SHQETËSIMI I POETIT
Poeti shqiptar kishte kohë që ishte akomoduar në shtëpinë e shkrimtarit të madh gjerman Henri Bell. Ai tashmë ishte adaptuar me jetën në ambientet e villave ku qëndronin edhe shumë shkrimtarë tjerë nga të gjitha viset e botës. Edhe ky kishte pasur fatin që përmes PEN Qendrës së shkrimtarëve të fitojë një bursë për qëndrim tremujor. I rastiste të takonte e bisedonte me shkrimtarë të kulturave e gjuhëve të ndryshme. Komunikimin e bënte në gjuhen frënge të cilën e njihte qysh herët. Ditët i kalonte duke shkruar, herë duke marr pjesë në aktivitete letrare që organizoheshin nga bursistet, por jo rrallë atë e vizitonin ose e ftonin në vizitë bashkatdhetar që ishin në mërgim, disa prej të cilëve i kishte edhe miq që nga koha e studimeve. Rastiste të shëtiste me biçikletë që i kishte dhuruar njëri nga fqinjët edhe fikall vetëm deri në qytetin e afërt që kishte afro dhjetë kilometra nga shtëpia Henri Bellit. Pastaj jeta e tij ishte shndërruar në një ritual që përsëritej: shkruante, lexonte, takonte ndonjë mik, merrte pjesë në ndonjë aktivitet, letrar, jepte ndonjë intervistë, dhe kështu mbyllej një ditë e shkrimtarit nga Kosova. Megjithatë ndodhi që një ditë të jetë e pazakontë për të. E pazakonta ndodhi nga një telefonatë kur pasi ngriti receptorin u dëgjua zëri në gjuhën serbokroate, njëherë hezitoi t’i përgjigjej duke ditur se njerëzit e asaj gjuhe i kishin sjell shumë vuajtje fatkeqësi popullit të tij, megjithatë si me dilemë iu përgjigj: Da. Ndërkaq tjetri pasi ju prezantua me emër e mbiemër po e ftonte për një takim. Prapë u vu para dilemës të vazhdoi bisedën apo të mbyll receptorin. Vendosi të vazhdoi duke i thënë se unë nuk ju njoh. Përgjigja ishte e menjëhershme nuk ka rëndësi, ju njoh unë. U zu ngushtë dhe pothuaj u pendua që kishte ngritur receptorin. Mendoi të jetë një kurth e ngritur apo … dhe ca drithërima ia përshkuan trupin. Megjithatë krenaria e shqiptarit e bëri t’i përgjigjej prerë. Mirë takohemi nesër në orën dhe vendin që kërkoni ju. Me kaq u mbyll biseda por jo edhe shqetësimi i shkrimtarit. Plotë mendime i silleshin vërdallë. Në fillim mendoi të njoftojë disa nga shokët e tij si Farukun, Muharremin apo Selajdinin, por prapë hoqi dorë. Pse t’i vë në sprovë njerëzit mendoi, sekush ka hallet e veta. Pastaj iu lëshoi fre mendimeve, imagjinata e tij konstruktoi takimin me njeriun e panjohur, iu bë se kishte një fytyrë të vrazhdët, se në xhepin e brendshëm të pelerinës kishte fshehur thikën me të cilën do ta godiste poetin. Tërë këto mendime po bluante i ulur në një lokal përballë kafenesë ku kishin lënë takim. Kishte ardhur gjysmë ore më herët me bibliotekisten e shtëpisë Hajnrih Bell dhe ajo kishte shkuar në punët e veta, ndërkaq ky po sodiste njerëzit që hynin në lokal dhe po i thoshte vetes ky duhet të jetë, jo ky, jo ky …
Pastaj sytë i shkuan në orën e dorës, taman kishte ardhur koha takimit. Paksa i ndrojtur hyri në kafene vështroi rreth e çark njerëzit në tavolina, asnjëri prej tyre nuk po i jepte ndonjë shenjë apo përshëndetje. Sapo u ulë në një tavolinë buzë dritares në derë u duk një njeri afro dy metra i gjatë i cili erdhi drejt tij dhe e përshëndeti me dashamirësi. Poeti e ftojë të ulej por ai ia ktheu, jo do dalim nga këtu, sot je mysafir në shtëpinë time. Pakëz me një dozë hamendje, mirë tha dhe u ngrit. Poeti i tregoi se këtu kishte ardhur me një mikeshë, bibliotekistën e shtëpisë Henri Bell. Nuk ka problem u gjegj kroati, shkojmë ku është parkuar vetura e saj. Aty i la një letër ku e