JU TREGOJ 33 VJET JETË TË GAZETËS “RILINDJA DEMOKRATIKE”
Nga DR. MUJË BUÇPAPAJ, bashkëthemelues i gazetës “RD” dhe gazetës “Tribuna Demokratike”
Pak ditë pas themelimit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, në dhjetor 1990, gjendja e lirisë së mediave në Shqipëri ishte e vajtueshme. Partia në pushtet kontrollonte totalisht mediat e shkruara si dhe ato audiovizive dhe ajo që është më e keqja, i kishte drejtuar ato kundër demokratëve të papërvojë dhe me mundësi të pakta për të ngritur një sistem të tyrin informues.Një stuhi sulmesh të stilit të propagandës së vjetër komuniste u lëshua kundër lidërve demokratë të cilët paraqiteshin si “huliganë”, “shkatrrues” dhe “kërcënues të rendit dhe sigurisë së Shqipërisë”.
Vendi i vogël ballkanik ishte i fundit në rajon që po përpiqej të përshtaste rregullat e reja të pluralizmit dhe ekonomisë së tregut. Qeveria komuniste ndërsa ishte detyruar të pranonte pluralizmin pas presionesh të forta të Levizjes Studentore të dhjetorit 1990 dhe atyre nderkombëtare të udhëhequra nga SHBA-të, shfaqte synime të qarta për të lejuar një opozitë të dobët, të kontrolluar dhe me mundësi të vogla për ta sfiduar në zgjedhjet 31 marsit 1991.
Në këto rrethana shtypi i lirë do të ishte prova e parë e demokracisë dhe pluralizmit shqiptar. Pas plot 46 vjetësh izolimi total dhe mohimi të fjalës së lirë, Partia Demokratike kishte vendosur të nxirrte gazetën e saj. Ishte një kohë pritjeje, por edhe përgatitje për stafin e ri, i cili do të drejtonte gazetën, siç ishin edhe disa gjëra të natyrës teknike. PD, e themeluar më 11 Dhjetor 1990, më 12 dhjetor të këtij viti u shpall publikisht gjatë një tubimi historik në Qytetin “Studenti” Tiranë. Pluralizmi ishte pranuar politikisht, por nuk ishte legalizuar akoma në mënyrë institucionale, ligjore.
Më 17 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë formalisht do të dekretonte ligjin e lejimit të pluralizmit politik në vend, ndërsa më 19 dhjetor, vetë PD do të regjistrohej në Ministrinë e Drejtësisë si një parti legale. Tani, ajo nuk kishte pengesa që të ndërtonte strukturat e saj në të gjithë vendin, si dhe të kishte shtypin e saj. Pas themelimit të PD-së, dalja e numrit të parë të gazetës së saj do të shënonte një dallim thelbësor të ndryshimit të sistemit të ngurtë të mohimit të fjalës së lirë.
PD, e sapolindur, vazhdonte të kishte selinë e saj provizore tek godina numër 15 në Qytetin”Studenti”. Ato dy-tre dhoma të përshtatura thjesht mbanin shpirtin e asaj lëvizjeje dhe shndërrimi. Drejtuesit e Komisionit Nismëtar me në krye Azem Hajdarin, çdo ditë që kalonte po e shikonin që gjendeshin në vështirësi të mëdha komunikimi me mbështetësit e tyre dhe opinionin në tërësi, për shkak të mungesës së medias së partisë së tyre. Deri në këtë kohë, drejtuesit e lartë demokratë mund të publikonin idetë e tyre pa censurë vetëm tek “Zëri i Amerikës”, e drejtuar nga gazetari i famshem Elez Biberaj, pasi RTSH dhe gazetat e kontrolluara nga Partia e Punës në pushtet, përveç censurës dhe deformimeve të ideve dhe koncepteve të tyre, i kishin vënë në shënjestër disa prej eksponontve të Komisionit Nismëtar të PD e sidomos Azem Hajdarin dhe Sali Berishën. Shtypi i majtë vazhdonte të zbatonte parimet leniniste, sipas të cilit kundërshtari politik ishte edhe armik i partisë.
