Jusuf BUXHOVI: HISTORIOGRAFIA JONË KA NEVOJË PËR KORRIGJIME DHE RISHKRIM

-Mistifikimi i të vërtetave historike si dhe mbajtja e tyre e ngrirë qoftë edhe me autoritetin e censurës, siç po kërkohet kohëve të fundit nga qarqe të caktuara akademike, është krim shkencor, por edhe moral, meqë pamundësia e çlirimit nga mashtrimet, shoqërinë e kthen në viktimë të përhershme të përshtatshme për çfarëdo manipulimi!

Jusuf BUXHOVI

Martin Hajdegeri, me të drejtë ngriti çështjen që secila gjeneratë ka të drejtë për rishikimin e historisë në përputhje me “pikëpamjet për të vërtetën e vet”. Kjo arsyetohet me atë se historiografia si shkencë e veçantë shoqërore ka për detyrë të marrë parasysh logjikën e interpretimeve që ofrojnë faktet në vazhdimësi si dhe atë, që qëndrimet e caktuara, të pranueshme ose të imponueshme në një kohë, valorizohen, rishikohen ose edhe korrigjohen në përputhje me ndryshimet shoqërore që vendosin raportet politike. Meqë shtetformi shqiptar (i Shqipërisë në vitin 1912 dhe të Kosovës në vitin 2008) ka kaluar nëpër faza të mbikëqyrjes ndërkombëtare dhe ato ideologjike për mbi gjysmë shekulli, ka qenë e pritshme që edhe ajo që është shfaqë si historiografi “autentike” nga autorët shqiptarë të jetë ndikuar nga këto rrethana, veçmas nga historiografia serbe, që mund të thuhet, se bashkë me diskursin e njohur ideologjik, ia ka përcaktuar kornizat e “të vërtetave” gjithnjë në përputhje me programet hegjemoniste serbe gjatë dy shekujve të fundit. Natyrisht se diktatit të historiografisë serbe ndaj asaj shqiptare, krahas faktorëve nga raporti i forcave, i kanë ndihmuar edhe impulset “shkencore” që kanë ardhur nga “qarku sllavist” i Vjenës dhe shkolla ruse e shekullit XIX-XX në shërbim të drejtpërdrejtë të politikës së njohur të hegjemonizmit pansllavist rus në Ballkan nga Kriza Lindore e këndej, që ka ndikuar edhe hartat politike dhe ato shtetërore. Andaj, ka qenë e pritshme që përjashtimi i shqiptarëve prej hartave politike të Europës sa më shumë që të jetë e mundur, që hisja e tyre në to të jetë sa më e vogël dhe mundësisht nën tutelën e shteteve fqinje (Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë) të shumtën të ngritura dhe të shtrira mbi trungun e etnisë shqiptare.
Kësaj politike i është dashtë parja e mjegulluar e shqiptarëve në histori, veçmas në antikitet dhe mesjetë, si dhe roli i tyre “i pushtuesit” dhe “zullumqarit” gjatë Perandorisë Osmane të ardhur nga Kaukazi, me ç’rast ata, me ndihmën e osmanëve dhe të pranimit të islamit, gjoja kanë rrënuar “shtetin mesjetar serb” si dhe “kishën ortodokse serbe”! Kështu, platformat hegjemoniste , ajo e “Naçertanjes” së Garashaninit dhe “Megaloidhesë” greke të vitit 1844 bashkë me literaturën përcjellëse me plot e përplot gënjeshtra dhe falsifikime ordinare, ia përcaktuan edhe kornizat si dhe hapësirën pamjes së deformuar të historisë së shqiptarëve jo vetëm nëpër qendrat e caktuara hulumtuese dhe studimore evropiane (me përjashtim të shkollës gjermane), por ndikuan që edhe fillet e historiografisë institucionale shqiptare (mbas viteve të njëzeta të shekullit të kaluar) dhe veçmas ato ideologjike gjatë regjimit komunist, të shumtën të mbesin peng i tyre, posaçërisht të çështjet që kanë të bëjë me mesjetën e mesme dhe atë të vonshme, ku dogma e të ashtuquajturit shtet mesjetar serb të identifikuar me dinastinë Rasiane të Nemanjajve tribalë (fis që i ka takuar botës ilire), dhe kishë ortodokse serbe me gjoja autoqefali në shekullin XIII, mbesin të paprekura!