njoftonte se poeti nga Kosova është mysafir në shtëpinë time dhe do ta kthej vetë me veturë. Pa humbur kohë për pak minuta mbërrin në shtëpinë luksoze të kroatit i cili si përfaqësues i Lëvizjes së Masokut në Kroaci kishte vite që jetonte në mërgim. Ai bënte punën e profesorit të fizikës nukleare, ndërkaq e shoqja ishte primadonë e teatrit. Për ti bërë nderë mysafirit ajo kishte përgatitur ushqime tradicionale të Kroacisë. Biseda me profesorin e fizikës nukleare ishte shumë miqësore, madje ai interesohej edhe rreth rrjedha politike duke i thënë se ishte shqiptari dytë që takonte pas Enver Hadrit i cili kishte ide demokratike. Kështu i tërë ai skenari drithërues i paramenduar para takimit po përmbysej, poeti po ngazëllehej jo vetëm më mikpritjen por edhe rezonin intelektual të nikoqirit i cili i kishte bërë një nderë të veçantë. Biseda nuk kishte të sosur sikur të mos e ndërpriste një telefonatë e miqëve të tij që jetonin në diasporë dhe i kishin ardhur për vizitë. Kroati me mirësjellje e përcolli me veturën e tij deri të shtëpia Hajnrih Bell dhe poeti në shenjë falënderimi i dhuroi disa nga librat e tij.
LOJA E TË SHËMTUARVE
Klubi i të shëmtuarve pavarësisht punëve të çrregullta që bën , ka një orar të rregullt pune. Çuditërisht të gjithë i përmbahen orarit dhe që në mëngjes i raportojnë padronit për kryerjen e detyrave dhe marrjen e detyrave të reja. Disa nga detyrat kryesore që përshkruhen në rregulloren e tyre të punës janë: të rrejnë, të llomotisin, të shpifin, të përgojojnë, të shantazhojnë etj. Padroni i klubit merret me dhënien e detyrave, klasifikimin e tyre dhe pastaj pas grumbullimit të dhënave nga vartësit e tij fillon seleksionimin e të dhënave. Fillimisht merret me analizën e rrenave ku bënë përzgjedhjen e rrenës me të suksesshme të sërvuar nga anëtarët e klubit, pastaj e teleis pak edhe me fjalorin e vetë që e ka të specializuar për këtë fushë, dhe pastaj ua servon të gjithë anëtarëve të cilët e kanë të vështirë ta njohin, madje edhe ai që ka shpikur atë rrenë. Pastaj detyra e tyre e radhës është ta shpërndajnë në sa më shumë pika në mënyrë që të arrijnë efektin te opinioni. Ky efekt arrihet përmes detyrës së dytë që është llomotitja, ku secili anëtarë qoftë në grup apo edhe veç e veç nëpër lokale e koluare të pëshpëritin më zë. Detyra e tretë është që rrenën ta bëjnë sa më të besueshme duke shpifur emra se gjoja këtë e ka thënë filan fisteku, se kemi dëgjuar me veshë, se e kemi parë me sy, se e kemi nuhatur tinëz, ngase shqisa nuhatjes i karakterizon si veti këtë grup madje ua kalojnë edhe kafshëve me besnike si qeni. Tash pasi kanë siguruar edhe emrat e shpifur fillon faza e përgojimit ku me mjeshtri fusin në rrjetë edhe njerëz jashtë grupit duke shfrytëzuar raportet e tyre jo të mira ndernjerëzore. Dhe kur të gjitha këto arrijnë efektin e duhur vjen faza finale që është shantazhimi, i cili bëhet përmes teknikës moderne me sms, qofte përmes Aifonave, veberit, fejzbukut apo diç tjetër. Këtu arrin faza kulminante ku si thonë qeni nuk e njeh të zonë, dhe grupi i të shëmtuarve dalin nga skena e marrëzisë duke u gajasur së qeshuri për suksesin e arritur. Pastaj vjen shpërblimi për secilin veç e veç, qoftë me avancim në pozita nga rrenci në llomotitës apo nga shpifës në përgojues dhe nga përgojuesi në gradën më të lartë shnatazhues. Ky gradim normal që shoqërohet edhe me ngritje page. Kështu loja e tyre vazhdon në rrethin vicioz duke ngritur kurthe e gracka pa qenë shumë të vetëdijshëm se një ditë do të bien vetë në to.