NJË THRILLER PËR HUMBJEN E FSHATIT XHEBAJ DHE
TË ANGLEZES EGLANTYNE JEBB NË VITIN 1926
NË SHQIPËRI
DISKUTIME TË ZJARRTA NË LIBOFSHË PER STATUJËN E
FILANTROPES ANGLEZE EGLANTYNE JEBB
Thonë që në gazetën Nacional në Tiranë të datës 26 korrik 2025 është hedhur idea për t’i ngritur një statujë zonjës britanike Eglantyne Jebb, Presidentes së shoqatës «Save the Children» në Londër dhe kjo është aq e vërtetë sa ç’është e vërtetë që myzeqarët shesin shalqi të kuq me provë me gjysmë çmimi në vapën e gushtit. Fshatarët e Libofshës po njoftojnë njëri tjetrin të mblidhen fshatçe në mes të arës me bostan në pikun e diellit si në kohët e vjetra. Një piktor i ri propozoi t’i bëjë një portret në format të madh zonjës Eglantyne Jebb dhe ta vendosin në sheshin kryesor të fshatit. Ai kishte dëgjuar që zonja Eglantyne Jebb e kishte dashur këtë fshat njëqind vjet e ca më parë dhe kishte ndërtuar aty 20 shtëpi për emigrantët në vitin 1926. Ka zëra që thonë – vijoi ai sikur të kishte hapur arkivat e Londrës – që zonja Eglantyne Jebb paskësh ardhur njëherë për ta parë fshatin tonë incognito kur kishte vizituar Apolloninë, qytet ku ishte shkolluar Augusti dhe Ciceroni kishte dhënë leksione. Profesorit të fiskulturës nga fundi i arës nuk iu durua dhe ia ktheu : Përse s’na ke thënë më parë që ditke të flasësh italisht ?
Një burrë i thinjur që gjithë jetën kishte gdhendur kryqe druri në shtëpi hodhi idenë që kurmin e gjatë dhe të hollë si currili i burimit të fshatit të inglizkës Eglantyne Jebb ta bëjmë prej dru pishe ose lisi të Myzeqesë. Një vajzë e re që punonte si dezinjatore e hodhi llafin që zonjës britanike t’ja bëjmë shtatin prej guri që të jetojë njëqind vjet. Një skulptor i ri u ngrit dhe propozoi që zonjës filantrope nga Londra t’ja bëjmë shtatin prej mermeri por për këtë duhet të krijojmë një ekip pune që të shkojë në Muhurr të Dibrës për të parë me sytë e tij nëse kanë mbetur ende blloqe mermeri të kuq. Një zonje të madhe angleze dhe të shquar si ajo – vuri theksin ai, doemos që duhet t’ja derdhim kurmin në mermer të kuq.
Një vajzë e re që mbushte cdo ditë fletorkat me vargje u ngrit në këmbë e frymëzuar dhe tha : Meqenëse ne në Myzeqe kemi shumë luledielli, unë propozoj që kurmin e zonjës Eglantyne Jebb t’a bëjmë si kërcelli i hollë i lulediellit dhe në bukën e rrumbullakët të kësaj luleje me gjethe të verdha të vizatojmë tiparet e fytyrës së saj. Një burrë që kishte qenë më parë oficer në ushtri ia preu hovin dhe i tha : Lëri letrarizmat dhe më mirë bëj vjersha. Kur diskutimet po mbaronin, kryetari i komanduar i mbledhjes i ftoi bashkëfshatarët e tij në kishën ortodokse të shën Gjergjit në fshatin e tyre në Libofshë, pikturuar nga Kostandin Zografi dhe ndërtuar në vitin 1776, që të ndiznin një qiri për shpirtin e shënjtores së tyre të re, zonjës filantrope angleze Eglantyne Jebb.
