E DREJTA E AUTORIT NE EPOKEN DIXHITALE.  Nga Iris Malo, Juriste

 

Iris Malo lindi në qytetin e Sarandës. Pas përfundimit të gjimnazit në qytetin e lindjes, vijoi studimet e larta per drejtesi, ku u diplomua për “Master Shkëncor”, në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës në vitin 2018. Qysh në shkollën tetëvjecarë ka shkruar esse dhe ka përkthyer disa tregime nga autorë grekë. Në vitin 2008, kur ishte ende nxënëse ka fituar Cmimin e Parë për përkthimin më të mirë në prozë (nga greqishtja), në Konkursin organizuar nga Klubi i Krijuesve Joninaë, Sarandë. Në vitin 2011 ka fituar Cmimin e Parë në Konkursin letrar për shkollat e mesme të Rrethit Sarandë, në gjininë letrare prozë. Pas një ndërprerje prej 5 vitësh, rikthehet me essenë, “E drejta e autorit në epokën dixhitale”.

 

 

 

 

Është e çuditshme dhe paradoksale se si deri ne shekullin e tetëmbëdhjetë bota nuk ishte njohur akoma me ligjin apo Aktin e Mbrojtjes së të Drejtës së Autorit, e megjithatë ekzistonte një konsensus i pashkruar, një konceptim më i shëndoshë e i mirëqenë i krijimit të veprës origjinale e respektimin e individualitetit të krijuesit. Në kontrast me këtë, shekulli i njëzet dhe njëzetenjë solli një bum informacioni ligjor duke përfshirë mekanizma të reja mbrojtjeje e zgjerim të vetë konceptit të së drejtës së autorit, ku mençurisht dhe domosdoshmërisht eksperienca na diktoi. Por, sot më shumë se kurrë më parë, gjithçka është e disponueshme tek ne; dhe ndoshta ky disponim ka bërë që njeriu të rendë drejt së gatshmes e në përpjekje për të krijuar punën e vetë, të cënojë këtë të drejtë ligjore të rëndësishme derivate e së drejtave të njeriut. A tregon kjo që epoka e digjitalizimit pavarësisht lehtësimit në komunikim e ka çmimin e saj? Absolutisht që po. Për më tepër, ky çmim paguhet zakonisht nga autorët e një krijimi origjinal, në kurriz të së cilëve shpesh herë bie jo vetëm barra e nisjes së procedurave ligjore nganjëherë jo fort të suksesshme kundrejt shkelësve, por edhe revolta personale e cënimit, kopjimit apo keqpërdorimit të veprës së tyre. Për këtë arsye e shumë të tjera hyjnë në lojë mekanizmat mbrojtës që na diktojnë burimet e së drejtës të mirënjohura nga ne. Në këtë ese, do të flitet specifikisht për të drejtën e autorit në epokën digjitale, ku përfshihen programet kompjuterike, mediat audiovizuale, rrjetet sociale dhe çdo platformë tjetër virtuale ku krijuesit dhe përdoruesit komunikojnë apo kryejnë veprimtari tregtare me njëri tjetrin. Duke qenë se rrjeti global nga vetë emërtimi ka një shtrirje mbarë botërore, do iu referohem ashtu si ligjit shqiptar “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to” të përafruar me direktivat e BE , Vendimeve të Këshillit të Ministrave, edhe shërbimeve online në rastet e shkeljeve apo akuzave. Do të shohim si mbrohen të drejtat e autorit në mënyrë sa më efiçente dhe sa qartë shprehet ligji ynë në lidhje me to. Së fundmi do gjykojmë cila është mënyra më e mirë e funksionimit të mekanizmave te mbrojtjes duke marrë parasysh mjetet që aktualisht autorët kanë në dispozicion.

