By voal.ch | December 30, 2020
Eshtnat e Fishtës janë. E them pa metaforë. Njerëzit e kanë të vështirë të shkëputen nga mitet. Ka tridhjetë vjet që shqiptarët janë mësuar me mitin se e eshtrat e poetit të tyre kombëtar janë hedhur në Dri(n) nga një zyrtar i lartë komunist i dikurshëm.
E pra, ka trembëdhjetë vjet që intelektuali dhe krijuesi Fritz Radovani, promovuesi më i përkushtuar i veprës së gjithanshme të At Gjergj Fishtës, këmbëngul se “Eshtnat e At Gjergj Fishtës O.F.M. janë në Rrëmaj”.
Në tetor të vitit 2007, nga Melburni (Australi), ku jeton, Fritz Radovani iu ka dërguar letra publike autoriteteve më të larta shtetërore të Shqipërisë, autoriteteve lokale të Shkodrës dhe të Lezhës, autoriteteve fetare katolike të Shqipërisë, të Shkodrës dhe Lezhës, disa autoriteteve fetare katolike lokale në Mal të Zi e Kosovë, autoriteteve më të larta shkencore në Shqipërisë, rinisë universitare të Shkodrës, gjithë rinisë universitare shqiptare, Diasporës Shqiptare të Hotit dhe të Grudës dhe gjithë Diasporës Shqiptare në botë, në mënyrë të veçantë, “Të gjithë atdhetarëve shqiptarë mbrendë e jashtë Atdheut”. Këtë letër Fritzi e ka publikuar edhe tri herë të tjera, më 2008, më 2009 dhe, herën e fundit, më 31 tetor 2020.
Ai tregon se, më 1980, roja i atëhershëm i varreve të famshme të Rrëmajit, në Shkodër, Gjon Gjergji, ia ka treguar me saktësi vendin ku ndodhen eshtrat e Fishtës dhe ia kanë lënë atij amanet që, kur të vdesë vetë, të jetë dikush që ta djë se ku janë ato: “Fritz, Pashë Shpirtnat e Ayne të vdekunve që i ke në këtë vend dhe që, nga njohja me ta, po të besoj edhe ty, të lutem mos me folë me asnjeri, pa ardhë ajo kohë që ti ke mundësi me tregue se je i ri e një ditë… këtu unë kam fut në një thes qimentoje Eshtnat e At Gjergj Fishtës.” Pastaj roja, Gjon Gjergji, ia ka treguar historinë se si janë shpëtuar eshtrat e Fishtës pa u hedhur në Drin, pranë Urës së Bahçellekut, siç ishte urdhëri nga lart.
Fritz Radovani thotë se, mbas vitit 1992, ka njoftuar për këtë të vërtetë Anton Benussin dhe Erenes Perdoden, dhe, më 1995, me At Konrrad Gjolajn, i cili besohet se e ka biseduar me At Zef Pllumin.
Është e vërtetë, pra, se eshtrat e At Gjergj Fishtës janë zhvarrosë me urdhër nga lart, është e vërtetë se ato kanë qëndruar tri ditë në zyrën e Shyqyri Rrjollit, i cili ishte ngarkuar që t’i hedhë eshtrat në Dri(n), por është gjithashtu e vërtetë se ai i ka rivarrosur eshtrat në një vend në Rrëmaj bashkë me Gjon Gjergjin dhe ka raportuar lart shefin e tij se eshtrat i ka hedhur në Dri(n) te Ura e Bahçellekut. Vendin se ku ndodhen eshtrat Fritz Radovani e tregon me saktësi. Ai sqaron se letrës së tij nuk i janë përgjigjur autoritetet fetare të kohës dhe shton se është gati t’i përballojë vetë shpenzimet për zhvarrosjen e tyre dhe vendosjen në Vorrin simbolik në Kishën Françeskane të Gjuhadolit në Shkodër.
