KAPËRCELL. Tregim nga QAZIM D.SHEHU

 

Ndryshimi i viteve nëntëdhjetë solli tek Fani një konceptim tjetër për jetën.Tani ai nuk ishte më një kryetar  i këshillit të bashkuar,as sekretar byroje,as njeriu i trajtuar me respekt nga instancat e larta ,por një mësues i zakonshëm i fillores së fshatit,edhe këtu,  i diskutueshëm, sepse profesionin e mësuesit e kishte marrë me të mirë në periudha të shkurtra e të ndërprera për shkak të posteve të rëndësishëm.E kuptonte se të qenit komunist tani e tutje  mbetej një nofkë e bezdishme,ndryshe nga dikur kur ky emër përmendej me respekt dhe shkaktonte frikë dhe adhurim.Dallgët e ngjarjeve përplaseshin edhe në të fshat të thellë malor;filluan të prisheshin shtyllat e linjës telefonike dhe dëgjoheshin fjalë të tilla se do hanin shtatë lloje bukësh(përralla për Fanin),se çdo shtëpi do kishte  telefon,sërish përralla.E si mund të kishte telefon çdo shtëpi kur po mbetej fshati pa lidhje qendrore.Ec mere me mend  këtë kataklizmë që, mos o zot…,psherëtinte Fani,ndërsa rrinte në kullën e tij trikatëshe duke menduar për kohën e re,që po vinte plot enigma dhe të papritura.Fani çohej me natë dhe i binte rreth e rreth kullës së tij,një shtëpi e madhe me shumë dhoma,shikonte pemët e reja që sapo i kishte mbjellë me marrjen e tokës ,livadhet që prisnin ujin,misrin dhe trapet e arave,pastaj pasi i kryente punët që i quante të mundshme,kthehej,lahej dhe bëhej gati për në shkollë.Tani duhej të ishte në rregull,më i rregullt se të tjerët,përndryshe mbetej pa punë ose turpërohej.Po ai nuk ishte turpëruar kurrë,dhe e quante çdo të papritur si të padrejtë,ndaj duhej syçelësi ,kujdes,se nuk i thoshin kot: Fan Marteshi.

Një ditë kur shkoi në shkollë gjeti aty Lame Dushkun, një fshatarin e tij ,me dy tre të tjerë,të cilët nuk i kishte parë ndonjëherë..Lamen e njihte mirë,burrë i allosojtë, me një tufë kalamaj ,që kishte punuar tërë jetën në Stabilimentin shtetëror të Sharrave,e që ky,Fan Marteshi ia përtërinte lejen e punës çdo vit  metë drejtën e postit.Ata u ulën në oborrin e shkollës ,dhe në fillim biseda erdh se ishte krijuar forca e parë demokratke në fshat,e  ata kishin ndërmend që këtë Forcë ta zgjeronin.Duhej ndihma e tij si njeri me reputacion.Jo,tha Fani,unë nuk përzihem më me politikë,iku koha ime,pastaj unë kam qenë komunist dhe si i tillë nuk më shkon.Ti, tha Lami, je fis i madh,mund të ndikosh,vetë mos dil hapur,por sidoqoftë,ke në dorë të japësh kontribut,se është mirë që komunistët t`i luftojmë me komunistët.Ata ia dinë mirë njëri tjetrit dhe kështu Forca jonë demokratike ,si forcë e re ,jo vetëm përfiton, po edhe rritet numerikisht,fiton pushtet e duke fituar pushtet ia shkul rrënjët e hidhura gramit të keq.