SENDËRGJIMET E KRYETARIT TË BASHKISË SË FIERIT
Lajmi për ngritjen e statujës së zonjës britanike Eglantyne Jebb në Fier kishte marrë dhenë. Kryetari i bashkisë thirri mbledhjen e këshillit bashkiak. I pari që e mori fjalën ishte drejtori i kadastrës. Ai e hapi hartën fizike të rrethit të Fierit si çarçaf dhe e vuri mbi tavolinë.(Fieri ka një sipërfaqe prej 850 kilometër katrorë dhe një popullsi prej 200.000 banorësh. Ka tre bashki : Fier, Patos dhe Rroskovec). Një nga anëtarët e këshillit bashkiak shtroi pyetjen : Na thuaj zotëri, në ç’koordinata ndodhet fshati Xhebaj se unë e kam kërkuar dhe nuk e kam gjetur në hartë. Unë kam dëgjuar për Libofshën, në të cilin, ambasada zvicerane dhe agjencia zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim në Tiranë në vitin 2018 ka financuar një fond prej 75.000 eurosh për rehabilitimin e qendrës shëndetësore të fshatit. A e keni lexuar nëpër gazeta që Ahmet Zogu në vitin 1927 e ka dekoruar Eugène Pittard-in, zviceranin nga Gjeneva me dekoratën e lartë : Oficer madhor i Urdhërit të Skënderbeut. Drejtori i kadastrës iu përgjigj pyetjes së parë : Keni të drejtë zotëri. Fshati me emrin Xhebaj nuk figuron as në hartë, as në regjistrat kadastralë të rrethit të Fierit. Kam bërë kërkime edhe unë në arkivin e qytetit dhe nuk kam gjetur asnjë gjurmë. Megjithatë, meqenëse enigma e fshatit Xhebaj të Libofshës ka mbetur e hapur që prej 100 vjetësh dhe ne për këtë në qytetin e Fierit nuk zotërojmë as dokumente, as burime historike, as referenca bibliografike kam dërguar një specialist të kadastrës në Tiranë që të bëjë kërkime më të hollësishme në drejtorinë e përgjithshme të arkivave të shtetit.
Një mësues i vjetër i fshatit premtoi të bisedonte me Hirësi Nikollën, Mitropolitin e Apollonisë dhe të Fierit për të parë dhe për të kontrolluar regjistrat e kishës ortodokse të Shën Gjergjit të vitit 1926. Një anëtar i këshillit bashkiak që merrej me traditat mori përsipër që të shkonte në komitetin e veteranëve të rrethit dhe të bisedonte me ta se ç’mbanin mend për fshatin Xhebaj dhe zonjën filantrope angleze Eglantyne Jebb. Nëse do të bëjmë një llogari të thjeshtë – vijoi ai -një person që ka lindur në vitin 1915, sot do të ishte 110 vjeç. Jetëgjatët në rrethin tonë jetojnë afërsisht rreth njëqind vjeç. Kur të gjithë anëtarët e këshillit dolën një nga një nga salla e mbledhjeve, kryetari i bashkisë i kapluar nga mendime të thella, nuk lëvizi nga kolltuku. Ai filloi të meditojë dhe të bëjë një udhëtim imagjinar në subkoshiencën e tij sikur po rrëfehej para priftit :
C’ishte ky fat që më ra nga qielli të më sjellë dy çapa larg Apollonisë antike zonjën filantrope angleze Eglantyne Jebb ! A do të më ndihmojë rikthimi i zonjës Eglantyne Jebb në Xhebaj në fushatën e zgjedhjeve për mandatin tim të ardhshëm si kryetar bashkie? Këtë nuk ma lë ndërgjegja as ta mendoj për shkakun e thjeshtë se unë bëj pjesë ende në aradhën e idealistëve të fundit dhe nuk mund të bëhem pragmatist brenda natës. Para se të mendoj për këtë i kam vënë vetes një mision tjetër njëmijë herë më të rëndësishëm për të cilin jam betuar me jetën time :
