një lis të arrihet të procedohet një individ, dhe së dyti, sa e ashpër ishte lufta e klasave, e cila improvizonte raste për të ndëshkuar njerëzit të cilëve ua kishte vënë piketën e vet. Po burrënia, drejtësia, gjykimi i ftohtë, me parime e norma, me ligje i njeriut kompetet parandalon veprime të padrejta dhe ndëshkuese të njerzve të pafajshëm, si të Ali Sahit Cufajt. Kryetari në detyrë nuk përmendi se e kishte baxhanak, të dashur dhe të respektuar babën tim, po gjykoi si për çdo njeri tjetër. Këtë rast e kam të përjetuar vetë, se kam qenë në moshën 6 vjeçare, kur ka ndodhur kjo mënxyrë, që po të mos ishte takuar fillimisht, baba me Ali Hasanin do ta fusnin në burg, e pastaj pyka do godiste pykën dhe do të shtyhej situata dhe pasojat do ishin të dhimbshme për familjen tonë. Ia kujtova Aliut një herë këtë episod në një kafe të përbashkët. Menjëherë iu ngrit një damar në ball dhe u ndie një revoltim i brendshëm i tij.

– Kanë dashtë babën tend me të gjitha format me e dënue që tua presin rrugën juve, po edhe pse Alia ka qenë pak nevrik, nuk kanë arritur që ta fusin në kurthë, u munduan ma vonë me vëllain tuaj Sherifin, po dhe këtu nuk gjetën gjë.

Ku kishte nevojë ndërmarrja, në cilin sektor pylli që nuk realizohej plani, apo në cilin stabiliment dergonin, Aliun që t’a nxirrte nga prapambetja. Ishte një specialist i rrallë i organizimit të vogël dhe të madh të punëve. Që ditën e parë që shkonte, atje ku çalonte puna, dukej ndryshimi pozitiv. Në ekonomitë e prodhimit ishte afirmuar si drejtuesi më i aftë dhe vizionar, po në ekonomitë bujqësore nuk ishte provuar.

U krijua kooperativa e bashkuar e Fushë-Arrëzit, e cila përmblodhi në një ekonomi fshtrat: Fushë-Arrëz, Micoj, Lumardh, Bicaj, Breg dhe Lumzi, fshatra me të ardhura të ndryshme nga njeri- tjetri e me vështirësi ekonomike dhe financiare të trashëguara. Me vështirësi, po e pranoi Ali Hasani edhe këtë eksperiment drejtimi në jetën e tij.

– Me vështirësi e pranova, po më vunë para alternativave, që nuk kisha se si tu ikja. Erdha në kooperativën tuaj, po gjeta mentalitete të ndryshme, drejtime jo me kokë e me mend, po të pa studiuara, ku gjithësecili kishte objektivat e veta, po jo për një punë e përfitim të përbashkët. Brigadierët brenda fshatit punonin secili në kokë të vet, nuk kombinonin, brigadat e bimëve të arave me ato të blektorisë, apo të burimeve ndihmëse. Kafshët e punës ishin të amortizuara, të plakura, kopetë e dhive të vjetra, stallat mungonin kudo, kafshët e ngarkesës mungonin, rrugët e transportit ishin të kufizuara, vetëm dy nga fshatrat pjesërisht lidheshin me makinë.

Fillimisht më duhet të strukturoja drejtimin e kryesisë dhe të krijoja sektorët dhe brigadat ti forcoja me njerëz që merrnin vesht nga bujqësia dhe punët e fshatit. Ndërhyrje mu desh që të bëja edhe në objektet e sherbimit të përbashkët, në furra buke, në mullinjë, magazina, menca e dyqane. A e di sesa punë e madhe më duhej të bëja. Pak kohë kaloja në shtëpi, kalova vet fshat në fshat, brigadë në brigadë, në çdo objekt, i kontrollova vetë të gjitha brenda një muaji dhe krijova përshtypjet dhe idetë e mija, se si mund të ndërtoja punën. Mora disa brigadier nga ndërmarrjet e shtetit, që ishin të ditur, me shkollë, po dhe me ndërgjegje pune. Blegtorët i gjetëm të përshtatshëm, që të kishim ndryshim pozitiv në të ardhurat nga blegtoria, dhe të ulnim shpenzimet e panevojshme dhe artificiale, që ishin bërë deri në at’ kohë. Edhe përgjegjësit e sektorëve i mora nga ndërmarrjet, njerëz që ua dija aftësitë. Ndryshoi pamja e ekonomisë sonë për një kohë të shkurtër. Ngrita brigadat e pyjeve, mora punime në mbjellje të pishave, që ndikuan në rritjen e vlerës së ditës së punës. Rindërtuam kotecët e misrit, siguruam kafshë ngarkese për çdo fshat dhe qe për punë.

