Fani Bufi: ROMANI “Një grua midis dy burrave”, shkruar nga Carrie Hooper dhe Skifter Këlliçi

MENDIME VLERËSUESE

 

 

Disa mendime rreth ROMANIT “Një grua midis dy burrave”, me temë amerikano-shqiptare të shkrimtarëve Carrie Hooper, amerikane, që e njeh shumë mirë gjuhën shqipe dhe shkrimtarit të mirënjohu Skifter Këlliçi.

Analiza që u kam bërë dhjetë romaneve të shkrimtarit të mirënjohur Skifter Këlliçi me temë”Përbashkësitë e dhjetë romaneve”, botuar në gazetën”Panorama” më 16, 08, 2023, më jep mundësinë që romanin “Një grua midis dy burrave”, ta shoh në vijimsi të vlerave të shpërfaqura më parë, duke vënë në dukje edhe vlerat e shtuara të këtij romani.

Të dhjetë romanet janë me vlera të mëdha tematike, gjuhësore, letrare, artistiko-ligjërimi, por dua të mbështetem edhe një herë tek romani me temë amerikano-shqiptare “Shtatori i gjëmës së madhe” botuar në gazetën”Nacional” më 25,12,2021, i cili përmban vlera të mëdha dhe e ngre romanin në piedestalin e letërsisë përfaqësuese shqiptare.  Romani “Një grua midis dy burrave”është i pari roman me autorë amerikan dhe shqiptar. Autorja Carrie Hooper është një njohëse shumë e mire e gjuhës shqipe, megjithëse është e verbër, është edhe njohëse e historisë së Shqipërisë dhe, në mënyrë të veçantë, të zhvillimeve në vitet e demokracisë. Të dy autorët: Carrie Hooper dhe Skifter Këlliçi në unison mendimi dhe ligjërimi mundësuan shkrimin e romanit ”Një grua midis dy burrave”. Nga mendja e dy krijuesve të mrekullueshëm u formësua një roman me tepër interes për lexuesit shqiptarë dhe amerikanë.

1

Shkrimtarët i shmangen hyrjeve tradicionale të romaneve.

Në romanin “Një grua midis dy burrave” hyrja është shumë e shkurtër, por tepër funksionale për të përgatitur çastin e shfaqjes së pikës së lidhjesë. Ajo jepet  që në faqen e parë të romanit, me qëllim që të shpërthejë sa më parë ndjenja e frikës marramendëse tek personazhet, të cilët u ndodhën në mjediset e bankës amerikane.

Përshkrimi i rënduar, rrënqethës i një natyre të egër e të rrezikshme, është paradhoma e subjektit, që do të zhvillohet. Përshkrimi i natyrës së zymët me shi të rrëmbyeshëm nga re të murrëzuara, që rëndonin aq shumë, sa shqyheshin duke prekur majat e larta të ngrehinave, paralajmëronin diçka ogurzezë. Nëpërmjet një krahasimi të zgjatur ligjërimi i autorit rrit vlerat e ndjenjës së ankthit dhe të tmerrit. Populli thotë:”Ujku mjegull kërkon”.

Kjo trazirë e rrezikshme e motit është për njerëzit e punës dhe ata shtëpiakë, por është e begat për bandat keqbërësve, në këto rrethana starton zhvillimi i ngjarjeve në roman. Viktimë e kësaj natyre të rrezikshme marramendëse, ishte banka amerikane, në rrugën Uashington. Në këtë përshkrim të shkurtër në faqen e parë të romanit është pika e lidhjes së subjektit, që do të vazhdojë me tensione të herë pas hershme deri në faqen e fundit të romanit.

