Kishte një trup elegant, i cili vihej më në dukje kur vishte rrobat e kaubojsit. Raçel i vishte ato vetëm kur ishte ditë feste, apo kur do të takohej me shoqërinë e moshës së saj në starbucks ose në klubet tradicionale amerikane. Por, atë ditë ajo do të takonte një person të veçantë dhe shumë të rëndësishëm për të. Ai ishte avokati për çështjen e divorcit me Xhonin, bashkëshortin e saj artist. Ajo kishte mbledhur të gjitha faktet që i duheshin për të mbrojtur aktin e saj të divorcit. E mendonte se i gjithë procesi, do të ishte i thjeshtë, pa komplikime. Por, kur bisedoi me avokatin, një burrë i të pesëdhjetë e pestave, mësoi se duheshin shumë fakte dhe argumenta, që të bëhej i thjesht. Pikërisht për këtë gjë ajo nuk e kishte menduar se gjatë gjithë bashkëjetesës legale me Xhonin duhet të kishte dokumentuar çdo mosmarrëveshje apo grindje, që kishte kaluar me të. Por, a duheshin patjetër faktet?! Kjo kontraditë midis qenies së saj e lirë dhe shtrëngesave apo pengesave të ligjeve ishte e padurueshme për të. Ajo gjithë jetën e saj private nuk e kishte të dokumentuar me fakte të vogla apo të mëdha për të treguar çdo arritje në kritikën e saj letrare dhe të skenës.
Fakti për të ka qenë përherë vepra letrare dhe krijimtaria e artistëve e shkrimtarëve dhe e poetëve. Ajo jetonte me fatet e personazheve dhe ngjarjeve duke i hulumtuar ata si qenie të dashura dhe pjesë e jetës së saj. Kështu ndodhi edhe me Xhonin. Ajo u dashurua me rolet e tij që frymonin në mendjen e saj duke i dhënë një ngazëllim jetës së saj. Edhe kur u takuan për herë të parë pas diskutimit të filmit që u shfaq në Hollivud, ajo nuk shikonte Xhonin e vërtetë jashtë rolit, por rolin, personazhin që kishte prodhuar ai, karakterin e ngarkuar me emocione. Ajo e kishte puthur e para në tymnajën e klubit jo si Xhon, por si profesorin, rolin që ai kishte krijuar. Dhe nga ai moment vëmendja e tij për kritiken Raçel u përqendrua në mënyrë serioze. Ai kishte treguar vëmendje edhe kur udhëtonte në Europë apo Azi, për prodhimin e ndonjë filmi. Bisedat e tyre ishin të zgjatura dhe të përqëndruara tek personazhi që do të krijonte në filmin në proces. Ajo e ndjente praninë e tij në çdo moment pavarësisht se ndodheshin mijëra kilometra larg. Ajo nuk mbërthehej nga ndjenja e xhelozisë apo tradhëtisë, se nuk e njihte atë. Në familjen e saj aristrokate, krenaria e qenies së një familjeje të njohur në Nju York e kishte sfumuar këtë kompleks të gruas si qenie e ndryshme nga qenia tjetër mashkull. Ajo nuk thellohej në njohjen e tipit dhe karakterit të tij, e kaluara, por rolet që ai do të realizonte prandaj në qendër të bisedave të saja me të, ishin detajet, ngjarjet dhe fati i personazhit që do të realizonte Xhoni.
Ato ishin vite krijimtarie në një liri individuale të përbashkët. Kontakti nëpërmjet telefonit në distancë ishte mënyra që i mbante të lidhur, sesa në qëndrimin për ditët e netët që kalonin së bashku. Ata më tepër flisnin për rolet dhe ngjarjet e filmit apo dramës, sesa për planet e familjes.
Kaluan disa vjet bashkë në këtë formë të martuar dhe ajo vuri re se artikujt kritikë të saj, për librat, filmat apo shfaqjet e ndryshme kishin sjell një vëmendje të veçantë në publik dhe revistat prestigjoze kërkonin më shumë artikuj kritikë apo studime nga ajo. Ishte periudha më e artë e saj duke përjetuar kënaqësitë që sillte mendimi i thellë kritik. Ajo si psikoanaliste, profesioniste kishte prekur majat e karrierës së saj artistike, pasi në qarqet më të larta letrare dhe të kinematografisë, fotot e saj dhe shkrimet me disa nga librat që kishte botuar shiteshin e publikoheshin në dyqanet më të rëndësishme të qyteteve të mëdha amerikane.