E drejta e autorit është pjesë e një legjislacioni më të gjrë, i njohur si pronësi intelektuale. Kjo e drejtë është duke llogaritur 100 milion të vendeve të punës mbarë botës[1]. Është me shumë rëndësi të njohim të drejtat e mbrojtura në lidhje me punën origjinale në mënyrë që të dimë si t’i mbrojmë ato, por gjithashtu edhe të kemi kujdes të mos cënojmë punën e dikujt tjetër që jo rrallë herë ndodh si pasojë mos informimit. E drejta e autorit në thelb është e drejtë që lind së bashku me krijimin e një vepre. Ky krijim, në rastin tonë mund të jetë një fotografi, një libër i shitur online, një pasazh vepre e disponuar për publikun e gjerë, pikturë, design, faqe interneti për qëllime biznesi apo informimi, seriale, këngë, koreografi etj. Në qoftëse ke krijuar një nga këto vepra të lartpërmendura apo çdo lloj krijimi të një natyre origjinale të parashikuar nga ligji “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, ti tashmë gëzon të drejtën e autorit. Kjo pasi e drejta e autorit krijohet automatikisht për sa kohë plotësohen dy kushte; 1-Krijon një punë origjinale, 2-Krijimi është i materializuar (në letër ose në platformë digjitale)[2]. Me zhvillimin teknologjik, e drejta e autorit zhvendoset tashmë në dimensionin vizual dhe u përshtatet kushteve dhe kërkesave digjitale. Kjo do të thotë se veprat e publikuara në këtë rrjet kane të njëjtat vlera dhe mbrohen parimisht dhe ligjërisht njësoj si veprat e shitura dorazi. Megjithatë, mendoj se bota digjitale është aq e gjerë sa që është e pamundur të mos hasen shkelje dhe abuzime për sa kohë është i aksesueshëm nga një numër i madh përdoruesish, shitësish apo programuesish. Në funksion të kësaj vjen ligji shqiptar për të drejtat e autorit i cili ka si objekt mbrojtjeje padyshim edhe programet kompjuterike apo veprat audiovizuale. Duhet thënë se programet kompjuterike janë një pjesë e rëndësishme e botës digjitale me sisteme të cilat na hyjnë në ndihmë qoftë për informim dhe argëtim (për shembull iTune) apo për përdorim të domosdoshëm të përditshëm (si per shembull gjigandi Google, Microsoft Ëord). Autori i një program kompjuterik gëzon të drejtat e riprodhimit, transmetimit, përkthimit, shpërndarjes në publik të tij apo dhënien me qera. Pra siç e shohim ka të drejtën të autorizojë apo ndalojë të njëjtat veprime si edhe objektet e tjera të mbrojtjes nga ligji, me përjashtim të rastit të huadhënies, ku programet kompjuterike nuk do të jenë subjekt[3]. çdo veprim i shpërndarjes apo zotërimi për qëllime tregtare të paautorizuara konsiderohet shkelje. Sigurisht që edhe pse e drejta e autorit fitohet automatikisht, krijimi nuk mund të jetë i mbrojtur ndaj rasteve të mësipërme në qoftë se nuk regjistrohet sipas VKM-së Nr.34 ,datë 18.1.2017 Për procedurat e regjistrimit, organizimit dhe klasifikimit të veprave të të drejtave të autorit. Përndryshe procesi i të provuarit të autorësisë do të ishte shumë i vështirë, gati i pamundur e për rrjedhojë do të shkaktonte një humbje të madhe të palës paditëse. Ashtu si në të gjitha fushat, që një e drejtë të jetë e mbrojtur (dhe këtu po flasim për një mbrojtje efektive, jo parimore) nuk mjafton vetëm parashikimi nga burimet e së drejtës si Kushtetuta, ligjet, VKM-të, por një bashkëpunim i mirë i këtyre të parave me institucione, agjenci dhe autoritete të cilat e çojnë këtë garantim të drejte në një nivel më praktik. Për këtë arsye, Ministria e Kulturës dhe Drejtoria e së Drejtës së Autorit, qëndrojnë rigorozisht në plan të pare në luftën kundër piraterisë në vend. Bashkëpunimi me agjenci mbikqyrëse qëndron me rëndësi, kryesisht me Autoritetin Rregullator për komunikimet elektronike (AKEP) i cili  mund të jetë subjekt i nënshkrimit të një Memorandumi Mirëkuptimi përcaktues i një procedure për bllokimin e faqeve që mund të shkelin ligjin e të drejtës së autorit. Vlen të përmendet që me ligjin e ri të së drejtës së autorit, Ministria e Kulturës ka ngritur një këshill të specializuar për vendosjen e tarifave të përdorimit në administrimin kolektiv në përputhje me vendet e Bashkimit Europian. Për rrjedhojë rregullat e funksionimit ndaj agjencive forcohen me qëllim mbrojtjen e të drejtave të anëtarëve artistë të këtyre agjencive duke parashikuar edhe kostot e operimit të tyre brenda një viti. Informacioni mbi të ardhurat e mbledhura nga përdoruesit e veprave të të drejtave të autorit si edhe shpërndarja e shpërblimeve tashmë të përcaktuara në mënyrë të detyrueshme, u vihen në dispozicion administratës tatimore.[4] Ashtu siç u përmend, efiçenca e mekanizmave në këtë rast është shume e rëndësishme pasi kështu mjetet e mbrojtjes bëhen më të qarta duke mbushur boshllëqet e mëparshme të sistemit të mbrojtes së të drejtave të autorit në Shqipëri.

