Dr. DURIM ÇAÇA: NË NDERIM TË POETIT DHE SHKRIMTARIT, JOSIF DOJA

Përcollëm në amshim, (11 tetor 2023) poetin, publicistin, organizatorin e festivaleve, veprimtarin kulturor dhe intelektual për dhjetëra vite të Kavajës, mikun tonë të letërsisë e njeriun e dashur! Po ripublikoj, nw nderim tw kwtij krijuesi tw spikatur, një esenë time për mongrafinw e tij tw letrarizuar, kushtuar Dëshmorit të parë të Demokracisë në Shqipëri,

SHENJIME TIMIKE TË HEROIKES

Lexim i “Baladw pwr Josif Budwn”, publicistikw historike nga Josif Doja

Josif Doja është një emër i njohur i shpërfaqjes pasionante, në jetën kulturore e shoqërore të trevës së Kavajës. Me një veprimtari 50-vjeçare artistike e letrare, puna e tij krijuese është tashmë pjesë e traditës së vlerave të kësaj treve.
Poet i frymëzuar, me vëllime të tillë poetikë, si “Dita që vjen është e dashura ime”, “Nuk kam kohë për të vdekur” dhe “Bukuri të brishta”, prozator me një art nazik, në përmbledhjen me tregime e skica “I besoj atij loti”, folklorist me qëmtimin dhe publikimin e “Visare vllehe”, publicist i dashuruar me fjalën, me biografitë e letrarizuara “ Jetë në vallëzim” për koreografin e shquar popullor Ibrahim Roçi dhe “Baladë për Josif Budon”, dëshmorin e parë të demokracisë së re shqiptare, shkrimtar i dashur për fëmijë, me botime të tilla si: “Lule pi e mbush kuti” apo “Dy shoqet dhe harabeli i vogël”, bashkautor i antologjisë së krijuesve të trevës së Kavajës “Zëra të një qyteti”, për të përmendur vetëm disa nga publikimet e shumta të krijimtarisë së tij,- përveç veprimtarisë së gjerë e përkushtimtare si skenarist, regjisor, autor tekstesh të festivaleve të këngëve, moderator spektaklesh e recitalesh të shumtë artistikë, – Josif Doja paraqitet kështu, si një individualitet plot pathos në artin dhe kulturën e kësaj treve. Personaliteti i tij krijues ndihet i gjallë gjithëherë veç përmes zërit të krijimit, energjisë së shkrimësisë, fytyrës së veprës kulturore.