Fillova, me ndihmën e ndërmarrjeve per të hapur shtigje e rrugë lidhëse për tansportin me mjete transporti, veçnërisht për lëndën djegëse për furrat, për shkollat dhe institucionet e tjera të vartësisë. Hasa edhe në kundërshi, në koncepte dhe inate të një mendësie patriarkale, sidomos për hapjen e rrugëve lidhëse. Shteti akoma nuk kishte forcë për sistemimin urban, me projekte e vendime, ndaj kishim edhe këto vështirësi që duhej t’i kaloja me mirëkuptim e marrëveshje fshatçe. Fillova rrugën e Micoj – Lumardhit, punova me traktorin e SMT në vendet, ku nuk kishte shkëmb, dhe puna eci mirë, po në at’ kohë nuk kishte makineri që të thyenin shkëmbinjtë, si sot. Vetëm me mina mund të punohej, por rruga sipas projektit tonë ishte karshi fshatit të Nushajve dhe me përdorimin e plasjeve në shkëmb të fortë kishte dy rreziqe shumë të mëdha, i pari ishte se dëmtoheshin shtëpitë përballë, së dyti, dhe më e keqja qëndronte, se shkëmbi ishte nën lagjen Ndokaj, shtëpitë e të cilëve historikisht ishin në majë të kësaj pjese shkëmbore, ndërtuar sipas traditës dhe zakonit të hershëm, për të dominuar dhe për tu mbrojtur nga sulmet më lehtë, po edhe për të kursyer tokën e bukës. Dështoi edhe ky segment rruge, se nuk e mori përsipër asnjë specialist minator për ta realizuar pa dëme. Më mbeti shumë merak, se nuk arrita ta realizoja këtë projekt. E quaj si një dështim timin, megjithëse ajo u hap më vonë në demokraci me eskavator me goditje, thyerje të pjesës shkëmbore, ama pjesën tjetër e çova deri tek xhamia e Micojt, duke lehtësuar shumë transportin, po ashtu edhe në Bicaj deri tek furra në mes të fshatit.

Bima kryesore, që kultivohej ishte misri, fasulja bashkëshoqëruese dhe patatja. I mblodha agronomët, dhe stafin e drejtimit në kooperativë. Duhej ndryshuar struktura e shfrytëzimit të tokës. Aty ku prodhohej gruri le të mbjellim grurë, e më pas misër për silazh, aty ku bëhet thekra le të mbillet thekra e kështu me radhë, patatja dhe kulturat e tjera.

Punova shumë edhe për sigurimin e farërave me prodhimtari të lartë. Menjëherë vendosa bashkëpunimin me Institutin e Misrit në Shkodër. Erdhen dhe bënë analizat e tokës dhe përzgjodhëm farërat e pershtatshme sipas këtij studimi. Kështu u rrit rendimenti i prodhimit, po rritja e rendimentit ishte edhe rritje e vlerës së ditës së punës.

Gjeta shpërdorim të frutave dhe të pemëve, ndaj strukturova edhe këtë sektor duke i mbledhur në kohë, trajtuar dhe shitur në grumbullim ato duke siguruar të ardhura, që deri në at’ moment as që ishin përfshirë në asnjë të hyrë në arkën e kooperativës për pemët e frutat si: arrë, mollë, rrush, gështenja etj.

Lëvizja, që lindi në kooperativat e jugut për të ndihmuar zonat malore, na mundësoi që të merrnim 3 tufa me dhi, të shëndetshme dhe në fazën e prodhimtarisë. Ata i stabilizuam në Breg dhe Lumzi, ku kullosa ishte më e mirë dhe ishin kushtet klimatike më të afërta me ato nga vinin këto tufa. Në kooperativën tonë ata patën një ecuri të mirë, u mbarështuan dhe sollën rendimente, të kënaqshme, se u krijuam kushte dhe nuk firoi asnjë, as në numër krerësh, as në prodhimtari e pjellori, ndryshe nga shumë kooperativa të tjera, ku për arsye, se nuk u ambientuan me klimën dhe kullosën, në përgjithësi u dëmtuan.

Një nga detyrat që u shtrova agronomëve ka qenë kryerja e studimeve për prodhimin e perimeve dhe të zarzavateve në çdo fshat, ku ngrita parcela të veçanta me perime e zarzavate, ku u aplikuan farëra dhe lloje bimësie të përshtatshme, po të pa kultivuara tek zonat tona deri at’here. Qëllimi im i vetëm ishte që këto lloje perimesh dhe zarzavatesh të arrinin që të kultivoheshin nën shembullin e kopshtarisë sonë në çdo fshat edhe në kopshtet e vogla private, për të përmirësuar përdorimin e tyre në kuzhinën familjare të fshatarëve. Edhe ky objektiv pati shumë rezultat, filluan të kultivohen dhe përdoren në kuzhinën familjar: bamja, patëllxhani, bizelja, lloje të ndryshme kungujsh, sallata, lulelakra, spinaqi, bishtaja, llojet e ndryshme të specave, domateve, lakrave etj. Ne si kooperativë u siguronim farërat dhe fidanet fshatarëve.

