HOMAZH GIJOM APOLINERIT. Poezi nga BLEZ SANDRAR.Përktheu : Anton PAPLEKA

KULLË

 

1910

Kastelmare

Po darkosesha me një kokërr portokalli në hije të një portokalli

Kur, përnjëherësh….

Nuk ishte shpërthimi i Vezuvit

Nuk ishte një re  karkalecash, një nga dhjetë plagët e Egjiptit

As Pompei

Nuk ishin britmat e ringjallura të mastodontëve gjigantë

Nuk ishte Trompeta e paralajmëruar

As bretkosa e Pier Brisesë1

Kur, përnjëherësh,

Zjarre

Përplasje

Hovje përpjetë

Shkëndijë e horizonteve të njëkohshme

Seksi im

 

O Kullë Eifel!

Unë nuk të kam mbathur me ar

Nuk të kam shtyrë të vallëzosh mbi pllaka kristali

Nuk të kam blatuar për Pitonin si një virgjëreshë nga Kartagjena

Nuk të kam veshur me peplum Greqie

Asnjëherë nuk të kam shtyrë të përçartesh

në një rrethojë menhirësh

Nuk të kam vënë emrin Kërcell i Davidit as Dru i Kryqit

Lignum Crucis

O Kullë Eifel

Fishekzjarr gjigant i Ekspozitës Universale!2

Mbi Gang

Në Benares

Midis verlave onaniste të tempujve hindu

Dhe britmave ngjyra-ngjyra të morive të Orientit

Ti përkulesh, Palmë e hirshme!

Je ti që në epokën legjendare të popullit hebre

I ngatërrove gjuhët e njerëzve

O Babel!

Dhe  mijëra vjet më vonë, je ti që në trajtë gjuhësh zjarri

Re mbi Apostujt e mbledhur në kishën tënde

Në mes të detit ti je një pajor

Dhe në Polin e Veriut

Ti shkëlqen me tërë madhështinë e agimit boreal

Të telegrafisë pa tel

Lianat ndërthuren me eukaliptet

Dhe ti pluskon, trung i moçëm, nëpër Misisipi

Kur

Hapet gryka jote

Dhe një kajman kap kofshën e një negri

Në Europë ti je si një trekëmbësh

(Unë do të doja të isha kulla, të varesha te Kulla Eiffel!)

Dhe kur dielli perëndon prapa teje

Koka e Bonosë3  rrokulliset poshtë gijotinës

Në zemër të Afrikës je ti që vrapon

Gjirafë

Struc

Boa

Ekuator

Musone

Në Australi ti ke qenë gjithmonë tabu

Ti je  shuli me gremç që kapiteni Kuk4 përdorte për të drejtuar anijen e tij  me aventurierë

O sondë qiellore!

Për Simultaneistin Deloné5, të cilit ia kushtoj këtë poemë,

Ti je peneli që ai e ngjyen te drita

Gong tam-tam zanzibar kafshë xhungle rreze X ekspres

bisturi simfoni

Ti je gjithçka

Kullë

Perëndi e lashtë

Shtazë moderne

Spektër diellor

Subjekt i poemës sime

Kullë

Kullë e botës

Kullë në lëvizje

 

Gusht 1913

 

1.Jean-Pierre Brisset (1857-1923) : marrok letrar që në veprën e tij “Gramatika logjike” (1883), përpiqej të tregonte se njeriu rrjedh nga bretkosa.

2.Kulla Eiffel u ndërtua për Ekspozitën universale të vitit 1889.

  1. Joseph Bonnot (1876-1912): kryetar i një bande anarkistësh që përdorte automobilin për të sulmuar bankat.
  2. James Cook (1728-1779), lundërtar anglez që e bënë të famshëm eksplorimet e tij në Oqeanin e Qetë.
  3. Robert Delonay (1885-1941) dhe gruaja e tij Sonia (1885-1979), miq të Sandrarit.

 

ATELIÉ

 

La Ryshë1

Shkallë, dyer, shkallë

Dhe dera e saj hapet si një gazetë

E mbuluar me kartëvizita

Pastaj ajo mbyllet.