Nje ditë ai po e priste në shtëpi, kur ajo kishte shkuar në një klub për të biseduar me një shkrimtare të re.
- Ah e dashur nuk e dija se ishe e zënë. Takohemi në darke tek klubi ynë i natës, – i la ai mesazhin zanor.
Në darkë u takuan tek klubi. Ajo ishte veshur me kostumin e kaubojit. Kapelja dhe pantallonat e bardha me rripin e artë tërhoqën vëmendje. Ata për herë të parë u kujtuan të thërrisnin emrat e tyre zyrtar pas kaq kohësh larg njeri-tjetrit.
Ai ishte ulur në vendin e tij të preferuar diku në një kënd të qetë duke dëgjuar këngët e vjetra të Sinatrës dhe llullën tij që e mbante në buzë si e vetmja gjë që i përkiste me vlerë për të qetësuar veten. Ai hodhi sytë tek kapelja e saj e bardhë që u vendos mbi tavolinë dhe më pas sytë u përqëndruan tek trupi i saj elegant. Ai buzëqeshi lehtë dhe vuri re se sytë e saj dukeshin tepër të lodhur. Ajo ndjeu vështrimin e tij dhe kuptoi se kishte patur mall dhe butësia e atij vështrimi e preku tej mase. Nuk e kishte parashikuar se do shqetësohej aq shumë duke lëkundur gjithë pështjellën e emocioneve të atyre muajve të fundit, nga ku kishte marrë vendimin për divorcin. Sytë u shkëmbyen me një shikim kureshtar. Ai i kishte bërë mesazh zanor për takimin ndërsa ajo nuk i kishte kthyer përgjigje. E megjithatë ata u takuan pas kaq javësh. Ai si përherë me llullën e tij, ndërsa ajo pas shumë kohësh ishte veshur me kostumin e kaubojsit. Kostumi ishte i tëri, i bardhë duke filluar nga kapelja e deri tek këpucët e veçanta me rripa të artë, të cilat me flokët e verdhë krijonin portretin e saj, aq të admirueshëm nga artistët dhe shkrimtarët, sa që sa herë identifikohej emri i saj nëpër gazeta dhe revista ata dhe artdashësit përfytyronin këtë kapele të bukur të bardhë, të pastërt dhe që shndrriste edhe më shumë duke qëndruar mbi flokët e artë të saj që kur ecte me makinën verore tërhiqte vëmendjen e bënte për vete të gjithë shoferët e autostradave apo kalëruesit, kur atë e shikonin të hypur në kal nëpër pistat e garave të hipizmit, kudo sidomos në Texas apo në brigjet e oqeanit në Florida, kur shkonte herë pas here. Marrëdhënia ishte e tillë sa nuk kuptohej nëse flokët e saj përkëdhelnin erën e ngrohtë apo era kënaqej duke shijuar fërkimin e saj me shkëlqimin e tyre. Xhaketa e pantallonat e qepura me porosi nga mjeshtrit e kompanisë modeluese, që mbante lidhje me fotografin e njohur të ardhur nga viset shqiptare me mbiemrin Berisha, e kishte bërë atë një nga staret mjaft të njohura nëpërmjet një seti albumesh fotografike që shfaqeshin krahas librave e revistave të shumta, të cilat i bënin jehonë veprimtarisë së saj në fushën e kritikës nëpër mjediset më të njohura mediatike të Nju Yorkut.
E ndërsa ai po vështronte lëvizjet e saja të përqëndruara në rehatimin mbi poltronin e lëkurtë, ai terhoqi shishen e vogël me konjak dhe e kthehu me një frymë gjysmën e saj. Ai nuk po e kuptonte pse ajo ishte veshur ashtu atë ditë. Ajo ishte veshur me emblemën e saj që rrallë e manifestonte në mjedise publike. Madje ajo donte që këtë veshje të rrallë ta ruante në sirtaret me sendet më të shtrenjtë të saj. Prandaj atë ditë ajo, Xhonit i dukej sa aq afër tij, por edhe po aq larg, ku dukej sikur po e ndiqte fort me kalin e egër, për ta kapur, por atij i mbetej dora e shtrirë përpara pas çdo fishkëllime të rripit dhe hingëllimit të të gjorit kal që sforcohej nga goditja e tij. Silueta e saj me atë veshje mbetej si një mirazh që shfaqej dhe zhdukej brenda disa sekondave dhe ai nuk e kapte dot.
