Dhjetë POETË KINEZË. Përktheu: Faslli Haliti

Njerëzit e fshehin dashurinë

1. Po Chu-I

DORËHEQJA

Mos mendoni për gjërat e kaluara dhetë mbaruara
përse të mendoni për të kaluarën, zgjon keqardhje e dhimbje
Mos mendo për gjërat që do të ngjajnë
sepse të mendosh për të ardhmen e mbush njeriun me frikë.

2. K. Fukajabu

TANI ËSHTË DIMËR

Tani është dimër.
Por petalet e bardha
zbresin nga qielli.
Mbase përtej reve,
tashmë, është praverë

3. Bonsui Tschti

YJET DHE LULET

Si dy motra të rritura nga nëna
që quhet «natyrë»,
dy qenie: ylli dhe lulja.
Lulja e qiellit quhet ylli,
ylli i tokës quhet luleja.
Dhe janë larg nga njëri – tjetri,
por aroma e tyre është e njëjtë.
Dhe është e bukur të shohësh çdo mbrëmje
dy motër e vëlla të shkëbejnë buzëqeshjen dhe dritën e tyre.
Kur zbardh agimi dhe vezullimi i zbehtë spërkat retë,
lulet e qiellit shuhen.
Por shikoni: pikat e vesës së bardhë
lagin, si lot, yjet e botes tokësore!

4. Ai Ch’ing

KARROCA E DORËS

Në krahinat e lagura nga Huang Ho
në shumë shtretër të tharë lumenjsh
karrocat e dorës
vetëm me një rrotë
nxjerrin krisma të mprehtë sa dridhet qielli
nëpërmjet cingërimës dhe heshtjes
nga rrëza e këtij mali
ndihet
gjema e njerëzve të veriut.
Në ditët e borës dhe ngricës
në fshatrat e varfëra dhe midis një fshati dhe fshatit tjetër
karrocat e dorës
me një një rrotë të vetme
lenë vraga të thella mbi pluhurin e nderur
nëpërmjet hapësirës dhe dëshpërimit të plotë
nga kjo rrugë
në këtë rrugë
mplekset
gjema e njerëzve të veriut.

5. Wei Li Bo

FLUTURA

Flokë qielli
Fëshfërijnë përreth
Krifës së lulëzuar
Të kajsive;
Mesagjerë të diellit
Endur me fije mëndafshi.

I LODHUR NGA DITA E ËMBËL PRANVERORE

Në gjumë pema e manjolies
hap duart e bardha.
Pushon në rrezen hënore
shkëlqimi i luleve.
Lapurakët çajnë si shigjeta heshtaz
midis degëve blu.

6. Ho Chi-Fang

HORIZONTE QË HAPEN

Horizonte që hapen
Si një oqean i gjërë
sot hapen përpara nesh
shumë mundësi jete;
në fakt sot, kudo që të punojë njeriu,
ka një rast të volitshëm, është një thesar për t’u zbuluar:
gjithë ajo që mund të bëhet.
Të bashkohesh në një kor, të luash në teatër,
të ndërtosh hekurudha, të pilotosh një avion,
të punosh në një laborator,
të shkruash poezi, të zbresësh pjerrësi me borë,
të drejtosh një anije midis dallgësh të mëdha,
të eksplorosh Arktikn apo tropikët, të jetosh në një tendë.
Në jetën e çdo dite
tregohu i vëmendshëm edhe për gjëra e vogla:
ndiz zjarrin e të tjerëve me zjarrin tënd,
hap zemrën e të tjerëve me zemrën tënde;
jeta është e shkëlqyer, e paanë,
dhe kudo ku ka jetë ka një thesar.

7. Anonim i parë

I BLERTË, I BLERTË BARI

I blertë, i blertë
Bari gjatë rrëkesë.
I dendur, i dendur
Shelgu i kopshtit.
E trishtë, e trishtë
Zonja në kullën e saj.
E bardhë e bardhë
Ulur mbi pragun e dritares.
E bukur, e bukur,
Faqja e lyer me të kuqe.
E hollë, e hollë
Dora e zbehtë që zgjatet.
Dikur ishte vajzë në një shtëpi vallëzimi
Tani është bërë nusja e një vagabondi.
Vagabondi u nis dhe s’u kthye më.
Është e vështirë të mbesësh vetëm në një krevat bosh!

8. Anonimi i dytë

Nga libri i Odeve

XUNKTHET E MOÇALEVE JANË TË GJELBËRT

Xungthet e moçaleve janë të gjelbërt
Dhe përkulen nga era.
Pashë një grua që ecte atje
Në mbarim të ditës.
Mbi ujin e zi të moçalit
Pluskojnë gonxhet e zambakëve.
Unë e pashë duke ndenjur në këmbë mbi breg
Në të rënë të natës.
Gjithë natën rri zgjuar,
Dhe nuk mund të arrij të fle.
E përkulshme më duket ajo
Si një xunkth i thjeshtë në erë.
Mbyll sytë dhe e rishoh
Të pluskojë si një lule zambaku
Bardhësia e grykës së saj,
Mbi ujin e zi të enatës pa hënë

9. Wu – ti (464-549) para Krishtit

NJERËZIT E FSHEHIN DASHURINË

Kush thotë vallë
Se jam unë që dua
Këtë shkëputje, këtë të jetuar larg teje ?
Rrobat e mia erëmojnë-ende nga kalliri që më dhurove,
Dora ime mban ende letrën që më dërgove,
rreth mesit mbaj gjithmonë një dopio rrip;
Ëndërroj që ai të na lidhë të dyve në një nyje të vetme.
Nuk e dije ti se njerëzit e fshehin dashurinë
Si një lule tepër të çmuar për t’u këputur?

10. Chou Po-I

TË KATËR STINËT E PISHAVE –
NGA OPERA kineze

Rriten pishat
të shpërndara pa asnjë rregull,
jo në rreshtat e rregullt,
ka midis tyre të gjatë e të shkurtër.
Në stuhitë e vjeshtës
era fishkëllen midis degëve.
Kundër diellit të verës
ato na huajnë një hije të freskët.
në kulm të pranverës
një shi i imët në mbrëmje
mbush gjethet e tyre
me një ngarkesë pikash pikuese,
dhe në fund të vitit
koha e borës së madhe
stampuar në degët e tyre
një dantellë e bardhë që shkëlqen.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here