KISMETE HYSENI, Prishtinë: NA NUK KISHIM DEKË, POEZI

NA NUK KISHIM DEKË

Na nuk kishim dekë
As në farefis mort
E nana qante
Ëh–ëh–ëh
Qante pa pra.
E kur bante nata me ra
Ëhë–ëhë–ëhë
Dëneske edhe ma shumë
Edhe ma dhimbshëm ia niske me qa
Sikur me pas dekë unë
A mos o zot, im vëlla.

E dikur fashitej
E ia niske t‘vogël me knu
Ëhë–ëhë–ëhë
Me knu krejt ngadalë
Sikur me vajtu.
Dhimbshëm me ngjeh fjalë
Ëhë–ëhë–ëhë
I miri jem, o bir
Malli jem, o djalë
Tan kanga e nanës
I kish veç këto fjalë.

Na nuk kishim dekë
As në farefis mort
E nana qajke: ëh–ëh–ëh
E nana knojke: ëhë–ëhë–ëhë
Tan fjalët e saj ishin lot e vaj.

E kur bajke nata me ra
Edhe ma dhimshem ia niske me qa
Qajke e knojke me nji za
Malli jem, o djalë
Shkrumi jem, o bir
Njizet vjet pa të paaa
Njizet vjet pa të paaa
Ëh–ëh–ëh, ëhë–ëhë–ëhë.

Malli

Tan ditën e lume,
Dojsha me thirrë nanën,
Sa shumë m’ka marrë malli
Veç dojsha me i thanë,
Po, s’më dilke fjala,
Zani m’kish shterrue
Diçka si nji gjamë,
Frymën ma kish nxanë.

Tan ditën e lume
Dojsha me thirrë nanën,
Dojsha veç me folë,
Gjithçka me i kallxue,
Po s’e gjejsha rrugën,
S’dijsha kah me shkue,
M’u kishin terrë sytë,
Lotët m’kishin mblue.

Ashtu me sy t’errun,
E me buzë në vaj
Shkova drejt te nana,
Rashë te kryet e saj.

E u bana e vogël,
U bana krejt fëmijë
Dojsha me nejtë me nanën,
Zanin me ja ndi.

E te guri i vorrit,
Zgjuet me zbardhi dita,
Aty te kryet e nanës,
M’zuni edhe nata,
E sa gjatë, fola me nanën,
I thash krejt çka pata.

Atëherë, prita e prita,
Prita sa të bjen nata,
E prita e prita e prita,
Prita edhe me ague,
Po malli nuk mu hoq,
Veç ma shumë mushtua.

SHTEGTIM

Kemi shtegtu udhës së trenit
Kemi shku zvarrë nëpër binarë,
Përtej jetës na kanë dëbue,
Korba, plumba ,dhe ushtarë.

Të pa shpresë e zemërthyem
De’i n’kurrkund zgjatej kolona
Nuk na donte tokë e huej,
Nuk na mbante dot e jona.

Po na ngrinin kambë e duer
Tek po shkelnim n’zjarr e n’gaca
Kur u zbrazën krejt vagonat
Tanë atë gjamë, s’e zinte Bllaca.

Na kish mb’lu terri dhe zija,
Mbështjell me vdekje,rrah’ nga shiu,
Qielli nuk na mëshironte
S’di pse toka s’na përpiu.

Dritë na bajshin Yll e Hanë,
Tana rrezet mbledh ni vend,
Malli dhimbja dhe trishtimi,
Se harrojshin, jo, kerkend.

Kur u shemb portë e kufinit,
Gurë e hek’ra ranë për dhe
U dektisem dyerve të botës
Me kërku tjetër atdhe.

Po i shkruaj të njëjtat fjalë
Nji për nji, për herë të dytë,
M’u ka nda zemra n’dy pjesë
Prej atëherë nuk m’u kanë terë sytë.

HAJDE SE VDIQ NANA.

Vjeshta solli veç mërzi
Mugëtirë, heshtje e gjatë
Dritë as diell s’banë me dalë
Se krejt dita ishte natë.

Përnjëherë jeta u ndal
Yjet ranë, e u shkym hana
Mbytun m’erdh ai za vajtues
Hajde se vdiq nana.

M’ra terr sysh, mbeta pa gojë
Zemra mu ligshtue
Mu hap toka, mu ba gropë
Qielli ra mbi mue.

Kush po rri në atë terrinë
Kobshëm kush po m‘th’rret
Mu banë copë krejt dejtë e trupit
Vdiqa edhe vetë.

M’thotë u shu nanlokja jeme
Pa thanë asnji fjalë
Paska pritë me krye kah dera
Me mu me u falë.

Unë nga larg e thirrsha n’emën
E merrsha n’gryk prej mallit
Me sy mshelë ia puthsha dorën
Sytë me lot, rrudhat e ballit.

Qava rrugën nëpër natë
Vetë vetimë u bana
Veç njai za ma shpojke zemrën
Hajde se vdiq nana.

Nuk kish fund nata hata
S’kishin fund as gjam’t e mija
Iku nana, bashkë me dritën
E shpinë tonë e mbuloi zija.

Rashë në gjunjë te kryet e saj
Dojsha nurin me ia pa
Nisa vet me folë me nanën
Me t’madhe me kja.

Po gjëmoj për ty oj nanë
Kam dhimtë sa valë ka deti
Po vajtoj për ty lum nana
Po kaj edhe për veti.

Se në verë, nji tjetër herë
Çel gojfili e lulon blini
Por pa ty nanlokja jeme
Vera vjen idhët si pelini.