RRUGA DREJT NËNËS
Sa here shkoj tek ime mё,
sytë
zёri
fytyra,
më marrin çehre fëmije
në ikje,
k’rrusem
marr dhimbje…!
DRITARJA
M’at’anë
Bie shi
Mbi çati,
Mbi pemë.
Bien gjethe,
Ne tokë
Eshtë ftohtё..
N’k’tё anë
Ata janë dy,
puthje gjerbin,
Është ngrohtë..
Mali
Mjergulla ngjitet n’ trup
t’Dajtit,
Si flok’t e bardha n’krye
t’plakut..
Natyra
Është si një vajzë me teka;
Te jep diellin dhe ta merr,
te jep shiun e t’dhuron ylber!
Zemra
Ti zemrёn e ke qelibar,
e t’fortë si kreshnik.
Po mue, m’kaplon nji marak
Hera – her’s pёr ty;
Kok’n mbshtes n’krah’nuer
Të ndigjoj ritmin,
Frym’marrjen,
Lёvrimin e gjakut n’dejé.
Zgjuar mbaj zemrёn time
T’ruajё tanden….
M’kaplon shpesh ky marak,
Nga dashnia pёr ty
UNË DHE LIQENI
Unë kolovitesha në gëzim,
teksa flokët krihja
në pasqyrën e Liqenit tim.
E Ai qeshte…
Valëzat njëra-tjetrën shtynë,
të shihnin me kë lozte ati i tyre viteshumë.
Ai qeshte nga kërshëria e tyre, qeshte më shumë.
Ato se dinin, që ai prej kohesh më priste,
të prekja blunë e tij, veç unë.
S’di pse më ngjante aq shumë me syrin e bijës time,
kur qeshte,
s’di pse duke e prekur ,
ndieja buzët e prillit, edhe asaj dit-vjeshte…
Disa pulëbardha përplasën pak më tutje krahët, me valëzime.
Ai qeshte dhe me to…
Flatrat e tyre pikturonin mbi ne vështrime.
Ishte e djelë…
Unë isha kaq pranë sht(r)atit të tij.
Ne Tokën time, dita lëvizi akrepat prapa me një or’.
Veç unë lëviza para drejt tij dhe…e vodha në vargjet e mij.
Ai qeshte dhe kur “vidhej” kështu…
Ishte e dielë,fundtetor
UNË (S)E DI
Unë e di, që pa rënë akoma gjethet e fundit të vjeshtës,
Ti do gdhendësh mbi hapat e mij mozaikë dashurie.
Unë e di, që në partiturën e rrugëve të panjohura,
Do shkruhen fjalë të pathëna,të një alfabeti që ka autorë, ty dhe mua.
Unë e di që kur kokën të mbështes në trup të Tetorit,
Ca fjale do përshpërisim në vesh ,deri në mbërritjen tënde.
Unë e di, që pa ardhur dimri,
Ti do kesh kopmozuar këngë të reja me fjalëbuzët e mia.
Unë (s)e di…
E ndiej
FLIRT
Flirtoj me ditën;
e në një gotë bliri,
rrëkëllej orët e saj;
me diellin luaj kaherë,
luaj, qysh në të parin maj;
Flirtoj me naten;
Fshehtas takoj
yje,
kometa,
planetë
e me flokt’ e artë ,
qiellit i freskoj, prehërin e nxehtë;
Edhe pse hëna tretet si drapër nga xhelozia,
une vazhdoj e vazhdoj me flirtet e mia;
Flirtoj me stinën,
me Majin,
me zogjtë,
flirtoj dhe me erën, nëpër kaltërsira.
Me Ty flirtoj ,
notoj syrit tënd,
ti dallgë- une në ty lodroj
Flirtoj me fjalën,
me buzën tënde, e më tutje,
Por…
Ah!
Kaq e pat ky flirt
Më mbet’ aty një puthje
TANGO MAGJIE
Si në një tango të magjishme,
hapat e mij fluturojnë drejt teje,
ashtu si buzët drejt njëra- tjetrës shkojnë,
për një puthje të ethëshme;
Të tuat – hapa burri -,
vijnë drejt meje të rëndë -më drithërojnë -,
sikur thellë ngulin rrënjë
e jetë kërkojnë
E unë, jetë të dhuroj.
Brenda saj, dashurinë time të ngrohtë, të bardhë;
Muzika hesht para nesh, hesht edhe ajo!
Sepse, tingujt jemi ne!
Une edhe Ti
në një hymn të vetëm – me dashuri!
PARANDJENJË
E ndjej kthimin tënd,ndonse
ndonse akoma s’të kam parë,
as prekur akoma s’të kam.
Por unë e di që udhës së ylbertë ti je,
në shtatë korsitë ylberore
ku hapat e tu puthin ngjyrat.