Sikur të mos mjaftonte moti i egërsuar, që po i tmerronte punonjësit e bankës dhe klientët, që ndodheshin aty, papritur u shfaqën tek dera pjesëtarët e bandës grabitqare. Shtangia qe e madhe, tronditëse deri në tmerr, se u ndodhën përballë armëve të banditëve. Punonjësit e bankës amerikane dhe klientët e saj, që u ndodhen aty, të shtrirë në dyshemen e sallës, nuk po kuptonin nëse aventura kishte përfunduar apo ende vazhdonte. U deshën disa minuta kohë që të merrnin veten dhe të kuptonin se banditët ishin larguar. Egërsinë e banditëve e pësoi i moshuari që u përplas me banditin-roje. Skena e përplasjes është pasojë e gjithë asaj gjendjeje të rrezikshme që krijojnë autorët. Autorët do të thonë se,  ende pa filluar zhvillimi i subjektit, banditët e shfaqën natyrën e tyre agresive. Veç presioneve psikologjike, ata përdorën dhunimet fizike. Kjo ndodhi, e përshkruar me një vërtetësi rrënqethëse, është një paralajmërim se banditët, përveç presioneve psikologjike, nuk ndalen edhe para ndëshkimeve fizike, deri në marjen e jetës të kujdo, që do t’u dalë përpara për t’i penguar në qëllimet e tyre grabitqare. Thonë se ata të dhunushmit, gjakësit, vrasësit, ata pa shpirt dhe egërsirë qetësohen kur marrin jetë njerëzish.

Këtë thyënie universale shkrimtarët: Carrie Hooper dhe Skifter Këlliçi e kanë realizuar nëpërmjet një ligjërimi të pasur në fjalor, me një ndërtim sintaksor origjinal, që ia shtojnë vlerat subjektit të romanit ”Një grua midis dy burrave”.

 

2

Shumë kthesa dhe të papritura  janë tmerrësisht të frikshme, ato janë të mbarsura me dhunë psikologjike të shfrenuar dhe me dhunë fizike.

Zhvillimi i subjektit të romanoit ”Një grua midis dy burrave” i shprehur grafikisht  përngjan me një vijë të lakuar me kulmime të njëpasnjëshme.

Që në fillim të romanit shfaqja e pjesëtarëve të bandës grabitqare, që rrëmbyen me thas plastikë paret e grabitura në bankën amerikane, shënohet kulmi i parë, pikërisht këtu mendoj se në këto çaste është edhe pika e lidhjes. Këtu zë fill dhuna psikologjoike dhe fizike, të cilat do ta shoqërojnë zhvillimin e subjektit deri në fund të romanit.

Pas kulmimit me goditjen e një klienti nga roja e banditëve, ngjarja zhvillohet e tensionuar, me shqetësimin e lënë nga dhunimi dhe me ndjenjën e frikës, që po kalonte me largimin e banditëve.  Njoftimi i policisë se po ndiqte një bandë shkakton frikë e tmerr për Kreshnik Gervenin, i cili ishte duke transportuar drogë. Ai veproi, sipas porosive të bosit, por të papriturat shqetësuese kulmojnë dhe bienë menjëherë, se kthesat janë të këndshme, qetësuese. Kur Kreshniku(Niku) ndali makinën dhe do të fshihte drogën, i afrohet një shoferë, i cili dëshironte t’i jepte ndihmë, se mendoi që makina do kishte defekt. Niku u çlirua nga ankthi, kur mësoi që nuk  ishte agjent policie. Pra vija e lakuar me ngritje e zbritje shton kërshërinë e lexuesit, lexuesi i emocionuar pret ç’do të ndodhë më pas. Edhe përpjekjet për t’i shpëtuar policisë zgjasin vijën e lakuar me plot tensione dhe shqetësime.

Mendoj se autorët Carrie Hooper dhe Skifter Këlliçi e kanë zhbërë pikën kulmore të romanit duke u shmangur rregullit klasik. Pika kulmore, e cila qëndron mbi pikat e tjera si një kulm mali i lartë rrethuar nga kodrat, është realizuar me mjeshtri në shtimin dhe ngritjen e kulmimeve të tjera të subjektit. Përfundimisht kemi një grafik të valëzuar me kulmime dhe ulje të emocioneve.

Thamë që kthesat janë shumë të forta. Ato janë pasojë e rrethanave tmerrsisht të rrezikshme. Shumë herë Kreshnikun lexuesi e sheh në buzë të greminave, që paralajmërojnë fundin e jetës së tij. Përjeton dhe vuan shpirtërisht dhe psikologjikisht personazhi gremisjen, por jo, nuk ndodh gremisja, Buzëgremisja i jep kohë e mundësi për pak orë, ditë apo java të qetësohet dhe të bëjë dashuri me Merin apo të largohet nga Doloresi, nga e  dashura e bosit, e cila është e marrosur pas pamjes fizike të Kreshnikut. Pavarësisht se Kreshniku nuk i afrohet, ajo bën dashuri virtuale me Kreshnikun muskuloz, të pamshëm, të bukur, i denj për një dashuri reale.

