Kismete Hyseni: KANGË VAJI, poezi për nanën

Nuk e du natën pa hanë,
Vjeshtë e terr i kam mallku
Se ma vodhën të lumen nanë,
Së më ndanë nanën dhe mu.

Atë ditë vjeshte pa agu,
Nana, ra, ma nuk u zgju.

Atë ditë dielli s’ desht me dalë
Asnjë dritë s’u dhez te shpia
Atë ditë heshtën zogjtë e malit
Vaj mu banë kangët e mija.

T’ kisha ditë, o mirë me knu,
Pa dridh zani t’ kish me m’ dalë
Për këtë dhimtë që m’ ka kaplu,
Me ia thanë nanës dy fjalë.

Të falem ty, t’ falem oj nanë.
Nji mijë herë i kisha thanë.

T’ kisha ditë ma mirë me knu
Plagë e lot me i ba varg
Gjama ime kish marrë udhë
Deri n’ qiell kish me shku larg.

T’ kisha ditë mirë me vajtu
Për nanë loken me ngje fjalë
Gurë më gurë kisha lotu,
Për të gjallë nuk isha ndalë.

T’ kisha ditë, o nanën me kja,
Në krye të saj me u përbe:
Prej atë ditë kur jemi nda,
Mu ka mlu zemra me dhe.

E përcolla nanën,
Deri te guri i vorrit,

Nji rrem te gojfilit
Ia lash, te kryet
Dhe u nisa
Pa e ditë se ku me shkue,
E nanën me e lanë
Me dhe mbulue.

Oj nanë, oj nanë,
E thirra sa mujta.
Atëherë e vuna kryet n’prehnin e saj
Dhe heshta.
Kështu më pëlqente
Të flas me nanën
Krejt ia thojsha,
Pa e thanë asnjë fjalë.

Ajo më kuptonte
Dhe më përgjigjej
Herë me za.
Herë me ofshamë.

Atë ditë kur fryma e saj pushoi
Heshtëm të dyja.

As thirrje skish,
As gjamë, as ofshamë.
Ma s’ndihej za
Asgja nuk ngjante ma.

Nanë,
Nuk po muj me u ndalë
te guri i vorrit,
Emnin me ta thirrë,
e me ty me u falë.
Nuk po muj në gjunjë me ra,
me kja, e me kja, e me kja.

Nanë,
Nuk po muj me pa me sy,
se në atë kuti të kemi ndry.
Nji jetë të tanë tu u ç’ba.
Nuk po muj me e pa,

Nanë,
Po du me ndejtë zgjuet,
me të pritë te pragu i derës.
Po du rrudhat e ballit me ti numëru
e n’faqet e tua me i marrë erë pranverës.

Nanë,
Po du me ardhë me ty, me shtegtu,
rrugës së ngushtë me u përbiru.
Po du andrrat e fëminisë
e shkrumin e shpisë
me i lidhë në palë të shamisë.

Nanë,
Po du te kryet tand me ra
Me i mbyllë sytë, e ty me të pa.

Po du me të pa të bukur,
po du me të pa të gëzueme.
Po du me të marr ngrykë
e me të përqafu

Po du me të dashtë, e me të dashtë,
e me të dashtë,
Qysh të du. Nanë, oj nanë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here