U pa me interes edhe mbarshtimi i shpendëve, duke ngritur pulari në secilin fshat, po ashtu u punua edhe për prodhimin e mishit (rritja e derrit), me qenë se mbi 85% e popullsisë ishte përdoruese e këtij mishi, i cili pati rezultat. Fshatarët i rrisnin betë në ekonomitë e tyre privaate, po kostoja ishte më e ultë në stallat e grupuara dhe të kujdesura e vaksinuara nga veterinari i kooperaativës. Mishin e tregtonim në NFP, i cili përdorej për mencat e sektorëve të pyllit. Edhe këtu morëm të ardhura.

Qumështi i të imtave përveçse përdorej në menca, një sasi shkonte edhe në baxhot në fshatra, po ato nuk patën efektivitet dhe menjëherë i grupova në qendër, duke prodhuar djathë dhe nënprodukte të tjera të qumshtit. Nuk kishte kërkesë në vitet e para për këtë produkt në fshatra, se secila familje kishte lopën e vet dhe tufën e kufizuar të të imtave, sipas mundësive, kështu që siguronim si kooperativë të ardhura duke i tregtuar këto produkte në ndermarrjet e tregëtisë, po kështu bëmë edhe për vezët e prodhimet të tjera.

Një kujdes i shtuar iu kushtua stallës së lpëve të rendimenteve të larta, e cila u ngrit në qendër, në fshatin e F.Arësit. Aty sigurova lopë të ardhura nga jashtë të rendimenteve të larta. Për herë të parë filluaam të prodhonim silazhin e gjelbër, i cili ishte ushqimi bazë për këtë stallë. Ajo jo vetëm që jepte qumësht me sasi, po edhe viqa për rritjen e numërit të krerve. Filluam nga kjo stallë të furnizonim çerdhet e fshatrave, mencat dhe ta tregtonim të freskët në NFP.

Duke i mirëpërdorur të gjitha këto burime dhe duke mirëadministruar kudo dhe në çdo gjë sado e vogël që dukej në pamje, arka e kooperativës vinte dhe rritej, gjë që ndikoi në rritjen e vlerës së ditës së punës.

Buka nuk sigurohej për gjithë vitin nga asnjë fshat të kooperativës sonë, sepse toka e bukës ishte e pakët, po dhe shtesa natyrore e popullsisë ishte e lartë. Nuk lëvizte askush nga fshati, ishte e vështirë të merrje leje banimi në qytet dhe aq më tepër të lëvizje jashtë rrethit. Gjithë punëtorët vinin nga fshatrat, po familjet i linin atje, një pjesë kalonte javën në hotelet e punëtorëve në qytet e sektoret e pyllit, po ktheheshin tek familjet e tyre në fshat. Kjo ishte dhe arsyeja që ne ishim të detyruar që të blinim misër në shtet, apo grurë për tre katër muaj deri sa binim në bukën e re. Me mbjelljen e grurit në fshatra në tokat produktive u rrit rendimenti dhe filloi përdorimi i bukës së grurit në familjet fshatare mbi 4 muaj të vit, këtë e quaj një arritje të suksesshme.

Hapja e tokave të reja në shpatije dhe lëndina të kodrinave të zhveshura dhe mbjellja e tyre me patate dhe thekër siguroi një prodhimtari të lartë të këtyre kulturave. Edhe kjo ishte një burim i mirë i rritjes së të ardhurave dhe të vlerës së ditës së punës. Këto të ardhura i adresuam edhe për ndërtim e meremetim të stallave në fshatra dhe të koteceve të misrit.

Sa isha në drejtim të kooperativës, nuk lejova agronomët që të eksperimentonin në stil të gjërë farëra hibride me cikël të gjatë, të cilat nuk do të arrinin pjekjen e plotë, dhe do të prishej misri në koshat e kooperativës, siç ndodhi në disa kooperativa të tjera, që misri u prish, dhe fshatarët kanë ngrënë bukë misri hibrid të prishur…

Egoja për tu dukur, për tu lëvduar, në dëm të prodhimit real dhe të qëndrueshëm, të sigurtë dhe të shëndetshëm, i syti(nxiti) këta kryetar që të përdornin në stil të gjërë këto loji farërash, gjë që i nxori zbuluar në fund të fundit.. Më kritikuan në fillim, për mos dakortësinë e këtij veprimi, po në fund heshtën dhe u bindën se kishin gabuar ata dhe strukturat e bujqësisë dhe të pushtetit e partisë në rreth, të cilët kishin aplikuar këto farëra, pa u konsultuar me institutin e Mirit, gjë që unë e bëja vazhdimisht. Ku ishte rrefimi i sinqertë i një njeriu të përkushtuar për punën, e cila gjithnjë i qeshte dhe e nderonte dhe e nxirrte faqebardhë dhe të nderuar, kudo ku shkeli këmba e tij, kudo ku mendja dhe idetë e tij të mirëmenduara gjetën aplikim dhe shënuan sukses.

