Hamdi Hysuka: Mbahet Festivali i 9-të Kombëtar i Poezisë “Muza poetike budiane”, në MAT

Më 27 shtator 2025 Burreli ishte mikpritës i poetëve nga trojet shqiptare

 

 

 

 

POEZIA FOLI, ZEMRAT U BASHKUAN, MUZA NDRIÇOI!

 

 

Festivali i 9-të Kombëtar i Poezisë “Muza poetike budiane” bashkoi

krijues nga mbarë trojet shqiptare dhe Italia në një festë të fjalës e shpirtit.

 

 

 

Nga Hamdi Hysuka*

 

Më 27 shtator 2025 Burreli ishte mikpritës i poetëve nga trojet shqiptare dhe Italia në edicionin e 9-të të Festivalit Kombëtar të Poezisë “Muza poetike budiane”. Qendra e qytetit u mbush me art, poezi dhe dashuri për fjalën e bukur. Në lokalin “Il Gusto”, poetë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, madje dhe nga Rimini i Italisë, u bashkuan për të marrë pjesë në edicionin e 9-të të Festivalit Kombëtar të Poezisë ‘Muza poetike budiane’, duke mbajtur në duar librat e tyre dhe në zemër dritën e krijimit.

Organizatorët Hamdi Hysuka, Fatmir Neli, Lindita Doda, Bajram Canameti etj, pritën me përzemërsi poetët e ardhur, duke u uruar: “Mirë se keni ardhur në Muzën poetike budiane!” Sipas traditës matjane, mikpritja u shoqërua me kafe e raki, ndërsa homazhi me lule pranë bustit të Pjetër Budit dhe fotoja e përbashkët te gjimnazi me të njejtin emër, shënuan nisjen solemne të festivalit.

Në Qendrën Kulturore të Bashkisë, fjala poetike mori jetë. Të pranishëm ishin krijues, miq të artit dhe përfaqësues të institucioneve, mes tyre deputeti i Matit Agron Malaj, kryetarja e Bashkisë Klos Valbona Kola, nënprefekti Hasan Pasha, prof. dr. Shyqri Galica, Trandafile Molla (Baja) nga Italia, Agim Bajrami, Myrteza Mara, Nuri Koleci nga Dibra e Madhe, Sitki Jashari e të tjerë. Surprizë e veçantë ishte pjesëmarrja e poetit italian, Raffaele Lacaruso, që solli në shqip ndjesinë e fjalës së përbashkët.

-Jemi aty, midis jush, me mendje dhe shpirt, -theksoi me mesazh poeti Ligor Shyti, në emër të Klubit të Shkrimtarëve dhe Artistëve “Naim Frashëri” Përmet, sepse sot është jo vetëm ditë feste poetike, por dhe homazh për paraardhësit tanë, ata që na e lanë këtë pasuri të çmuar shpirtërore e që në një farë mënyre na e shtruan këtë rrugë nëpër të cilën po ecim. Sot ata janë në Mat, bashkë me ju, me poetët e nderuar që marrin pjesë në këtë festë poetike, bashkë me frymën dhe veprën e të madhit Pjetër Budi, i cili hapi i pari rrugën e krijimtarisë letrare shqiptare dhe hodhi bazat e doktrinës së krishterë, kur thoshte se librat shqip do t’i shërbenin kur të kthehej në viset e Shqipërisë për të përgatitur kryengritjen e përgjithshme kundër pushtueseve otomanë. Me ju sot është Fishta, Naimi, Çajupi e Migjeni, të cilët ndoqën rrugën e tij dhe na lanë ne brezave të sotëm një pasuri të çmuar me vlera të larta të trashëgimisë kulturore.

Pas interpretimit të Himnit Kombëtar, që shënoi mirëseardhjen solemne, atmosfera poetike u ndez nga vargjet, emocionet dhe duartrokitjet.

Ky edicion dëshmoi se tradita e poezisë në Mat po forcohet, se muza vazhdon të frymëzojë dhe se fjala poetike mbetet dritë e shpirtit kombëtar. “Muza poetike budiane” është bërë tashmë udhëtim shpirtëror drejt bukurisë, ku poetët takohen për të ngritur më lart zërin e gjuhës shqipe.

Në kuadër të festivalit u promovuan tre botime të reja, që pasurojnë letërsinë shqipe, tre zëra, tri rrugë, një qëllim, të ndriçojnë fjalën shqipe:

-Monografia “Mjeshtri i eshtrave metalike”, e autores Lindita Doda;

-Antologjia “Lulëkuqet e globit”, botim i BShASh “Zëri i mërgimtarit”, Novara-Itali;

-Vëllimi poetik “Këtu lindin dashuritë”, i autorit të ri vlonjat Shon Malaj.