Në fund të Dhjetorit 1990, koncepti për ndërtimin e gazetës kishte ardhur duke u formësuar. Komisioni Nismëtar kishte ngarkuar për këtë çështje Mitro Çelën dhe Preç Zogajn, që të dy gazetarë të njohur në vend. Mitroja njihej si natyrë opozitare për shkak të disa shkrimeve problemore ekonomike, si pasojë e publikimit të tyre me urdhër të Partisë Komuniste ai ishte larguar nga gazeta “Zëri i Popullit”, ndërsa Preçi vinte nga “Zëri i Rinisë” dhe kishte një të kaluar të vështirë dhe mosbesimi me regjimin për shkak të biografisë së familjes së tij tërësisht antikomuniste.
Nuk dihet se kush e pati propozuar në Komisionin Nismëtar të PD, por shumë shpejt u mor vesh se kryeredaktor i gazetës së opozitës ishte emëruar Frrok Çupi edhe ky një ish- gazetar i “Zërit të Popullit” i larguar prej kësaj gazete “për shkelje të vijës së partisë.” Ai, për disa vite, ishte detyruar të punonte në një ndërmarrje të Tiranës si punëtor krahu. Në vitet 1989-1990, kishte botuar disa reportazhe mbresëlënëse në shtypin e Tiranës.
Në këto ditë të ndërtimit të stafit të ri të gazetës pati përpjekje prej shumë gazetarëve që të përfshiheshin në redaksinë e saj, por ishte shumë e vështirë. Më vonë, në stafin drejtues të gazetës do të emëroheshin shumë gazetarë, të cilët faktikisht nuk kishin luajtur asnjë rol deri më 12 Dhjetor 1990, kur ishte shpallur PD, por që njiheshin për një frymë oponente ndaj regjimit. Këtu bëjnë përjashtim studentët, të cilët ishin të gjithë anëtarë të Lëvizjes së Dhjetorit 1990. Më kujtohet një episod nga ditët e fundit të dhjetorit, kur selia e Partisë Demokratike ishte akoma tek godina numër 15 e Qytetit “Studenti”, ku unë banoja si student pasuniversitar, bashkë me kusheririn tim Shpetim Buçpapaj, student i inxhinierisë, dhe isha përfshirë si përsonazh i levizjes studentore prej 9 dhjetorit 1990.Me disa nga drejtuesit e kësaj Lëvizje si Azem Hajdari, Bardhyl Ukcamaj, Shenasi Rama, Myftar Gjana, Arbër Ahmetaj, etj, kishim miqësi të mëparshme.
Në njërën nga dhomat e pajisura thjesht me një tavolinë dhe disa karrike të marra nga salla e televizorit, në kat të dytë të godinës, zhvillonte mbledhjet e punës edhe kryesia e re apo Komisioni Nismëtar i PD-së. Në fakt në këtë perudhë, në ato ambiente studentesh ishte vështirë të mbaje ndonjë rregull apo distancë. Aty të gjithë e ndjenin veten heronj të një lëvizje të madhe. Pavarësisht përpjekjeve të Ndue Lugjës, si bodigard i Azemit apo të Dem Berishës si roje e parë e Sali Berishës, ishte e pamundur të mbaje ndonjë rregull të madh. Sali Berisha ishte vazhdimisht i rrethuar nga njerëz, të cilëve duhej t’u përgjigjeshe pa pushim. Një pjesë e madhe prej tyre vinin nga rrethet dhe ishin nismëtarë të themelimit të degëve të PD-së.
Në një nga këto mbledhje kam njohur për herë të parë edhe Frrok Çupin. Kishte një pamje të heshtur. Në një moment kur na thanë se do të fillonte mbledhja e kryesisë, u ngritëm dhe dolëm të gjithë, meqenëse nuk ishin në Komisionin Nismëtar.
U ngrit të dilte jashtë edhe Frroku, por dikush i tha, me sa më kujtohet Azemi: “Ti, Frrok, do të qëndrosh, pasi je kryeredaktori i gazetës”. Më kujtohet si sot Frroku i ulur në një karrike nga fundi i sallës, i mbështjellë me një pardesy kafe, mjaft të përdorur.
Në korridor po prisnim bashkë me Lazer Stanin. Lazri më tha se i ishte premtuar për të punuar qysh në fillim në stafin e gazetës RD dhe për këtë ndjehej i kënaqur, por në fakt do t’i bashkohej gazetës vetëm katër vjet ma vonë. Unë në këtë kohë isha student pasuniversitar, studioja për skenar të filmit artistik dhe isha në një moshë me Azemin, Shenasiun dhe Myftarin, kisha bashkëpunuar në mënyrë të suksesshme me shtypin, kisha marrë pjesë si shumë intelektualë të rinj në Lëvizjen e Dhjetorit dhe natyrisht kisha dëshirë të punoja qysh në fillim në redaksinë e “RD”-së, por gjërat nuk ishin të lehta për shkak të frymës së klaneve që do të kontrollonte qysh në ditët e para gazetën.