Shkrimtarët  përshkruajnë natyrshëm rrethanat, që e vetëçojnë Kreshnikun në rajonin e policisë. Ata e ndjekin hap pas hapi personazhin jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Duke përshkruar realisht depresionin e personazhit, bëhet bindës në ndërmarjen e vetëdorëzimit.

Vetëdorëzimi i Kreshnikut në polici, në gjendje të rënduar psikologjike, i shton shpresën dhe besimin se, vetërrëfimi i veprimtarisë kriminale, do ta lehtësojë dënimin. Paraqitja në polici i shpërfytyruar fizikisht, i dërrmuar shpirtërisht, i venitur, keqardhet nga polici. Polici mendoi  se  duhej ndihmuar shpejt ky njeri i rënduar nga sëmundja. Kjo ishte edhe një nga detyrat e policit, prandaj ai shpejtoi ta ndihmonte atë mjeran të rraskapitur.  Ky veprim i Kreshnikut për t’u vetëdorëzuar është përpjekja e parë në roman dhe do të vazhdojë të hamendësojë përpjekjen tjetër. Megjithëse në gjendje të rënduar psikologjike dhe fizike, ktheu rrugë, kur kuptoi se polici nuk kishte qëllim ta arrestonte, por ta ndihmonte duke e nisur për të marrë kujdes shëndetësor. Lexuesi befasohet dhe qetësohet, ndjen kënaqësi që Kreshniku nuk përfundoi në kthetrat e policisë. Përballja me policin mori një kthesë, që mundësoi zhvillimin e mëtejshëm të romanit me përpjekjet e Kreshnikut për t’i shpëtuar prangave.

3

Është keqardhje apo dashuri e Merit për Kreshnikun?

E lexova me vëmendje romanin “Një grua midis dy burrave” dhe e shtrydha kujtesën time t’i jepja zgjidhje kësaj pyetjeje me dy a tri përgjigje. Fillimisht vërejta një simpati të Merit për Kreshnikun, duke shfletuar më tej faqet e romanit, Meri njihet me jetën e vështirë të Kreshnikut dhe bie në dashuri me të. Pra keqardhja për jetën e rropatur tatpjet, të shumëvuajtur  të Kreshnikut e shtyn Merin ta mëshirojë dhe ta dashurojë.

Çuditërisht, Meri lidhet me Çarlin, por jo me atë pasion seksual sa me Kreshnikun. Tenton të shkëputet nga Kreshniku, por rastësitë e tmerrshme goditëse e kthejnë ta mëshirojë dhe dashurojë Kreshnikun. Shumëkush mund të mendojë se qëndrimi i Çarlit, paksa larg Merit, se merej me punë shkencore mund të thotë se është një nga shkaqet që Meri anon nga Kreshniku. Në një kohë që Meri do të dëfrej të bëjë qejf e të relaksohet në krahët e një mashkulli të dashur, asaj i mungon Çarli. Virtualisht dhe realisht ajo gjen qetësi shpirtërore me Kreshnikun, aspak me Çarlin.

Lexuesi vëren mëdyshjet e Merit. Sapo ndahet nga Kreshniku, vendos të ndahet prej tij dhe të shikojë jetën e vet, por një e papritur e Kreshnikut: një ndjekje nga policia e antidrogës e kthen atë tek Kreshniku. Ajo shqetësohet se mos, ndoshta, Kreshniku bie në kthetrat e policisë, në rastet kur e mjekon Kreshnikun dhe dëgjon shprehjet e babait që e ka birësuar : “Kreshniku e do marrëzisht Merin” Merit i kthen mendja, nuk e  mban dot premtimin se nuk do ta takonte kurrë, zjarrmohet pas tij, saqë e harron për ca çaste Çarlin.

