Argita Malltezi në Top Story: Akuzat ndaj Jamarbër Malltezit dhe Berishës rrëshqitje e rëndë e shtetit të së drejtës

Pedagogia e Fakultetit të Drejtësisë, vajza e ish-kryeministrit Berisha dhe bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, Argita Malltezi, ka foluar sot në një rrëfim ekskluziv në emisionin Top Story në Top Channel me Grida Dumën dhe analistë rreth ngjarjeve të fundit dhe sulmeve politike ndaj Berishës dhe Malltezit.
Nga shumë të rrallat dalje të saj mediatike, autorja e disa botimeve në fushën e të drejtës së shoqërive tregtare, Argita Malltezi vendos t’i përgjigjet pyetjeve të forta për raportin me babanë përjetimin për arrestimin e bashkëshortit dhe procedurën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Malltezi: Është rrëshqitje e rëndë e shtetit të së drejtës, për të gjithë sistemin që mban në këmbë shtetin shqiptar. Sot unë u jam mirënjohëse që më keni ftuar, e di shumë mirë se çfarë vlere ka vala dhe hapësira kohore televizive. Të jesh i vërtetë në atë që thua është liri që ti të veprosh në një strukturë që ti e njeh, e beson, po të mos ishte bërë ai deklarim njerëzit do të kishin më shumë paqartësi. Jam përpjekur të zbatoj çdo ligj, çdo rregull, çdo sistem normash morale. Për këtë shkak që kur kam mbaruar dhe jam futur në Fakultetin e Drejtësisë kam ruajtur çdo lloj dokumentacioni që ka të bëjë me jetën dhe të ardhurat e mia, është një armë e fortë për mua, jo me shtrembërime me manipulime provash.

‘UNË JAM PJESË E PD, JAM AVOKATE E VLERAVE QË AJO PËRFAQËSON’/ A DO TË FUTET NË POLITIKË ARGITA MALLTEZI? JA SI PËRGJIGJET VAJZA E ISH-KRYEMINISTRIT

E ftuar në emisionin Top Story, vajza e ish-kryeministrit Berisha, Argita Malltezi i është përgjigjur pyetjes së gazetarit Robert Rakipllari nëse ajo do të përfshihej në politikë.
Rakipllari: A kemi një kalim tuajin në politikë? A e keni me plan këtë gjë duke qenë se keni edhe shkak me këto padrejtësi me pushtetin e Edi Ramës?

Argita Malltezi: Betejën politike e bën Sali Bërisha, them që shkëlqen në atë që bën. Unë i qëndroj asaj që kam thënë. Unë kam marrë vendimin që të mos marr këtë rrugë, por të ndjek rrugën që kam ndjekur, sepse, qoftë edhe për shkak të eksperiencës që kam fituar gjithë këto vite. Unë e di se çfarë lloj përgjegjësie e jashtëzakonshme është pushteti. Ka të bëjë me bukën e njerëzve, ka të bëjë me lodhjen e përditëshme dhe me vuajtjet e përditëshme të njeriut të thjeshtë. Është shumë e vështirë të arrish pritshmëritë që duhet patur në këto raste. I mbetem asaj që thashë, unë nuk kam asnjë plan për t’u kthyer në politikë. Unë nuk kompleksohem kurrë për të marrë një vendim. Unë jam pjesë e Partisë Demokratike, jam avokate e vlerave që ajo përfaqëson. Kam një mirënjohje të jashtëzakonshmë ndaj çdo anëtari. I jam shumë mirënjohëse Zotit që kam arritur të shikoj atë lloj përmase të shpirtit të njeriut që ata kanë arritur të demonstrojnë në momente të jashtëzakonshme.

Bashkëshortja e Jamarbër Malltezit, Argita Malltezi ka deklaruar për “Top Story” se as bashkëshorti dhe as i ati, Sali Berisha, nuk janë pyetur gjatë 3 viteve hetime për çështjen “Partizani”.
Sipas Malltezit, fakti që nuk kanë dëgjuar mbrojtjen apo personat kryesorë ndaj të cilëve rëndon çështja, tregon se ky është një sulm politik i hartuar nga Edi Rama, dhe SPAK dhe GJKKO janë kamxhik në duart e kryeministrit.

Malltezi: Shqipëria si çdo vend në tranzicion ka pasur korrupsion, këtu biem dakord të gjithë. Rankimet për korrupsion të Shqipërisë megjithatë janë përkeqësuar në kohën e Ramës, është më keq sesa para 2013.
Rankimet e DASH flasin për korrupsionin, por këtu drejtësia godet nga bishti.
Rakipllari: Zv. kryeministri nuk është bishti, ministri i Mjedisit, ministri i Brendshëm…
Malltezi: Ministri i Brendshëm shkoi në procedim pasi u zbulua se ishte i lidhur me mafien italiane.
Hetimi nuk fillon nga bishti. Nuk ka hetim sot. Kjo është fashitje në shtetin ligjor.
Rakipllari: SPAK-u ka goditur deri tani nga ana e majtë.
Malltezi: Jo jo, janë proceduar edhe më parë kryeministra.
Aa për pritshmëritë e SPAK-ut shikohet materja dhe përmbajtja. Por po them diçka, bënë 3 vjet hetime. Po në cilin dimension dhe në cilin planet mund të ndodhë që në 3 vite të pyeten bashkëortakë të Jamarbërit, personat pjesë e administratës, të mos lihet asnjë pa pyetur gjatë hetimeve përveç dy personave që janë objekti kryesor i hetimeve, Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha.
Si mund të shkojë dosja në gjykatë pa pyetur Malltezin dhe Berishën. Sepse kur të dilte dosja, nuk duhej të mos bëhej publike deklarata e tyre. S’kanë dashur që deklarimi i Berishës dhe Malltezit të jetë në dosje dhe të dalë në media. Pse? Sepse ky është një sulm politik i hartuar nga Edi Rama dhe SPAK dhe GJKKO janë kamzhik në duart e Edi Ramës. Kjo gjykatëse ka marrë një dosje dhe ka vendosur masën e kufizimit të lirisë pa dëgjuar asnjë argument të mbrojtjes dhe personave. Ndoshta këta ishin gabim por duhet të ishin dëgjuar. Është hera e parë në 30 vjet që shkelet kushtetuta dhe kufizohet liria e një deputeti.