E kisha diskutuar këtë problem edhe me Azemin, si kryetar i Komisionit Nismëtar edhe me Prof. Sali Berishën. Të dy më kishin thënë se këtë punë e zgjidhte Preçi, pasi partia nuk do të ndërhynte në caktimin e stafit. Berisha, qysh në ato momente, ishte për atë që stafi i gazetës të zgjidhej sipas një modeli jo partiak, por krejt të pavarur. Biles pati zëra se “RD”-ja do të ishte një gazetë e pavarur nga PD-ja. Mua m’u duk çështje e përfunduar. Me Preçin njiheshim qysh kur isha student në vit të parë në Fakultetin Histori-Filologji. Tek ai, kryeredaktori I gazetës “Zëri i rinisë”, Remzi Lani, por edhe redaktorët e kësaj gazete, kishim gjetur një përkrahje të madhe dhe miqësi të gjithë ne poetët dhe publicistët e rinj. Remziu kujdesej posaërisht të përkrahte talentet e reja në letërsi dhe publicistikë, por gjate vitit 1990-1992 gazeta u bë mbështetëse e procesve demokratike.
Preçi, në atë periudhë, mbulonte reportazhet, kurse unë edhe shumë kolegë të mi studentë niseshim shpesh për shkrime jashtë Tiranës, ku merrnim edhe shërbimet edhe honoraret e shkrimit. Për ne si konviktorë, kjo ishte një mbështetje e madhe.
Megjithatë, Preçi nuk do të pranonte me pretekstin se kishte një staf tepër të ngushtë dhe do të bashkëpunonin vetëm me studentë. “Kur redaksia të zgjerohej, thoshte Preçi, atëherë do të bisedojmë” apo siç thoshte ai, “ne të njohim si poet dhe publicist i spikatur dhe nuk ka nevojë për ndërhyrjen e Azemit, as të Berishës.”
Në fakt një vit më parë, pikërisht për reportazhet cilësore që kisha botuar tek “Zëri i Rinisë”, kisha marrë çmim vjetor, ndërkohë që kisha marrë edhe disa çmime vjetore për poezi dhe një poemë të botuar tek kjo gazetë. Në vitin 1989, kisha botuar një vëllim poetik, i cilësuar nga kritika e kohës si i suksesshëm. Ai ishte vëllimi i vetëm poetik që botohej në atë kohë pa ndonjë vjershë për partinë apo për udhëheqësin, siç ishte në modë atëherë, biles pa permendur në asnjë varg fjalën parti. Për këtë shkak libri u mbajt shtatë vjet në sirtaret e Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, pasi nuk pata pranuar asnjë ndryshim të imponuar, pavarësisht tre recencave shumë të rënda që më akuzonin “për hermetizëm, ndikime nga poezia dekadente” e terma të tjerë që përoreshin random nga kritikë të regjimit që etiketonin kështu cdo poezi që nuk kishte frymën e klasës punëtore.
Siç doli më vonë, këto gjëra kishin dalë në plan të dytë dhe në mendjen e stafit të ri zienin ethet e politikës dhe të klaneve që për ne të rinjtë idealsitë që donim thjesht të kontribuonim ishte diçka e padrejtë. Shumë prej nesh që ishim përfshirë në Lëvizjen e Dhjetorit për çështje idealesh, ishte shumë e vështirë të kuptohej se si po ndërtohej një pamje jo e mirë e gazetës së PD-së, tek shfaqej një tendencë për ta mbyllur atë në një grup shokësh të dyshimtë dhe klanesh. Kjo nuk do të kuptohej në këtë periudhë as nga Berisha dhe as nga Hajdari, dhe as shumica e atyre që nuk punonin për të ndërtuar klane në parti. Që të dy në atë kohë shpreheshin se e rëndësishme ishte të fitonte demokracia. Tirana, në atë periudhë, po ziente. Intelektualët ishin përfshirë në debate të forta në rishikimin e vlerave të regjimit komunist, ku prinin shkrimtarët dhe artistët. Atë fund dhjetori, në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë qe mbajtur pleniumi i Lidhjes, ku unë merrja pjesë bashkë me vëllaun tim, Skëndër Buçpapaj, poet dhe kritik mjaft i njohur në atë kohë, redaktor i gazetës “Drita”.