Fjalë, art dhe shpirt! Fjala poetike, arti dhe dashuria për gjuhën shqipe bashkuan krijues nga mbarë trojet. Faleminderit të gjithë poetëve e miqve që ndriçuan edicionin e 9-të të “Muzës poetike budiane” me dashuri, fjalë të bukura dhe shpirt krijues! Në Burrel fjala poetike u ngrit mbi kohën. Tradita poetike matjane ndriçoi çdo zemër. Poezia foli me gjuhën e dashurisë dhe të shpirtit. Në zemër të Matit u ndez drita e fjalës. “Muza poetike budiane” bashkoi zërat e poetëve nga trojet shqiptare dhe më tej, në festë shpirtërore që ndriçon zemrat.
Për krijuesit që ndriçuan fjalën shqipe, që e mbushën Matin me poezi e frymëzim, juria, e përbërë nga poetët Bajram Canameti, Ervisa Ruka dhe Elona Basha, ndau çmime letrare:

-Çmimi “Pjetër Budi”: Fatmir Neli, për poezinë “Pesha e fjalës”;

-Çmimi “Hamit Aliaj”: Arbnesha Kelmendi, për poezinë “Sytë e tu”;

-Çmimi i parë letrar: Emi Krosi, për poezinë “Prag vjeshte”;

-Çmimi i dytë letrar: Raffaele Lacaruso për poezinë “Giorni felici” (Ditë të lumtura) dhe Sitki Jashari për poezinë “Pika shiu, apo lot dashurie?”;

-Çmimi i tretë: Luftar Pepmarku, për poezinë “Poetëve atdhetarë”; Shefqet Merra, për poezinë “Për ty, o Mat” dhe Mynyr Hoxha, për poezinë “Mat i dashtun, sa të dua!”;

-Çmimi “Zëri i ri poetik”: Shon Malaj, për poezinë “Lulet e lutjeve”;

-Çmimi i vetë poetëve: Imer Hysa, për poezinë “Homazh për lisin e parkut”.

-Çmimi i karrierës: Fatmir Gjestila.

Në fund të ceremonisë, Klubi Letrar ‘Pjetër Budi’ shprehu mirënjohje të veçantë për tre personalitete me kontribute të spikatura në fushën e arsimit, kulturës e letërsisë. Në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për kontributet e tyre të çmuara, vlerësoi me titullin “Anëtar Nderi” i Klubi letrar “Pjetër Budi” Mat, personalitetet: Prof. dr. Shyqri Galica: “Profesor në Universitetin e Prishtinës, gazetar e studiues, autor i shumë punimeve shkencore e letrare, me botime në poezi e prozë, si dhe kumtesa të paraqitura brenda e jashtë vendit; aktualisht kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.”; z. Agron Malaj: “Ushtarak e drejtues, i diplomuar në Akademinë e Sporteve, me formim në fushën e sigurisë, drejtues rajonal në OShEE, kryetar i Bashkisë së Matit, deputet në Kuvendin e Shqipërisë; autor i librit “Ruajtja dhe siguria e personaliteteve” dhe z. Faik Xhani: “Mësues, gazetar e veprimtar i mirënjohur, me kontribute të shumta në arsim e gazetari, autor i botimeve në poezi e prozë, themelues e drejtues i shoqatave jofitimprurëse, fitues i titullit të lartë “Mjeshtër i Madh”. Ky vlerësim i jep klubit tonë letrar një pasuri të veçantë shpirtërore dhe intelektuale.

Dreka e përbashkët në sofrën poetike matjane mbylli këtë festë të shpirtit poetik, me urimin që vitin e ardhshëm “Muza poetike budiane” të kthehet sërish me dritë, poezi, gëzim shpirtëror dhe shpirt shqiptar. Sepse poezia nuk mbaron me duartrokitje. Ajo jeton në çdo zemër që ndien fjalën. Faleminderit të gjithë poetëve dhe miqve të fjalës që e kthyen Burrelin në tempull të poezisë! Fjala e bukur bashkon, ngroh dhe ndriçon.

 

*kryetar i Klubit letrar “Pjetër Budi”, Mat

 

 

 

 

 

1.PRAG VJESHTE

 

Vizatoj prag vjeshta hijen e plepit,

kur stuhia rrëzoi ca zogj të kuq,

dhe globi i dritës u thye mbi mollën degëshkundur,

se macja vizoi putra nëpër shiun,

ku rrugina me baltë

shtroi një përtrollëse me thana dhe manaferra,

se shegët borake si gjij vajze,

që struket e ngucen nën qepallat e kafta të drurëve,

mespërmes vjeshtës,

me rrush dhe hurma, që varen nga retë e buzëmbrëmjes

përplot pjalm dashurie.

 

Dhe vendlindja ime gris ekuacionet e paserës,

mbi degë-arrat synuse në stinën e dhëndërrimit pa djem,

veç hëna sonte s’qenka hënë,

hundëverdhë varet thellësie të natës,

se gjetheve zogjtë gudulisen në avllinë

me dërrasë të kalbur,

nga vitet e tërfilit të tharë të fshatit tim.

