Flet për gazeten Nacional Frano Kulli, Drejtor i Shtepisë Botuese “Gjergj Fishta” : Ngrehinë-platformë prej së vërteti e jo fasada, për librin

Intervistë dhënë për gazetën kulturore NACIONAL

1. Si ishte për shtepinë tuaj botuese viti që po lëmë pas, cilat qenë disa nga arritjet dhe problematikat që e shoqëruan entin tuaj botues?
Pyetja, megjithse kërkon një përgjigje “obshe”, të gjërë e të përgjithëshme, ajo mund të jepet vetëm e detajuar, si me thënë, pjesë-pjesë. Enti ynë botues “Botimet Fishta”, ashtu sikurse e shumta e shtëpive të tjera të botimit e të librit, ka krijuar, besoj unë, një profilin e vet. Është themeluar në vitin 1994 në Lezhë, si shtëpi botuese dhe si shtypshkronjë. E patëm pagëzuar me emrin e poetit, shkrimtarit, publicistit, politikanit, intelektualit, veprimtarit dhe atdhetarit të shquar françeskan të traditës shqiptare, të gjysmës së parë të shekullit të XX-të, akademikut Gjergj Fishta, Poetit Kombëtar të shqiptarëve, i pari dhe i vetmi në shkrimtarinë shqipe që e mban këtë titull. Sigurisht, që kjo ka qenë, një zgjedhja jonë nderuese, më së pari, me dëshirën përndritëse, për Mjeshtrin e madh shqiptar të fjalës dhe nderimin e përndritjen që na rikthehej prej andej, ne e kemi ndjerë çdo çast të punës sonë, përgjatë dekadave. Sikurse njëjtë me të na ka ndjekur edhe përgjegjësia e madhe për ta merituar përzgjedhjen tonë. A ja kemi arrit ?…
Prej dhjetë vjetësh është përmbledhur e botuar, nën përkujdesjen e një redaksie me studiuesit më të njohur të letërsisë së tij (Dr. Tonin Çobani, Dr. Ndue Zef Toma, Prof. Tefë Topalli, prof. Stefan Çapaliku dhe prof. Hamit Boriçi) vepra e plotë në 10 vëllime e Gjergj Fishtës, strukturuar sipas gjinive krijuese në të cilat ajo është shkruar; poezia lirike, ajo epike, poezia e përkthyer prej tij, dramaturgjia, satira dhe publicistika. Tashmë, kolana e veprës së Poetit kombëtar është e mirëpritur; ajo qarkullon kënaqshëm, mbasi i ka tejkaluar “tabutë” e të moskuptuarit prej “gjuhës së rëndë”, falë aparatit filologjik shpjegues të fjalëve të rralla e shprehjeve të begata frazeologjike, i cili e shoqëron veprën në gjitha zhanrret, në ço faqe të saj. Sikurse ka tejkaluar gjithashtu edhe pezullimin e gjatë, gjysmë shekullor , për rrethana që njihen e dihen. Po, përreth këtij “nukli”, që është vepra e autorit, ndër vite ne kemi botuar edhe dhjetra libra studimorë, përfshirë këtu edhe një “Fjalor i veprës së Fishtës” me fjalë të rralla e shprehje frazeologjike. Të gjitha këto, por edhe botime të tjera, bërë nga françeskanët përgjatë viteve, e kanë risjellë në gjithëdimensionalitetin e tij, figurën e Poetit Kombëtar.
Duke qenë se profili i editorisë sonë ka qenë e vazhdon të jetë botimi dhe ribotimi, kryesisht i letërsisë së traditës, janë përzgjedhur dhe publikuar veprat më të mira letrare, kryesisht të shkrimtarëve dhe studiuesve properëndimorë të shekullit të kaluar, shumicës së të cilëve u qenë ndërprerë kontaktet me lexuesin për shkak të dënimit dhe ndalimit të tyre nga rregjimi komunist në Shqipëri. Botimet e ribotimet e librave historikë, etnologjikë, etnografikë dhe antropologjikë të autorëve të huaj, të cilët e kanë njohur Shqipërinë dhe kanë shkruar për të në shekullin e kaluar, janë gjithashtu objekt i veprimtarisë botuese të entit tonë botues.