Pati debate të forta mes shkrimtarëve gjysmë desidentë dhe drejtuesve të Lidhjes. Shkrimtarët një nga një refuzuan të hidhnin kandidaturat e tyre për deputetë në zgjedhjet e Kuvendit Popullor të Shqipërisë, të parashikuar për në muajin Shkurt 1991. Dihej se kjo ishte një lojë e PPSH-së dhe Ramiz Alisë, për të justifikuar nevojën e lejimit të pluralizmit politik. Pak me vonë u organizua një veprimtari për Gjergj Fishtën po në Lidhjen e Shkrimtarëve. Edhe kjo veprimtari e drejtuar nga Rudolf Marku, Skënder Buçpapaj, Aurel Plasari, Ndrek Luca, etj., pati debate të forta. Intelektualët e Tiranës kishin marrë përsipër ideimin e luftës për demokraci. Në një nga këto ditë, më 29 dhjetor, është mbledhur edhe stafi i ri i gazetës të Lidhja e Shkrimtarëve. Isha edhe unë më Skënderin dhe Arben Kallamatën, edhe ky gazetar i “Dritës”. Në këtë mbledhje të parë të këshillit botues të gazetës, i cili më 5 janar do të ndryshonte, Preç Zogaj ka prezantuar edhe Frrokun si kryeredaktor. Në këtë mbledhje është debatuar rreth mënyrës së organizimit të gazetës “RD”, aq sa mund të konceptohej një gazetë opozitare. E rëndësishme ishte se ajo do të ishte antiregjim dhe do të merrte përsipër edukimin demokratik. Aty është bërë edhe plani për numrin e parë, madje janë ndarë edhe disa tema.
Më 31 Janar 1990, PD do të zhvendosej nga godina nr.15 në Qytetin “Studenti” tek një vilë dykatëshe në Rrugën “Fortuzi”, afër ish-Hotel “Arbërisë”. Një vilë e shkatërruar dhe pa mirëmbajtje. Gazeta kishte një dhomë në katin e dytë të ndërtesës.
Në fillim nga Komisioni Nismëtar u tha se gazeta do të dalë më 3 janar, por ky vendim do të ndryshonte shumë shpejt. Piktori Mentor Shehu, i cili ishte ngarkuar të bënte faqosjen e “RD”-së, këmbënguli që grafiku që u kishte caktuar Poligrafiku për botimin e gazetës ditën e martë dhe të premte ishte i papërshtatshëm për Partinë Demokratike. Sipas Mentorit, prej të premtes deri tek e marta tjetër i binte gati pesë ditë të pambuluara nga gazeta e partisë, ndërkohë që PPSH kishte disa gazeta të përditshme si “Zëri i Popullit” dhe “Bashkimi” dhe disa periodike që sulmonin ashpër PD dhe drejtuesit e saj. Kështu që me ndërhyrjen e drejtuesve të PD vendoset që gazeta të dilte të mërkuren dhe të shtunën.
Më 5 Janar 1991, pas përpjekjesh të mëdha, sidomos të Frrokut dhe Mentorit (që të dy e gdhijnë në shtypshkronjë), por edhe të Preçit dhe studentëve Fevziu, Shkullaku dhe Blushi, gazeta pa dritën e botimit.
Në këshillin e parë botues do të ishin Petraq Kolevica, Ajet Haxhiu, Natasha Lako, Mitro Çela, Kujtim Çashku, Edi Hila, Ilirjan Zhupa, Teodor Keko, Genc Pollo.
Në editorialin e “RD”-së “Fjala e parë”, shkruar nga Preçi, thuhej se “sot, Rilindja Demokratike thotë fjalën e parë të saj. Kjo rilindje ka marrë mbi vete një barrë të rëndë dhe detyrë të ndershme. Ka marrë për detyrë të thotë fjalën e vërtetë.” Në faqe të parë gazeta kishte përshëndetjet e Ismail Kadaresë, Rexhep Qoses dhe Dritëro Agollit.
Vetë titulli i gazetës doli nga një togfjalësh që kishte përdorur Qosja në përshëndetjen e tij. Siç dihet, kokën e gazetës e punoi piktori i njohur i Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri”, Bujar Marikaj. Në faqen e dytë zinte një vend të dukshëm shkrimi i Preçit “PD nuk është mace e zezë” e konceptuar si një replikë me gazetën “Bashkimi”.