***
“Baladë për Josif Budon”, botimi i tij më i ri, paraqitet si një biografi e letrarizuar, e ndërthurur me eseistikën dokumentare dhe, në episode të spikatur, si publicistikë historike, gërshetuar me frymëzimin e poetikës së heroikes së re.
Në modus-in jofiksional narrativ të baladës, heroi paraqitet sipëror nga niveli,-ndaj njerëzve të tjerë dhe ndaj mjedisit të vet shoqëror, veprimet e të cilit janë përtej të zakonshmes, por që vetidentifikohet si qenie njerëzore.
Ndërsa në modus-in kur heroi joletrar nuk është sipëror, as ndaj njerëzve të tjerë, as ndaj mjedisit të vet shoqëror, ai është njëri prej nesh. Ne reagojmë në kuptim të njerëzisë së tij të përditshme, fisnikërisë, guximit dhe sakrificës së tij dhe kërkojmë nga shkrimtari kanone të njëjta të besueshmërisë që ne i gjejmë në përvojën tonë. Në këtë nivel, autori, herë-herë, has në vështirësi për të ruajtur fjalën “hero”, që ka një kuptim më të kufizuar.
Në këtë hulli, mes këtyre dy modus-e të rrëfimit joletrar, projektohet imazhi i djaloshit 21 –vjecar, Josif Budo, deri në aktin e tij heroik, të përballjes me mekanizmat shtypës të pushtetit totalitar e të vetëflijimit të tij sublim.
Doja e ka në intensën e shkrimësisë së tij pathos-in narrativ, por në këtë rast, duke e drejtuar te një karakter i vetëm protagonist, te heroi i demokracisë, pathos-i arrin në shkallën më të lartë, përmbi “mimetis-in” aristotelian, (imitimin) e përditshmërisë, të revoltave dhe protestave, në një vend e një popull varfërie e mjerimi çnjerëzor,- ngaqë është individualizuar fuqimisht në portretin njerëzor të të riut Budo, bashkëkohësit tonë martir.
Pathos që, me këtë artikulim të lartë, ka prirje të bëhet një thirrje faktike kujtese dhe frymëzimi, siç ndodh dhe në këtë publicistikë historike:
“…Në atë mbasdite të atij korriku të vitit 1990… Dhimbja, e pafund…Lotët, të pafund. Ndahen me Josifin e tyre të shtrenjtë, nëna, babai, motrat, vëllezërit, të afërmit. Mandej një lumë i pafund njerëzish nisi të rrugëtojë…Në krye fare, mbartur mbi supet e shokëve, ai, dëshmori i parë i demokracisë shqiptare…Arkivoli i tij (me trupin e të vrarit nga sampistët e pushtetit të sistemit politik monist, -shën. ynë), i mbuluar nga çarçafi i skuqur i tëri nga gjaku i tij i pavdekshëm dhe nga flamuri ynë kombëtar…Rruga e ka të vështirë të përballojë këtë lumë njerëzor. “Lumi” nuk ka të reshtur. Ai vetëm dallgëzon…Ai vetëm buçet…Poshtë diktatura! Poshtë komunizmi! Liri-Demokraci!…Josif Budo nuk ka vdekur! Josif Budo është i gjallë! Josif Budo është hero!”…
Akt sublimiteti i lartë e popullor i Kavajës që tronditi themelet e pushtetit diktatorial në të gjithë vendin, si një shpresë për të ardhmen.
Ky pathos i lartë i kësaj monografie letrare shpërfaqet përmes rrëfimit se, si dikush që e njohim si veten tonë, thyhet nga konflikti mes botës së brendshme dhe asaj të jashtme, mes realitetit shkrimësor, (përkujtues, përshkrues, në rastin tonë) dhe atij lloji realiteti që është krijuar nga koncensioni moral e historik shoqëror.

