Fatbardh Amursi: Persiatje mbi disa poezi te Rudolf Markut. NË DALLGËT DEHËSE TË LAVDËRIMEVE

NË DALLGËT DEHËSE TË LAVDËRIMEVE

Askush nuk u bë poet në demokraci, duke mos qenë i tillë në diktaturë. Një prej atyre, që e dëshmon këtë të vërtetë: është dhe Rudolf Marku, versnikë me poetët e viteve `70-të, kur diktatura ishte në pikun e saj vrastar, kulmuar me Pleniumin IV. Njësoj si të çelje në kohë thatësire. “Ai që u shpall Poet Laureat nuk duhej të shpallej i tillë, se ka shkruar një poezi për partinë.”-ankohet poeti nga sulmet poshtë brezit të atyre, që dikur të hanin pas krahëve. Disidenti Zollzhenicin e ka pranuar kohën e indoktrinimit të tij. Edhe heretikët që digjeshin në turrën e druve kishin një të kaluar fanatike. Më bukur se ç`e shpreh Lea Ypi në librin e saj “Të lirët” mos e prisni gjëkundi. “Kam qenë në Romë në një konferencë për Brodsky-n, dikush po fliste për kohën e tmerrshme që ai pat kaluar në Leningrad, kur ishte nën survejimin e policisë dhe i dëbuar në veri. Unë ngrita zërin dhe thashë se kjo nuk ishte e vërtetë. Ai ka qenë e ri dhe i vetëdijshëm se ishte një gjeni; ai e ndjente lumturinë e talentit të tij. Mend sa s`plaste nga energjia e talentit të vet!… Ne kemi qenë të lumtur se ishim të bindur se po bënim diçka të mirë, pavarësisht problemeve me censurën dhe policinë.”-shkruan poeti polak Adam Zagajevski. Duke shpjeguar veten, na ka shpjeguar dhe ne. Por, shpjegimin më të mirë e marrim nga poezitë e Rudolfit të botuara në shtypin letrar të kohës “Zëri i Rinisë”, “Drita” dhe “Nëntori” që datojnë nga viti 1972 deri më 1989-ën. Edhe sot kur i lexoj ato poezi, emocionohem si dikur, duke mu dukur më të bukura nga një sërë poezish të Rudolfit të sotëm, por kurrësesi më të mira nga disa syresh, sikurse do ndalem më tej. Pra, vinte si poet nga monizmi dhe u konsolidua në pluralizëm, i rritur brenda vetes. Poezitë në fjalë, jo vetëm që s`e bëjnë me turp Rudolf Markun, por i japin sy, dëshmojnë talentin e padiskutueshëm të tijin. Ai ishte ndryshe nga të tjerët qysh në prezantimin e parë, ku i ndihej sqima dhe kultura. Në poezinë “I vonuari” (1971) poeti duket se krijon një kundërti me thirrjen: “Kapni trenin e kohës”. “Ata kishin marrë çdo gjë dhe kishin ikur/Ai e kuptoi çdo të thotë të jesh i vonuar.” Shtrohet pyetja: çfarë morën, kur në socializëm prona ishte e përbashkët dhe cilët paskan qenë “pararojë”? Në socializëm ai që kishte duk ishte “i shkathti”, që, përherë ia merrte në kthesë: të zotit, të aftit. Pikërisht i shkathti merrte ofiqe, nishane, privilegje, duke gëzuar simpatinë e instancave. Para “të shkathtit” i talentuari ndjehet i vonuar, i zhveshur prej beneficieve: “Por tani e kotë për ty britma,/Mbyte dhëmbjen pa mëshirë,/Unë vetë e di çdo të thotë/Të jesh i vonuar dhe i mirë.” Gjithsesi: “Shoqëroje veten/Me hapat e tua.” I lënë vetëm, doemos i akuzuar si individualist në kohën e kolektivit, ku mediokrit i shihje grushtbashkuar, qe, si