Më duhet të rishpik, të ringjall dhe të zgjoj nga gjumi i gjatë letargjik fshatin Xhebaj, t’i gjej vendin aty ku ka qenë në Libofshë njëqind vjet më parë dhe ta vë emrin e fshatit Xhebaj në hartën e rrethit të Fierit dhe në hartën fizike të Shqipërisë. A nuk e jemi të tërë në një mendje që humanistët tanë, Pal Engjëlli, vëllezërit Gazulli, Marin Barleti, Gjon Buzuku, Pjetër Bogdani, Pjetër Budi, Frang Bardhi, Marin Beçikemi, De Rada, vëllezërit Frashëri, Faik Konica dhe të gjithë korifejtë e tjerë të Rilindjes sonë kombëtare e rishpikën Shqipërinë ! Po që unë të rishpik fshatin Xhebaj më duhet të rishpik edhe koordinatat e tij gjeografike. Si është e mundur që fshati Xhebaj të jetë zhdukur pa nam dhe pa nishan kur rreth e rrotull tij ka fshatra që nuk e kanë ndryshuar emrin e tyre që në mesjetën e hershme ! A mos vallë fshatin Xhebaj e kanë ndarë si plaçkë lufte midis fshatrave të tjerë të Myzeqesë dhe i kanë thënë si ajo loja e vjetër : Shtyhu më tutje, shtyhu më tutje derisa i ziu fshat ka mbetur pa vend dhe pa tokë. Nëse e kanë ndarë fshatin Xhebaj copa-copa midis tyre dhe e kanë shtrirë në shtratin e Prokustit, cili e ka marrë hanxharin në dorë, cili është fajtori që duhet të mbajë përgjegjësi për këtë krim dhe të dalë para gjyqit ? Por që të rishpik fshatin Xhebaj më duhet të gjej më parë fshatarët që do të popullojnë fshatin. Duhet të ngre shtëpitë e fshatarëve, të ndërtoj kishën ortodokse, rrugët, komunën, shkollën, spitalin, dyqanet, kinemanë, të gjej se ku ka humbur i marri i fshatit, të ndërtoj çerdhet, kopshtet, të shpik burimin e fshatit ku takoheshin fshehurazi të dashuruarit, të ndërtoj maternitetin, të blej lopë, viça, qe, buallica, kuaj, pula, dhi, dele, qëngja, farë për të mbjellë bimët, plehra kimike dhe të formoj policinë për të ruajtur rendin publik.
Ja ta zëmë se e rindërtuam fshatin Xhebaj, po fushat, fushat ku do t’i gjejmë ? Cilat fshatra të Myzeqesë janë të gatshme të na japin fushat e tyre me qira që të mbjellim, grurë, misër, pambuk, elb, jonxhë, fasule, perime dhe zarzavate për të mbajtur me bukë kalamaqërit tanë ? Të mos na shkojë mendja të marrim ndonjë mal me qira. Fshatrat e Myzeqesë kanë vetëm fusha por ndoshta i merr malli nganjëherë për një kodër. Po në fund të fundit, ç’e duam malin ne në Myzeqe kur nuk kemi mundësi ta mbjellim, ta vadisim, ta plehërojmë dhe t’i korrim prodhimet e stinës ! Kjo ka qenë dëshira e zotit që kur krijoi relievin fushor të Myzeqesë, emrin e së cilës e kemi peshqesh prej Muzakajve, bashkëkohësve të Skënderbeut. Pasi t’a kemi rindërtuar fshatin Xhebaj me ndihmën e arkitektëve dhe të urbanistëve më të mirë do të përurojmë statujën e filantropes britanike Eglantyne Jebb në sheshin kryesor të fshatit dhe për këtë do të hapim një konkurs ndërkombëtar. Në fshatin Xhebaj do të ndërtojmë gjithashtu shtëpinë muze të filantropes britanike Eglantyne Jebb. Në pavionet e këtij muzeu do të ketë një ekspozitë të përhershme me fotografi bardhë e zi të realizuara nga shoqata britanike «Save the Children» në Londër gjatë ndërtimit të 20 shtëpive të fshatit Zvicër në Radanj të Kolonjës për refugjatët shqiptarë që erdhën nga fshati Korsackë i Greqisë si dhe gjatë ndërtimit të 20 shtëpive të fshatit Xhebaj në Libofshë për emigrantët shqiptarë. Zyra e vogël e turizmit në qendër të qytetit atëhere do t’i zgjerojë hapësirat e saj dhe një ditë mund të quhet Akademia e Turizmit në Fier. Muzeun Eglantyne Jebb në Xhebaj do ta vizitojnë të gjithë shqiptarët kudo që janë pa harruar këtu 15 milion turistët që vijnë çdo vit për të kaluar pushimet e tyre në Shqipëri.