Një ditë fundgushti, unë isha duke ecur i shkujdesur dhe i thelluar në mendime. Më kishte vënë re që larg, që unë nuk isha ai i përditshmi. Mbylla derën e shkollës dhe mora rrugën drejt portës së jashtme. Alia me gjithë Tahir Niman Avdinë( Furriku) ishin në verandën e klubit përballë postës. Kishin biseduar me njeri- tjetrin për gjendjen time dhe sapo u afrova postës, ku do nisja disa zarfe me dokumente për seksionin e Arsimit, më thirrri Alia.

– Sapo të mbarosh punë në postë, po të presim këtu, për kafe. Sa u gëzova që ata burra fisnikë më nxorën nga gjendja në të cilën isha mbërthyer. Me të postuar ato dokumente, zbrita shkallët me nxitim dhe po me nxitin ngjita të tjerat dhe u përshendeta me të dy.

-Unë dorën po ia jap Tahirit përpara, se do më kritikojë, po ia dhashë Alisë, i them unë me shaka.

– Jo, je djalë i burrit të mire dhe i derës së Cufajve, ti nuk gabon, – ia priti Alia. Pas përshëndetjes u ula në tavolinë me ta. Ata e kishin konsumuar kafen dhe me sa vura re ishin gati të ngriheshin për t’iu afruar shtëpive të tyre, sepse edhe koha e drekës pothuajse ishte brenda kufinjëve kohorë.

– Çfarë do me marrë, më thonë?

– Me u thanë me sinqeritet, asgjë nuk më shijon në këtë moment, se sa biseda me ju.

– Të vumë re se dole, pak si i merzitur, ta lexuam në lëvizjet e tua, ndaj edhe të thirrëm. A ke njeri të sëmurë?

– O ju jeni psikolog e sociolog, që jeta u ka mësuar me përvojat tuaja. Nuk bën efekt shkolla jonë, para përvojës suaj, që për mua është shumë e domosdoshme dhe e vlerësuar në mënyrë të vazhdueshme. Një kafe e konsumuar me ju, është më shumë se një seminar që mund të zhvilloj në një institucion, ku marrim sherbime metodike e psikologjike.

– Leri, more ato, po na thuaj se çfarë shqetësimi ke?

– Dje jam kthyer nga Bajam Curri me gruan dhe fëmijët, se kam qenë disa ditë nëpër miq. Sapo zbrita nga autobusi, më rrethuan të njohur dhe ndonjë i panjohur dhe më uruan për detyrën e re. U habita me urimet e tyre. Përse bëhet fjalë, o shokë, se unë nuk di asgjë, unë sapo vi nga një rreth tjetër dhe ka mbi 10 ditë që nuk kam qenë këtu.

– O të kanë caktuar Kryetar të Komitetit Pluralist të qytetit më thanë. Kanë ra në konsensus të gjitha forcat politike për ty.

– Faleminderit, e zoti u ruajt, iu përgjigja, se unë nuk largohem nga ai sektor që kam shkri gjithë përpjekjet e mia për të realizuar më të mirat për këtë drejtim. Shkova në shtëpi, dhe si në amulli, kalova at’ pasdite, dhe nuk dola fare në qytet. Sot në mëngjes, vijnë në shkollë, shoku Zef Doçi, nga PS, Marsh Ibraj nga PD, Ndue Binaku nga PSD (që është edhe shef i arsimit) dhe më komunikojnë vendimin që ata kishin marrë.

-Me zor nuk të emron njeri, këtë e kam të qartë, po argumentet e tyre të qëndrueshme ishin që unë ta pranoja këtë detyrë. Kundërshtova sa kundërshtova. Unë në jetën time nuk kam qenë kurrë karrierist, më tepër i jam kushtuar profesionit të mësimdhënies dhe kualifikimit, problemeve të drejtimit të punëve të arsimit, u them drejtuesve nga rrethi. Sipas tyre, ata më afruan, pas mbylljes së këtij procesi mundësi zgjedhjeje të një detyre tjetër kudo që të doja, dhe kjo përsëri do të ishte detyrë e një konsensusi mes forcave politike.

– Jo dhe vetëm jo, u thashë, unë nga arsimi nuk largohem, jam drejtues shkolle, dhe në se e mbylli me sukses detyrën duhet të kthehem në të njejtën detyrë dhe funksion, të paktën për një javë, pastaj, le të më zëvendësoni. E morën përsipër që të nxirrnin një autorizim në Ministri dhe në Kryeministri për të më ruajtur vendin e punës. Për këtë jam pak në mëdyshje.

– Eh, të vumë re, ndaj dhe të thirrëm, – ia pret Tahiri. Ti je djalë i zgjuar, ke përvojë pune e mardhënie me njerëzit, ndaj merre shtruar. Mos iu përkushto shumë punës në zyrë, më shumë në terren. Qyteti është në hall të madh për strehim, po ti s’ke se çfarë me u afru.

