Varur muresh të kalasë,
Hije hasmi, hije nate,
Guri gati që të plasë,
Tek sheh majën e një shpate.
E marta1) derdhi stuhi,
Rrebesh kobi mbi Janinë,
Dy varre për një njeri,
Një për të, një për lavdinë.
Trupi nga lavdia ndarë,
Kokëprerë si Orfeu,
Legjendat rrjedhin ujvarë,
Ali Pasha nuk zhgënjeu.
U drodhën gurët në kala,
U ngjethën ujërat në liqen,
Koka që trupin në dhé e la,
Në shpirta njerëzish po e gjen.
Kot nuk do shkojë ky gjak,
Me dhimbje shpirti pa kufi,
Ëndrrat, qëndisur me plagë,
Shpatullshtrirë në pabesi.
Tashmë retë ia pinë gjakun,
Më të flakta vetëtimat,
Kështjella s’ia merr dot hakun,
Pa i pasur në krah trimat.
Ndaj e flaku hidhërimin,
Mban gulçimën, dëgjon erën,
Poshtë muresh var shikimin,
Pas dimrit pret pranverën.
Amanet ato kodrina,
Mozaik lulesh mbi krye,
Sado llohë e suferina,
Të duken si det me yje.
Po ikën ky dimër i sertë,
Barrërëndë pak nga pak,
Ne nga hasmi s’kemi dert,
Po, si s’morëm dhe ca hak.
Në çast nisi fluturimin,
Shqiponj’ e përjetësisë.
Era ngre në krahë betimin,
Porsi degët lis më lis.
Emri majë e dytë në mal,
Si zogu që s’shtegton.
Besa e pastër – kristal
Dritën me frymën bashkon.
Në jetë ishte bubullimë
Që trondiste fron e derë.
Dhe në vdekje – vetëtimë
Digjte gjëmat për të tjerë.
Lisi më i moçëm foli,
Dëshmi zërash ilirik:
“Shpirtmbrojtës seç na doli,
Ai që shpesh mbillte frikë.”
Shpata kthyer në kryq drite
Nëpër zemra tehun ngarë.
Jeta s’matet më me vite
Por me dritën që ka parë.
Te varr i Aliut nënat,2)
Mbështjellur dhimbjen në gji,
Zakonisht zbrisnin të hënat,
Të martën prisnin në shtëpi.
Me shpresë dhe me besim,
Gurit të varrit i luten,
Që t’u gjejë zemra shërim,
Plagët e vjetra t’u zbuten.
Gjunjët mbështesin mbi dhè,
Si përpara një altari;
Fryn era, lutjet i ngre,
Shkëndija të shenjta zjarri.
Zemrat me sytë nga qielli,
Presin lajme perëndie.
Gëzime që vijnë si dielli,
Gjithë dritë shenjtërie.
Guri përshpërit ngadalë,
Si një prift që zë bekon,
Në shpate dhimbjesh pa fjalë,
Vetëm loti udhëton.
Lis i Dodonës rrëfeu,
Rrudhat e thella në ballë:
“Trimat, jo, nuk i tret dheu,
Dhe të vdekur, si të gjallë!”
Pirro me shpatën e zjarrtë,
Nuk gjendet veç në varreza.
Si dragua malesh lartë,
Rron në këngë, rron në breza.
Rritur luftrash Skënderbeu,
Fjala nuk i bëhej dy,
Mbi armikun si Anteu;
Rrufe mbi krye, gjëmb në sy.
Hasmi që shumë e luftoi,
Hijes së tij i përulet.
Dhe pas vdekjes triumfoi
Pa zë, ja, siç çelin lulet!
I hapën varrin çehrezbehur,
Ia morën eshtrat – hajmali;3)
Në ar e argjend fshehur,
Siç ruan njeriu një shenjtëri.
Si fara që shpërthen dheut,
Ndonëse s’ka frymë e dritë,
Para e pas Skënderbeut,
Shpërthejnë dhe trimëritë
Gjithnjë me të keqen ndeshur,
Bijë e bija mot e jetë,
Ballëlartë e pallëngjeshur,
Më frymë i shtyjnë rrufetë.
Kështu filli emërmirë,
Zë lidh lisat me altarin;
Ai që i gjallë kishte prirë
Dhe i vdekur hap siparin.
Çdo ditë malet e Epirit,
Tek ngrenë qiejt e rrëzuar,
Me sytë nga qumësht i gjirit,
Lavdi kush i ka mëkuar.
E fshehtë bota e zemrës,
Ku duart s’kanë ç’përkëdhelin.
Si një frymë përtej frymës,
Lule kujtimesh po çelin…
Të praruara janë virtytet
Dhe kujtesa është lutje,
Kur në ëndrra piqen frytet,
Stinët ndërrohen pa ngutje…
Nata shtrihet mbi Janinë,
Kështjella në meshë të dritës,
Midis yjesh hëna ndrin,
Dhe zgjon një peizazh mahnitës.
_________________________________
1) 5 shkurti 1822, dita e vrasjes
së Ali Pashës ishte e martë.
2) Varri i Ali Pashë Tepelenës në
Janinë njihej si vend pelegrinazhi
për të sëmurët. Udhëtari francez
Viktor Bérard, gjatë udhëtimit të tij
në Epir më 1890, dëshmon për gra
nga Konica që shkuan te varri i
Ali Pashait për të kërkuar shërim
për një të afërm të sëmurë.
3) Sipas Marin Barletit dhe dëshimve
të autorëve europianë të mëvonshëm,
eshtrat e Skënderbeut u mbajtën si
hajmali, me besimin se bartnin fat,
mbrojtje dhe fuqinë e heroit.


