Historiografia ideologjike gjatë gjysmë shekulli në Tiranë, krahas përpjekjeve që së paku, nëpërmes teorisë ilire (gjithnjë në përputhje me kornizat e indoevropianishtes), ta lidh origjinën shqiptare me antikitetin (ndonëse përherë të parë nën ndikimin helen), megjithatë, duke iu nënshtruar klisheve të historiografisë serbe dhe falsifikimeve të saj, gjithnjë nën diktatin ideologjik, që Shqipërisë i ka ardhur nga Beogradi, ka pranuar diskontinuitetin historik dhe veçmas atë etnik, kulturor gjatë Bizantit dhe Perandorisë Osmane, me çka me këto shkëputje i është ndihmuar anatemës së popullit të mjegulluar dhe jashtë strukturave shoqërore dhe politike në mesjetë qofshin ato edhe ndër më të fuqishmet e kohës siç ishte “Despotati i Eprit”i mesit të shekllit XIII, “Mbretëria Arbërore” e Anzhuve e vitit 1272 si dhe dinastive të Balshajve, Thopiajve, Kastriotëve, Dukagjinëve dhe të tjera! Kjo ka bërë që shqiptarët të privohen edhe nga roli i tyre që kishin gjatë shfaqjes së krishterimit dhe më vonë, ku ata ishin ndër të parët që e pranuan dhe i ndihmuan përhapjes së tij tutje Ilirikut. Madje, edhe perandorët e njohur ilir-dardanë Konstandini i Madh, Justiuniani dhe të tjerët, që me të drejtë mund të merren pjesë e trashëgimisë së lavdishme historike arbërore-shqiptare, ku duhet të mbështet edhe identiteti politik dhe shoqëror në kuadër të formacioneve autonome të kohës, përjashtohen prej saj, duke u përvetësuar nga të tjerët!
Krahas diskursit përjashtues nga mesjeta në jetën shoqërore dhe politike të saj në dobi të diktatit sllav-ortodoks, historiografia institucionale shqiptare, gjithnjë nën diktatin ideologjik, ka krijuar mundësi të reja, që i njëjti diskurs, të ndikojë drejtpërdrejt edhe raportet e brendshme antihistorike, sidomos ato që solli fillimi i Luftës së Dytë Botërore dhe përfundimi i saj, me ç’rast, fitorja e ideologjisë komuniste dhe përfshirja e dhunshme e shqiptarëve në të, shkaktoi dëme të mëdha gjithë atyre zhvillimeve me të cilat, në përputhje me rrethanat që krijoheshin, kërkohej që të korrigjoheshin vendimet e Konferencës së Ambasadorëve të Londrës. Kështu, historiografia ideologjike, fitores së komunistëve shqiptarë në radhët e Frontit Antifashist si dhe krimeve të rënda, që u ushtruan nga ana e tyre pas marrjes së pushtetit në bashkëveprim me partizanët jugosllavë, u dha “alibi” në emër “të luftës klasore” dhe qërimit të hesapeve me “kuislingët dhe fashistët”! Me këtë rast edhe slogani “luftë nacionalçlirimtare” u ngatërrua deri te keqpërdorimi, kur dihet “komunizmi” jo vetëm që e përjashton “kombëtarën” por edhe e lufton atë, siç ndodhi në vërtetë. Në këtë frymë, pra që të luftohet çdo përpjekje e kombëtarizmës dhe frymës së saj gjatë Luftës së Dytë Botërore, u erdhën në ndihmë edhe formulimet “kuislingë” dhe “fashistë” ndaj atyre që vepronin për shtet të përbashkët shqiptar në përputhje me rrethanat e kohës, siç ishte shteti i pavarur shqiptar i viti 1943 që doli nga Kuvendi i Dytë i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit i nëntor 1943, që përfshiu pjesën më të madhe të viseve etnike shqiptare të shkëputura dhunshëm gjatë pushtimit serb dhe grek të vitit 1912. Qeveria shqiptare e vitit 1943-1944 si dhe