Konstandin Dhamo: FLUTURA E DHJETORIT DHE TREGIME TE TJERE, NGJASHMERI FATALE

FLUTURA E DHJETORIT
DHE TREGIME TE TJERE

NGJASHMERI FATALE

Atë ditë shtatori , mëngjesi te Kafe Pergola ishte veçanërisht i këndshëm ! Bënte fresk, qielli ishte i kthjellët si qelq i sapolarë dhe, lulet së bashku me barin dhe mandarinat mes tryezave n’oborr , i kishin ujitur dhe gjallonin gjithë njomështi dhe shkëlqim. Ja ta pinim një kafe , të bënim pak shaka dhe të diskutonim dhe për punët e ditës që na prisnin; ato dy koleget tona , të bukura ,të bukura dhe të parfumuara që uleshin me ne , ju siguroj se ,mund t’i njëjtësoje përnjëmend me lulet aty përreth : zambakët , apo trëndafilat melankolikë…
Me ne e pinte kafen çdo mëngjes edhe Sherifi, që na e kujtonte gjithmonë se, i vinte mirë që, njerëzit që s’e njihnin , asqë e merrnin dot me mend , tek e shihnin ngado se, ai ishte një shkrimtar delikat , me shpirt drithërues që prekej për hiçgjë. Më marrin lehtësisht për një hidraulik, tregonte tek qeshte Sherifi, për një elektriçist , por në dimër, kur vesh xhupin e zi prej lëkure dhe vë në kokën time të rrojtur paq kapelen me sprethin e gjerë së prapi, më marrin për ndonjë të fortë lagjeje; hahaha…
Por atë mëngjes na rrëfeu një histori të re:
– Pardje – tha – në Lidhjen e Shkrimtarëve , që po shkrihet, mesa duket dhe do të mbyllet fare së shpejti, më ndali roja, tek po futesha brenda për të marrë pjesë në promovimin e librit të një autori të ri. Ku vete ti, m’u kthye ai , s’është për ty këtu; ku e ke parkuar maunen ? Ik këtu te qoshja dhe futi një dopio raki…
– Ah, e sajove në vend, më duket – e ngacmova unë.
– Ju betohem që jo. Por ju e dini sesi jam unë së brendshmi ; i dashur dhe i ndjeshëm sa s’ka…
Por ja ç’na ndodhi…
N’oborrin e kafenesë hyri një mashkull që ecte e ndalte duke na vështruar vëngër të gjithëve sa ishim ulur pas luleve dhe degëve të poshtme të mandarinave. Atë fytyrë nuk e kishim parë asnjë herë aty. Ndryshe nga ne, që ishim me mëngë të shkurtra , ai kishte veshur një xhakavento të gufuar , në xhepat e së cilës kishte ngjeshur edhe duart. Dukej fytyrë e keqe dhe na shqetësoi seriozisht; ç’deshte ai në atë kafene të qetë , që frekuentohej veçse nga intelektualë?
Por ja doli krejt papritur , siç edhe u shfaq.
– Për Zotin, e kishte me mua ! – pohoi i tronditur Sherifi – Askënd tjetër nuk e vështroi aq gjatë sa më vështroi mua; idioti, provokatori, a ç’dreqin ishte …
U mpimë të gjithë dhe nuk po merrnim dot asnjë vendim, ndonëse mendja na punonte për keq.
– Kaq ishte, harrojeni atë budallain , sepse nuk hyn më ; pale ç’hall kishte. Ç’po thoshim ? – na shkundi njera nga koleget.
Por ja, në çast u shfaq përsëri ai tipi fytyregër, mu si fantazmë. Po po, mu si fantazmë ! Veçse kur e pamë pranë tryezës sonë ! Askush nuk e pikasi kur u fut në kafene dhe bëri njëzet hapa gjersa mbërriti te ne ; e çuditshme ! Këtë herë , fare haptazi ia nguli sytë veçse Sherifit, i cili ndonëse nuk po përcillej dot , u bë gati ta pyeste siç kuptohej se, përse po na bezdiste, apo edhe po na kërcënonte, e kë pa…
Por ai na ktheu kurrizin dhe pa u ngutur , u drejtua nga dera e oborrit.
– Prisni ; – tha Sherifi – do të dal vetë të shoh ç’bëhet; ah , ndyrësira !
– Mos dil ore ! – iu lëshova unë – Tani vërtet, iku njëherë e mirë !
Sherifi nuk m’u bind , prandaj iu vura pas.
Ai kërcënuesi po fliste në celular me dikë dhe, në çastin që hapi derën e një Audi, hoqi celularin nga veshi dhe iu kthye Sherifit, që po i afrohej pa hezituar:
– Qenke jetëgjatë, ti ! Të mora për tjetër person , për pak s’të palosa…
Ndezi Audi – n dhe u largua , duke e ngarë me ngdalë dhe me terezi,a thua se në timon ishte një pensionist i qetë dhe i ngeshëm .
– E ? – iu ktheva Sherifit.
– Mos ore, mos ! – buzagazej ai pikëllueshëm – Ku ma ke të dukesh si një shkrimtar , nga ata që ecin mendueshëm në rrugë, me një dosje të pandarshme në dorë dhe me gjyzlykë me xhama të trashë në sy…
1994