Kur Fani u kthye në shtëpi ,më parë se të mendonte për çfarë u tha,mendoi për Lam Dushkun.Zot na ruaj po të merrte ai frenat e jetës në fshat.Lami ishte fukara dhe priste shkurt.Pushteti i dikurshëm e kishte ndihmuar aq sa duke mos e ngacmuar për një cen në biografi,e duke e lënë në punë si punëtor i thjeshtë.Le të ecnin si të donin ngjarjet ,ai tani do tërhiqej mënjanë dhe do shikonte punën e vet,nuk ishte veçse një arsimtar i thjeshtë që duhej ta ndiqte punën pa përtim.Si gjithnjë, dilte herët dhe inspektonte arat,ato rrisnin me shëndet një mbjellje që shkonte mbarë.Ai hapi edhe një lokal,dyqan(mallra të ndryshëm,pijetore) dhe në ditët në vazhdim tregtia mori mbroth.Nganjëherë fitonte në ditë aq sa merrte për një javë rrogë shteti.Rrinte me orë të tëra duke shoqëruar në heshtje nga banaku bisedat e klientëve;aty ,si gjithmonë ,politika shtjellohej me vrull e afsh.Tek dyani vinte edhe Lami i cili ishte zgjedhur kryetar i Forcës së Parë Demokratke.Lami nuk kishte para,atë e qerasnin të gjithë.Dhe të gjithëve Lami u premtonte liçenca,favore dhe punë në shtet, dhe këto premtime thureshin e merrnin udhë nën avuj e alkoolit.Mjaft i duruam  komunistët e qelbur që na lanë në fund të dynjasë,mërmëriste Lami,dhe ngrinte gotën gjithë triumf duke çur zërin prej lideri të fshatit.Fani nuk ndërhynte,ai nuk donte t`ia dinte më për politikë,as për nostalgjitë e dikurshme ,ai ishte sot thjesht një arsimtar me tregtizën e vogël që po e ushtronte jashtë orarit të punës së shtetit.Lami filloi të merrte veresie tek Fani.Në fillim,paketa cigaresh,pastaj miell,oriz,sheqer dhe paguret me raki.Fani mbante shënim në një bllok të veçantë dhe në çdo fund faqeje hiqte një vizë dhe rrumbullakoste  llogarinë.Në fillim Lami sillej korrekt,po pastaj herë harronte,herë s`kishte, po përgjithësisht korrekt tregohej kur i binte në dorë ndonjë shumë parash  që nuk dihej nga e merrte.Lamin tani po e dehte pushteti.Ai ishte bërë i rëndësishëm,ish punëtori i dikurshëm i Sharrave ,jo vetëm qe bërë i gojës dhe ligjërues i zoti,po tani i jepte vetes të drejtë të ndërhynte në jetën sociale dhe politike të fshatit,të kishte fuqi që e impononte diku në rreth apo në Qark, deri në Tiranë,për të emëruar drejtorin e shkollës,apo infermerin e qendrës shëndetësore e të tjera varësi shërbimesh.Ai ishte bërë i rrezikshëm, sidomos me ardhjen e drejtorit të ri.Jepte urdhër dhe i merrte nxënësit në takime të ndryshme politike e, kuptohet, bashkë me ta edhe mësuesit.Deputeti gjithnjë fliste për të mirat që po vinin,për projektet e ardhshme dhe këtu një meritë kishte edhe Lami.Fanit i dukej kjo një komedi,diçka, megjithatë e lezetshme ,po e rrezikshme.Lami vazhdonte të shtonte listën e veresies dhe njeriu që gjithë jetën kishte pirë duhan gërxhall, tani pinte Marlboro,nuk preferonte rakinë dosido,po rakinë e fortë,uiskin dhe pije të shtrenjta që  gjendeshin në të vetmin lokal ë fshatit që ishte lokal i Fanit.Fundi i fundit kjo ishte kohë e re,kohë e lëkundjeve të forta mentale,po jo e kapërcimit të tyre,kohë e fajësimit të komunistëve,po njëkohësisht e imitimit të tyre,kohë e delirit të madh,veçse me një ndryshim: komunistët hapërdaheshin fshehtas,duke vënë maskën e qëndresës morale ,ndërsa këta hapur dhe pa pikë droje.

