JERUSALEM. Poetë të famshëm ndekombëtarë nën përkthimin e Sinan Kërpaçit

Sinan Kërpaçi

Gazeta “NACIONAL”

Odgen Nash

Këshillë për bashkëshortët

Në do ta ruash martesën gjatë
E kupën mos ta sosësh shpejt,
Kur ke gabim: pranoje atë,
Qepe dhe në të drejtë.

Seamus Heaney

SKELA

Kur muratorët nisin një ngrehinë ta ndërtojnë
Bëjnë kujdes që skelën ta sigurojnë;

Janë të bindur se dërrasat nuk do të lëvizin
Në pikat e tyre të bashkimit.

Gjithçka shembet përtokë kur puna mbaron
Duke u shfaqur muri i sigurt, siç qëndron.

Kështu mund të ndodhë, mos t`u duket çudi,
Të shemben urat e vjetra që ngritëm ne të dy.

Fare për këtë mos të të bëhet vonë
E sigurt që ne e ndërtuam murin tonë.

Robert Frost

NJË ZOG I VOGËL

Sa kam dashur për një zog të fluturonte larg,
Mos të ngjirej te streha ime nga mëngjesi në darkë;

Te pragu kam përplasur duart për ta trembur atë
Kur m`u duk që s`mund ta duroja dot më.

Gabimi i madh tek unë ka qenë, e them pa frikë.
Ai zog s`qe fajtor pse krijonte muzikë.

Dhe natyrisht që ne gabojmë shumë rëndë
Kur këmbëngulim pa lidhje për të heshtur një këngë.

Yehuda Amichai

JERUSALEM

Mbi një çati në Qytetin e Vjetër
po varen rrobat në diellin e mbasdites:
çarçafi i bardhë i një gruaje që është armikja ime,
peshqiri i një burri që është armiku im,
për të fshirë djersën e ballit.

Në qiellin e Qytetit të Vjetër
një balonë.
Në anën tjetër të fijes
një fëmijë
që unë nuk mund ta shikoj
për shkak të murit.

Ne kemi ngritur shumë flamurë,
ata kanë ngritur shumë flamurë.
Të na bëjnë të mendojmë që janë të lumtur.
T`i bëjmë të mendojnë që jemi të lumtur.

Carl Sandburg

KTHETRAT

Shtatë kombe u gjendën në kthetrat e vdekjes.
Ishte java e parë e Gushtit, 1914.
Unë dëgjoja, ju dëgjonit, tërë bota po dëgjonte,
Dhe të gjithë ne e dëgjuam një Zë:
“Unë jam rruga dhe drita,
Kush beson
Te unë
Do të jetë i përjetshëm.”
Shtatë kombe me veshin pipëz dëgjuan Zërin
Dhe u përgjigjën:
“O Djall!”
Nofullat e vdekjes filluan të kërcasin,
Dhe kombet po ashtu vazhduan:
“O Djall!”

Rabindranath Tagore

VARKAT PREJ LETRE

Ditë për ditë i lëshoj varkat e mia prej letre në rrjedhën e lumit.
Me shkronja të mëdha shkruaj emrin tim dhe të fshatit ku jetoj.
Shpresoj që dikush në vend të panjohur për mua do t`i gjejë dhe do mësojë kush jam.
I ngarkoj kaiket e mia me jaseminë nga kopshti im dhe shpresoj që këto lule agu do të prekin të sigurta përsëri tokë nëpër natë.
I lëshoj varkat prej letre dhe i ngul sytë qiellit: shikoj copa resh të gufohen si vela të bardha.
Unë nuk e di cilët vërsnikë të mitë në qiell i dërgojne ato poshtë të garojnë me varkat e mia!
Kur vjen nata e mbështes fytyrën mbi krahët e mi dhe ëndërroj që varkat të lundrojnë e lundrojnë nën yjet e mesnatës.
Engjëjt lundrojnë brenda kaikeve dhe ngarkesa: shportat e tyre mbushur plot me ëndrra.