– Kam besim se do ia dalësh më thotë Alia, sa herë më kanë detyruar të shkoi atje ku unë nuk kam dashtur, po me përqëndrim, me përkushtim, pastërti e sjellje korrekte ke me ia dalë. E ke të vështirë, se e kanë prishur punën, ato që kanë qenë para teje, se kanë qenë korrupsionista, për leje banimi, për strehim e çfarë s’kanë bërë. E di se me ty do të gjejnë kundërshti, po mos u tërhiq. Këtu na ke për çdo këshillë, mos na kurse. Sa për faleminderës ua dita at’ asistencë psikosociale që më dhanë ata dy burra fisnik, këshilltarë të ndershëm.

I takoja shpesh gjatë funksionit tim, afro një vit në at’ detyrë. Me një vendim të Sekretarit të Këshillitt ë Ministrave Vullnet Ademi, do të më ruhej vendi i punës në shkollën 8 vjeçare prej nga kisha marrë me konsensus detyrën e kryetarit të komitetit Pluralist të qytetit. Ma solli Ndue Binaku vendimin dhe më tha se jeni tre vetë në republikë që u është dhëhë kjo garanci. Ishte fundi i vitit mësimor, kur unë do kthehesha. Kishte organizime që të mos vija më në at’ funksion, po vendimi rrëzoi çdo dëshirë e pretendim të atyre që e lakmonin detyrën e drejtuesit të shkollës.

Ishin në lulishte si dy viganë, përfaqësues të njërës derë më të fisme të fisit të kabashit Ali Hasani dhe Tahiri Niman Furriku, kushërinjë, bura me vlerë.

– A pranoni në mesin tuaj edhe një qytetar të etshëm për këshilla të vyera, o burra, që i jepni hijeshi këtij qyteti, që ka filluar të zbrazet nga dita në ditë, – u drejtohem miqësisht.

– Je i mirëseardhur, – ia pret, Tahiri, i cili ishte më i moderuar në komunikim. Alia, pasi u pyetëm sipas ritualit të takimeve të miqve dhe shokëve, shtoi si zakonisht:

– O djali i burrit të mirë, edhe ti nuk je fort i ri, po unë e mbaj mend këtë qytet me dy familje, me një dugajë, një han, një rrugë kalimi mesa arave në të dy anët e rrugës, me plepa nga ata me gunga në fundin e njerës arë, me hardhia rrushi vendi të bardhë, pa ujë të pishëm (çesmë), një vijë uji që vinte nga prroi në anën e sipërme, e një tjetër në mes të rrugës. Kishte edhe një vijë tjetër që e merrnin ujin për vaditje me rend me arstorët e epërm, kështu quheshin ata të Lakut të Dedajve. U shtua qyteti me gjithëfarë të ardhurish nga katundet, të pazgjedhur, se vendalijtë e kishin të ndaluar, as të mendonin për të marrë një strehë në këtë qytet që po ngrihej. Kishte punëtorë nga fshatrat përrreth, të cilët pas pune bënin edhe 2 orë rrugë për tu kthuer në familjet e tyre, nga Qafë-Mal, Lumbardhi, Kryeziu, Micoj e deri nga Blinishti e Lumi i Zi.

– Në mbledhjet e ndërmarrjes isha unë që ngrija zërin, jo për strehimin e tyre, se nuk më merrreshin fjalët për bazë, se ishte parimi, që të mos boshatiseshin katundet, po për tu siguruar transport punëtorëve, të paktën aty, ku kishte rrugë makine, duke u venë ziza në dispozicion. U miratua kjo kërkesë, e të ngratët punëtorë në verë e dimër, mbi zizat e sharrës hipnin e ktheheshin në qendrat e katundeve, në kryezi, Qafë-Mali, Lumshtyllë e Bicaj. Edhe kështu ishin të kënaqur punëtorët, se u lehtësohej lodhja pas një punë shumë të rëndë në proceset e stabilimentit. Kështu me shembullin tonë vepruan edhe ndërmarrjet e tjara, ndërtimi, pyjorja e më vonë edhe miniera. Nuk bëhej fjalë për autobus, as për makinë të mbuluar. Gjithë këta jabanxhinjë, që kanë ardhë e janë bërë qytetarë këtu nuk e kanë aspak të vështirë të largohen edhe prej këtu, se ata janë të mësuar për të lëvizur, ndersa ata që akoma nuk janë shkëputur nga fshatrat e tyre do të jenë të fundit, që do të lëvizin. Sa lapidare ishte ky arsyetim dhe parashikim i filozofit popullor Ali Hasani. Koha e vertetoi, se qyteti filloi të zbrazej fillimisht pikërisht nga ata që kishin ardhur të parët, fill pas jabanxhijëve.