Në këtë numër është botuar edhe shkrimi i Sali Berishës “Ylli ynë polar, çështja jonë kombëtare”, në të cilin jepej platforma e PD për zhvillimin e vendit, integrimin në Europë si dhe qëndrimet e saj ndaj zgjidhjes së çështjes sonë kombëtare. Ky shkrim do të merrte shumë polemika edhe disa vite me vonë deri më sot, duke u bërë objekt i shumë analistëve të vendit dhe atyre të huaj për sa i përket qëndrimit ndaj çështjes së Kosovës. “PD do të luftojë pa u lëkundur që vëllezërit tanë në Kosovë të gëzojnë të gjitha liritë dhe të drejtat demokratike, përfshirë edhe atë të vetëvendosjes, që janë të sanksionuar në Kushtetutën jugosllave, Kartën e OKB-së, dhe aktet e Helsinkit. PD nuk mund të pranojë si të përjetshëm ndarjen e kombit shqiptar. Prandaj edhe ne do të luftojmë me mjete paqësore dhe në kuadrin e proceseve integruese europiane të realizohen të drejtat e tyre për përparimin dhe bashkimin kombëtar”. Ky tekst ishte mbajtur si një fjalim në Sheshin Demokracia në Qytetin “Studenti”. Edhe Gramoz Pashko, në një intervistë dhënë gazetës, paraqiste strategjinë ekonomike të PD, e cila synonte reformimin tërësor të sistemit ekonomik ekzistues drejt një ekonomie, siç shprehej Pashko, “të inisiativës së lirë”. Frrok Çupi, në një shkrim të tij, duke përshkruar vështirësitë e botimit të numrit të parë, shpreh frikën e mosdaljes së numrit të dytë. Mentor Shehu, një nga themeluesit e gazetës dhe faqosësi i saj i parë, tregon se “stafi i parë i gazetës që paguhej me bordero, ka qenë i përbërë nga Frrok Çupi kryeredaktor, Mentor Shehu, faqosës, dhe Ilir Arapi, shofer i gazetës”. Mentori kryente një punë voluminoze që nga faqosja e numrit, dërgimi i materialeve, redaktimi i tyre dhe deri sa dilte gazeta. Pas pak ditësh, afërsisht një jave, në gazetë vjen edhe Emin Barçi. Emini ishte përfshirë në Lëvizjen Studentore dhe pas themelimit të PD ai ishte një njeri, i cili kishte siguruar vend, siç thuhej atëherë, në sektorin e shtypit në një nga dhomat e katit të parë të godinës numër 15. Aty kishte një makinë shkrimi dhe një shaptilograf, të cilët i përdorte një vajzë bjonde. Duke qenë se Emini u rekomandua në gazetë me propozimin e Pashkos dhe pëlqimin e Frrokut, ai kishte një peshë të madhe në politikën redaktuese të gazetës dhe emrat që do të botonin.
Nga kopjet e para të gazetës del se “studentët Blendi Fevziu, Armand Shkullaku, Ben Blushi dhe Edi Paloka ishin si vullnetarë që paguheshin me honoraret e shkrimeve që bënin, kryesisht në sektorin e informacioneve. Dritan Kaba në këtë kohë do të bënte edhe punën e fotografit, ndërsa Abdurrahim Këllezi, ish-korrektor i gazetës “Zëri i Rinisë” dhe Agim Fortuzi, ish-korrektor i “Bashkimit”, ishin dy korrektorët e parë të “Rilindjes Demokratike”.
Më vonë në redaksi kanë ardhur Genc Tirana dhe Arben Ruka, ish-gazetarë të “Bashkimit”, ndërsa është miratuar si korrespondent për Myzeqenë, Bujar Xhaferri. Pas tyre vjen Bashkim Trenova, ish-shef i sektorit të jashtëm i “Zërit të Popullit” dhe së fundi drejtor i Arkivit të Shtetit si dhe Filip Çakuli, ish-gazetar i njohur i “Hostenit”, shkrimtar i njohur i humorit shqiptar me natyre kritike ndaj burokracisë së regjimit, Visar Zhiti poet disident, i dënuar politik. Po gjatë vitit 1991 do të vinin edhe Skënder Shkupi, Rakip Sulçe, Xhevat Mustafa etj. Ben Blushi do të hynte si anëtar i rregullt i redaksisë gjatë kohës që Mitro ishte kryeredaktor dhe do të largohej prej gazetës bashkë me Armand Shkullakun, Vera Isakun, Dritan Kabën, Mhill Tanushin, Genc Tiranën, Arben Rukën, pas 12 Gushtit 1992, kur mocionistët e drejtuar nga Pashko do të largoheshin nga PD për të krijuar më vonë Partinë Aleanca Demokratike.