të vije mbi rroba shenjën e çifutit. “Në baladën e njeriut që s`dua të njoh”, por që në fakt e njeh mirë, skicon: “Vendoset në një kënd të dhomës/Sendet nga shikimi i tij kanë të ftohtë.” Dihej se kush i zinte cepat, qoshet, duke përgjuar. Në kohën e vrulleve revolucionare, ku dukej sikur bota merrte flakë, ç`qënka ky vështrim që dhe sendet, të pandjeshmeve u shkaktoka drithma?! Në kohën kur predikoheshin “horizontet e hapura”, poeti boton poezinë “Brenda caqeve”, pra, brenda “vijave të bardha” dhe mos e kalo “vijën e kuqe”. “Burrat janë tepër të mençur/Për të qenë burra/Gratë janë tepër të bukura/ Për të qenë gra”, por fëmijët në asnjë mënyra s`duhet t`u ngjajnë atyre, këshillon ai. Si mund t`i lihej stafeta fëmijëve të tillë? Poeti kërkon që secili të ketë fytyrën e tij, që çdo brez të ketë fizionominë e tij. Për ta ilustruar idenë shkruan poezinë “Lidhjet e mija me natyrën”, ku trupin e drejtë dhe kokëfortësinë e babait e sheh tek lisi, butësinë e nënës tek shelgjet, ndërsa veten e sheh tek lumi, bimët dhe gurtë, duke mos thënë se është degë e lisit apo e shelgut. Syri i mprehtë i poetit kish kapur tendencën e shoqërisë, trendin e saj, jo larg në kohë, ndodh që bijtë do ngriheshin kundër etërve. Mbi 90% e studentëve që u ngritën në revoltë vinin nga familje me biografi të mirë, shumica nga familje komunistësh, duke dëshmuar kështu se indoktrinimi mbeti një mbishtresë, përjashto “bijtë bastardë të etërve dinakë”. Etërit të thoshin: pse s`ke shkruar për partinë, ndërsa bijtë thonë: pse ke shkruar për shokun Enver?
Dihet që orakujt parathoshin fatet e njerëzve. Tek ne kjo e drejtë u njihet liderëve, të deklaruar si largpamës dhe vizionarë. “Por, Orakullin e Delfit, ju mos e mendoni kushedi se çfarë,/Në Tempullin e Delfit shkonin të gjithë sundimtarët, qeveritarët, tregtarët,/Vishnin mantelin e bardhë/Dhe u bënin njerëzve parashikime,/Ata e dinin me saktësi kur duhej të martoheshe,/Sa duhej të shkonte çmimi i drithit në javën e fundit/Dhe cila pandemi do ishte më e leverdisshme për ngritjen e çmimit të njeriut.” Orakujt i gjeje kudo: në gazeta, në parlamente, mbledhje partish. Sot vendin e orakujve e kanë zënë gjithologët. Poezia, edhe pse e shkruar në diktaturë, ajo s`e ka humbur aktualitetin. Për t`i shpëtuar censurës, që, përmendja e “orakujve” të mos merrej si insinuatë, pavarësisht aludimit me “largpamësit”, ndodhte dhe kështu: “Me qentë u zëvendësuan macet/Njëherë e përgjithmonë/Jetë qeni kjo jeta jonë!” Autori bën shënimin: redaktori e botoi këtë poezi duke vënë poshtë titullit fjalën “borgjezëve”. Sot borgjezët i kemi mes nesh. Mendoni për një moment një ish pushtetar, që, dje të shkatërronte jetën duke të akuzuar për ndikime borgjeze në art dhe sot të të shoh me sytë e zengjinit, duke të akuzuar: ti, poet, dikur ke shkruar një poezi kundër borgjezëve?! Rëndom jeta e shkrimtarit dhe e artistit shkon nën akuzë, shpesh nga e njëjta dorë.