Rrëmujë, këtu është kulmi i rrëmujës

Ca fotografi të Lezhesë2, ca fotografi të Tobeen-it3, që nuk shihen

Dhe pas kurrizit

Pas kurrizit

Ca vepra frenetike

Skica, vizatime, ca vepra frenetike

Dhe ca tablo…

Shishe të zbrazëta

Ne garatojmë pastërtinë absolute të salcës sonë Domate

Thotë një etiketë

Dritarja është një almanak

Kur vinçat gjiganteskë të vetëtimave

Zbrazin maunat e qiellit me rropamë dhe derdhin

kosha të mëdhenj bubullimash

Që së andejmi bien

Rrëmujazi

 

Ca kozakë Krishti një diell në shpërbërje

Ca çati

Ca somnambulë ca dhi

Një likantrop

Petrus Boreli

Marrëzia dimri

Një xhind i hapur si pjeshkë

Lotreamoni

Shagalli

Kalama i gjorë pranë gruas sime

Kënaqësi e zymtë4

Këpucët i kanë thembrat të ngrëna

Një enë e vjetër plot kakao

Një llambë që ndahet më dysh

Dhe dehja ime kur i shkoj për vizitë

Shishe të zbrazëta

Shishe

Zina5

(Ne kemi folur për të)

Shagalli

Shagalli

Në shkallët e dritës

 

Tetor 1913

 

1.La Ruche ishte një qytezë artistësh, e themeluar nga skulptori Alfred Boucher-i, më 1902. Duke pritur në “hojet e saj”, midis “bletëve” të tjera Leger, Chagall, Kisling, Modigliani, Soutine, Csaky, Zadkine, Archipenko, ajo ka qenë furra e shkrirjes e Shkollës së Parisit.

  1. Fernand Leger (1881-1995), piktor, vizatues e dekorues francez, do të ishte një nga miqtë më të mirë të Sandrarit
  2. Felix Elie Tobeen, piktor francez
  3. Délectation morose : eufemizëm për onanizmin
  4. Zina ishte një nga motrat e Shagallit.

 

 

 

 

HOMAZH GIJOM APOLINERIT

 

Brumi i bukës fryhet

Franca

Parisi

Një brezni e tërë

U drejtohem poetëve që ishin të pranishëm

Miq

Apolineri nuk ka vdekur

Ju keni ndjekur pas një makinë varrimi të zbrazët

Apolineri është një mag

Njeriu  që buzëqeshte te mëndafshi i flamurëve në dritare ishte ai

Apolineri zbavitej duke iu hedhur lule dhe kurora

Ndërsa ju i shkonit pas makinës së tij të varrimit

Mandej ai bleu një kokardë të vogël tringjyrëshe

Po atë mbrëmje e pashë tek manifestonte në bulevarde

I kishte hipur kaluar motorit të një kamioni amerikan dhe tundte një flamur të stërmadh ndërkombëtar të shpalosur si një avion

RROFTË FRANCA!

 

Kohët kalojnë

Vitet ikin tutje si retë

Ushtarët janë kthyer në vatrat e tyre

Në shtëpi

Në vendin e vet

Dhe ja ku po rritet jë brezni e re

Ëndrra e SISËVE1 po realizohet!

Francezë të vegjël gjysmë anglezë gjysmë negër gjysmë rusë

Pak belgë, italianë, anamitë, çekë

Njëri me theks kanadez, tjetri me sy hindu

Dhëmbë fytyrë eshtra kyçe kontur ecje buzëqeshje

Të gjithë kanë diçka prej të huaji megjithatë i përkasin këtij vendi

Midis tyre, Apolineri, si ajo statujë e Nilit, babai i ujërave,

i shtrirë midis kalamanëve që i rrjedhin kudo

Midis këmbëve, nën sqetulla, në mjekër

Ata i ngjajnë babait të tyre dhe rrjedhin prej tij

Dhe të gjithë flasin gjuhën e Apolinerit

 

Paris, nëntor 1918

 

1.Është fjala për pjesën teatrale Sisët e Tirezias, dramë syrealiste e Apolinerit, e vënë në skenë më 24 qershor 1917 në Paris.

 

 

 

229 RRUGA SHËN ZHAK

 

Asnjëherë një bombë gjermane

Nuk do të të rroposë dot

Shtëpi e vjetër e Parisit

Ku u shkrua

Romani i Trëndafilit

Një pllakë është në katin e parë

Unë vështroj në katin e katërt një dritare të ndriçuar

Nuk e di kush banon sot në dhomën ku kam lindur

 

Një pllakë në katin e parë

Thotë se pikërisht aty

Jehan de Meung-i shkroi

Romanin e Trëndafilit

Në një shtëpi të vjetër të Parisit

 

Pikërisht në një natë të ngjashme plot yje,

me gojë, sy, lëvizje me hope dhe të thithura

Unë erdha në jetë

Më 1 shtator 1887

 

Pikërisht një natë të ngjashme një gjak u ndez në qiellin tim,

Toka u hap nën këmbët e mia

Oh, çfarë rëndese!

Dhe unë erdha në jetë

Më 1 shtator 1887

 

Unë isha plot mukoza dhe lëngje të njelmëta,

pendë  notimi prej mishi kisha te thembrat e mia

Kur erdha në jetë

Më 1 shtator 1887

 

Përpëlitesha dhe më kullonin djersët çurg

i lëviza sa munda këllqet, fërgëlloja i tëri

Kur erdha në jetë

Më 1 shtator 1887

 

Dhe befas u këput lidhja që më mbante ende

për pak m’u zu fryma

Luftova, veshët më buçisnin nga zhurmat, ndjeva të ftohtë

Dhe pështyva zjarr me plot gojën

Kur erdha në jetë më 1 shtator 1887

 

Piskama ime e parë! Ajo më shpoi veshin.