Në këtë periudhë gazeta “RD” do të kishte tirazhin më të lartë dhe kërkesat në treg për të ishin të jashtëzakonshme por qeveria komuniste nuk lejonte të botohej më shpesh dhe në një tirazh më të lartë me pretekstin e mungesës së letres. Gazeta, megjithëse kishte një çmim prej 1 lek të ri, shitej me 10, 25 e deri 50 lekë. Lufta për të kontrolluar gazeten dhe ecur përpara shprehet qartë edhe në ndërrimin e shpeshtë të kryeredaktorëve në periudhën Janar 1991-Prill 1992.
Kryeredaktor i parë do të ishte Frrok Çupi, i cili do të largohej në Qershor të vitit 1991, pas polemikash me kryetarin e PD-se Sali Berisha. Pas tij do të vinte Napoleon Roshi, ish-drejtor i radios së jashtme dhe ish-gazetar i “Bashkimit”, pastaj Mitro Çela, i cili do të drejtonte gazetën nga fundi i vitit 1991 deri pas fushatës së suksesshme të 22 Marsit 1992. Megjithëse do të bashkëpunoja me gazetën me disa shkrime prej numrave të parë dhe në vijim, zyrtarisht në gazetën “RD” do të filloja punë në korrik 1992, por përpara zgjedhjeve të 22 marsit 1992 unë bashkë me Skënder Shkupin, Merita Shkupin dhe Ardian Haçin do të themelonim gazeten e PD së Tiranës “Tribuna demokratike”. Gjatë vitit 1991 ndërsa vazhdoja studimet pasuniversitare dyvjecare që sot konsiderohen si studime postmateriale, bashkë me mikum tim Ismet Mehmeti(poet dhe gazetar), themeluam gazetën e legalistëve shqiptarë që njihej si Partia Nacionaldemokrate, një gazetë radikale e djathtë me ndikim në shtypin e kohës. Tek Atdheu qëndrova disa muaj, ndërkohë që në fillim të vitit 1992 më thirri Dr. Berisha të themeloja gazetën Tribuna Demokratike , një gazetë që u përfshi shpejt në polemika të ashpra për shkak të denoncimit të krimeve të komunizmit.
Si kryeredaktor i “Tribunës” do të më binte të bashkëpunoja si me Mitron, ashtu edhe me Filip Çakulin, si zëvendëskryeredaktor i “RD”-së, i cili do të më ndihmonte më shumë shkrime. Gazeta “Tribuna Demokratike” ishte një gazetë shumë radikale, botohej dy herë në javë deri në 90 mijë kopje për numër, me një staf i gjithi vullnetar. Kishte një krizë letre, por miq të PD-së dhe Berishës nga SHBA nga komuniteti tropojan në N.York, kishin blerë letër në Bullgari e cila erdhi falas në Tiranë vetëm për gazëtën “Tribuna Demokratike”. Ndër emrat që kontribuan në çdo numër ishin Skënder Buçpapaj, Mero Baze, Albert Rakipi, Arben Kallamata, Ilirian Zhilla, Elida Buçpapaj, Bardhyl Ukcamaj, Fahri Balliu, Beqir Katana, Zamir Mulaj, Arbër Ahmetaj, Vehbi Skenderi, Ylli Rakipi, Myftar Gjana, Ilirjan Peco, Adhurim Lakra etj, ndërsa gazeta faqosej nga piktori i talentuar Xhevahir Kolgjini, i cili bëri edhe kokën e gazetës. Gazeta sa kishte natyrë intelektuale aq ishte edhe e ashpër dhe polemizuese me kundërshtarët politikë. Mbaj mend një shkrim të mikut tim Dritëror Agolli i cili në një opinion të tij thoshte: “E di që nesër Tribuna Demokratike do të ma zbusë kurrizin me ndonjë përgjigje të ashpër, por unë do ta them mendimin tim…”
Por të rikthehemi përsëri tek stafi i RD-së. Në Prill 1992, vjen kryeredaktor Bashkim Trenova, në vend të Mitros, i cili kishte fituar një vend në Parlamentin shqiptar si deputet i PD-së. Pas Bashkimit i cili u largua në diplomaci, aty nga fundi i vitit 1994, drejtimin e gazetës do ta merrte Lorenc Ligori, zëdhënës i PD gjatë kohës që në krye ishte Eduart Selami. Ligori, pas rreth një viti pune, në vjeshtë të vitit 1995 do t’ia linte këtë post Lazër Stanit. Stani do të qëndronte në krye të gazetës deri më 12 Mars 1997, kur trazirat që përfshinë vendin deri në anarki totale dhe rënjen e qeverisë demokratike bën që ai bashkë më dy zevëndëskryeredaktorin E.Paloka të largoheshin nga vendi, dhe gazeta të mos dilte në një numër. Ashtu mes plumbave dhe kërcënimve unë bashkë me Sami Milloshin, Mentor Shehun, Zef Lleshin, Dylejman Karajn, Shpetim Lukun, Ndrekë Gjinin, Dukagjin Hatën e Bledi Kasmin e rihapëm redaksinë dhe botuam gazetën.