– Popullsia ka qenë e pakamur edhe herët në anët tona, me shumë mangësi e mungesa, po ka mbijetuar si në qytet dhe në fshat, e përforcon mendimin Tahiri. Po ju them, një ngjarje që më ka mbetur në memorje, të cilën nga emocionet negative me të cilat u ngarkova, në një shtëpi të nipave të mi. Edhe unë si Alia e provova kooperativën në një moshë disi të kalume, në një ekonomi me shtrirje të madhe dhe me mungesë transporti. Rruga e makinës i shkonte për anë gjithë ekonomisë, prej Qafës së Malit e deri në Qebik. Prej fundit të çdo katundi bëje mbi 1 orë për të dalë në rrugë automobilistike. Gjendeshin kryetar edhe më të aftë dhe më të mundshëm për ta drejtuar atë ekonomi të Xathit se sa unë, po e kishin planifikuar që të më lodhnin e të më provonin se a do të tërhiqesha, apo kundërshtoja, që të merrnin masat para se tu vinte momenti, që ata kishin në mendje dhe e përgatitën. Kaloja gjithë ditën pa futur gjë në gojë. Duke ecur në këmbë, brigadë më brigadë, objekt në objekt fikësha urije. Jo vetëm që isha në moshë disi të thyer, po edhe me peshë trupore e cila më mundonte. Shkova tek motra dhe i kërkova që të më kthente bukë për mesditë. E dija se edhe ajo ishte në hall, po kerkova vetë bukë, edhe thatë, veç të mbushja barkun. E merr me mend vetë, o Muhamet, se edhe ti ke kaluar në punën tënde si inspektor arsimi, në çdo fshat e lagje, se në ç’pozita e nevoja ndodhesh.

Motra përgatiti bukën shpejt e shpejt, bukë misri nga ajo hibridja, (po këtë e gatuanim në furrën e kooperativës e s’duhej të bëzaja). E ngrata e rreshku në zjarr, e futi në shllinë me kos, pak djath, një qepë dhe turshi, si dhe kishte thyer dy vezë e i kishte përzhitur në fertere me vaj kikiriku. Kishte fëmijë shumë dhe të vegjël prush. Burrin ia kishin denuar dhe po kryente dënimin. Mezi vinin rreth. Dhomat ishin përballë njëra-tjetrës, aty ku unë rrija afër një shporeti llomarine, në një divan me dërrasa, ndërsa motra ishte në dhomën tjetër që e kishte si kuzhinë dhe disa shtretër për fëmijët. Nuk po e linin fëmijët me punu lirshëm.

– Oj nanë, po dy vezët ia theve dajës ti, e ne nuk na jep asnjë. Iu duken shumë njërit prej djemve, i cili nuk i kishte mbushur akoma as 5 vjetët.

– Largohu, mor bir, se daja nuk i ha që të dyja, e le njërën dhe ta jep nana ty, e mashtron e ema, që ishte motra jeme. Ma solli në një tepsi gjithë çfarë kishte përgatitur, një shishe me raki e një gotë dhe më tha, – ha o lum vëllai, bukë thatë. Nuk e vura re se çfarë foli, se kisha shumë kohë pa ngrënë, dhe kisha ecur mbi 9 orë në këmbë. Ia nisa të ha, piva edhe një gotë raki me eks dhe buka e motrës po më dukej më e ëmbël se mjalti. E harrova bisedën që ajo zhvilloi me të birin dhe i kollofita edhe dy vezët. Djali kishte ndenjur tek dera gjysmë e hapur dhe i bërtiti si me të qarë nanës së tij, motrës sime.

– Oj nanë, daja i hangri të dy vezët. Mua sikur më ra pika. E kam peng në zemër at’ skenë, dhe at’ thirrje të atij fëmije, që ishte njeriu më i dashur i imi, nipi. Çfarë të bëja, nuk kthehej më prapa veprimi. Sapo mbarova, lava duart, nuk prita as të pija kafe, për të cilën më luti motra, veç jam ngritur, i kam përqafuar nipat, hoqa disa lek të vogla që më qëlluan në xhepa, falenderova motrën dhe i thashë vehtes, mos të bëftë mirë mezdita, dhe e kam marrë maloren e Qafë Benës shumë me rrembim e dola në rrugë të makinës. Erdhi një skodë e rash në qytet. Ua kam treguar gjithë dashamirëve të mi këtë ngjarje të dhimbshme dhe të trishtuar që më ngjau mua, dajës tek nipat e mi.

Varfëria ka qenë e pa imagjinueshme. Aty në kooperativë e kam njohur më mirë at’gjendje të renduar ekonomike të fshatit. Edhe pse zbutej disi se ishin sektorët e Ndërmarrjes së Furnizimit të punëtorëve të shtrira në sektorët e pyllit, përsëri jo të gjithë kishin akses në këto ndërmarrje. Ec e thuaj, po ta mbajti se janë në gjendje jo të mirë ekonomike fshatarët. Shumë herë më fisnik e kam ndjerë vehten, kur punoja në mirëmbajtje të rrugës, se sa kur isha në drejtim të kooperativës, që në raportime duheshim të pohonim të pavërteta.