Në kohën e “komisarëve të dritës” apo të “dritës së partisë” me gjerdanin e hidrocentraleve, poetët kishin dritën e tyre, që buronte veçse nga vetvetja, me vetinë e xixëllonjës. Kjo e vërtetë nuk thuhet, ngaqë i ndruhen keqkuptimit se mos po i hedhin dritë regjimit komunist. Naimit i njihet autorësia e dritës së qiririt, ndërsa në diktaturë, po ta pretendosh se ke dritëruar edhe ti, nuk ta njohin si kontribut. (Iluminizmi është produkt i dritës dhe “mendjet e ndritura” shfaqen më së shumti në kohë të errëta.) Është po ajo thirrmë e Migjeni për: “Pak dritë! Pak dritë! O shokë, o vëlla!” Liria poetike e shfaqur mes rreshtave në diktaturë vlen më shumë nga liria në demokraci, ku shumë poetë të sotëm s`dinë ç`të bëjnë me të, duke rënë robër të manierizmave, që s`të çojnë gjëkundi. Në diktaturë mediokriteti favorizohej nga pushteti, por neveritej në mjediset artistike, ndërsa sot mediokriteti është bërë agresiv nga që dorovitet. “Sa të çuditshëm mediokrit,/As të parët, as të fundit si gjithmonë/E me gjithë trupin e rënduar/Për vende t’para shpesh vrapojnë…Nuk fluturojnë kurrë mediokrit,/Për qiellin s`kanë asnjë mendim,/Veç yjet në pellg kur pasqyrohen/Fillojnë studiojnë astrologjinë…Ec merri vesh ti mediokrit,/Askush s`e di se ç’madhësi kanë,/Aq të mëdhenj duken nga larg,/Sesi zvogëlohen kur i sheh pranë.”-shkëputur këto vargje nga poezia “Grotesk për mediokrit” (1988) Janë pikërisht këto, që të këshillojnë: hap sytë se po vazhdove kështu, do digjesh nga zjarri, duke gënjyer veten se fshehin para tej ethet e një piromani. Ngaqë poeti parapëlqen të luajë me zjarrin: “Do digjesh nga zjarri,/Më thonë shpesh ca njerëz në vesh,/Diçka si këshillë a si buzëqeshje”, paralajmërohet për rreziqet, që e presin. Ndodh paradoksi, sikurse me drejtuesin e një mjeti, i cili në vend të frenojë i jep edhe më gaz veturës. Në turrën e druve inkuizicioni ishte gati të digjte dhe Prometeun. (Zjarrëvënësit e Akropolit, jo të Rainshtangut, e urrejnë flakën olimpike.) “Gjithmonë buzëqeshja e ngrohtë e juaj/Premton se kohë të mirë do mbaj/Puna është të mos ndizet zjarr!”, edhe pse revolucioni krahasohej me vullkanin dhe me zjarrin e pashuar, pikërisht zjarrit i trëmbeshin. Sikurse ata që studjojnë viruset dhe prej tyre e pësojnë. Por, poetëve, u këshillohet: “Sa më shumë letra në zjarr, aq më shumë zjarr në letër.” Kështu që beteja me zjarrin është e pashmangshme.
Fakti që, poezitë e R. Markut të botuara gjysmëshekulli më parë, i kanë rezistuar kohës, është komplimenti më i madh, që i bëhet një poeti, tashmë i testuar. Është tjetër të kesh vulën e kohës, sikurse vuloseshin skllevërit dikur dhe tjetër ta kesh atë në pasaportë si leje kalimi. (Është rasti këtu të kujtoj me nderim kryeredaktorin e ndjerë Miço Verlin, i ndritë shpirti, po kështu dhe redaktoren e atëhershme, Emine Sadiku, që e kthyen gazetën “Zëri i Rinisë” më të lakmueshmen për poetët dhe shkrimtarët me të vetmen faqe letrare të së shtunës, kur “Drita” dhe “Nëntori” ishin kryekëput letrare.) “Atë e ndjek nga pas dallga dehëse e lavdërimeve,/ai qesh, por unë them se atij i merren mendtë./Pastaj ai flë në krevatin e ngrohtë të ëndërrimeve,/Kurse mua nga të ftohtit më kërcasin dhëmbtë./Përsëri do të shfaqet ai mes njerëzve/(Unë do të rithem se atij i merren mend)/Se unë e di mirë se çdo të thotë paqendrueshmëri e fletëve,/në pemën ku janë të dobta rrënjtë.” I