Çfarë fsheh Vuçiç dhe çfarë po përgatit Beogradi për fqinjët. Projekti që mbështetet tek dredhia dhe durimi – Nga JANUSZ BUGAJSKI

 

 

Gjatë presidencës së Aleksandër Vuçiç, Projekti i Serbisë së Madhe është rimëkëmbur. Por ndryshe prej epokës së Sllobodan Millosheviçit, projekti nuk bazohet më në luftë të mirëfilltë, vrasje etnike, dëbime masive dhe rrëmbimit të territorit. Tashmë, kjo fushatë zhvillohet  në përputhje me tre parime kryesore: dredhi, fleksibilitet dhe durim.

Në (regjimin e) Millosheviçit, Serbia e zgjeruar supozohej të ndërtohej nga copëtimi i Jugosllavisë, duke marrë territoret me shumica serbe nga republikat fqinje si dhe duke vrarë ose dëbuar grupe të tjera etnike për të krijuar shumica serbe. Projekti dështoi kryesisht për shkak të rezistencës së kroatëve, boshnjakëve, shqiptarëve dhe malazezëve dhe, përfundimisht, prej ndërhyrjes ushtarake ndërkombëtare të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara.

Vuçiç ka shërbyer si ministri i informacionit i Millosheviçit dhe për këtë arsye është krejtësisht i familjarizuar me dezinformimin dhe mashtrimin për të arritur qëllime madhore në politikë. Pas monopolizimit të politikës serbe nga Partia e tij Progresive dhe mënjanimit të opozitës, Vuçiç ka mjaft hapësirë për të ndjekur ambiciet e një Serbie mini-perandorake në Ballkan.

Strategjia e Beogradit zhvillohet në bazë të tre elementëve kryesorë: dobësimi i fqinjëve, diplomacia e dyfishtë dhe ndihma e Rusisë. Serbia nuk është në gjendje që të sfidojë Kroacinë, e cila ka arritur të marrë anëtarësimin si në NATO ashtu dhe në BE, ndonëse vazhdon të marrë armë nga Rusia dhe Kina në një mini-garë armatimesh me fqinjin e saj më të pasur verior. Kroacia ka një popullsi serbe shumë më të vogël dhe më pak kompakte sesa gjatë epokës së Jugosllavisë dhe ka më pak dobësi politike dhe ekonomike të cilat mund të shfrytëzohen nga Beogradi.

Tre objektivat kryesore të projektit të rimëkëmbur të Serbisë së Madhe janë Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje – Hercegovina. Kosova nuk mund të rimerret brenda (territorit të) Serbisë dhe kundërshtimi ndaj çfarëdo formë ndarjeje mbetet i theksuar. Objektivi i Beogradit është të vonojë pafundësisht një zgjidhje përfundimtare në marrëdhëniet dypalëshe dhe ta mbajë Kosovën në paqëndrueshmëri dhe të pasigurt për të ardhmen e saj. Një Kosovë e dobët i mundëson Beogradit të rrisë ndikimin e tij rajonal.

Megjithëse Mali i Zi është anëtar i NATO-s, politika e Vuçiçit është ideuar për të prishur sovranitetin e tij dhe për të nënshtruar politikën e tij të jashtme. Zyrtarët dhe media serbe ndërhynë në zgjedhjet e fundit parlamentare të Malit të Zi për të promovuar opozitën nacionaliste. Koalicioni i ri qeverisës mund ta dobësojë orientimin perëndimor të vendit, veçanërisht nëse Fronti Demokratik (FD) do të dominojë në qeverinë e re. Ai është i lidhur ngushtë me grupet nacionaliste serbe dhe operativët rusë dhe mbështet projektin e Serbisë së Madhe. Ai do të kërkojë të forcojë identitetin serb në Malin e Zi dhe të anulojë ligjin e ri mbi pronat fetare. Udhëheqësit boshnjakë dhe shqiptarë do të jenë veçanërisht të shqetësuar nga shovinizmi serb në rritje që mund të përqendrohet kundër komuniteteve të tyre.

Bosnje – Hercegovina është shënjestra e tretë kryesore e pan-serbizmit. Vendi mbetet jofunksional kryesisht për shkak të politikave bllokuese të Republikës autonome Serbe (RS). Udhëheqësi i saj, Milorad Dodik, kërcënon në mënyrë periodike se do të shkëputet dhe do të krijojë një shtet të ri serb. Pas gjenocidit ndaj myslimanëve boshnjakë gjatë kohës së luftës, territori ka një popullsi kryesisht serbe. Megjithëse Vuçiç shmang të bërit fushatë për ndarjen e Bosnjes dhe marrjen brenda territorit të RS, parashikimi është se një krizë më e gjerë rajonale dhe konfliktet brenda vetë Bosnjës do të ofrojnë në të ardhmen mundësinë e shkëputjes, atëherë kur Perëndimi të shpërqendrohet.

Një përbërës tjetër kryesor i qasjes së Beogradit është diplomacia e dyfishtë. Ndërsa pretendon se aspiron anëtarësimin në BE dhe marrëdhënie më të ngushta me NATO, Serbia kërkon të ekuilibrojë katër fuqitë e mëdha – Rusinë, Kinën, SHBA-në dhe BE-në. Ajo synon të përfitojë nga secila, diplomatikisht, ekonomikisht dhe ushtarakisht, duke imituar strategjinë e mos-rreshtimit të Jugosllavisë pas prishjes së Titos me Stalinin në 1948. Kjo gjithashtu mund të fshehë dhe ndihmojë projektin pan-serb, nëse Beogradi fiton mbështetjen e aktorëve kryesorë ndërkombëtarë.

Faktori i tretë që Vuçiç përllogarit se do të ndihmojë me axhendën e tij e Serbisë së Madhe është ndihma e qeverisë ruse. Moska e sheh Beogradin si një mjet të dobishëm për prishjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, për kufizimin e integrimin të tij në Perëndim dhe për zgjerimin e ndikimit rus. Megjithatë, në një moment të caktuar, Kremlini mund të përpiqet ta shtyjë Vuçiçin në një konflikt të drejtpërdrejtë rajonal, çfarë ai është përpjekur ta shmangë. Putini mund të shfrytëzojë aleancën e tij edhe më të ngushtë me Banja Luka për të nxitur shkëputjen e RS dhe për t’i dhënë shtysë një reagim zinxhir konfliktesh që do të shqetësonin BE-në dhe NATO-n.

Në vend të konfrontimit të drejtpërdrejtë që do mund të provokonte sanksionet perëndimore, Vuçiç preferon të veprojë me dredhi dhe të manipulojë dobësitë e fqinjëve. Në vend të një sulmi të drejtpërdrejtë mbi integritetin ose sovranitetin e shteteve pranë, Vuçiç është fleksibël në zbehjen e pavarësisë së tyre dhe në inkurajimin e mosmarrëveshjeve nacionaliste. Dhe në vend që të vrapojë për dominim rajonal, Vuçiç preferon të jetë i durueshëm, duke llogaritur që koha është në anën e Serbisë.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here