INTERMEXO ME LIBRA

Gabimi
Në mëngjes, kur dola nga shtëpia, përveç qeses së madhe të plehrave, mora me vete edhe një qese tjetër me pesë kopje të librit tim më të ri. O, do t’ia shpija shkrimtarit R.T, i cili e kishte lënë Francën për një muaj dhe, kishte zbritur në atdhe për t’u çmallur ca dhe njëherësh për të vënë dhëmbë në gojë…
Ashtu, duke rrotulluar nëpër mend njëqind gjëra, u gjenda përballë kazanëve të plehrave dhe, hop! e fluturova njerën qese drejt tyre.
Mos!Në vend të plehrave, hodha librat! Hajde t’i fusje duart nëpër pisllëqet e njerëzve! Pale të të shihte ndonjë nga ata të shumtët e gatshëm, të cilët nuk lënë gjë pa nxjerrë në rrjetet sociale! Po kush ma dha komandën gabim?
E mo’, më mahiti alteregoja, se nuk u bë ndonjë gabim kushedi se çfarë; librat.nëse t’i kap syri sot majë plehrave, intrigojnë më tepër sesa në vitrinat e librarive apo në raftet e bibliotekave…

Bananas Bananas

Me botuesin isha marrë vesh që në fillim për të m’i dorëzuar mua në dorë tridhjetë kopje nga tirazhi i plotë i librit tim.
Eh, botimi i një libri, i sadoqoftë në numër, përndez çdo herë një gëzim më vete, po po!
Pasi firmosa në disa fletë radhazi, vura re se, punëtori i shtypshkronjës m’i kishte sjellë kopjet e librit të futura në një arkë bananesh!
Bananas Bananas
Ah, psherëtiva, me bananet sigurisht që do të kisha fituar para shumë më tepër! Megjithatë, çdo botim i ri është një gëzim më vete, e thashë këtë.
Dhe, preka librin tim me dhembshuri!
Bananas Bananas
Ah, e pabesa rastësi
Ah, e mbrapshta llogari …
2005