SENDËRGJIMET E DREJTORIT TË POLICISË SË FIERIT
Me t’u paraqitur në zyrë në orën shtatë të mëngjesit nxorra nga kasaforta një dosje gri dhe e vendosa mbi tavolinë. Nxorra gjithashtu një bllok të trashë të zi, të cilin e përdor si ditar pune në të cilin përshkruaj në vija të përgjithshme dhe në detaje veprimet operacionale që kryej në terren në lidhje me efektet dhe rezultatet konkrete të punës, të cilat rrjedhin si pasojë e përfundimit të një aksioni apo të një operacioni të koduar policor. Në krye të dosjes, drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit ka vënë shënimin : «Rezervat» dhe më poshtë ka shkruar me makinë shkrimi titullin e dosjes : Humbja e fshatit Xhebaj dhe e filantropes britanike zonjës Eglantyne Jebb në vitin 1926 në Shqipëri.
Emri Eglantyne
Mbiemri Jebb
Shtetësia Britanike
Viti i lindjes 1876
Gjatësia 1m 80 cm
Ngjyra e syve Blu
Ngjyra e flokëve Gështenjë
Shenja të veçanta Nuk ka
Telegrami që kam marrë nga qendra është pak i turbullt dhe lë shteg për ekuivok dhe keqkuptime të mundshme. Ka disa fraza që nuk arrij t’i kuptoj mirë dhe më krijojnë përshtypjen sikur janë shkruar me shifër. Telegrami në fakt nuk është shkruar me shifër. Kam shkruar një fragment nga ky telegram në bllokun tim rezervat :
«Zonja britanike Eglantyne Jebb do të vijë në Shqipëri në datën………….Filantropja e njohur, Presidente e shoqatës londineze «Save the Children» ka vënë si kusht që shfaqja( përse është shkruar fjala : shfaqja sikur të jetë kometë, yll apo avion dhe nuk është shkruar fjala : mbërritja ?) e saj të mos publikohet as në shtyp as në mediat vizive. Filantropja britanike nuk do publicitet dhe ka dëshirë të shfaqet befasisht atje ku nuk pritet dhe do t’a zgjedhë vetë kohën, ditën, vendin dhe orën e saktë kur mund të jetë e pranishme. Organet e policisë duhet të qëndrojnë në gatishmëri të plotë duke ruajtur distancën në mënyrë që veprimet e tyre operacionale të mos kompromentojnë vizitën e zonjës britanike. Imazhi i saj është rreptësisht i ndaluar të fotografohet për shkak se ky imazh i përngjan blicit të ndritshëm të një vetëtime në dimër. Për ç’do pyetje dhe paqartësi merrni kontakt menjëherë me qendrën».