Në këtë periudhë të vështirë do të vinte kryeredaktor gazetari i mirënjohur Xhevat Mustafa, i cili do të qëndronte në këtë detyrë deri në Maj 1997 bashkë me mua si zevendëskryeredaktor. Xhevati një gazetar i spikatur i “RD”-së, dhe me shumë ndikim, do të zëvendësohej nga Astrit Patozi, ish-kryeredaktor i gazetës “Albania”, ndërsa Xhevati do t’i rikthehej diplomacisë. Zevendëskryeredaktorë do të vinin Sami Neza dhe Shemsi Peposhi. Ndërkohë që në sektorin ekonomik të gazetës punonin me përkushtim Migen Demirxhi dhe Brikena Kamenica, ndërsa Altin Ndroqi mbulonte Kulturën, sektor në të cilin kishin punuar më parë edhe Fatos Kongoli, Filip Cakulli, Lazër Stani, Rudina Xhuvani etj.
Nga marsi i vitit 1998 do të vinte në RD edhe gazetari i mirënjohur Rexhep Polisi që vazhdon të punojë edhe sot si redaktor në gazetë. Dy vjet më pas ka ardhur edhe Halil Rama, kolegu im i redaksisë së politikës për shumë vjet me radhë, si dhe Artur Bega e Nebil Çika i cili punoi një periudhë si zevendëskryeredaktor, si dhe gazetari Armand Maho, etj.
Gjatë kësaj periudhe erdhën në RD edhe gazetari i mirënjohur Rexhep Polisi i cili vijon edhe sot në gazetë, si dhe Nebil Çika i cili punoi një periudhë si zevendëskryeredaktor, gazetari Armand Maho etj.
Patozi do të drejtonte gazetën deri në korrik 2005 kur ai do të zgjidhej deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë. Prej kësaj kohe dhe në vazhdim gazeta “RD” drejtohet nga gazetari i ri dhe i përkushtuar Blendi Kasmi.
Bledi si të thuash është rritur në Gazetën “RD.” Ka ardhë në redaksi qysh kur ishte student në gazetari në vitin 1995 dhe më vonë ka kaluar shef redaksie dhe kryeredkator prej 19 vjetësh.
Stafi i gazetës “RD” është i madh, ashtu siç është edhe emri i saj. Disa prej drejtuesve apo gazetarëve të saj shumë shpejt filluan që të mos e ndjenin më veten të gatshëm për të punuar me platformën politike të PD dhe u distancuan prej saj. Shumë prej të tjerëve, siç doli më vonë të futur nga PS, pasi kryen me sukses misionin e tyre, morën poste të larta në struktuart e PS dhe të qeverisë së saj. Ata u shndërruan në kundërshtarët më të betuar të “RD”-së dhe Partisë Demokratike.
Sot, pas 33 vjetësh, “Rilindja Demokratike” vazhdon me sukses detyrën e saj të informimit të pavarur dhe të mbrojtjes së demokracisë në stilin e saj të njohur, duke mos bërë kompromise dhe lëshime. Shtatë vjetët e fundit gazeta ka dalë vetëm në variantin online, pasi kushtet financiare nuk ja mundësuan botimin në formë të printuar.