-Ty Muhamet këto vitet që kam dalë në pension, po të njoh më tepër nga afër, se po rrimë nga njëherë me Alinë së bashku, po në distancë të kam njohur herët, se ti ke qenë në një shkollë me Halitin e Sheqerit, djalin më të mirë të shtëpisë sonë. Ai më ka folur gjithmonë mirë për ty dhe për vëllain tënd doktorin, që keni qenë bashkë studentë. Ishin kohë që edhe ne kemi bërë gabimet tona, u distancuam nga njerëzit tanë të dashur e të sinqertë. Po ta them në sy, ty, po edhe në sy të Ali Hasanit, të cilit ia kam thënë disa herë në mungesë tënde, kur kalon nëpër qytet krenar i shoqëruar me gruan tende, edhe ajo fisnike dhe bijë e një shtëpie me emër në Malësinë e Gjakovës, së cilës ia kam njohur vëllezërit e saj në takime në kryeministri e ministri të ndryshme dhe vazhdimisht kënaqem, dhe i them vehtes se rodi dhe pjella e rodit nuk humb kurrë, ai e tregon vehten në çdo rrethanë. Ruan nderin e familjes, dinjitetin, fytyrën dhe nuk tjetërsohet as për karrierë, as për gjëra që nuk kanë vlerë. Ti ma ke dashtë Halitin edhe kur ai ka qenë në breg të gërminës, nuk ke pyetur për njeri po ke lënë punën dhe ke shkuar dhe e ke vizituar në Tiranë në spital, kur ka qenë në gjendje të rendë shëndetësore dhe psikologjike dy herë. I ke dhënë kurajo dhe mbështetje. Nuk kam se si me e harru, se ti je bërë sebep, që ai të rikthehet në punë as 8 vitesh punëtor në pyje, me shokun tend të shkollës dhe fëmijërisë, Qemal Mingjozin, duke e detyruar atë miqësisht që të ndiqte letrën që ti e Qemali keni shkrojtur tek shtëpia jote në emër të Halitit për Ramiz Alinë, letër të cilën Qemali me shoqërinë e tij ia ka vu të parën në dosjen ditore Ramiz Alisë. Ramizi më ka njohur mua dhe shtëpinë tonë, se më ka pasë lidhë puna, po prapaskenat na rrënuan.

Urdhëri për kthimin e Halitit në punë u dha nga Ramiz Alia, po rrethi e ktheu, me pretestin se nuk kemi vend për profilin e tij. Do të mbyllej aty ai urdhër në se nuk do të ishe ti me shokun tënd, që përsëri përgjigjen e letrës së kthyer nga rrethi së bashku me urdhërin e tij, të mos ia vinin përsëri Ramizit në dosjen e mëngjesit. Hera e dytë tronditi strukturat e Pukës, nga frika i gjetën punë dhe e njoftuan aparatin për plotësimin e urdhërit. A mund ta harrojmë ne këtë. Haliti e di këtë gjë, se jo vetëm e ke vënë në dijeni ti për letrën që ke shkruar në emrin e tij, po edhe shoku juaj i përbashkët. Ia kam thënë Alisë një ditë, kur po kaloje pranë pallatit të kulturës me një turrë librash në dorë. Ne si shtëpi të kemi borxh respektin maksimal këtij burri të heshtur, që nuk i bën reklamë asnjëherë asnjë pune e ndihme që u ka dhënë njerëzve.

-O Muhamet, një gjë po ta thotë Ali Hasani dhe mbaje mend, njeriu i ndershëm, punëtori, i sinqerti vlerësohet vonë, shumë vonë, pasi ai të ketë disa kohë që të ketë lëvizur nga pozicioni i punës që ka kryer. Se gjatë kohës, sado rezultate të arrish, sado rendiment të lartë të sigurosh, të tjerët i dalin për zot punës dhe djersës sate, krenohen me arritjet e tua, me punën tende, dhe e quajnë se është puna e tyre, ndërsa ti merr at’ pagë që të është caktuar, merr mundin e sakrificën tënde dhe lavdin e marrin eprorët. Kur vendi të zevendësohet me një tjetër at’herë del në pah vlera e jote. Kjo ka qenë e mbetet stil drejtimi edhe në të kaluarën, edhe në të tashmen, po do jetë edhe në të rdhmen, bile në të ardhmen më e theksuar, se po dalin gjithfarë kuadrosh pa nivelin më minimal nga shkollat.

E kam thënë edhe at’herë, po e them përsëri e sa të jem gjallë, se të rrije me këta njerëz ishte një shkollë dije dhe përvoje.

Alia e kishte pallatin e banimit në tarracën e katërt të qytetit, edhe hyrjen e kishte në kat të katërt me sa mbaj mend, Për tu ngjitur e për të dalë në shtëpi tek pallati i duhej të kalonte katër shesh pushimesh, nëpër ato shkallë pingule dhe jo të rregullta. Kur ndaheshim me të, në vitet e para më jepte dorën aty në fillim të shkallëve.