Telegrami në fjalë sigurisht që ishte shkruar shqip, por mua m’u duk se ishte shkruar në esperento. Pikërisht për këtë asosacion një ide fikse më shtynte orë dhe çast në ngasje dhe më digjte përbrënda si kerozen avionësh. Detyra jonë operacionale si organe të policisë së shtetit është të sigurojmë integritetin fizik të filantropes angleze Eglantyne Jebb dhe ta shoqërojmë atë ditë dhe natë, orë pas ore dhe minutë pas minuti gjatë qëndrimit dhe vizitave të saj në Republikën e Shqipërisë. Po si do ta gjej unë këtë zonjë britanike që pa pritur dhe papandehur vjen nga Gjeneva në Fier dhe në vend që të rezervojë dhomën më të mirë në hotel turizmin e qytetit ia mbath në fshatin Xhebaj të Libofshës ! C’thesar do të jetë fshehur në atë fshat, për të cilin ne nuk kemi dijeni dhe nuk e njohim ? Hamendësojmë që zonja britanike ka ardhur me bagazhe në aeroportin «Nënë Tereza» në Tiranë, po për këtë nuk zotërojmë dokumente, megjithëse kemi dërguar një telegram disa ditë më parë. Qendra ka dërguar gjithashtu një telegram në aeroportin Heathrow të Londrës për të konfirmuar nëse pasagjerja Eglantyne Jebb është nisur nga ky aeroport me destinacion aeroportin «Nënë Tereza» në Tiranë, por ende nuk ka marrë asnjë konfirmim.
I gjithë efektivi i policisë në qytetin e Fierit bën be dhe rrufe për Baba Tomorrin dhe deklaron me përgjegjësi të plotë që filantropja britanike Eglantyne Jebb nuk ka shkelur në territorin administrativ të rrethit të Fierit dhe as ekipi që e shoqëron atë. A mos vallë zonja Eglantyne Jebb ka ardhur me avion çarter nga Anglia dhe avioni i saj është ulur në konspiracion të thellë mbi pullazet e Libofshës dhe më pas zonja britanike është nisur në fshehtësi të plotë në fshatin Xhebaj ! Forcat e mia të policisë nuk kanë zbuluar asnjë shenjë, asnjë sinjal dhe asnjë gjurmë të zonjës Eglantyne Jebb në rrethin e Fierit dhe misioni special që më ka ngarkuar drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit për ruajtjen e integritetit fizik të zonjës britanike më duket po aq i vështirë sa misioni për të ruajtur integritetin fizik të një shpendi shtegtar që vjen duke fluturuar nga Anglia në Shqipëri !
Atëherë m’u përshkëndit në kokë një ide dhe vendosa ta zhvendos arealin e kërkimeve dhe të hulumtimeve të mia diku tjetër. I hipa makinës dhe njoftova efektivin e policisë që në Libofsh dhe në Xhebaj të lënë një skuadër policie në gatishmëri të plotë dhe efektivi tjetër të paraqitet urgjentisht në Apolloninë e Ilirisë. Më dukej vetja si i përhumbur në mes të skulpturave dhe të monumenteve antike që kanë 2000 vjet që flenë në qetësi. Cuditërisht, nuk e di përse m’u kujtua rrëfimi i arkeologut të famshëm francez Leon Rey, i cili i zbuloi monumentet dhe skulpturat e Apollonisë ilire krejt rastësisht në vitin 1924 duke ndjekur pas një dhelpër që po vraponte të fshihej në strofullën e saj. Kisha lexuar se në Apolloni ka qenë Pukëvili(Pouqueville), Martin Liku(Lake) dhe arkeologu francez Leon Heuzey, i ngarkuar me mision të posaçëm nga Napoleon Bonaparti. M’u ravijëzua në çast portreti i zonjës britanike, filantropes Eglantyne Jebb, flokët e saj gështenjë, sytë e saj ngjyrë blu dhe qafa e saj e hollë e zbukuruar me një gjerdan me rruaza të bardha.