duhet vazhdimisht të përballet me dikë, që i zë rrugën. Dhe sa më i regjur të jetë zënësi i shtigjeve, aq dhe më të mëdha do jenë vuajtjet në rrugën e vështirë të promovimit të vetes. Ja tek e ka përgjigjen dhe për ata, që duan t`ia helmojnë qetësinë: “Vendi ynë, që nuk je as i yni;/kur të vijmë pranë, shtiresh se nuk na njeh,/na i shqipton keq emrat,/policët e tu na shohin me dyshim,/të ligjtë na kanë zënë pritë nga kthinat e fshehta të Ferrit;/shpifjet e tua rrethore, urrejtja jote kapriçoze,/adhurimi i së keqes në tempuj me arkitekturë moderne.” Edhe pse në demokraci shfaqen para teje konturet e së shkuarës. Na e morën atdheun me letra të falsifikuara, po ata që dje na imponoheshin me fitore fiktive, ku fitimtarit i merreshin mendtë, duke futur kudo rrenën e madhështisë. Tani poetin nuk e rrezikon asgjë, por qetësi nuk ka, ndjekur nga dilema: ka humbur atdheun si Enea dhe vihet në kërkim të një atdheu të ri, apo ndjehet i tëri Uliks dhe i duhet të kthehet në Itakë? Meqë Uliksi nuk po arrinte Itakën dhe Penelopa priste e plakur në stacion, ai shkruan: “Trishtimi na tha të kërkonim një nisje tjetër/Për të mos patur kurrë mbërritje në një vend.” Si mund të jetohet në një qytet pa asnjë premtim? Lë Londrën e shirave dhe shkon në Kaliforni, ku të merr malli të shohësh një re: “Se në këtë qytet unë vetë solla shi”, duke na kujtuar shprehjen: erdhe si era me shi?! “Të shkruash pa lexues është njësoj si të vallëzosh në terr”, romakët të dhënë pas qejfeve dhe dollive për perandorët nuk kanë kohë të lexojnë poezi. Si përgjimi shoqëruar me frikën se mos po bëhet gabimi dhe shpërfillja, thuaj ç`a të duash, janë shkurajuese. Poetët dhe artistët në të gjitha kohërat erën e kanë kundër. “Të rrethuar me kurva, përçmojnë poezitë e dashurisë,/Ndërsa gratë dhe vajzat e tyre ëndërrojnë në shtrat poetët.”-gjen poeti mënyrën për t`i sfiduar sundimtarët. Kjo ishte nata e fundit e poetit romak, Ovid. “Kur Roma i përzë poetët e vetë/Është koha e duhur për t`i rënë Perandorisë!” Dhe ku duhen gjetur luftëtarët, kur “30 vite ku njerëzit janë më të vetmuar se kurrë”?! “Poetët mblidhen në ferr,/Mes squfurit djegës. Bisedojnë të qetë/A thua se janë në shtëpinë e tyre.” (Danten e shoqëroi në ferr Virgjili. Një gardian burgu do qe i panevojshëm.) Poeti veçse ikën, po kthim a do të ketë? “Kurrë nuk do mbërrij në Tiranë”, sepse: “Në Rinas më qeshin dhe pastaj thonë:/-E kupton dhe vetë nuk ke mbërritur në Tiranë,/ Dhe jo e jo në Shqipëri/sepse Trishtimi nuk qenka Vend,/Sepse trishtimi nuk qenka gjeografi.” (Më i trishtuar ndjehesh kur lexon “Tre shokët” e Remarkut, ku personazhët dëfrejnë se sa në romanin “Shkëndija jete” po të Remarkut, ku personazhët janë në kampe të shfarrosjes në masë.) “Veç një dëshirë të lejohet në ditëlindjen tënde,/Pavarësisht sa qirinj ke mbi tortë,/Sigurohu mirë para se t’u frysh qirinjëve,/S’na lejohet t’i ruajmë dëshirat për më vonë.” Dëshirat dhe kur të vijnë kërkojnë shpërblime mizore. “Këpucët e vjera nuk i ndreqim më,/Këpucët që na çuan në takimin e parë,/e më pas në varrezat e të dashurve tanë/Jetojmë në kohën kur nuk i riparojmë gjëra që deshëm dikur,/Jetojmë në kohën kur gjëra e vjetra i flakim në rrugë.” Poeti i ardhur nga provinca endet rrugëve të botës, si një kozmopolitë, ndërkohë që miku i tij lezhjan, poeti Preç Zogaj merret me “Ushtrimet e melankolisë” i mahnitur prej dashurive.