***
“Baladë për Josif Budon” paraqitet si shkrimësi e rrëfimit tematik jofiksional, me elementë të narrativës letrare, ngaqë autori, Doja, është, deri në një farë mase, zëri ligjërimor imagjinativ, me një audiencë të imagjinuar sepse, po të zhdukej tërësisht projeksioni imagjinar, shkrimi do të bëhej adresim i drejtpërdrejtë, ose shkrim linear diskursiv, (si një artikull i ditës i një aktualiteti përkujtimor publik) dhe do të pushonte së qeni tekst dokumentar letrar, me projeksionin frymëzues idealist.
Sepse nuk ka vepër, jo vetëm fiksionale, por edhe në një biografi të letrarizuar, siç është botimi në fjalë,- që të mos ketë një lloj marrëdhënieje të shprehur mes krijuesit të saj dhe një auditori lexuesish ngaqë, kur autori i drejtohet publikut të brezit të sotëm apo të brezit të ardhshëm, relacioni mes heroit, shoqërisë, shkrimtarit dhe lexuesit,- që ka një vepër e mirëfilltë letrare, vërtet ndërron, por qëndron gjithnjë, edhe në një vepër jofiksionale, si në këtë ese memoralistike dokumentare.
Dihet që retorika e prozës joletrare është e prirur të theksojë emocionin, përjetimin e drejtpërdrejtë, në rendin e parë, kurse intelektin dhe thirrjen për meditim, të mbështetur në metaforat vizuale, në një rend të mëpasmë, – thirrje e cila del në plan të parë në retorikën konceptuale.
“Baladë për Josif Budon” është një rrëfim heroik historik, me një shprehësi të drejtpërdrejtë të retorikës emocionale, gjer dhe të emocionit kinetik personal autorial.
Veçanërisht, në episode të tillë të kësaj eseistike të historisë sonë të re të demokracisë, si: “Ballë për ballë, më 10 korrik” e “Nata e vajit dhe e nesërmja e lamtumirës”, ku intensa e përjetimit arrin “pikën e vlimit” të elegjiakes dhe tragjikes, elegjiake dhe tragjike që e paraqesin heroizmin si një akt të lartë shoqëror, të paprekur nga “mimetisi”(imitimi) i së zakonshmes dhe i të së përditshmes.
Vepra në fjalë bën një përpjekje për të monumentalizuar literarisht, një jetë të thjeshtë të një të riu në një moshë fare të re, në lulen e jetës së tij njëzet e një-vjecare, përmes fakturës së vërtetësisë historike, poetikës së intensës së emocionit dhe pathos-it autorial, e gjitha kjo, si një shprehje e idealitetit të lartë shoqëror të kohës sonë.
Mënjanimi i një emfaze letrareske që shfaqet në ndonjë rast, apo i një reminishence të lehtë, herë-herë, të publicistikës agjitative e propagandistike ideologjike të periudhës së mëparshme politike moniste, (në kahun tjetër), të tipit: “…nga dita në ditë po shndërrohej në një shembull të madh frymëzimi…” “…në radhët e para të kësaj lëvizjeje të fuqishme jetike, zgjuese, përtëritëse e me rëndësi të madhe …” “…ishin një, të bashkuar si mishi me kockën në mendim, në guxim dhe në shpirtin e tyre të pathyeshëm.” “…ishte imperativ logjik i kohës… që po vinte, i traditave më të çmuara…”, etj..do ia shtonin më tepër vlerat kulturore këtij tekstualiteti kurajoz përjetësues.
Timia, sipas Fraj-it, është predispozita afektive bazë, marrëdhënia parësore e qenies jetësore me personat dhe objektet, me të cilët bie në kontakt dhe që përbëhet nga eu-foria, (tërheqja, lëvizja drejt personit apo objektit), dis-foria,(refuzimi, largimi prej tij) dhe a-foria, (pozicioni neutral, i ndërmjetëm). Në rastin e veprës që shqyrtojmë, në këto kategori timike, (si relevime semiotike: të shenjuara, të dukshme, të shprehura, të shfaqshme), bie në sy, pa dyshim, ajo e eu-forisë, që aksiologjizohet dhe vishet me vlerë emocioni dhe ndjenje të fuqishme të autorit që tërhiqet, inspirohet, frymëzohet dhe shpirtëzohet me heroin historik të kohës së re, jetën dhe aktin vetflijues të të cilit e vë në qendër të shkrimësisë së tij.
Madje, brenda një semiotike pasionale, ndjesia e emocionit të fortë, që vihet re, thekshëm, te kjo “Baladë…”, (me ndonjë tepri të lehtë patetizmi), nuk ezaurohet në organizimin e veprimit të rrëfimit, por qëndron thellë në sistemin semantik të të gjithë narracionit. Nga që ndjenja, nga ky këndvështrim, nuk duhet kuptuar si një përbërëse iracionale e përvojës njerëzore që i kundërvihet arsyes, as si një gjendje pasiviteti sjelljeje që i kundërvihet veprimit por, duke u vendosur në një nivel të thellë të kuptimit, ndjenja ka dinamikat e veta të cilat, duke u investuar shoqërisht e kulturalisht, gjenerojnë si arsyen, si veprimin, ashtu dhe shkrimin pasional, si në këtë rast, të përjetimit dhe përjetësimit të heroikes së kohës së re.
Josif Doja, shkrimtari ynë i njohur, sjell me këtë faktikë poetike të monografisë së letrarizuar biografike, për dëshmorin e parë dhe Martirin e Demokracisë së re shqiptare, një ndihmesë me vlerë në letërsinë tonë të sotme dokumentare-publicistike dhe eseistikën e re historike.