POEZIA

Tek pija mendueshëm kafen e mëngjesit, vështroja lart në ballkonin e një pallati, pardesynë e bardhë të një femre, e cila, e varur për t’u tharë në tel, ashtu e vënë në kremastar, rrotullohej e rrotullohej nga era sa majtas – djathtas dhe, të kujtonte ato tabelat e qitjes, kur i godet plumbi…
Por erdhi poeti MT, i cili, kur e dallova që tutje , m’u dhimbs me atë supin që ia shtrembëronte çanta e pandarshme përplot me libra. Eh, ishte gjithmonë po ai, me hap të ngadaltë dhe me një buzëqeshje të prerë në fytyrë, e cila të sillte ndër mend humorin dramatik të filmave të Çaplinit..
– Po ku je, ore ? – i kërkova llogari për ta ngacmuar – Gjithmonë të del një punë përpara.
– Ç’m’u desh mua ! Mora nja dhjetë libra nga të mitë dhe, thashë t’i shpërndaj te dy libraritë që ndodhen përgjatë rrugës së shtëpisë sime, mirëpo ato shitëset , kështu po i quaj, sepse nuk e kanë fare hijen e atyre librareve të dikurshme, që na i vlonin librat e bukur nën banak dhe, që lexonin edhe vetë kur nuk u hynin klientë, m’u gërmushën : ç’e ke këtë or’ xhaxha,fletorkë me vjersha?! Po të tilla gjëra tani,na sjellin veçse gjimnazistet ! Nuk kemi vend për libra të tillë në librari, jo jo, nuk na ecin…
– U bënë vite, që poezia refuzohet; ehu, më vjen keq, nuk na the gjë të re, ndonëse u pikëlluam tek të dëgjonim! Raftet e librave tashmë, mbushen me librat e të pandalshmes Daniel Still. Ato, shiten tërë ditën si hamburgerat. Dorën e zonjës Still, e lëviz një mekanizëm i përsosur perpetuum mobile, ka thënë një kritik idhnak.Po ti sikur na premtove se, do ta dhuroje librin, ashtu siç bëjnë në përgjithësi të tërë me vëllimet poetike ?
– Po more, po, dyqind kopje janë të shkretat; por ja që kisha qejf ta shihja librin tim në vitrinat e ndonjë librarie.
– Sidoqoftë, libraritë kryesore në qendër, do të ta mbajnë dhe do të shesin diçka. Dihet, poetët e vërtetë, të varfër vdesin, – u talla pa të keq në fund.
– Po nuk u shqetësove dhe , po nuk ëndërrove, nuk krijon dot, po tallu ti sa të duash. E sheh atë Mercedesin në trotuar ? Më mirë ta ëndërrosh sesa ta kesh.
– Jo more ! Me femrat ama, nuk ke dashur asnjë herë të kesh marrëdhënie të tilla platonike. Femrat ke dashur t’i gëlltitësh me gjithë lecka !
– Tjetër gjë janë femrat, mos spekulo ! Po, si m’u derdhën ato shitëset: nuk mbajmë fletorka me vjersha ne, or’xhaxha; gjimnazistet shkruajnë të tilla gjëra tani. Mirë të tjerat, po fjalën xhaxha, ku e gjetën ? Sa të pasjellshme ! Eh, ç’llomotis kot edhe unë ! Prit, prit të ta jap edhe ty librin tim, sepse, pastaj, merremi me llafe dhe, harroj…
Shkroi diagonalisht një dedikim të gjatë, të cilin, kur e lexova, më shumë se vetë teksti, më preku shkrimi i madh dhe i rrumbullakët si ai i fëmijëve të fillores. O Zot, thashë me vete, dikur kishte një shkrim të imët dhe të dendur.
– Si më thanë ato ashtu: o xhaxha, nuk mbajmë fletorka me vjersha ; gjimnazistet shkruajnë tani gjera të tilla. O xhaxha ! Bobo; sa keq po e qëllojnë poezinë hyjnore, që drithëron e drithëron …
Eh, miku im, nuk e pranojnë më poezinë !
Para ca ditësh një burrë hodhi gruan nga dritarja e banjës, si t’ishte sendi më pa vlerë në shtëpinë e tyre. Më pas, po një burrë, shqiptar shqiptar, ia nguli thikën në zemër ish gruas së tij në sy të diellit dhe të kalamajve. Po pardje, po sot, harruat ? Burri qëlloi me pistoletë gruan e tij brenda në makinë, teksa ajo po nisej për në punë…
Po nesër
Po pasnesër…
Ne vrasim femrat, miku im,për ç’poezi po flasim …
Ajo pardesyja e bardhë, me prerje femërore, atje lart në ballkon rrotullohej e rrotullohej majtas – djathtas m’u si ato tabelat e qitjes, kur i zë plumbi…
2005

FLUTURA E DHJETORIT
A e dini sa zgjat një pasdite dimërore, aty nga fundi i dhjetorit ? Nëse pranojmë, që ajo fillon diçka pas orës pesëmbëdhjetë, do të thotë se, nuk zgjat më tepër se pesëdhjetë minuta, sepse para orës gjashtëmbëdhjetë regëtin perëndimi e më pas shfaqet edhe ai muzgu me të blertën fare të lehtë, që shngjyroset shpejt.
Por ja t’ju tregoj…000
Haja drekë ngutshëm dhe, herë pas here hidhja sytë tej dritares gjithë merak, për të parë dritën . Qielli kishte ende ngjyrën blu kobalt ,siç kanë qejf ta perceptojnë piktorët, ndërsa vetë dielli, majë një pallati ku kishte mbetur, rrezatonte mbi dritare atë të artën e ngrohtë…
Duhej të dilja medoemos shpejt, përndryshe do ta humbisja pasditen, ashtu siç humbet edhe një shfaqje, nëse mbërrin me vonesë.
Mbatha atletet dhe u lëshova drejt Parkut të Madh.Aty ishte qetësi e plotë, aqsa të vinte të mbaje frymën. Parku im, thashë me vete, dhe u lëshova mespërmes drurëve të zhveshur, të cilët i sheh me një trishtim romantik, ashtu në dramën dimërore kur mbesin pa gjethe, pa prarimin drithërues, pa frushullimat gjithë fshehtësi, por vetëm me ca fole të zbrazura zogjsh shtegtarë në majë, që era i tund, i shprish dhe i shthur…
Po shtëpitë pas liqenit, gjithë vëllime hijedrite ? O, ato pasqyrohen n’ujin e rrëqethur dhe të kujtojnë ca piktura të vjetra dhe të ciflosura…
Sot, si zakonisht në Park nuk ka as dëborë dhe as mjegull dhe, gjethet e shtruara përtokë, ende të pakalbëzuara, më kërcasin nën këmbë.Trungjet janë të veshur me myshk të dendur, që më duket si një blerim që ka marë të përpjetën.
Por ja, dhe një flutur !
Por , a është vërtet flutur , apo një gjethe e shpirtëzuar , kushedi nga ç’ëndrra e ç’trille ?!
Me krahët përplot vija të spërdredhura dhe të ngatërruara befasisht, që të kujtonin kafeglifet e një filxhani, kur ai përmbyset për t’u lexuar më pas nga besëtydet, ajo fluturon ulët dhe si e përgjumur nëpër rrezet e pjerrëta dhe të kursyera të diellit të dhjetorit.Thashë një herë ta ndjek pas e ta kap, sa për të shijuar pakëz fëmijëri, por ndërrova mendje ; më pëlqeu më shumë ta shihja n’ajër, ashtu si një mrekulli që kishte shtyrë jetën e vet, e cila duhet t’i kishte përfunduar së paku para një muaji…
Po ku u zhduk? Ku u zhduk magjishëm, ashtu siç edhe magjishëm u shfaq ?
A e dini se sa zgjat një pasdite dimri …
1995