 

Sonte daullet me dell guri të malit

shkrumbuan hijen e rrapit,

prej mallit të ikjes së largët!

 

Emi Krosi

 

 

 

 

 

2.PESHA E FJALËS

 

Një gotë bosh, një pikë ujë s’e mbush
e lë të mangët në delir të zbrazëtisë,
e një fjalë e ëmbël, që ta thotë dikush
na fal ringjallje dy dekada të rinisë.

Fjala është daltë që gdhend shpirtin,
e bukura kështjellat mbi rè na ndërton,
ndërsa të helmtat, thikat përndritin
lënë plagë që dhe koha mezi i shëron.

Mirësjellja, si një fllad i butë në verë
mirënjohja, si diell për dimrin e shpirtit
dhe lëvdatat, po, i duam rrallëherë
si datat festive në kalendarin e vitit.

Një fjalë e ëmbël jetë i jep këngës,
një fjalë e hidhur plagën hap më shumë,
ndaj le të flasim si ninulla e nënës,
në trurin e fëmijës kur e vë në gjumë.

Njeriu është aq i brishtë sa vetë qelqi,
mban frymën te forca e një fjale të drejtë,
ndaj le të zgjedhim me kujdes atë që themi,
se dhe një fjalë vret, ose të jep jetë!

Fatmir Neli

 

 

 

 

 

 

3.SYTË E TU

 

Erdha t’i marr sytë e tu,
t’i shëtis rrugëve ku shpirti dehet,
mbushet jetë.

Mora duart e lidha kraharorin tim
mos të çahet nga malli.

Kur ti mungon,
me gishtat e tu e bëra një krehër,
t’i rregulloj flokët,
mos të dal si e çmendur,
të qeshë bota për marrëzitë që bëj,
kur fluturoj…

Nuk shoh ndryshe,
pos botës ku fryma është më e lehtë,
kur trupi jeton me shpirt,
kur i mungon, bota ndryshon.

Sonte përmes syve të tu shëtita,
atje, ku s’paguan për hyrje
veç me buzëqeshje shkon,
duke shtrënguar duart, më doli gjumi
sytë i hapa mbi sytë e tu!

Arbnesha Kelmendi (Draga)

 

 

 

 

 

 

 

 

 

4.DITË TË LUMTURA

 

Rikthej shiritin e kohës së humbur,

duke psherëtitur… në një moviolë,

mes arave të parregulluara

e kantierëve të palëvizshëm.

 

Kur vrapohej nëpër rrugë,

humbur brenda livadheve të periferive;

vija të ashpra e të vetmuara të asfaltit të turpshëm.

 

Rishoh një top të guximshëm, që fluturon,

me krenari, mes britmave të fëmijëve të pathyeshëm,

të vërtetë e të sinqertë.

 

Rikthehen në ato shtigje të parregullta,

të mbushura me aromë të fushave të egra,

teksa shikoj mes fijesh bari të trazuar e të shushurimshëm,

më deh me ngjyra

dhe me drita të buta… të holla e të ngatërruara,

brenda kontureve të turbullta të së tashmes.

 

Raffaele Iacaruso, Novara, Itali

 

 

 

 

 

 

 

5.NË UDHËTIM

 

Befas, nën një urë, më shafet lumi “Po”

si për mirëseardhje rrjedh e gurgullo…

 

Nga gjithë lumenjtë me magji në rendje,

mua lumi “Po” më kish mbet në mendje…

 

E në të larguar, mbushur në mall, i thashë:

-Mirupafshim, mik nëpër dallgë bashkë!

 

Basir Bushkashi

 

 

 

 

 

 

 

  1. LULET E LUTJEVE

 

Një ditë do të shuhen edhe ëndrrat,

edhe faraonët u tretën nën dhé,

kryqëzuan Jezusin me fjalë të ëmbla,

por vetëm shpresa është dielli mbi re.

 

Nëpër rrugë të vjetra mbjellim kujtime,

të rriten si këngët në shpirt të poetit,

nëpër stinët e kohës, si fllad violine

të shlodhet dhimbja mbi valet e detit.

 

Vetëm për shpresën nuk gjendet varr,

çka se thonë që ajo vdes e fundit,

është zemra e jetës që na mban gjallë,

paqja e shpirtit në krahët e pëllumbit.

 

Lulëzojnë lulet e lutjeve të shpresës

nga lotët e ëndrrave të vjetra,

thinjemi nëpër udhët e ngushta të jetës,

fener i pashuar mbetet vetëm shpresa.

 

Dhe kur errësira do të mbulojë çdo anë,

një fije drite do të mbetet çelur në terr,

se shpresa ikën, veç për t’u ringjallë

që zemrat tona t’i veshim me pranverë.

 

Shon Malaj