Atëherë i dhashë urdhër të prerë efektivit tim të policisë që të bënin kërkime në rrënojat e Apollonisë për të gjetur zonjën britanike Eglantyne Jebb. Ata mbetën të habitur nga një urdhër i tillë, i cili në të vërtetë i tejkalonte disa herë kompetencat e tyre kulturore dhe menduan që unë isha currufjasur, megjithatë ata nuk mund t’a kundërshtonin urdhërin e eprorit të tyre. Duke ecur nëpër barin e gjelbër dhe të dendur deri në gju dhe duke i ardhur rrotull gurëve qiklopikë të Apollonisë, vështrimi m’u ndal vetëtimthi në skulpturën e një gruaje rreth dy metra të lartë. Dy llërët e krahëve të saj të derdhura në mermer të bardhë ishin të shtrira dhe të hapura sikur donin t’iu shprehnin mirëseardhje vizitorëve vendas dhe të huaj që vinin nga të katër anët e botës. Kur ngrita kokën lart duke mbrojtur sytë nga rrezet e forta të diellit u shtanga dhe ngriva si i nemitur, u paralizova dhe nuk kisha forcë të bëja asnjë lëvizje, nuk kisha fuqi të belbëzoja asnjë fjalë. Në kokën e saj të hijshme, në qafën e saj të gjatë si një mjelmë dhe në leshrat e saj ngjyrë gështenje njoha zonjën britanike filantropen Eglantyne Jebb. Kur iu afrova më pranë rrahjet e zemrës m’u bënë më të forta dhe të shpejta kur vura re i habitur që sytë ngjyrë blu të gruas në mermer ishin po aq blu sa ç’i kishte Presidentja e shoqatës «Save the Children», Eglantyne Jebb.
Filantropja britanike Eglantyne Jebb, pasi fjeti një natë në shtëpinë e saj në fshatin Xhebaj të Libofshës, të nesërmen në mëngjes fluturoi si një engjëll në qiellin shqiptar dhe shpirti i saj hyri në kurmin e gruas së gdhendur në mermer të bardhë që priste dhe përcillte vizitorët në Apolloni të Ilirisë. Tani e kuptoj arsyen përse në Fier ka kaq shumë vajza me emrin Eglantina.
SENDËRGJIMET E DREJTORIT TË POLICISË SË GJENEVËS, CHARLES –
AUGUSTE MARTIN
Në dimrin e vitit 1926, organet kompetente të policisë së Gjenevës më vunë në dijeni me urgjencë se qytetarja britanike filantropja Eglantyne Jebb, themeluese e shoqatës «Save the Children» dhe Presidente e Unionit ndërkombëtar të ndihmës për fëmijët në Gjenevë dhe drejtori ekzekutiv i kësaj shoqate për Europën, Herbert William Sams janë zhdukur pa gjurmë në drejtim të paditur. Mora masat e nevojshme. Së pari u lidha me motrën e Eglantyne Jebb në Londër, Dorothé Buxton dhe e pyeta nëse kishte dijeni për vend ndodhjen e motrës së saj. Pasi mora përgjigje negative, u lidha me Frederik Ferriere, zëvëndëspresidentin e Komitetit ndërkombëtar të kryqit të kuq dhe me mbesën e tij Suzanne Ferrière. Isha në dijeni që Suzanne Ferrière nuk e kishte lënë Eglantyne Jebb të shkonte në hotel dhe e kishte ftuar të banonte në vilën e familjes së saj në Gjenevë që në vitin 1920. Suzanne Ferrier nuk ishte në dijeni për ikjen e Eglantyne Jebb nga Zvicra dhe më njoftoi se ajo kishte disa javë që ishte larguar nga vila e tyre. Në zhanrin e gjerë të aktiviteteve dhe të veprimtarive që organizonte shoqata «Save the Chieldren» në Londër dhe Unioni ndërkombëtar i ndihmës për fëmijët i krijuar prej saj në Gjenevë, ishte diçka normale për Eglantyne Jebb të largohej me javë të tëra nga Zvicra dhe të udhëtonte në vende të varfëra ku kishte luftra, epidemi dhe sëmundje për të mbrojtur të drejtat e fëmijëve.