TAKSI
A, çfarë moti! Derdhej shiu ujëvarë dhe krisnin rrufetë me aq zhurmë dhe ndriçim verbues, sa gati-gati ndiheshe i indinjuar dhe i fyer prej papërgjegjshmërisë së qiellit…
U lëshuam me të katra që nga libraria, ku kishim hyrë për të shfletuar disa libra të rinj dhe, kapëm një taksi para Bankës Kombëtare. Pasi u rrasëm brenda, duke shfryrë dhe duke marrë frymë me zor, i thamë shoferit, ku të na hidhte por, o Zot! tek po rrinim pa folur në ndenjëset tona, dëgjuam befas që nga magnetofoni i taksisë vargjet e poemës sime “Zoti Kallashnikov”. Ku nuk qenka shpërndarë, thashë me vete, kjo kasetë; deri edhe te shoferët e taksive! Dhe mendo, s’ka as një muaj që është përgatitur. Por, sidoqoftë, hajde dëgjoje tani gjatë gjithë rrugës…
Alkimia e mallit, rilindësve tanë,
Baltën e atdheut ua kthente në mjaltë…
Të paktën nuk qenka nga fillimi; qenka diku nga fundi! Nuk e di, por s’kisha më nerva e dëshirë ta dëgjoja. Ndoshta ngaqë e kalova për një kohë të gjatë nëpër duar dhe, ngaqë edhe opinioni u mor shumë me të. Mirëpo, shokun tim, që e kisha në krah, nuk po e zinte vendi, gjersa të pyeste shoferin për poemën, sepse ishte i sigurt, që do të dëgjonte prej tij ndonjë batutë, prej së cilës do të shkriheshim gazit më pas.
– Ç’është kjo, që po dëgjon! S’paske kaseta me muzikë ti? – e pyeti ai, sapo ndalëm në një kryqëzim të rrëmujshëm, semaforët e të cilit nuk punonin.
– Aha! Kaseta me muzikë kam sa të duash dhe çfarë të duash, por ja që “Kallashi” më pëlqen shumë. Rri pres radhën te Banka dhe vë kasetën dhe e dëgjoj; ku të qëllojë… I kam hequr mbi kurrizin tim unë të gjitha ato që përmenden aty!
– Ashtu, ë? – u interesova unë sinqerisht dhe i bëra shenjë shokut tim të mos llapte më. Ndërkohë, taksisti filloi të deklamojë me një zë të vrazhdë vargje nga poema, duke u sinkronizuar perfekt me zërin e aktorit, që gurgullonte nga kaseta:
– Ky popull mbeti me arkivol mbi supe… Ah, ah!
– Vërtet, vërtet! – pohoi shoku im. Por taksisti nuk u bë aspak qesharak. Kur e ndërpreu deklamimin atje ku desh ai vetë, na u kthye neve dhe tha:
– Ah! Rri pres radhën përpara Bankës dhe dëgjoj “Kallashin”. Më është bërë si lutjet, jua thashë një herë.
– Po kush e ka shkruar këtë “Kallashin”? – pyeti përsëri këmbëngulshëm shoku im. – Dua të them, si e ka emrin autori; e di?
– Emrin? E kush ia qiu t’ëmën…
1998