Dhe zjarri që sapo lëshova më rrodhi nga veshët

drejt e në zemër

Për herë të parë dëgjova një si gërgërimë vigane

Ligjërim i ngatërruar për atë që vjen në Jetë

 

 

PRANVERË

 

Pranvera kanadeze ka një vrul, një fuqi që nuk e gjen

në asnjë vend tjetër të botës

Nën shtresën e trashë të borërave dhe të akujve

Befas

Natyra bujare

Tufa vjollcash të bardha të kaltra e të trëndafilta

Orkidé lulediej zambakë të hullizuar

Në shëtitoret e nderuara me panja frashra të zinj dhe mështekna

Zogjtë fluturojnë e këndojnë

Në zabele të mbuluara me sytha  me lastarë të rinj e të njomë

Dielli gazmor është ngjyrë jamballi

 

Buzë rrugës në një gjatësi prej më se pesë miliesh

shtrihen pyje dhe kultura bujqësore

Ky është një nga zotërimet më të gjera të distriktit të Winnipeg-ut

Në mes ngrihet një fermë me mure të forta të ndërtuara

me gurë të latuar  që ka pamjen e kullës së një fisniku

Pikërisht aty rron miku im Kulon

I ngritur pa zbardhur drita ai shkon nga ferma në fermë

i hipur në një pelë të lartë brymëse

Këmbët e kapuçit të tij prej lëkure lepuri i vërtiten mbi supe

Ai ka sy të zinj dhe vetulla kaleshe

Ai është shend e verë

Ka një llullë që i varet mbi mjekër

 

Nata është me mjegull dhe e ftohtë

Një erë e furishme që fryn nga perëndimi

i bën të rënkojnë bredhat elastikë

Dhe larshet

Një dritë e vogël vjen duke u zgjeruar

Një flakadan kërcet

Një zjarr që gjallërohet papritmas përpin shkurret dhe karthijat

Era e vrullshme sjell tufa  nga drurët rrëshinorë

Pishtarë të mëdhenj  flakërojnë njëri pas tjetrit

Zjarrnaja i vjen rrotull horizontit

me një ngadalësi të madhërishme

Përgjaken trungje të bardha dhe trungje të zeza

Katedrale tymi ngjyrë çokollate nga ku shpërthejnë

një milion shkëndija flakëza

duke u vërtitur shumë lart e fare poshtë

Prapa kësaj perdeje flakësh vihen re hije të mëdha

Që përdridhen dhe rroposen

Oshëtijnë goditje sëpatash

Një mjegull e athët shtrihet mbi pyllin e ndezur flakë

që ekipi i druvarëve

E ndan me një brez drurësh të prerë

 

 

KOPSHT I VOGËL

 

Zambakë krizantema

Sikasë1 e drurë bananesh

Qershi të lulëzuara

Palma portokalle dhe arra kokosi madhështore

të ngarkuara me fruta

 

1.cycas është një dru ose shkurre ekzotike që i ngjan palmës

 

 

 

I LEHTË DHE I TEJHOLLË

 

Ajri kundërmon

Myshk ambroz dhe lule limoni

Thjesht të rrosh është një lumturi e vërtetë

 

 

 

HATUARA

 

Ajo nuk i njeh modat europiane

Të dendur e me një ngjyrë të zezë në të kaltëreme

Flokët e saj i ka ngritur lart si japonezet

Dhe i ka mbërthyer me gjilpëra korali

Ajo është lakuriq nën kimononë e mëndafshtë

Lakuriq deri te bërrylat

 

Ajo ka buzë të forta

Sy lëngimtarë

Hundë të drejtë

Çehre ngjyrë bakri të çelët

Gjinj vocërrakë

Këllqe të mbushura

 

Ajo ka një gjallëri  një çiltëri lëvizjesh e gjestesh

Një vështrim prej kafshe tërheqëse

 

Shkenca e saj: gramatika e të ecurit

 

Ajo noton si ai që shkruan një roman prej 400 faqesh

E palodhshme

Krenare

E kënaqur

Prozë e bukur e shtruar

 

Ajo kap peshq fare të vegjël që i fut në gojë

Pastaj zhytet me guxim

Rrëshqet midis koraleve dhe leshterikëve shumëngjyrësh

Për të dalë pas pak mbi ujë

Buzagaz

Duke mbajtur në dorë dy dorada të mëdha me bark të argjendtë

 