Gazeta “RD” ka kaluar ditë të mira, por edhe shumë të vështira.
Për shembull gjatë viteve 1997-2005 drejtuesit e gazetës dhe gazetarët e saj i janë nënshtruar një dhune dhe represioni të paparë nga organet shtetërore, nëpërmjet gjyqeve të montuara, kërcënimeve, gjobave të rënda dhe sulmeve te egra, deri edhe me armë zjarri, siç i ka ndodhur autorit të këtyre radhëve me 20 gusht 1997 nga bandat neokomuniste, në shenjë hakmarrje politike.
Kam kaluar momente të vështira nga një sulm I bandave neokomuniste të rikthyer në pushtet me luftë pas agjedhjeve të korrikut 1997, ku mora 6 plumba kallashanikovi, por për fat u mbijetova. Pasi disa mujave në krevat dhe pastaj në karrocë, pas disa operacioneve u riktheva në gazetë akoma më i vendosur për të luftuar për fjalën e lirë dhe demokracinë që unë dhe brezi im i kishim kuptuar si një mission.
Gazeta “RD” ishte një gazetë e urryer nga regjimi neokomunist i pasvitit 1997-të. Ajo diskriminohej nga qeveria dhe entet e saj në dhënien e reklamave, duke e vënë atë para vështirësish të panumërta. Megjithatë gazeta dha një shëmbull të mbijetesës në një periudhë të rëndë për demokracinë dhe pluralizmin pas vitit 1997 dhe në vazhdim, deri me 3 korrik 2005 kur rierdhi në pushtet PD dhe aleatet e saj.
Në nëntor të vitit 2005 unë do të largohesha nga gazeta “RD” për të drejtuar Qendren Ndërkombëtare të Kulturës dhe në vijim Zyrën Shqiptare të të Drejtave të Autorit deri në vitin 2014.
Në këtë periudhë erdhën në gazetë disa gazetarë të rinj, të cilët u përpoqën t’i jepnin gazetës energji të reja.
Vështirësitë financiare të gazetës “RD” u rikthyen pas vitit 2013 e në vazhdim, ndërsa drejtuesit e partisë nuk shfaqën ndonjë interes të mbanin në këmbë njërën prej simboleve më të fuqishme të PD-së, pas logos së saj.
Sidoqoftë edhe sot, pas 33 vjetësh, “Rilindja Demokratike” vazhdon të jetë një nga zërat më të besueshëm dhe profesional të shtypit shqiptar, me ndikim të konsiderushëm në opinionin shqiptar dhe jetën politike të vendit.
Gjatë këtij tranzicioni të gjatë respektimi i lirisë së mediave dhe të drejtave të tjera themelore të njeriut ka kaluar nëpër një shteg me ulje-ngritje të forta, por qysh prej 5 janarit të vitit 1991, kur doli numri i parë i gazetës “RD” e deri më sot, kjo media ka luajtur një rol historik si media e parë e lirë në vend. Unë dhe shumë kolegë të tjerë të nderuar, jemi vertetë krenarë që kemi qënë bashkëthemelues me 5 janar 1991 dhe pjesë e stafit të kësaj gazete për shumë vite me radhë.
Ndërsa prej 16 vjetësh botoj gazetën letrare dhe kulturore Nacional, një gazetë javore dhe e përditshme online (http://xn--cdaaa.gazeta-nacional.com/) me shtrirje rajonale dhe me bashkëpunëtorë disa prej poetëve, shkrimtarëve, artistëve, kritikëve, akademikëve, përkthyesve dhe publicistëve më të njohur në hapsirat shqiptare dhe në botë. Si një bashkëthemelues i shtypit të lirë shoh me trishtim që media e lirë ka pësuar regres të fortë. Raportet ndërkombëtare nga viti në vit kanë konstatuar kërcënimet që i vijnë fjalës së lirë në Shqipëri nga presionet e qeverisë, censura dhe vetëcensura për shkak të politikave editoriale, proqeveritare që ndjekin shumica e mediave në Shqipëri me lidhje biznesi dhe përfitimesh fianciare nga qeveria dhe shpesh edhe nga krimi i organizuar. Kjo formë censure e ka bërë akoma më të frikshme gjendjen e lirisë së shprehjes dhe lirisë së medias në Shqipëri.
Në këtë 33 vjetor, i uroj gazetës “RD” jetë të gjatë, ndërsa stafit të saj aktual punë të mbarë dhe shumë suksese!