Sot, kur zërin tim po ia shtoj zërit të Fritz Radovanit se “Eshtnat e At Gjergj Fishtës O.F.M. janë në Rrëmaj”, është data 30 dhjetor 2020, dhe mbushen 80 vjet nga largimi i poetit tonë kombëtar në amshim. Prej 23 tetorit 2020, ndërkohë, ka filluar viti i 150 i Fishtës, prej kur poeti ynë kombëtar, erdhi në jetë. Do të jetë një simbolikë e fuqishme që eshtrat e tij të vendosen atje ku iu takon pikërisht në këtë 150 vjetor të lindjes.
Po sot mbushen 30 vjet kur, në 50 vjetorin e largimit të Fishtës në amshim, unë kam botuar shkrimin e parë pozitiv në Shqipëri pas 46 vjetësh të ndalimit dhe anatemimeve komuniste të tij. Qysh në titull, e kam lartësuar “sovran të letrave tona”, pra, atje ku askush tjetër, më herët a më vonë, nuk e ka lartësuar. Ky shkrim vinte pas një pune njëvjeçare në dosjet e Fishtës në Arkivin Qendror të Shtetit, pas një shfletimi me vëmendje të plotë, faqe për faqe e shkronjë për shkronjë të të gjitha këtyre dosjeve dhe pas disa muajsh këmbënguljeje nga ana ime për ta botuar këtë shkrim dhe për ta filluar rikthimin e Fishtës atje ku i takonte.
Kam pasur fatin gjithashtu të përgatis, me regjisorin Ylli Pepo, dokumentarin e parë për At Gjergj Fishtën, i cili u dha atë kohë në Televizionin Shqiptar. Në vitin vijues, të 120 vjetorit të lindjes, që vinte edhe ai ngjitas me vitin e largimit të tij në amshim, kam pasur fatin të bëj botimin e pestë të “Mrizit të Zanave”, pas botimit të katërt, të vitit 1941, të realizuar nga At Viktor Volaj. Kam pasur fatin të botoj për herë të parë në “Drita” poezi të lëna në dorëshkrim nga Fishta. Kam pasur fatin të përgatis kapitullin e Fishtës në Historinë e Letërsisë Shqipe për shkollat e mesme të Shqipërisë dhe të përzgjedh e të pajis me aparat pedagogjik krijimet më të mira në Antologjinë e Poezisë Shqipe për shkollat e mesme. Kam shkruar dhe botuar plot shkrime studimore për Fishtën dhe krijimtarinë e tij. Nuk kam arritur ta botoj veprën e plotë të Fishtës, megjithëse projekti im i botimit ishte më i mirë se projekti që kishte lënë amanet vetë Fishta.
Gjergj Fishta poet (lirik, epik dhe satirik), prozator, publicist (polemist i pashoq), dramaturg, përkthyes. Gjergj Fishta piktor, arkitekt, mësimdhënës, botues. Gjergj Fishta, fetar, intelektual, dijetar, politikan. Gjergj Fishta është personaliteti më poliedrik, më i gjithanshëm që ka nxjerrë kombi shqiptar deri sot. Duke ia rikthyer eshtrat atje ku iu takon, Gjergj Fishtës i rikthehet integriteti fizik, i vetmi që atij mund t’i cenohej pas largimit në amshim të shpritit të tij, integriteti i të cilit është më i paprekshmi, më i pacënueshmi nga të gjithë shqiptarë e derisotëm. Nuk ka pasur për askënd më të vështirë se për Fishtën dhe nuk ia ka arritur askush më mirë se Fishta deri sot të ruajë integritetin e njeriut, të intelektualit, të krijuesit, të artistit, fetarit, atdhetarit si At Gjergj Fishta.
Shqiptarët janë mësuar këto 30 vjet me mitin se eshtrat e At Gjergj Fishtës kanë përfunduar në Dri(n) dhe do ta kenë të vështirë të çmësohen me të vërtetën se ato eshtra janë (ekzistojnë). Ashtu si ata kanë treguar këto 30 vjet se nuk janë të gatshëm të çmësohen me mitet e krijuara gjatë diktaturës 46 vjeçare për figurën dhe veprën e At Gjergj Fishtës. Vetëm duke e kaluar këtë provë në të cilën janë vënë, shqiptarët do të arrijnë të rifitojnë integritetin e tyre shpirtëror të humbur gjatë diktaturës dhe të pagjetur në këto 30 vite të fundit.