rrethanat që e nxorën atë, historiografia shqiptare duhet t’i rishqyrtojë dhe t’i trajtojë në përputhje me rolin historik dhe pasoja që prodhoi ajo si një veprim patriotik i elitave intelektuale, që kishin për detyrë të shfrytëzonin raportin e forcave politike për interesat kombëtare, siç ishin ato të krijimit të një shteti të përbashkët shqiptar. Ky rishikim, bashkë me atë që solli ripushtimi i Kosovës nga Beogradi në nëntor të vitit 1944 në saje të bashkëpunimit internacionalist të komunistëve të Shqipëpisë me ata të Titos me pasoja tragjike për Kosovën (me mbi 50 mijë të vrarë nga terrori partizan), me çështjet tjera që lidhen me vazhdimësinë historike të shqiptarëve në të gjitha fazat e saj nga antikiteti, mesjeta e deri te koha jonë, natyrisht se tërheq pas veti edhe vargoin e korrigjimeve, nga ato të vazhdimësisë pellazge, pranimit të trinomit mbretëror ilir në antikitet (maqedon, dardan, epirot), rolit të Ilirikut në themelimin e Bizantit, pa përjashtuar këtu edhe strukturat feudale autonome në të në fazën e dekompenzimit të tij, pastaj të pushtimeve osmave dhe të krijimit të realiteteve shoqërore dhe politike pesqindvjeçare në të për t’u sqaruar pastaj edhe Rillindja Kombëtare dhe gjithë ai zhvillim që çoi deri te pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912, ku me vendimet e Konferencës së Londrës qendra historike (Kosova) u kthye në periferi me fatin tragjik të shuarjes si etni historike dhe kulturore me asimilim ose gjenocide. Në kuadër të këtyre ndryshimeve, krahas fokusimit tek roli i fuqive të mëdha te fatet e shtetit shqiptar dhe çështjes shqiptare në përgjithësi nga lufta e parë botërore e deri te ajo e dyta, përqendrimi te stigma “revolucion” dhe “kundërrevolucion” ka rëndësi të veçantë, meqë ajo nuk nënkupton vendosje-zhvendosje mekanike të tyre, kur njëra gjendje zëvendëson tjetrën, siç është vepruar deri më tani, por kërkon korrigjimin e pikëpamjeve të deritanishme si dhe rishkrimin e historisë në përputhje me to, meqë ato nuk kanë dominuar vetëm logjikën politike në vitet e dyzeta dhe të pesëdhjeta të shekullit të kaluar në Shqipëri dhe Kosovën e pushtuar nga Begoradi, por në vazhdimësi në të dy anët e murit shqiptar, kur në njërën anë, është përdorur për forcimin e diktaturës staliniste, ndërsa në anën tjetër, është përdorur për t’u shtypur vullneti i shqipatarëve për barazi, siç ishte rasti me kërkesën për republikën e Kosovës të shfaqur në vitin 1968 dhe të rikthyer fuqishëm në vitin 1981.
Prandaj, kërkesa për korrigjime dhe rishqyrtime historiografike nuk është vetëm e drejta e çdo gjenerate për të vërtetën e vet, siç e thotë Hadegeri, por mbi të gjitha është nevoja që shoqëria shqiptare të lirohet nga mashtrimet ideologjike dhe ato të diktateve nga jashtë, veçmas të historiografisë serbe, në mënyrë që të krijojë rrethanat për bashkim të brendshëm shpirtëror, kulturor, po edhe shoqëror dhe politik. Mistifikimet, mbajtja e tyre “nën embargo morale” dhe të ngjashme nga frika se mund të prodhojnë përçarje, janë vetëm arsyetime antihistorike, që pamundësojnë katarsisin që i duhet secilës shoqëri që jeton nën robëri të gjata…
(Theksime nga promovimi i veprës : “Kosova – histori e shkurtër” në Prizren)