Kryelartë për një fustan mëndafshi të kaltër flakë të ri

Për papuçet e saj të qëndisura me ar

Për një gjerdan të hijshëm koralesh

Që ia dhanë sot në mëngjes

Ajo më sjell një shportë me gaforre gjembaçe dhe të çuditshme

Dhe me ata karkaleca të mëdhenj detesh tropikale

që quhen “karakë”

Dhe  janë të gjatë sa dora

 

 

 

BILBAO

 

Ne mbërrijmë shumë para agut në radën e Bilbaos

Një krik prej malesh të ulëta dhe kodrash në kundërdritë

Kadife e zezë e shpuar nga dritat e qytetit

Ky dekor i thjeshtë dhe i kompozuar mirë më kujton

Dhe ka rrezik të më marrin për budalla meqë jam në Spanjë

po e përsëris më kujton një dekor të Pikasos

 

Këtu ka varkëza ku rrinë vetëm dy burra dhe të pajisur

me një velë fare të vogël trekëndëshe që nisen për në det të hapur

Dy marsuinë1 kapardisen

Sapo del dielli që prapa maleve

Ky dekor i thjeshtë

Pushtohet

Nga një buenë ngjyrash

Që shkojnë nga indigoja tek e purpurta

Dhe që e shndërrojnë Pikason në ekspresionist gjerman

Skajet takohen

 

1.Marsuin: lloj delfini

 

 

 

PEDRO ALVAREZ CABRAL

 

Portugezi Pedro Alvarez Kabrali ishte nisur me anije

nga Lisbona

Në vitin 1500

Për të shkuar në Inditë Orientale

Erëra të kundërta e shpunë drejt perëndimit

Dhe u zbulua Brazili

 

 

 

ISHUJ

 

Ishuj

Ishuj

Ishuj ku njeriu nuk do të shkelë kurrë

Ishuj ku njeriu nuk do të zbresë kurrë

Ishuj të mbuluar me bimësi

Ishuj të strukur si jaguarë

Ishuj memecë

Ishuj të shtangur

Ishuj të paharrueshëm dhe pa emër

Unë i hedh këpucët e mia nga anija sepse do të doja

të vija deri tek ju

 

 

 

LINJA TELEFONIKE

 

Ju e shihni atë linjë telefonike në fund të luginës

Dhe ravën e saj vijëdrejtë që e pret pyllin te mali përballë

Të gjitha shtyllat e saj janë prej hekuri

Kur e shtrinë atë linjë shtyllat e saj ishin prej druri

Në krye të tre muajve atyre u dolën degë

Atëherë i shkulën i kthyen kokëposhtë dhe i ngulën përsëri

me rrënjët përpjetë

Në krye të tre muajve shtyllave u dolën prapë degë të reja

Hodhëm rrënjë dhe filluan sërish të jetonin

Për të shtrirë një linjë të re u desh t’i shkulnin të gjitha

Dhe të sillnin me shpenzime të mëdha shtylla hekuri

nga Pitsburgu

 

 

CAP FRIE

 

Mbrëmë dëgjova një zë fëmije pas derës sime

Një zë të ëmbël

Gjithë dredhule

Të kulluar

Kjo gjë ma kënaqi shpirtin

 

 

 

BAHIA

 

Lagunë kisha palma shtëpi kubike

Varka të mëdha me dy vela katërkëndëshe

të kthyera përmbys që ngjajnë

me këmbë të mëdha pantallonash të mbufatura nga era

Varka të vogla me vela si pendë peshkaqeni

që hoven midis valomave të detit

Re të mëdha pingule të fryra të ngjyrosura si shtamba

Të verdha e të kaltra

 

 

 

 

 

 

KRISTOFOR KOLOMBI

 

Ajo që e humbas nga sytë sot duke lundruar drejt lindjes

Është ajo që Kristofor Kolombi e zbuloi duke lundruar

drejt perëndimit

Pikërisht në këto vise ai pa zogun e parë të bardhë e të zi

Që e bëri të binte në gjunjë e të falënderonte Zotin

Me aq emocion

Dhe të improvizonte atë lutje bodleriane

që gjendet në ditarin e anijes

Ku ai kërkon ndjesë ngaqë i ka gënjyer përditë detarët e tjerë

Duke u treguar një pikë të rreme

Me qëllim që ata të mos mund ta gjenin përsëri rrugën e tij

 

 

 

 

PËRSE SHKRUAJ?

 

Sepse…

 

1924

 

 

 

 

 

EPITAF

 

Atje tej prehet

Blez Sandrari

Në zero gradë dy ose tri të dhjetat

E gjerësisë gjeografike jugore

Në dymbëdhjetë, njëzet e katër, tridhjetë e gjashtë gradë

Të gjatësisë gjeografike perëndimore

Në barkun e një kashaloti

Në një  hauz të madh ngjyrë çiviti

 

Përktheu : Anton PAPLEKA

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here