ERA E FSHATIT TIM
Ç’mund t’i them udhës që s’më kthen më prapa
kur në çdo hap më vjen era e fshatit tim,
Në dritaren e vjetër pret hija e babait,
e zëri i tij më fton herët në agim.
Ç’mund t’i them pragut që rri pa këmbët e mia,
kur hapat i numëron nata me mall,
Gurët më njohin më mirë se pasqyra,
E oborri më flet si një fëmijë i gjallë.
Ç’mund t’i them lumit që s’më sheh më
kur valët më thërrasin nëpër kujtim,
E më çojnë te bregu ku ëndërroja dikur,
atje ku qielli s’kish asnjë grimë trishtim.
Ç’mund t’i them vetes që s’guxon të kthehet
kur zemra më digjet nën flamur kuq e zi,
Unë jam një degë që stuhia s’e thyen
se rrënjët i kam në atë tokë, ku shpirti im rri!
FLUTURIM MBI BOTË
Me krahë të bardhë prej pëllumbi
fluturova drejt kaltërsisë qiellore,
si në përrallat e një mijë e një netëve.
Me sytë e çliruar vështrova botën tuaj…
ishte kaq e vogël, kaq katrore për sytë e mi.
Zëra zogjsh më shoqëronin në udhëtim,
cicërimat tretën retë e zeza,
luanin me diellin në rënien e tij.
Tufa yjesh – si dhurata Krishtlindjeje –
më rrethuan,
shandanët e paqes i mbanin në duar.
Pikat e lumturisë, kthyer në bulëza shiu,
lagën kaçurrelat e mia ngjyrë ari.
Çarçafët e mëndafshtë të parajsës
më mbështollën ngrohtësisht.
Peizazhi hyjnor më përqafoi me dritë.
Dashuria ishte ngjyra e kohës në meridiane.
Grindjet dhe dhembjet e tokës
ngjiteshin lart si pupla zogjsh të vdekur,
përthyheshin në hapësirë,
shndërroheshin në hi dhe pluhur,
humbeshin në shtigjet e përbaltura të demonëve.
Qetësia qiellore dhe dashuria
prej andej dukeshin madhështore
edhe bota, ylbere.
Me gishtat që digjnin nga drita,
mbolla mirësi mbi shpinë
dhe zbrita shkallëve të gjata,
t’ua dhuroja njerëzve.
Që bota të vishej me lëkurën e tyre
dhe jeta të çlirohej nga demonët e huaj.
Mbi valët e detit… engjëjt buzëqeshnin!
NË PREHËR TË HËNËS
Në prehër të hënës
u shtri nata ime,
si një fëmijë i lodhur nga ëndrrat e prishura.
Drita e saj,
një shami që fshin pikat e djersës
nga balli i shpirtit tim –
shkëlqim i heshtur
mbi plagët që nuk dinë të bërtasin.
Mendimet varen
në degët e errësirës
si frutat që s’i mbledh askush,
të rënda nga pritja.
Kam folur me yjet sonte,
më janë përgjigjur me gjuhën që vetëm zemra
e lodhur
e kupton.
Ti mungon si zhurma
në një botë pa tinguj.
Si zjarri në një shkretëtirë bore.
Si zëri im në një pasqyrë pa dritë.
Në prehër të hënës
mësoj të jem e butë me veten –
ta lë veten të bjerë
si një gjethe që më në fund
gjen tokën që s’e tremb.
Në prehër të hënës,
unë nuk kërkoj më.
Pritja më ka kthyer në poezi!
KRAHARORI I BABAIT
Kam mall,
për ato net që s’flihej pa dorën tënde mbi ballë,
për frymën tënde që më dukej mal,
për kraharorin ku bota bëhej e vogël
dhe frika futej në gjumë.
Ti s’flisje shumë,
por zemra jote më mësonte durimin,
forcën që nuk bërtet,
por mban botën mbi shpinë.
Kam mall…
për atë prehje që s’kishte nevojë për fjalë,
veç një rrahje zemre
që thoshte: je në paqe, bija ime.
Tani, çdo herë që më mungon jeta,
vë kokën në kujtimin tënd
dhe kraharori yt
më vjen si lutje!
RREZE E SHPIRTIT TIM
Ti je mëngjesi që m’i hap sytë,
drita që më çel çdo ditë,
je fjala e parë në lutjet e mia,
një yll i vogël që s’ka frikë .
Krah i ngrohtë në dimrin tim
zëri yt – melodi që mban shpirtin të mbështjellë,
çdo hap i yti është një lulëzim,
çdo buzëqeshje një dritare në qiell.
Ti je zemra ime jashtë meje,
je deti që më gëlltit frikën lehtë,
një zog i kaltër në kopshtin e mendjes,
një pëllumb shprese në një botë të pa drejtë.
Kur bie, ngrihem me diell në sy,
më mëson se si të dua pa kushte,
je udhë pa hartë, por e gjej gjithnjë,
sepse në ty jeta ëmbël gjithmonë më puthte!
O rreze e shpirtit tim o djalë
ti më mban gjallë edhe kur kam dallgë
je bekimi që s’e mbaj dot me fjalë
një poezi që vetë Zoti ma solli në krahë!
HËNA E JETËS TIME
Je hëna e jetës sime, vajza ime e dlirë,
që ndriçon jetën time me një dritë të butë e të qetë,
si një përrallë që zbret nga yjet në çati,
me zërin tënd që tingëllon si dritë mbi retë.
Je lule që çel edhe kur bota hesht,
trëndafil që s’ka frikë nga shiu as era,
frymëmarrja ime kur më mungon vetja,
e bardha në shpirt kur më errësohet vera.
Flokët e tua si fllad që përkëdhel degët,
sytë – dy dritare ku dielli fshihet me mall,
buzëqeshja jote – ylber mbi zemrën time,
zëri yt – këngë që s’e ndal asnjë valë.
Je poezia që vetë koha nuk mund ta fshijë,
një copë qiell që më është dhënë mbi dhe,
vajza ime, dritë e shenjtë e çdo dite,
më mban në jetë dhe lart më ngre .
Në ty e gjej stinën që s’ka dimër as mjegull,
je çelësi që zemrës sime i jep tingull,
mësoj nga ty të jem e fortë e plot jetë
hëna ime , në çdo errësirë, më bëhesh dritë e vërtetë!
E DINI Ç’ËSHTË DASHURIA?
Dashuria është hëna
që ecën zbathur nëpër çatitë e shpirtit,
është një fije dritë
që s’e ndalon as errësira, as malli.
Është ajri që s’e sheh,
por e ndien kur mungon,
si një flakë në mes të acarit
që nuk ngroh gjithmonë trupin,
por djeg brenda zëshëm.
Dashuria është si deti:
të fton të notosh e s’të thotë
sa thellë do fundosesh.
Është një pemë që lulëzon
edhe kur nuk e ujit,
veçse kur e shkul, qajnë rrënjët në heshtje.
Ajo s’është vetëm emër,
është erë që mbart emrin tënd në mua,
është kraharori ku fle
një zog që s’gjen dot vend tjetër.
Dashuria…
është po ajo që të çon në qiell
duke të mbajtur lidhur me tokën!


