Në shkollë erdhi tronditja e parë.Maksit,drejtori i kërkoi një shumë lekësh të mbante vendin e punës,këtë ia kërkonte drejtori i arsimit në rreth,dhe jo Lami.Maksi ia dha.Kjo nuk ishte një thash e them ,po një vërtetë,të cilën Fani e verifikoi shpejt kur Lami erdh dhe pagoi listën e veresies.Jo vetëm kaq ,po ai qerasi gjithë të panishmit dhuke shqiptuar se koha e re ishte një kohë mundësish.Maksi nuk e bëri fjalë këtë as me kolegët ,as me shokët e tij më të afërt.Kjo nuk kishte rëndësi.Sa të ishte Lami ai e kishte siguruar vendin e punës.Fani tani po mendonte se një ditë do t`i vinte radha atij.Duhej të priste, jo të vepronte para kohe.I kishte do miq të babës në Qark,po miku duhet takuar herë pas here që të ndjehet mik ,jo në çastin e hallit.Një ditë ndërsa po rrinin në oborr dhe po shihnin nxënësit që po luanin,drejtori e thirri Sabriun veç.Çoç biseduan  me njëri tjetrin dhe kur u kthye Sabriu, u pa që fytyra e tij ishte zverdhur.Ai përpiqej të mos e jepte veten,po tronditja ndihej.Rënia e ziles për fillimin e mësimit sikur e harroi të ndodhurën e cila sikletosej në trajtën e hamendjes.Po këtë do ta verifikonte Fani të nesërmen.Lami jo vetëm që pagoi një veresie tjetër,po ai bleu tek Fani ushqime,arka me raki,miell,biskota deri edhe patate,sepse Lami nuk i punonte tokat e veta prej mungesës së kohës që i vinte nga angazhimi politik.E paska kllaposur Sabrinë e shkretë që ka një tufë fëmijë,u nëpërmend trishtueshëm Fani ndërsa shikonte fytyrën e kënaqur të Lamit i cili si gjithnjë fjaloste dhe anatemonte komunistët të cilët e çuan popullin në këtë derexhe.Sot demokracia jepte shanse të mëdha,madje edhe komunistëve të cilët vraponin të bëheshin pronarë.Farë hislli janë këta të uruar ,mëmëriste ai dhe ngrinte vështrimin lart duke u përqëndruar në mendimet e veta që i shkapërdridheshin në çast prej mllefit.Ish punëtori i dikurshëm i Sharrave,tani nuk mund të gjykohej pse kishte qenë i tillë,sepse lufta e klasave,pozicionet e ngrira dhe paragjykuese të shoqërisë ,të tilla kishin qenë,ndaj sot vullnetet nuk ishin më të pengurara ,po të lira dhe kjo ishte meritë e atyre që vunë kokën në rrezik e për këtë edhe komunistë duhet të na thonë falemnderit e jo t`i fusin shkopinj nën rrota demokracisë.Të gjithë bisedat zhvilloheshin në lokalin e një ishkomunisti,ishfunksionar i lartë lokal,i cili i priste ato me qetësi,për të mos hyrë në debat,po kur vinte puna ai hiqte lapsin nga veshi dhe llogaritë i bënte mirë në letër.Ishin pikërisht këto llogari,shënime që  nuk i vinin për hosh Lam Dushkut i cili i dinte paratë gjethe dushku.Ai skërmiste dhëmbët dhe e hidhte letrën tutje duke i thënë Fanit:shënoi atje.Lami po e ntrashte zullumin.Ai kujtonte se po kapte majat e pushtetit dhe,ç`është e vërteta nuk ishte pa to,por sidoqoftë ai ishte fshatar i tyre dhe i vinte keq Fanit,sa herë i duhej të mendonte dhe duhej të mendonte më shpesh tek shihte dhe ndjente hapërdarjen e tij,një ngrefosje të hapur dhe një llomotitje të mbushur plot slogane.I dukej se tani i kishte ardhë një energji e habitshme,një lumturi që i sillte kompesimi i ëndrrrës së dikurshme për pushtet.

Në kolektivin e mësuesve zotëronte një qetësi e ankthshme.Drejtori mungonte me ditë në shoqërimin e Lamit i cili shkonte gjithandej në veprimtari të ndryshme.Ata rrinin dhe prisnin radhën se kush do lëkundej në pozitat e punës.Dhe kush po i lëkundëte?Një ish sharrxhi.Po askush nuk guxonte t`i kujtonte tjetrit se çfarë kishte qenë,se fëmijtë ia kishin mësuar pikërisht ata,se kishte fëmijë të mirë,po atij i kishte dalë mendja sipër flokëve.Arsimi gjithnjë e ka pësuar nga budallëqet e çdo sistemi.Edhe pse ai ka gjeneruar forca të shumta për të luftuar idiotësirat, ato i janë rikthyer në një moment për hakmarrje.Po nuk kanë arritur ta mposhtin forcën dhe orientimin e tij.Kështu, në ato kohra, Fani kujtonte veteranin Sadik Laruku i cili vinte herë here në shkollë dhe u kërkonte mësuesve litarin.Fjala ditar ishte e zorshme për të dhe nuk e kuptonte mirë,ndërsa kur e sqaronte gabimin e vet,dilte nga situata sërish ,sepse litari , ditari ,njësoj ishin,një germë i ndryshonte.Fanit i kujtohej sesi një herë erdhi një sekretar i dytë i partisë në rreth dhe u fut në klasën ku jepte mësim mësues Emini.Mbasi mësues Emini foli për historinë e  Gjermanisë,sekretari dha urdhër që atij t`i jepej vërejtje.Ky mësues u fliste nxënëseve për historinë e Gjermanisë, kur në të vërtetë duhej t`u fliste për historinë e lavdishme të partisë.Kur i sqaruan se ai kishte ndjekur programin, sekretari u përgjigj se programin e bënin vetë.Qyfyret e idhta të marrëdhënieve të pushtetarëve me mësuesit nuk kishin fund,madje ato qarkullonin si anekdota dhe prodhonin çudi e humor.Të gjitha i kujtonin Fanit atë kohë dhe bënte përqasjen,sepse Lami i kujtonte ata veteranët e dikurshëm,po me një ndryshim;në se ata mjaftoheshin me një drekë dhe iknin,Lami nuk mjaftohej me kaq.Koncepti i grykësisë kapte përmasa të frikshme.Fani Marteshi tani po ndjehej mirë.Ende s`po e ngacmonin,klubi ecte jashtë parashikimeve,ndonëse borxhlinjtë shtoheshin,listashënuesit nëpër defterët e tij të rregullt.Pikërisht atëhere kur ai u ndje i shtensionuar, i erdhi lajmi se duhet të shkonte të takonte drejtorin e arsimit.Dhe fjalët e tij ishin:duhej të lironte vendin e punës në kuadër të reformës.Drejtori i arsimit, një fëmijë i përshtatur i ishkryetarit të Komitetit Ekzekutiv,jo vetëm që nuk u tregua i sjellshëm me ishshokun e babait të vet,po i tha se as nuk kishte kohë ta priste më tepër se dy minuta.