Në profilin e “Botimet Fishta” zënë vend edhe libra studimorë të letërsisë, historiografisë, gjuhësisë, fjalorë e punime të tjera të kësaj natyre të autorëve më të spikatur bashkëkohor të këtyre disiplinave, autorë që i thonë shumçka lexuesit vendas.
Zënë vend parësor gjithashtu edhe autorë ndër më zëshmit e shkrimtarisë bashkëkohore, vepra e të cilëve është e përkthyer në gjuhët kryesore të Ballkanit e Europës.
Edhe gjatë vitit 2022, në këtë korsi ka ecur veprimtaria jonë botuese; të mirëpritura monografitë e Tonin Çobanit, Fjalorët e Mehmet Elezit dhe trajtesat serioze gjuhësore të tij, që kanë paraprí debatin e rëndësishëm në këtë fushë. Kurse ciklin romanor të Stefan Çapalikut, përkthyer në dhjetë gjuhët më kryesore europiane (frëngjisht, gjermanisht, italisht) e ballkanike dhe “Tregimet e Tranzicionit” i çmojmë si kulmin e suksesit të veprimtarisë sonë botuese. Konfirmuar kjo prej lexuesit, prej numrit të tyre në rritje me herë. Për pesë vitet e fundit, po edhe për sivjet. Romanet e tregimet e Durim Taçit, gjithashtu, vëllimi i fundit me tregime i të cilit u nderua me çmimin kombëtar “Vëllimi më i mirë me tregime ” e po kështu një listë librash e autorësh të tjerë, që s’është rasti ti përmendim të gjithë.
2. Nga të dhënat merret vesh se në bibliotekat publike të qyteteve të Shqipërisë, por edhe ato të shkollave, ka më shumë se dhjetë vite që s’hyjnë më libra të rinj pasi nuk kanë fonde për të blerë libra. Çfarë pasojash ka kjo për kulturën e leximit tek të rinjtë, por edhe për vetë shtepitë botuese?
E vërtetë që të trishton. Ky është problemi më i madh i sistemit të Bibliotekave të Shqipërisë. Përveç Bibliotekës Kombëtare, që përditësohet “përdhunshëm” nga “të falunat ” e detyrueshme të botuesve. Unë besoj se e dinë lexuesit tuaj të nderuar, se për çdo titull libri që botohet nëe Shqipëri, Biblioteka Kombëtare merr 5 kopje falas. Me urdhër të shtetit, pra me ligj. Ndërkohë që në Itali, bie fjala dërgohen vetëm dy kopje të tilla falas për dy Biblioteka Nacionale, gjë që secili botues do ta bënte me dëshirë edhe tek ne. Po paradoksi nuk ndalet këtu; deri pak muaj më parë, për librat e falur, ne paguanim edhe tatim mbi vlerën e shtuar mbi çmimin që libri ka në kopertinë!!! Për mallin e falur, pra !!! E pangjashme askund, besoj, e papranueshme edhe për logjikën foshnjore. Kurse në Bibliotekat e rretheve, gjendja është aq skandaloze sa ç’e paraqet edhe vetë pyetja juaj. Përditësimi mjeran i Bibliotekave publike sot, atyre të qyteteve, po edhe të shkollave,që bazohet vetëm në dhurimet dashamire të autorëve, shkakun e vetëm ka shpërfilljen që vjen prej vetë shtetit, Ministrisë së Kulturës, asaj të Arsimit dhe njësive vendore të tij. Sot, gjendja është më keq se kurrë, po, për hir të së vërtetës asnjëherë nuk ka shkëlqyer në këta tridhjetë vjet. Asnjëherë nuk ka pasë një program të mirëfilltë për pasurimin e përditësimin me botime të reja të Bibliotekave; edhe kur kjo ka ndodhë ka qenë diçka sporadike dhe aspak si strategji e vlerësim për dijen. Masandej dëmi përcillet prej këtu, tek krejt puna e procesi libror. Nëse përditësimi i bibliotekave do të ndodhte, do të përmirsohej edhe krijimtaria, tek autorët e për pasojë edhe tek botuesit e krejt cikli i produksionit libror.