David Ignatow

PËR BIJËN TIME

Kur të vdes zgjidhe një yll
dhe vuri emrin tim:
ta dish
që s`të kam harruar.
Yll ishe për mua,
të ndoqa nëpër kohë
duke u rritur
pa ta lëshuar dorën.

Kur të vdes
zgjidhe një yll,
quaje me emrin tim
të ndriçojë ku je ti,
derisa të jemi bashkë
atje lart.

Peter Cherches

NGRE KRAHUN E DUHUR

Ngre krahun e djathtë, tha ajo.
Unë e ngrita të djathtin tim.
Ngre të majtin tha ajo.
Unë e ngrita dhe të majtin. Të dy krahët ishin lart.
Ule të djathtin, tha ajo.
E ula.
Ule të majtin, tha ajo.
Kështu bëra.
Ngre të djathtin, tha ajo.
Iu binda.
Ule të djathtin.
E ula.
Ngre të majtin.
E ngrita atë.
Ule të majtin.
Bëra si më tha.
Heshtje. Qëndrova me të dy krahët ulur në pritje
për komandën tjetër. Pas pak e humba durimin dhe
I thashë se cfarë të bëja më.
Tani është radha juaj të japësh urdhra tha ajo.
Në rregull, i thashë. Më thuaj të ngre të duhurin.

William E. Stafford
GJËRA QË I THEM NË KALIM
Në peizazh pëlqej vendin e sheshtë.
Në jetë këtë nuk e dua të ndodhë shpesh.
Në personalitete pëlqej njerëzit e matur.
Në ngjyra preferoj grinë dhe kafen.
Gruaja ime, një vajzë me kokën nga malet
thotë: “ Atëherë pse më zgjodhe mua?”
Pa e tepruar, bujarisht ul sytë ngjyrë kafe –
shumë gjëra njerëzit e adhurueshëm nuk i kuptojnë.

Mark Strand

TË VDEKURIT

Varret bëhen gjithnjë e më të thellë.
Të vdekurit çdo natë e më të vdekur.

Nën blirët dhe shiun e gjetheve
varret bëhen më të thellë.

Shkulmet e erës e mbështjellin dheun.
Nata gjithnjë e më e ftohtë.

Gjethet bien dhe u vishen mermerëve.
Të vdekurit çdo natë e më të vdekur.

Një natë pa yje i mbështjellë ata.
Fytyrat e tyre errësohen.

Nuk mund t`i kujtojmë krejt siç ishin.
Dhe s`do të mundim kurrë.

Charles Bukowski

Langston Hughes

AS I BARDHË, AS I ZI

Babai im ishte i bardhë,
Nëna e zezë sa më nuk ka.
Të bardhin ndonjëherë në e mallkova
I them : më fal baba!
Në kam mallkuar zezaken mëmë,
Në ferr sa s`e kam çuar atë,
Turpërohem nga dëshira e çmendur
Dhe lutem tani për tjetër gjë.
Në një vilë vdiq babai im,
Nëna – në kasollen varfëri.
Unë hibridi nuk di ku të vdesë
Pa qenë as i bardhë dhe as i zi.

RRËFIM

Duke pritur vdekjen
si një mace
që do më hidhet
në shtrat

ma pik në shpirt
për bashkëshorten

ajo do të shikojë
të bardhin
kurm të ngrirë
do ta tundë
njëherë
e mbase
dy

“Henk!”

Henku
nuk do përgjigjet.

Nuk dua t`ia di
për vdekjen time
sesa për bashkëshorten
që do mbetet
me një pirg prej hiçi.

Dua t`i lë të kuptojë
se të gjitha netët
në një jastëk
edhe me
fjalosjet më kot
ishin aq madhështore

madje
edhe fjalët
më të ashpra
që ndruaja
ndonjëherë t`i thosha
tani shqiptohen:

të dua.

Shqipëroi

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here