Në rastin e rrjeteve sociale situate mund të duket e menaxhueshme, por  në të vërtetë është akoma më e komplikuar. Kopjimi, plagjiatura dhe shkeljet janë më prezente, nganjëherë duke marrë përmasa madhore. Kjo ndodh pasi aksesi në një rrjet social është shumë herë më i lehtë dhe praktik nga përdoruesit dhe krijuesit sesa ndërtimi nga zero i një faqeje personale online ku promovojnë punën e tyre. Pra, le të marrim  si shembull një person fizik me profesionin fotograf i cili kërkon të promovojë fotografitë e tij për publikun e gjerë. Në momentin që ai nuk është akoma  i gatshëm të bëjë investime për  një blog personal, e ka më të lehtë si fillim hapjen e një llogarie në një rrjet social promovues i artit (per shembull Pinterest). Përveç kësaj, listës së avantazheve i shtohet numri i madh  i përdoruesve, tregues ky që punimet e tij do të jenë të aksesueshme nga më tepër persona se në rastin e faqes personale. Në rastin e fotografit dhe shumë të tjera të artistëve që shesin punën e tyre online dhe hasin shkelje serioze, ekziston mundësia e ndjekjes së çështjes në rrugë gjyqësore duke përfshirë kështu një kalvar procedurash e detyrimesh financiare që autori në fund të fundit mund të vendosë që nuk ia vlen të fillojë. Nga ana tjetër, ndodh që autori të mos e marrë vesh kurrë që dikush ka përdorur në mënyrë të paautorizuar punën e tij. Kështu ai nuk do të bëjë asgjë për tu mbrojtur, e veprimtaria e shkelësit të së drejtës do të vazhdojë e pa cënuar në dëm të autorit origjinal. Ideja është që në momentin që dikush zgjedh ta bëjë punën e tij publikisht të aksesueshme, qëndron edhe rreziku i kopjimit të plotë apo të pjesshëm të saj. Por, a do të thote kjo që shitësit dhe promovuesit e punëve origjinale duhet të kufizohen? Nganjëherë qëndron mundësia për të mos e bërë një krijim publikisht të aksesueshëm. Për shembull në rastin e shitjeve të gazetave, revistave, materialeve trajnuese, librave etj. Në momentin që punimi nuk është publikisht i aksesueshëm, mund të kontrollohet mënyra e shfaqjes dhe se kush mund ta shikojë apo kryejë veprime mbi të. Por, pavarësisht këtij fakti mund të ketë përseri kufizime edhe për lexuesit e autorizuar. Për shembull, botuesit digjitalë po fillojnë të vendosin metoda të ndryshme si kriptime të vështira apo bojë digjitale që zhduket për të parandaluar lexuesit e autorizuar që të ruajnë dhe transmetojnë ate që lexojnë. Megjithatë, mbetet për tu parë se sa kontroll publiku do jetë i gatshëm ti lerë botuesve të ushtrojnë mbi leximin[5]. Për lehtësi zgjidhjeje rrjetet sociale përmbajnë opsionin e raportimit të rasteve të shkeljeve i cili kryhet duke plotësuar formularin standart të ofruar, ose kontaktimin me agjentë të caktuar nga vetë rrjeti social.[6] Për më tepër, “Digital Millenium Copyright Act” (DMCA) është një ëebside i cili ofron shërbime online për mbrojtjen në raste dhe rrethana të ndryshme të shkeljeve dhe akuzave. DMCA u krijua si një domosdoshmëri ndryshimi pasi procesi i mbrojtjes se materialeve dhe të drejtës së autorit kishte nevojë te lehtësohej dhe përmirësohej. Lindi nevoja për më shumë zgjidhje dhe opsione, më tepër informacion, më tepër burime dhe më shumë transparencë[7]. Megjithatë, përpara ndërmarrjes së masave të tilla, këshillohet fillimisht komunikimi mes palëve dhe kërkesa për te hequr materialin e kopjuar nga pala e paautorizuar (takedoën). Në rast se përpjekjet e tilla si komunikimi apo prova e vërtetësisë nëpërmjet datës së ngarkimit të materialit dështojnë dhe kur personi i cënuar e quan të arsyeshme, mund të ndjekë rrugën ligjore.