Kemi vënë re, nga përvoja e punës se në Kosovë, p.sh. trajtimi i bibliotekave publike është shumë më serioz. Jo vetëm qeveria atje, po edhe Komunat, vit për vit, ndajnë pjesë nga fondi i tyre enkas për përditësimin e fondit të bibliotekave….
3. Taksa për librin e printuar vijon të jetë në masën 6%, apo nga më të lartat në Europë. Sa ka ndikuar kjo në industrinë e librit? A kanë bërë negociata shoqatat e botuesve shqiptarë me qeverinë dhe cilat kanë qënë sipas saj shkaqet e refuzimit të uljes së kësaj takse, e cila në të ardhurat e përgjithshme thuhet se zë një vend të krejt të papërfillshëm, ndërkohë që dëmton botuesit shqiptarë? A ka luajtur ndonjë rol Këshilli Kombëtar i Librit dhe i Leximit që funksionon në kuadër të Ministrisë së Kulturës?
Po, e vërtetë 6% është. Më e larta në rajon; të gjitha shtetet e rajonit e kanë më të ulët. Nuk ka qenë kjo taksë, vite më parë, tani bëhen tri vjet, besoj, që është vënë, sepse ka qenë zero. Sa ka ndikuar kjo në industrinë e librit ? Po ja, mjafton të dish se çdo “ingredient” i librit, pra lëndët e para,letra, boja, kimikatet, energjia elektrike…, janë të taksuara në masën 20% tvsh, pa llogaritur tatim fitimin etj. Si për çdo produkt tjetër të tregut, kur dihet se libri është një produkt i veçantë, për të cilin, të gjitha vendet e zhvilluara sigurojnë përkrahje e mbështetje, kryesisht në sistemin e taksave. Pastaj, përtej kësaj, tek ne vendoset edhe një taksë fundore, në qarkullimin e librit, në masën 6% të vlerës së shtuar. Thënë këto dhe llogaria e dëmit për librin del vetë.
Po kaq e vërtetë është ajo që ju pohoni në pyetjen tuaj se të ardhurat e përgjithëshme prej kësaj takse, në buxhetin e shtetit janë të papërfillëshme, porse në “kandarin” tonë, të ne botuesve, kjo peshon bukur rëndë. Kurse sa i takon negocimit të Shoqatës së Botuesve me taksavënësit… Ju e keni parasysh se sa të ndjeshëm janë taksëvënësit e taksëvjelësit tanë (qeveritarë e politikanë) ndaj zërit të shoqatave e grupeve të interesit.
Kurse sa i takon rolit të Këshillit Kombëtar të Librit…Pse a e ekziston një Këshill i tillë ?! Në dijet e mia ai është një institucion ku, sigurisht jepen disa rroga dhe honorare për njerëzit që e përbëjnë. Për hir të së vërtetës unë nuk e di se sa janë ato, sikurse nuk di gjithashtu ndonjë gjurmë pune të dobishme për librin të atij Këshilli. E besoj si unë, shumica e kolegëve të mi.
4. Në Tiranë nuk ka akoma një librari të standardeve, pavarësisht dy-tre investimeve private që duhet falenderuar, ndërsa në 70% të qyteteve të vendit nuk ka fare librari. Sa e dëmton kjo infrastrukturë e munguar librin dhe çfarë mund të bëhët nga qeveria për të nderqur atë ndërkohë që konkurentët e librit janë shtuar përfshirë internetin, rrjetet sociale etj.?
Ja edhe një hallkë tjetër e këputur e zinxhirit të sistemit libror, ndër më të rëndësishmet. Nëqoftëse veprimtaria botuese në Shqipëri, sot pas rreth tri dekadave të fillimit, është fare pranë modeleve europiane, falë seriozitetit e përkushtimit të botuesve, është e vërtetë, që në Tiranë, ende nuk kemi një librari që të ishte e përshtatëshme për t’iu përgjigjur nivelit të botimeve. Kurse në qytetet e tjera, siç e theksoni edhe ju në pyetjen tuaj, në shumicën prej tyre nuk ka fare librari. Ajo që ndodhi në fillimvitet ’90, kur edhe ato librari, ashtu si ishin u kthyen në qebaptore, e gjithçka tjetër, jo vetëm nuk u korigjua; siç mund të ishte, bie fjala ruajtja me ligj i destinacionit të tyre, po përkundrazi, mbi të shumtën e trojeve të tyre u ngritën kulla. Ajo çmenduria kolektive e shtetit, që sot “shkëlqen” më shumë se kurrë.