Ai qeshi, thithi fort çibukun duke lëshuar një tym të bardhë mbi atë pjesë të lokalit. Ajo hodhi vështrimin e mprehtë mbi gishtrinjtë që shtrëngonin llullën duke gërvishtur fytin. Biseda e tyre kishte mbetur përgjysëm që nga telefonata e fundit që kishte bërë ai kur ndodhej në Itali për xhirrimet e një filmi. Dhe si për të vazhduar bisedën ajo i tha:
- Mbaruat me xhirrimet? – Ai buzëqeshi si i çliruar nga një ankth i tmershëm dhe fërkoi mjekrën duke e parë tashmë i qetë se nën këtë atmosferë biseda e tyre shkonte për mrekulli.
- Besoj se pak do të mbeten për disa episode në Kaliforni dhe filmi mbyllet ndoshta muajin tjetër me xhirrimet.
Çuditërisht ajo nuk vazhdoi me pyetjen e dytë të rradhës për xhirrimet e filmit të ri. Ajo i tha:
- A e kupton pse jam veshur sot kështu?
Ai heshti dhe ngriti pak supet e tij të gjera dhe ndjeu më shumë anën egoiste sesa festive që mbarte ai kostum i tëri i bardhë. Në fakt ajo bardhësi është shprehje e paqes së përjetshme që sjell vetëm qetësinë shpirtërore. Dhe ai këtë anë dëshironte të ndjente, por atë mbrëmje seç po kuptonte se diçka jo paqësore ishte duke u afruar.
- Po i dashur, – vazhdoi ajo me një zë sa autoritar aq edhe i panjohur për veshët e tij. – Dua të them se … dhe në fakt i ngeci fjala dhe ajo uli sytë si
një fajtore që nuk kishte ditur të zgjedhte vendin e duhur për të thënë atë që ndoshta atij do ti vinte mjaft e papritur dhe e pakuptimtë.
Ajo me gjysëm zëri donte t’i thoshte se marrëdhënia e tyre nuk ishte ajo e viteve të para. Ata të dy i ishin përkushtuar artit. Dhe megjithëse në bisedat ata flisnin për ato planet e momentit dhe gjithçka, për realizimin e tyre. Ai ishte gjithmonë në lëvizje, në periudha të gjata larg njeri-tjetrit, ndërsa ajo e mbyllur në studion e saj, por edhe me takimet e shumta të regjisorëve, shkrimtarëve, poetëve.
- Çfarë? – pyeti ai dhe largoi vështrimin nga ajo se ndjeu atë që nuk e kishte menduar se mund të ndodhte.
- Unë e kam menduar gjatë – vazhdoi ajo disi më e vendosur, – se do të ishte më mire që … – dhe ngeci përsëri.
- Mos e thuaj më mirë, – tha Xhoni dhe ja bëri me shenjë kamarierit. Ai u afrua menjëherë.
- Një shishe birrë të lutem.
Ajo uli kokën dhe hapi celularin. Biseda mbeti në ajër. Ajo shikonte celularin ndërsa ai portretin e një kalorësi në murin pranë vendit ku ishin ulur. Kali dukej në një tendosje maksimale për të kapur shpejtësinë më të lartë të vrapimit.
- Urdhëroni birrën zotëri, ndonjë gjë tjetër dëshironi? – pyeti kamarieri.
- Jo, faleminderit! Dhe ai rrëmbeu shishen duke prekur buzët e djersitura nga sikleti i krijuar. Ndërsa Raçel qëndroi e ngrirë dhe ajo hodhi vështrimin mbi kalin e tendosur!