Një mekanizëm mbrojtës të përcaktuar qartë në legjislacionin shqiptar kanë edhe veprat audiovizuale. Filmat kinematografikë, televizivë, reklamat, videot muzikore, dokumentarët, emisionet apo veprat e tjera audiovizuale janë krijime rigoroze në të cilat janë investuar jo vetëm para, por edhe punë profesionale, përkushtim dhe pasion. Andaj është i drejtë zbatimi me përpikmëri i ligjit për të drejtat e autorit dhe investigimi serioz në rastet e shkeljeve, pasi kalimi i së drejtës së autorit të veprës audiovizuale bëhet vetëm në bazë të një kontrate me shkrim midis tij dhe prodhuesit. Pas lidhjes së kontratës (në qoftëse në të nuk është parashikuar ndryshe), prodhuesit i kalon ekskluzivisht e drejta e transformimit të veprës ekzistuese në një vepër audiovizuale. Megjithatë, pavarësisht kësaj,  autori i veprës së përshtatur nuk humbet disa nga të drejtat e tij siç janë e drejta e përshtatjeve të reja të veprës së përshtatur, e drejta e ndryshimit të mëtejshëm të veprës audiovizuale në një formë tjetër, e drejta e shpërblimit për çdo dhënie me qera të veprës.[8] Duke qenë komplekse dhe me nevoja të shumëllojshme, në shumicën e rasteve, vepra audiovizuale mund të jetë bashkautorësi. Bashkautorë të veprës njihen regjisori, skenaristi, kompozitori, drejtori i fotografisë, etj. Bazuar në legjislacionin në fuqi, veprojnë edhe organizatat për mbrojtjen e veprave artistike përfshirë këtu edhe ato audiovizuale. Në vendin tonë si e tillë është e njohur Albautor, Agjencia Shqiptare e autorëve e cila kryen mbledhjen e të drejtave të autorit dhe shpërndarjen e drejtë të të ardhurave tek titullarët e veprave. Agjencia është gjithashtu anëtare e Konfederatës Botërore të Shoqërive të Autorëve, Kompozitorëve dhe Botuesve duke realizuar kështu një bashkëveprim për mbrojtjen e të drejtave të autorit shqiptar jashtë vendit, por edhe autorëve të huaj ne territorin e Shqipërise. Repertori i Albautor përfshin të drejtat e vogla, të drejtat e mëdha, ato letrare dhe të drejtat audiovizuale[9].

 

Mungesa e informacionit në fushën e të drejtave të autorit le hapësira për keqpërdorim dhe cënim të veprave origjinale, që autorët me mirëbesim vendosin të ndajnë me publikun. Shpesh herë njerëzit nuk e kuptojnë ligjin e për pasojnë kujtojnë se gjithçka që shihet në internet apo platformat digjitale mund të merret ë të përdoret sipas dëshirës. Sigurisht zbatimi i këtyre të drejtave në fushën digjitale në vendin tonë ka akoma hapësirë për përmirësim dhe implementimin e mekanizmave të reja ndihmuese e garantuese. Një sistem efektiv i pronësisë intelektuale përfshin një sistem gjyqësor efikas, bashkëveprim institucionesh dhe autoritetesh përgjegjëse, standarte të larta të zbatimit të të drejtave në nivel ndërkombëtar dhe pse jo ndërtimin e një sistemi digjital kombëtar për raportimin e shkeljeve i cili do të funksionojë në bazë të nivelit dhe objektit të shkeljes. Lufta kundrejt plagjiaturës duhet të jetë pak më tepër e fokusuar tek shtresat më të ekspozuara dhe të pambrojtura të autorëve të cilët duan të çajnë në tregun e punës që kanë zgjedhur duke hasur sa më pak pengesa të këtij lloji. Mbi të gjitha duhet të propagandohet më tepër kjo temë shqetësuese me qëllim ndërgjegjësimin, formimin e një koncepti të shëndoshë të të drejtave të autorit që rrjedhimisht sjell respektimin në një shkallë më të lartë të punës krijuese dhe shtysën për një shoqëri më të denjë.

Bibliografia:

AlbAutor, Rreth Albautor, http://albautor.net/rreth-albautor/

DMCA, About us, https://ëëë.dmca.com

Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Vendim i Këshillit të Ministrave nr.527, date 20.07.2016, faqe 30.

Instagram Help Center, Copyrighthttps://help.instagram.com

Jessica Litman, Digital Copyright (2017), Chapter eleven, Maize Books, https://quot.lib.umich.edu/m/maize

Ligji Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”.

Ministria e Kulturës, Drejtoria e të drejtës së Autorit, Rreth Nesh, dda.gov.al

 

Vendim Nr.34, datë 18.01.2017 Për Procedurat e Regjistrimit, të Organizimit dhe Klasifikimit të Veprave të të Drejtave të Autorit.

 

 

 

[1] Ministria e Kulturës, Drejtoria e të drejtës së Autorit, Rreth Nesh, dda.gov.al

[2] Mark Theoharis, How to Create & Protect Your Digital Copyright When Selling Online, https://www.moneycrashers.com/create-protect-digital-copyright-selling-online

[3] Ligji Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, Neni 90, Pika 2

[4] Fletorja Zyrtare e Republikës së Shqipërisë, Vendim i Këshillit të Ministrave nr.527, date 20.07.2016, faqe 30

[5] Jessica Litman, Digital Copyright (2017), Chapter eleven, Maize Books, https://quot.lib.umich.edu/m/maize

[6] Instagram Help Center, Copyrighthttps://help.instagram.com

[7] DMCA, About us, https://www.dmca.com

[8] Ligji Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, Neni 99, Pika 4

[9] AlbAutor, Rreth Albautor, http://albautor.net/rreth-albautor/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here