Tek poezia “Burrat prej letre” shkruar në diktaturë autori portretizon: “Në darkë i lë në një anë të tavolinës,/Në anën tjetër në mëngjez i gjen.” Ti do të dish se cilët janë këta burra prej letre. Dhe merr përgjigjen: janë ata, që lajmërojnë sinoptikën për fortunë të tmerrshme!” Kujtoni Shqipërinë e “Letrave të hapura”, kur Amerika quhej një “tigër prej letre”, gjithsesi kishte dy fabrika të letrës. Nëse gaboje në këto fabrika librat të ktheheshin në karton. “Shumë gjërave vërtet ti mund t’u shmangesh,/Po erës si mund t’i ikësh dot?”-për më tepër, kur erën e ke dhe brenda vetes. “Zotërinjë, i hidhni erashkat! Jashtë po fryn erë.”-nga romani i Marquezit “Dashuri në kohën e kolerës”. Kjo erë është dhe brenda poezive. Ngaqë nuk i dëgjon këshillimet për të mos luajtur me zjarrin, shkruan poezinë “Arkitekti i burgut në kalanë e Gjirokastrës” (1988). S`kish tjetër që mund ta projektonte këtë burg, veç diktatorit, i cili njihej si arkitekti i së ardhmes sonë. “Dhe atë e lavdëruan, arkitekt gjithë pasion/Vijëbëres i kujdesshëm, talent-mrekulli,/Por erdhi e ëma, plakë me të zeza/Dhe mallkoi arkitekturën e lindjes së tij.” Shqipërisë i ndodhi, që nga i njëjti qytet të ishin diktatori largpamës dhe shkrimtari vizionar. Njëri projektoi burgun, ndërsa tjetri kështjellën, sikurse titullohet dhe një roman i Kadaresë. Edhe në qytetin e Rudolf Markut, Lezha, ka një kështjellë. Të përjetshmëve u pëlqejnë duartroktijet. Përkundër tyre janë figurantët, që për heshtjen e tyre kërkojnë honorare. Vetëm artisti në bllokun e mermerit pa formë di se aty brenda dikush jeton. Një kokë e bukur gruaje, sikurse Dea e Butrintit. Ndërsa në teatrin e kukullave ndodh tjetër gjë. Mjeshtri i kukullave rri në errësirë duke krijuar në skenë një spektakël gazmor për të tjerët. Syrit të poeti nuk i shpëton as akrobati, që krahasuar me të, krejt i paaftë të mbajë ekuilibrin në lartësi. “Kur anija e Poetit të thyhet prej dallgëve,/Me dhogat, hartat, velat, që pluskojnë mbi det, ndërtoni varkat tuaja./-O njerëz që qendruat gjithë jetën në breg!” Do e përmbyllja këtë esse, me këtë poezi të mrekullueshme, ngaqë mesazhi i saj i nevojitet të gjithëve. Dhe mos u çudisni që në këtë varkë, të vozisin të gjitha ata, që u merrem mend nga lartësitë, shtyrë nga dallgët dehëse të lavdërimeve, duke e ngrysur jetën në breg dhe duke predikuar zgalemët. Rudolf Marku, krahas poetëve, shkrimtarëve dhe artistëve të tjerë, Kadareja natyrisht udhëheq vargun, dëshmojnë se tek ne: dështoi metoda, por jo letërsia. Në dallgën dehëse të lavdërimeve dikush mbytet, duke bërë selfie, ndërsa një tjetër bën serfi.