Edhe në më thënsh se gabohem,
unë veç do të qesh,
sepse e ndjej me shqisen time të tetë,
që natyra, veç dashurisë ia ka dhënë,
që Ti,
je udhës së ylbertë
duke rendur drejt meje.
E kur të shfaqesh
para meje qetësisht ,
veç hesht!
Fjalët në memecëri degdisi
dhe buzët le të puthen pa zhurmë,
si gurrë të gurgullojë
malli i largësisë
e shpirtrat të njomen me dashuri.
Ti po kthehesh.
E unë,
e ndjej kthimin tënd
edhe pa të prekur,
ende pa të parë.
Sepse ti,
asnjë ditë s’ke munguar brenda meje!
Asnjë…
KUR U SHFAQ DASHURIA
Kur dashuria akoma s’kish shkelur
në shtigjet ku ecja,
isha një stinë e thatë,
një verë pa zogj,
një vjeshtë me plogështi të verdhë,
dimri me borë,
që akullzonte ditë e natë.
Isha viti me dymbëdhjetë muaj, që strukur
flinin pranë njëri- tjetrit,
isha statuja amorfe, rrethuar
nga gardhi i mendimeve
të mia të ngurta.
Kur jetën time e preku dashuria,
e shkelja shtigje të parrahura,
qeshë vera
ku zogjtë këndonin,
qeshë vjeshta,
ku e verdha puthej me jeshilen,
qeshë bora e dimrit
që mezi priste të shkrinte,
qeshë era,
që flladiste stinët e mia,
qeshë stuhia,
që rrëzoi gardhin
e dyzimeve të mia
NJË POETI ANONIM
Nuk të njoh, as të kam parë ndonjëherë,
ndoshta as emri që përdor, s’është i vërtetë!
Por, besoj poezinë tënde natyrisht,
aq e bukur, e madhe dhe spontane,
e vërtetë, e çiltër, dhe e thjeshtë,
e njohur, dhe kokëulur njëkohësisht,
pa u mburrur, si ata që shkruajnë
me emër e mbiemër të madh,
(gabimisht!
TY DO TË TË DUA PRAPË
Çdo ditë, me një poezi të re rilind,
nje dashuri të re per vargjet cdo ditë,
une syrin tënd e kam hapin tim,
me hapin tënd, ti më çel një ditë.
S’di si do të ndihem, kur të mbarojë kjo poezi,
At’herë kur e vdekur do ndihem për së gjalli,
as kur të gdhihem e të ngrysem, pa tënden frymë,
e me sytë ulur, me vete t’përshpëris:
“Eh më mori, sa shumë më mori malli”
E në mos mbaroftë kurrë kjo poezi,
Fjalën të jap, që çdo ditë e çdo natë,
më shumë do t’këndoj dhe shkruaj!
Përditë e për natë,pa ndalur anjë çast,
vetëm ty, ty do të të dua prapë.
PO TA DIJE…
Ah, ta dish!
Sa qesha me ty, aq dhe mendova thellë në heshtje.
Fola, po më shume s’fola.
Ti thashë dhe dot s’ti thashë të gjitha.
Të pyeta, por më shumë s’munda të të pyes.
Më tringëlliu nga gëzimi, po aq më dhëmbi zemra.
Të desha, dhe prap të dua.
Parreshtur mendoj kur s’të kam pranë :
Si mund të shpëtosh nga dashuria vallë?
Ah, ta dish…
më mirë,
më mirë mos dij, po duaj.
MIRËSIA
Unë e pashë!
Mbrëmë Ajo
këputi zinxhirët e dyshimeve,
të brengave,
të hamendjeve
e të vuajtjeve.
Po, po!
Besomëni ç’po ju them!
Mbrëmë Ajo,
Ia thau lotët vuajtes,
syve njerëzorë,
e buzeqeshjen çeli
në qiellin e tyre…
Unë e pashë Ate!
Ajo mori përdore dy femijë
ulur në trotuar,
dhe atë të moshuarin rrudheshumë
me dorën grusht nën mjekër.
Ish në të perënduar …
Besomëni ç’ju them!
Ajo erdhi…!
E njerëzit më lehtë frymuan.
Ajo erdhi!
Retë u shpërndanë
nga sytë këmbët,
u gremisën, vrapuan…
Ajo nuk puthi njeri,
prandaj ndoshta ju nuk ndjetë gjë.
Ajo puthi tokën, ajrin dhe qiellin..
Une e pashë ate puthje Mirësie dhe Paqeje!
E ndjeva
në ajrin tim.
Besomëni ç’ po ju them!
Prandaj dita sot është më e bardhë …
Prandaj.
MJERGULL
Tri ditë,
as celulari,s’mё solli zërin tёnd,
as mali,
as mjergullat,
as kënga e detit,
as shkreptimat e mbrёmshme;
Vetem shi ra nga qielli.
Nje shi i marrë
dhe mall.
NË VEND TË…
Nё vend të puthjeve,
ti si ujvarё
me lë tё qeshurën buzve.