Ndoshta kjo që më sipër thashë duket nostalgjike? Aspak jo. Po të ruhej destinacioni i librarive të atëherëshme, unë jam i bindur që prej aty do të ishte startuar në nivele të reja patjetër; disa prej tyre prej paftësisë a mundësisë për të ndryshuar, do të ishin mbyllur, natyrisht, po disa të tjera, do të kishin ndjekur modelet e kohës, duke sjellë edhe tek ne modele të librarive të Europës. Ja, pra që prap topi është në fushën e shtetit. Se lejet dhe liçensat për ushtrim aktiviteti, të cilësdo fushë i jep shteti, është tagër i tij…Po, shteti ynë, asnjë ditë nuk ka funksionuar me ndonjë strategji për këtë fushë. Se ndryshe…si mund të ishin ende sot dy të tretat e sipërfaqeve të Pallatit të kulturës në Tiranë zyra e “mejhane e paçaxhihane”, siç do të thoshte Fishta e s’di se çka, kur aty mund të ishte një librari e mrekullueshme e nivelit europian. Që do të ishte vetë ndera e qytetit. Por jo, kjo s’ka ndodhë e as ka me ndodhë, përderisa qeverisjet tona të jenë kaq alergjike me librin, siç janë përgjithsisht të papërgjegjëshme me administrimin e pjesës publike të jetës sonë.
5. Nga një sondazh që ka bërë gazeta Nacional del se pas krizës që përfshiu Europën pas luftës Ruso-Ukrainase çmimet e lëndëve të para të industrisë shtypshkruese të librit janë rritur 70-80 për qind. A mund të na ilutroni listën e këtyre produkteve si ka qënë para kësaj lufte dhe sa janë rritur tani, për shembull, letra, boja, ngjitësit, energjia elektrike, pjesët e këmbimit, sherbimet mekanike, transporti etj.?
Po, e vërtetë, të gjitha çmimet e lëndëve të para janë rrit, përafërsisht në ato shifrat që ju përmendni në pyetjen tuaj, si shkak i luftës, sepse siç dihet të gjitha vijnë nga eksporti, në Shqipëri, nuk prodhohet thuajse asgjë. Edhe ato që prodhohen, frutat a perimet, ndodh që hidhen në lumë për shkak të tregut të çatrafiluar. Siç edhe spekullimi bën të vetën ashtu si e ka bërë historikisht në kohë luftash e krizash. Letra, sidomos është ajo që rëndon më shumë, por edhe produktet e tjera ndihmëse si bojrat, ngjitësit, energjia elektrike, shërbimet mekanike, po edhe transporti; disa me arsyet e luftës e disa të tjera me arsyet e spekullimit. Megjithate, ka pak kohë që vërehet një trend uljeje tek letra, që na bën të shpresojmë për ta ndjekur pasionin tonë “të çmendur” që na mban ende në këtë zeje.
6. Sa ka ndikuar kjo rritje e lëndëve të para të industrisë shtypshkruese për rritjen e kostos së librit dhe natyrisht në çmimin e librit? Sa është reflektuar kjo situatë në tregun e librit dhe konkretisht në blerjen e librit të printuar nga lexuesit si gjatë vitit ashtu edhe në panairin e fundvitit?
Panairi është ngjarja librore më e rëndësishme në të gjitha aspektet.Edhe për qarkullimin, shitblerjen e librit në letër ( të printuar). Në panairin e nëntorit të sivjetëm, siç edhe është bërë publike ka pasë mjaft më pak tituj të ri, po edhe pjesmarrës gjithashtu, krahasuar me 2021-in, që ishte panairi ristartues pas ndërprerjes prej pandemisë. Dhe i ra të ishte panair në “gjendje lufte”. Por edhe janë shitur më pak libra, gjithashtu. E marrë pastaj në mënyrë të përvetçme për secilin nga botuesit, panairi është njëherësh edhe “barometri’ prej të cilit ata orientohen dhe vënë piketat për të ardhmen e punëve të tyre.