Të parë në kompleksitet sjelljet e Merit të duket sikur e shtyn keqardhja ta dashurojë, por ka raste që të duket sikur dashuria për Kreshnikun e shtynë ta keqardhë. Mendoj se këto nuk janë të mjaftueshme për të shpjeguar sjelljen e Merit, mund të themi se edhe largësia e Çarlit, i dhënë pas punës shkencore dhe jo jetës familjare, ka ndikuar ndjeshëm. Populli ynë thotë:”Larg syve, larg zemrës”. Edhe ky mendim, ndoshta jo shumë bindës, gjatë gjithë romanit lind e zhvillohet tek një lexues i vëmendshëm. Meri pret të martohet dhe të bëj jetën bashkëshortore sa më shpejt dhe më mirë, Çarli shtyn martesën se është i zënë me punë shkencore. Të krijohet përshtyoja se Çarli mendon më shumë për shkencën, sesa për Merin.

Dashuria e madhe e Merit për Kreshnikun dhe dashuria e Doloresit në anën tjetër i japin të drejtën lexuesit të mendojë se Kreshniku është midis dy femrave. Një personazh fatgremisur, pra Kreshniku, ndodhet virtualisht midis dy grave. Dy grave të bukura që e rijetësojnë pas gjithë atyre goditjeve që merr si trafikant i drogës. Sa herë takohet me Merin harron çdo vuajtje dhe sa herë vituslisht ka pranë Doloresin apo Merin harron çdo dhimbje.

4

Përshkrimet realiste shpesh dalin jashtë traditave shqiptare, por ndodhin, sepse zhvillimet shoqërore krijojnë një shtrat të përshtatshëm për dashuri të rrëmbyer dhe me më shumë partnerë.

Në traditën e kulturës së marrëdhënieve burrë-grua shqiptarët nuk e kanë pranuar një sjelle të këtillë. Burri nuk pranonte tradhëtinë e gruas, por edhe gruaja gjithashtu nuk e dëshironte që burri të shkonte me femra të tjera. Këto veprime çonin në ndarjen e çiftit, nëse ndodhnin. Edhe shoqëria, kur i mësonte këto sjellje,i vlerësonte të padëshiruara, ndaj i dënonte rëndë dhe i përçëmonte, i etiketonte si kalë balash të pandershmit.

Pas viteve 1990, në vitet e demokracisë edhe në Shqipëri, filluan të ndodhin hapur veprime të tilla. Grupet kriminale, megjithëse ndiqeshin nga policia antidrog dhe ai trafikimit të femrave, mundnin të kryenin veprimtari kriminale.

Megjithëse ngjarjet zhvillohen në Amerikë duhet të themi se na duket sikur zhvillohen shumë rrethana e ngjarje në Shqipëri. Shkrimtarët sikur duan të thonë që me shtrirjen globale të të mirave, përhapet, përballë luftës për ta zhdukur, edhe e keqja, pra edhe dukuritë negative të shoqërisë. Globalizmi del me dy anë të medaljes: ana e mirë dhe ana e keqe.

==Mendime rreth zhvillimit të ngjarjeve në mbyllje të romanit ”Një grua midis dy burrave”

Pështjellimet e vrullshme të zhvillimit të ngjarjeve në faqet e fundit të romanit janë një rezume e gjithë romanit, ato përmbajnë sinopsin e subjektit të shtjelluar. Faqet e fundit përmbledhin shkurt gjithë përmbajtjen e romanit dhe e përcjellin tek lexuexi tepër emocionalisht, pasi ato tregohen nga vetë personazhi kryesor Kreshnik Gerveni, me një përjetim dërrmues. Nga kjo përmbledhje lexuesi emocionohet, keqardhet, bindet se Kreshniku nuk u kap nga operacionet e policisë së antidrogës, por ai vetëdorëzohet në polici, pas një lodhje të stërmundimshme, e cila e çojë në reagimin kundërshtues të bosit. Kreshnik Gerveni e parandjeu se bosi, i trembur mos e denonconte ai, vendosi ta zhdukte dhe organizoi zhdukjen e tij, zhdukjen do ta kryente Pedro Oliveira, por fal shkathtësisë dhe forcës fizike ai i shpëtoi kurthit të ngritur për ta zhdukur.