Heshtjen e theu ai: – Kjo është një nga skenat që ka mbetur për t’u realizuar në Kaliforni. Malet e larta, të cilat këtu mungojnë në këtë foto janë në sfondin e skenës finale të filmit. Por, me sa kam kuptuar regjisori është në një dilemë pasi thotë, që duhet të jetë më i justifikuar ky sforcim i kalit, për të dalë në mbylljen e filmit dhe mungojnë disa detaje. Ai hyri si pa kuptuar në çështjet e filmit dhe ajo po dëgjonte dhe po fantazonte ndërkohë bashkë me të. Këto çaste asaj i sillnin lumturinë e të shijuarit të krijimit. Ajo buzëqeshi si shumë vite më parë, kur ishte në fillimet e karrierës së saj.
- E di çfarë? – tha ajo pa pritur.
- Çfarë? – pyeti ai – dhe tashmë pa sytë e saj që po shkëlqenin dhe fytyra rrezëlluese po i jepte dritë gjithë mjedisit.
- Dua të vij edhe unë në xhirrimet e fundit të filmit. Dua të flas me regjisorin, – tha ajo e vendosur dhe buzëqeshi fort. Atmosfera morri të tjera ngjyra.
- Ide e bukur – kjo, tha Xhoni dhe i preku gishtrinjtë e saj elegantë. Ajo papritmas i fërkoi krahun dhe ia largoi shishen e birrës duke i dhënë një puthje, që i ngjante asaj të parës, ku ai kishte interpretuar rolin e një profesori.
- Po, do të jem aty me ty në xhirrimet e fundit,- tha e lumturuar, duke u shkëputur nga prekja e ashpërsisë së dendur të mjekrës.
Muzika e Sinatrës vazhdonte të shoqëronte atë mbrëmjen e ngrohtë Nju Jorkeze me dritat e shumta vezulluese. Fjalët e këngës Strangers In The Night mbetën në mendjen e tij dhe e tronditën. Në sytë e aktorit rrezëlleu një lot i parrëshqitur, ku ai pas pak do të rrokullisej mbi mjekrën e tij të dendur gjysëm të thinjur.
* * *
Ata po shikonin malet. Regjisori një djalë i ri me ambicje profesionale, Noah, u ul në poltronin e vendosur enkas për të, ku ndodhej edhe seti i monitorëve të kamerave. Ai shikonte malet përballë dhe më poshtë në rrëzë të tyre pranë luginës kalonte edhe lumi që çante përtej shkretëtirën. Aty do të zhvillohej edhe skena finale e filmit. Ai hoqi syzet e errta të diellit dhe pa në sy Xhonin. Të dy ishin me dyzime për vendosjen e kuajve dhe taborrin e trimave bashkëudhëtarë të kthimit të largët.
- Duhet bërë një ndryshim në skenar – tha regjisori. Duhet të shfaqim gruan e Majkellit.
- Nuk është përmendur në skenar dhe as në mendimet e tij, – vazhdoi Xhoni që do të realizonte personazhin e Majkëllit.
- Kam nje ide, – vazhdoi regjisori i ri.
Ai u ngrit nga poltroni dhe me sytë e tij që shndrrinin kërkoi të dallonte Xhonin, i cili me llullën që rrotullonte midis buzëve po ndjente se regjisori donte të thoshte diçka.
- Më duhet ndihma juaj Xhon ose më mirë e Raçellit.
- Po, – tha me një zë që doli nën dhëmbë dhe për ta parë
më mirë regjisorin ktheu trupin nga ai. Diellin e kishte pas. Ai po binte mbi malet dhe buzëmbrëmja po afronte.
- Ajo kalëron bukur apo jo?, – tha befas regjisori. – Më duhet kalërimi i saj me kostumin e bardhë të kaubojsit. Ajo e ndjen ardhjen e të shoqit dhe e veshur me kostumin e bardhë kërkon ti dal përpara atij, për ta shpëtuar pasi çeta e Antonios, kundërshtare e Majkëllit, kishte mbrritur tashmë në luginën poshtë dhe po prisnim kthimin e tij. Ajo del befas nga shtëpia në kulmin e drekës dhe nga një shteg mes pyllit arrin nga krahu tjetër për të dalë në tokat e shkretëtirës, nga do të vinte i shoqi. Kostumi i bardhë ishte shenjë që tregonte paqëtimin e saj me armiqtë e të shoqit, për të mos nxitur ata ta ndiqnin nëse do ta spikasnin, – përfundoi mendimin e tij regjisori dhe nga lugina poshte maleve hodhi sytë nga shkretëtira duke imagjinuar kalërimin e kaubojses.