Fan Marteshi u kthye në fshat pikë e vrer.Ishte i lodhur.Vendosi të mos gjunjëzohej dhe të mos paguante asnjë kacidhe.E kuptonte lojën e lojtarëve të fshehtë të fshatit dhe Lam Dushkun.Sapo erdh Lam Dushku në klubin e tij, e pa me vërejtje.Lami si gjithnjë filloi temat politike,ndërsa Fanit i ziente koka.Kjo kohë ishte e padrejtë dhe paragjykuese,njerëzit nuk dinin se çfarë bënin.Ai vendosi ta linte punën.Fundja gjashtë muaj ka jetuar një lëkurë dhelpre dhe jo ai, që  kishte një yndyrë të mirë ekonomike.Nuk vajti më në shkollë.Për çudi klientët erdhën duke u shtuar, të ardhurat po ashtu,po tani shokët e tij vinin më rrallë ose aspak.Vetëm Lam Dushku  nuk harronte të merrte veresie,t`i sillte kur të donte edhe pse Fani e dinte se ai ia kishte luajtur tetëshin.Fani nuk e jepte veten edhe pse vendin e punës ia zuri një mësues tjetër.Ai iku në Qark dhe atje takoi një mik të vjetër,një eksponent të dikurshëm me mjaft rëndësi ,i cili tani ishte katapultuar në Forcën demokratike të Lam Dushkut.Ishte një nga ato ditë kur me letrën e punës në dorë ai u rikthye tek nxënësit dhe ,pikërisht, po atë mbrëmje, çdo njeri që vinte tek klubi i tij do pinte falas apo do qerasej me çfarë të donte.Ndodhi që erdhi Lami me suitën e vet,katër pesë shoqërues, dhe porositën.Fan Marteshi u zu ngushtë.Ai e shihte me kujdes atë fytyrë të shfytyruar nga sukseset e çastit arritur me ligësi dhe i kujtohej mirë ajo kohë kur i shkonte pas për t`i kërkuar një letër pune dhe ia kishte dhënë pa i kërkuar asgjë, se nuk kishte çfarë t`i merrte.Dhe kohrat ndryshojnë mendonte me vete Fani, po ato nuk ndryshojnë lehtë…I dha të pinte,të pinte sa të donte edhe ai.Lami u çudit nga kjo bujari e Fanit,Fani nuk qeraste.Jepte veresie dhe i kërkonte paratë në kohë,ndryshe nuk jepte më ,dhe kurrë nuk e kërkonte llogarinë e parë.Ai patjetër duhej të kishte diçka për të festuar edhe pse ishte pa punë dhe Lami nuk e kuptonte këtë shenjë gjallërie në sytë e tij që afronin një dritë  të  brendshme.Do ia ul krenarinë e zgjebosur të komunistit,u skërmit me veten Lami,duke u kujdesur që të ishte sa më i qetë dhe të përshtatej me gazin e të tjerëve.Njësoj është,ia ktheu dikush vështrimit të tjetrit që po ia shihte gotën e pazbrazur të rakisë…Pa e pyetur,Fani i foli se ishte rifutur në punë…Lamit sesi i erdh.Instiktivisht lëvizi dorën dhe gota iu derdh mbi suprinën prej kompesate të tavolinës.Do të ketë sherr, tha dikush ,dhe nxitoi për t`i hedhur ujë rakisë së derdhur që po rrinte në vend si një pellg i fjetur për shkak të deformimit të suprinës…

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here