Me fjalën e tij hapur policia mësoi edhe personazh të tjerë që merreshin me drogë dhe mësuan shkaqet e shumë dështimeve që kishin ndodhur. Rrëfimi i Kreshnik Gervenit qe një ndihmë e madhe për policinë jo vetëm se mësuan edhe drogëmanë të tjerë, por ishte një mësim i mirë për të vepruar në të ardhmen më me aftësi zbuluese. Rrëfimin e Kreshnik Gervenit mund ta krahasojmë me një libër të përkryer mësimor policor. Policia perfeksionohet në luftë me grupet kriminale të drogës, por përfitimi nga rrëfimi i Kreshnikut ishte më shumë se një libër zbulimi policor. Rrëfimi i shpejt, i shprehur me ndjenjën e urrejtjes për ata që e futën në atë rrugë, e bën lexuesin që ta mëshirojë dhe shkaktarët t’i urrejë. Në këtë përfundim lexuesi arrin, pasi shkrimtarët kanë ditur ta shpërfaqin me talentin e tyre vërtetësisht dhe emocionalisht gjithë subjektin.

Vështirë është të gjesh subjekte romanesh të jenë zhvilluar në mënyrë të përkryer, prandaj mendoj se edhe romani”Një grua midis dy burrave” i bashkautorëve Carrie Hooper dhe Skifter Këlliçi, do të ishte më i mirë, më tërheqës, më i lexueshëm, nëse do të ishin treguar më pak raste të rrezikshme për jetën e Kreshnik Gervenit duke luftuar për t’i shpëtuar policisë antidrogë. Shtimi i rasteve nuk sjell diçka të re, nuk plotëson më subjektin, pasi subjekti do të shndriste me më pak raste emocionale.Gjithashtu duheshin shmangur disa raste të takimit të Kreshnikut me Merin dhe flirtimit të tyre. Ankthet e Merit, e cila shqetësohej sa herë dëgjonte për aksionet antidrogë të policisë janë të panevojshme të zgjateshin, si rrjedhojë  libri do të ishte më pak voluminoz. Do të lexohej më me ëndje dhe më shpejt. “Koha është flori”,-thotë populli shqiptar.

Subjekti i romanit është zgjatur edhe nga kthimet pas në përshkrimin e ngjarjeve dhe rrethanave të zhvillimit. Disa kthime pas janë të këndshme, por, kur ato janë pak me tepri, sikur e humbasin interesin e lexuesit.

 

5

Pse duhet lexuar romani “Një grua midis dy burrave” i shkrimtarëve: Carrie Hooper dhe Skifter Këlliçi.

Si çdo roman, që është një foto dhe një video e kohës dhe vendit ku zhvillohen ngjarjet e subjektit, edhe romani në fjalë bën lokalizimin e vendit dhe kohës së zhvillimit të ngjarjeve, por ky roman ka edhe veçoritë e veta.

  1. Tema e këtij romani formulohet dhe përvijohet me shtjellimin e veprimeve të personazhe shqiptarë dhe amerikanë, pra ka një temë shqiptaro-amerikane.
  2. Lexuesi përjeton shumë shpejt rrethanat e zhvillimit të ngjarjeve, përjeton me emocione të forta kthesat, të papriturat, vuajtjet e personazhit kryesor në luftë për të mos rënë në prangat e policisë së antigrogës.
  3. Lexuesi mund të ndjekë me shumë interes marrëdhëniet intime reale apo virtuale të Kreshnikut me Merin dhe Doloresin dhe të konludojë që nuk është

Meri midis dy burrave, por Kreshniku midis dy grave. Pra mund të ndodh edhe kështu dhe interesi e dëshira për ta lexuar romanin shtohet.

4.Përveç atyre që thamë më lart duhet të themi se lexuesi, pasi të ketë përfunduar leximin, ka pasuruar fjalorin me fjalë pak të përdorura, që ende nuk e kanë fituar qytetarinë e përdorimit dhe e shprehje të bukura të vjela nga gurra popullore.

  1. Lexuesi do të mësojë diçka të re, do të mësojë se e gjithë përmbajtja e romanit shtjellohet shpejt dhe emocionalisht në faqet e fundit ku është edhe pika kulmore dhe zgjidhja.

Fani Bufi

Mësues në pension

Nga Fieri Shqipëri

Boston, Vatra Adult Day Health Center, më 10, 05, 2025