Ata heshtën të dy dhe menduan të komunikonin në telefon edhe me skenaristin. Raçell erdhi pranë tyre. Ajo kishte parë siluetat e tyre dhe ishte afruar duke prekur hijet e trupave të tyre të gjatë me kapelet që rëndonin nën nxehtësinë e diellit. Ajo ndërhyri duke e bërë të pranishme dhe shumë më konkrete skenën në mendjen e regjisorit – Duhet.. duhet….- klithi i bindur tashmë regjisori dhe kur ndjeu praninë e Raçellit, i buzëqeshi duke shtuar. – Jam me fat, që ju po më shoqëroni në një nga momentet më të vështira. – Më duhet ndihma juaj Raçell. Ju, do të më kuptonit më mirë se çdo kush tjetër.
- Për çfarë?- tha ajo kureshtare.
- Lirinë e vërtetë të grave që luftojnë përditë për të. Ju jeni simboli i tyre. Ju jeni e pavarur se e tillë është ngjizur në karakterin tuaj. Këtë ide do ta realizoni ju e nderuar zonjë?! Kalërimi juaj është i njohur nga pasionantët e tu. Veshja juaj është magjepsëse dhe mjaft e përshtatshme me idenë e filmit. Sinqerisht po ju them se ardhja juaj këtu në këtë shesh xhirrimi më nxiti këtë ndryshim dhe ju do të jeni nje simbol që do të mbetet gjatë,- tha regjisori.
Raçell që ishte mësuar me ligjeratat e artistëve nuk i bëri shumë përshtypje skena e shtuar në film, por fakti që do të mbyllte filmin në krahët e atij që deri në ato çaste i kishte përgatitur kurthin e divorcit. Kjo situatë e bëri mjaft intriguese dhe ajo e mbështeti idenë e regjisorit duke buzëqeshur dhe duke kapur duart e dy burrave për t’i ftuar në tavolinën e punës. Prozhektorët u hapën pas disa minutash pasi dielli ishte zhdukur prapa maleve dhe ata së bashku me teknikët dhe asistentët përgatitën skenën që do të realizohej rreth asaj fushe pranë një lumi nga ku nga pas dukej shtëpia e Majkëllit.
* * *
Disa ditë më pas
Skenë xhirrimi
Kali i bardhë ngjeshur pas tij, eleganca e trupit të saj me kapelen e bardhë të vendosur mbi flokët e verdhë, që era ja merrte nga shpejtësia e kalërimit të saj kishte shprehur shpirtin e vetësakrifikimit për të shpëtuar të shoqin e lodhur nga udhëtimi disaditor. Ajo e dalloi nga larg çetën e tij të lodhur që etshëm kërkonin të qetësoheshin sa më parë. Ajo nxorri pistoletën dhe goditi dy herë në ajër si lajmërim. Kali i bardhë hingelliu fort jehona e të cilit u ndje në gjithë shkretëtirën e nxehtë. Më pas u ndjen dy të shtëna të tjera, të cilat skuqën shpinën e xhaketës së saj të bardhë. Kapelja ra në tokë, por trupi i saj u shtrëngua fort mbi qafën e kalit. Me frymarrje të rënduar ajo ndjeu se dielli po rrotullohej rreth saj. Por, ajo po mbahej fort pas bardhoshit madhështor që hingëlliu përsëri fort. Ajo ndjeu kërcëllitjen e trokut të nxituar të kuajve të grupit të Majkëllit, që po afrohej. Më pas ajo ndjeu një dorë që shtrëngoi fort belin e saj duke e rrëmbyer e ngritur lart. Ajo ndjeu se ishte duke kalëruar në një kal tjetër.
Dielli i shndrritshëm rrezatonte mbi trupat e tyre të ngjitur fort pas njeri-tjetrit. Ajo hapi sytë dhe pa mjekrën e Majkëllit ( Xhonit ) dhe tha:
– Më fal i dashur nuk do të lija kurrë vetëm.
Regjisori tundi kokën i menduar, si aprovim për aktrimin dhe xhirrimin duke parë perëndimin e diellit pas maleve.
- Ishte koha e duhur për të dy, – mendoi regjisori.
30 PRILL 2026


