7. A keni patur ndihmë nga qeveria dhe në rast se jo a mendoni se duhet të kishte një mbeshtetje për të zbutur këtë krizë, kur dihet se industria e librit mbeshtetet tërësisht në lëndët e para të importit?Ndërkohë që qeveria ka mbeshtetur industrinë e ndërtimeve me 30% siç thuhet për shkak të krizës.
Po, ky është paradoksi, njëra ndër të shumtat “marrina” të përditëshme që qeveria bën. Jo, për industrinë e librit, se ka pa të arsyeshme. Libri , për qeverinë tonë, (për të gjitha qeveritë tona) ka qenë e është “pemë pa kokrra”. Ku i hyn në sy libri qeverisë sonë të kullomanisë…
8. Nga informacionet tuaja si është tregu i librit në vendet e rajonit, si është infrastruktura e shperndarjes së librit përfshirë libraritë, bibliotekat publike dhe sidomos mbështetja që u jepet atyre nga qeveritë vendase ?
Kudo, më i organizuar se te ne.Në Kosovë, në Mal të Zi, në Maqedoni, në Serbi, po e po, pa folë për vendet e zhvilluara të Europës perëndimore. Sepse në të gjitha këto, shteti, ka politika më të mirëorganizuara mbështetëse për librin; në përgjithsi për vendin, po edhe për pakicat. Kështu për fatin tonë, libri shqip qarkullon mirë edhe në Mal të Zi, në Maqedoni po e po. Por edhe në Kroaci. Vjet, kur Fishta kishte 150 vjetorin e lindjes, me dy miq studiues ishim në Zagreb, të ftuar nga Unioni i shqiptarëve atje. Në veprimtarinë e asaj mbrëmjeje ishte edhe ministri i jashtëm i Kroacisë, i cili foli për dhjetë minuta a diç më shumë për lidhjet që Poeti ynë Kombëtar kishte pasë , në rininë e vet, po edhe më vonë me shkrimtarët më të shquar kroatë. Kurse zonjën ministre të jashtëme të Shqipërisë unë nuk e kam dëgjuar ta përmendë një herë, po vetëm një herë emrin e Poetit Kombëtar të Shqiptarëve këtu në Shqipëri e jashtë, jo e jo. Ëë, se duhet kujtuar; në atë mbrëmjen e Zagrebit nuk ishte as…ambasadori i Shqipërisë atje. A mund të turpërohet më ndryshe se kështu kombi e Shqipëria ?
9. Cilat janë disa nga propozimet tuaja drejtuar qeverisë për të ndihmuar botuesit shqiptarë dhe lehtësuar krizën ku ndodhet kjo industri dhe gjtihë ekonomia shqiptare në tërësi?
Të ngrejë binanë e një ngrehine me politika për së mbari për kulturën shqiptare në përgjithsi, po unë do të ndaloja te libri në veçanti. Ngrehinë-platformë prej së vërteti e jo fasada, siç ndodh të bëjë prej një dekade e këndej.
10. Cilat janë disa nga planet e shtepisë tuaj botuese për vitin 2023, çfarë botimesh të reja do të presë lexuesi shqiptarë nga Ju? Si do të jenë raportet mes autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë, raporti mes prozës dhe poezisë apo librave të karakerit historik, studimorë, psikologjik dhe filozofik?
Do të vijojmë të ecim në atë korsinë që kemi zgjedhur. Padyshim në rendin e parë për ne është letërsia shqipe; do të kemi së shpejti edhe një përmbledhje të re të veprës poetike të Mjedës, po edhe të Koliqit, me një strukturë të mirëmenduar editoriale; nga autorët tanë bashkëkohorë që i kemi botuar, presim vepra të reja.Albanologji, antropologji… Po edhe nga letërsia e zgjedhur botërore, gjithashtu. Suksesi që pati botimi i plotë për herë të parë në shqip nga, ne përkthyer nga Laura Leka i “Quo Vadis” të nobelistit të parë Henryk Sienkiewich, qe një përvojë e bukur që na josh edhe për vitin që vjen e në vijim për përzgjedhje të tilla.

Pyetjet i bëri Zhaklina Buçpapaj Gazeta Nacional

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here