– Dëgjo, sa të jem duke ta dhënë dorën këtu, me qenë se nuk po vjen me mua në shtëpi, mos më anko, se jam akoma në gjendje ta marr maloren, po do të vijë koha që në pushimin e parë do të eci në rruginën majtas dhe ta zbus maloren duke dalë tek kopshti, po po ta them diçka, se kur të vi me ty deri afër shtëpisë tende, dije se Ali Hasani është duke e mbyllë karrierën.

– Jo bre burrë se je i fortë, ke vullnet të hekurt, nuk ke abuzuar kurrë me asgjë, ti do të shekullohesh.

– He buzëqeshi, dhe më tha, mbaj mend këto fjelët e mija, se do të biesh edhe ti në këtë provë njerëzore. Ndryshova punë, fillova në fshatin e F.Arrëzit, më rrallë dilja në qytet, u mora me shoqërinë civile, me trajnime mësuesish dhe drejtuesish të shkollave, me seminare dhe aktive me të rinjtë dhe fëmijët dhe më pak takoja Alinë dhe Tahirin. Një ditë duke u kthyer nga qyteti e takoj në drejtim të farmacisë së qytetit, e cila ishte në pallatet afër ish axhesisë. U përshëndeta me të përzemërsisht, u ulëm në një tavolinë jashtë një likali dhe morëm nga një shishe ujë të ftohtë.

– Nga po vjen më thotë? Kam pyet Ajshen, se nga më ka humb Muhameti, dhe më tha se edhe në shtëpi është kthyer si musafir. Më pyeti për babën dhe më la porosi që t’i transmetoja përshëndetjet e tij, po ashtu më pyeti edhe për të vëllain e Ajshes, Mehmet Doçin, për të cilin kishte një respekt të veçantë, i cili kishte për grua mbesën e teze Xheves, vajzën e Isa Laçit.

– Jam angazhuar, krahas punës në arsim, disa muaj me ca të huaj që po punojnë në fabrikë dhe miniera, punoj si përkthyes dhe më shkon gjithë koha me ta, se përveç kohës së punës, ata më duan edhe në kohë të lirë, se janë grup i madh, po se vetëm 3-4 vetë flasin pak anglisht, edhe pse janë të gjithë ingjiniera dhe me tituj e grada shkencore. Më janë rritur fëmijët, o Ali, dhe i kam të gjithë për shkollë e studime, më janë rritur shpenzimet. Po ti, ke ardhë këndej për të takuar Nexhin, (të bijën që ishte farmaciste).

– Aha, ti jo se nuk e mban mend, po nuk do me ma thënë atë që unë ta kam ba me dije para disa vjetësh, se kur të më shohish duke ardhë drejt shtëpisë tende, e të marr kthesën e të ndjeki trotuarin drejt pallatit tim, dije se vaji i kandilit është duke dhënë shenjë se po mbaron dhe qeshi me gjithë shpirt e sinqeritet.

– Jo, Ali, ti je i fortë, je vital, ecën drejt, s’ka lidhje me atë që po thua.

Ishte hera e fundit që unë e takova njeriun që në personalitetin tim njerëzor, intelektual, qytetar ka ndikuar me mendimet e këshillat e tij të sinqerta, me përvojën e tij dhjetra dekadëshe. Kurdoherë, kur donte të më thoshte diçka që të më mbetej në kujtesë e fillonte me një anekdotë, dhe përmblidhte nëpërmjet saj përvojën e tij, moralin dhe këshillën që ajo mbarte. I jam mirënjohës atij si baxhanak, shok e dashamir i babës sim, por u jam mirënjohës edhe fëmijëve të tij, kushërinjëve të mi, të cilët në gjurmët e ndershmërisë së babës së tyre kanë shkëlqyer dhe ia kanë mbajtur faqen e bardhë atij, kanë shërbyer dhe sherbejnë më kontribute të mirëvlerësuara në komunitetet e punës, duke qenë shembull dhe reflektim i pozitivitetit, si dhe babai i tyre i cili është vlerësuar nga gjithëkush që e ka njohur nga afër dhe ka dëgjuar për të si një njeri me karakter burrëror, njeri i fjalës së mbajtur, njeri këmbëngulës, i suksessshëm në çdo punë e sipërmarrje sado e vështirë që ka qenë, është dalluar për njeri me kulture, me dije dhe horizont, njeri e kuadër me aftësi krijuese, njeri që ka respektuar cilindo në mënyrë të barabartë në punë, njeri që ka luftuar dhe vlerësuar hakun real dhe të drejtat e punëtorit, njeri që në komunitetin e qytetit dhe të fshtrave është vlerësuar për zgjuarsi, këshillim të drejtë, njeri i cili çdo punë dhe detyrë që i është caktuar i ka dalë për zot dhe e ka plotësuar me sukses, njeri që ka patur suksese në zgjidhjen e mosmarrveshjeve,hatërmbetjeve në komunitet, njeri dhe qytetar me saturë shembullore si kryefamiljar, bashkëqytetar, prind dhe qytetar me kulturë dhe integritet.

Me respekt dhe në kujtim e mos harresë,

Muhamet Ali Cufaj, Itali 4.Nëntor 2025