Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma ambasadorin Richard Grenell , me Medaljen Presidenciale të Meritave,

 

 

 

Grenell: Nuk duam fjalë boshe – do të zbatojmë marrëveshjen e 4 shtatorit

  • Leonat Shehu

 

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dekoroi të hënën mbrëma me Medaljen Presidenciale të Meritave, ambasadorin Richard Grenell, në nderim të kontributit të jashtëzakonshëm të Shteteve të Bashkuara për dakordimin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Marrëveshja e Shtëpisë së Bardhë do sjellë paqe, stabiliteti ekonomik dhe jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës dhe rajonit”, tha presidenti Thaçi.

Ai falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump, për angazhimin në arritjen e marrëveshjes ndërsa nënvizoi se “kjo marrëveshje u bë e mundshme në Shtëpinë e Bardhë dhe ne besojmë fuqishëm se përsëri SHBA-të mund të arrijë marrëveshjen finale politike për njohje reciproke mes Kosovës dhe Serbisë”.

Zoti Grenell mbërriti të hënën në mbrëmje në Prishtinë si pjesë e një delegacioni, që drejtohet nga shefi Ekzekutiv i Korporatës Ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Financiar, Adam Boehler dhe shefja e Bankës për Eksport-Import, Kimberly Reed, pas ditë pas dakordimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin ekonomik.

Zoti Boehler dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti nënshkruan një deklaratë të përbashkët, e cila, siç thuhet, garanton zbatimin e projekteve që dalin nga dakordimi i 4 shtatorit.

Më pas ambasadori Grenell tha se kjo vizitë është dëshmi e përkushtimit amerikan për marrëveshjen e nënshkruar në Washington.

Erdhëm ta dëshmojmë përkushtimin rreth marrëveshjes për normalizimin ekonomik. E dimë se Kosovës i janë bërë premtime në të kaluarën dhe duam të zotohemi se do të vazhdojmë me zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.

Ne nuk duam fjalë boshe, ne duam t’u tregojmë qytetarëve të Kosovës se cilët janë aleatët më të mëdhenj, se ne qëndrojmë me ju dhe mund të ecim përpara me zhvillimin ekonomik”, tha ambasadori Grenell, duke theksuar se zhvillimi ekonomik, krijimi i vendeve të punës për të rinjtë do të ndryshojnë peizazhin politik të rajonit.

Presidenti Trump që nga fillimi më ka thënë që të vijë të gjejë një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që mbështetet ne krijimin e vendeve të punës dhe jo diskutime politike. Simbolizmat janë të rëndësishëm, por nuk mund ta paguajnë qiranë tuaj, nuk mund ta ushqejnë familjen tuaj dhe nuk japin shumë shpresë”, tha zoti Grenell, duke nënvizuar se presidenti Trump “është vërtet krenar për këtë marrëveshje historike dhe të mos gabohemi ne nuk do të ishim këtu pa presidentin Trump…nëse nuk do të thoshte presidenti Trump që të bëjmë diçka ndryshe për rajonin, të shkojmë të bëjmë diçka ndryshe për qytetarët. Pasi që marrëveshja u nënshkrua, përsëri presidenti Trump na tha në Zyrën Ovale që të vijmë ta zbatojmë. Nuk janë vetëm fjalë, ai është president i veprimeve”, tha ambasadori Grenell.

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha se prania e delegacionit amerikan “tregon vendosmërinë edhe seriozitetin e presidentit Trump, të administratës së tij, të ambasadorit, të gjithëve bashkëpunëtorëve të tij për zbatimin e një marrëveshje që po cilësohet me plotë të drejtë, marrëveshje historike, hap tepër i madh drejt finalizimit të marrëveshjes finale në mes dy vendeve. Kishim një bisedë të gjerë, të detajizuar për të gjitha pikat e marrëveshjes, e them me kënaqësi dhe e kam për nder ta them se do të lëvizim shpejt në zbatimin e kësaj marrëveshje, pra është krijuar një momentum i ri ekonomik në Kosovë dhe rajon edhe bashkë me këtë momentum të ri ekonomik besoj që do të lëvizim përpara edhe në pjesën e normalizimit të marrëdhënieve politike”.

Ai tha se marrëveshja do të krijojë mijëra vende të reja pune dhe do ta shndërrojë Kosovën dhe rajonin në një regjion më të integruar në aspektin të infrastrukturës dhe zhvillimit ekonomik.

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here