Atëhere i shkrova një telegram dhe i telefonova drejtorit të policisë së Londrës, i cili më premtoi që do të dërgonte urgjentisht në vendlindjen e zonjës Eglantyne Jebb në Shropshire një skuadër speciale të policisë e specializuar për gjetjen e personave të zhdukur. Një javë më pas, mora një telegram prej tij, në të cilin, ai më njoftonte se qytetarja britanike zonja Eglantyne Jebb nuk ndodhej në Shropshire dhe familja nuk kishte asnjë lajm prej saj. Atëhere nuk më mbetej gjë tjetër veçse të trokisja në portën e zotit Giussepe Motta, këshilltarit federal të departamentit politik në Bernë dhe t’i shtroja pyetjen : A kishte informacion zyrtar në lidhje me aktivitetet ndërkombëtare të zonjës britanike Eglantyne Jebb ? Dhjetë ditë më pas, ai më informoi se kishte gjetur një shkresë, në të cilën nënvizohej se Presidentja e shoqatës «Save the Children» filantropja dhe zonja britanike Eglantyne Jebb kishte ndërtuar 20 shtëpi për emigrantët në Shqipëri. Tani që tabloja u bë më e qartë, thirra në zyrë Antoine Barbey, një nga specialistët kriminalistë më të mirë të Gjenevës dhe i dhashë urdhër të verifikonte të dhënat dhe informacionet në lidhje me ikjen e papritur të Eglantyne Jebb nga Gjeneva si dhe mundësinë e udhëtimit të saj në Shqipëri. Disa javë më pas, Antoine Barbey më dërgoi telegramin e mëposhtëm :
Zotit Charles-Auguste Martin
Drejtor i policisë së Gjenevës
Gjenevë
Sipas urdhërit tuaj, kontrollova personalisht të gjitha listat e pasagjerëve të aeroporteve zvicerane, të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe të gjitha pikat e kalimit kufitar liqenor dhe nuk gjeta asnjë dokument verbal zyrtar për kalimin e qytetares britanike zonjës Eglantyne Jebb jashtë territorit administrativ zviceran. Atëhere u lidha me një tregtar zviceran, i cili ka disa vjet që e ushtron aktivitetin e tij në Durrës dhe e pyeta nëse kishte informacion që qytetarja britanike Eglantyne Jebb ndodhej në Shqipëri. Pas dy javësh, tregtari zviceran më dërgoi telegramin e mëposhtëm :
«Zonja britanike, filantropja Eglantyne Jebb, Presidente e shoqatës «Save the Children» ka ardhur në Shqipëri në vitin 1926, e shoqëruar nga Herbert William Sams dhe ka shkuar bashkë me të në fshatin Xhebaj të Libofshës për të bërë përurimin e 20 shtëpive të reja të ndërtuara për emigrantët në sajë të financimit të shoqatës «Save the Children». Kam një lajm të pakonfirmuar se në këtë përurim ka marrë pjesë një qeveritar i lartë, një njeri i besuar i Presidentit të Republikës Shqiptare, Ahmet Zogut, emri i të cilit është Kostaq Kotta, ministër i Punëve Botore e Bujqësisë, zëvendësisht i Punëve të Brendshme si dhe prefekti i Fierit, Tahir Serdari. Megjithatë në këtë lajm ka diçka të çuditshme dhe enigmatike, të cilin nuk arrijmë dot ta kuptojmë deri në fund për shkak se në lidhje me këtë eveniment të rëndësishëm për marrëdhëniet shqiptaro -britanike si dhe për shoqatën «Save the Children» nuk ekziston asnjë koleksion dhe kolazh fotografik. Ndërsa fshatarët e Myzeqesë janë më se të bindur se filantropja britanike zonja Eglantyne Jebb është nisur nga Gjeneva duke udhëtuar mbi krahët e bardha të reve dhe ka mbërritur në fshatin Xhebaj për të bërë përurimin e shtëpive të reja të emigrantëve. Një veti të tillë mund ta kenë vetëm krahët e engjëjve».
Sapo hodha mbi letër rreshtat e fundit të këtij thrilleri për humbjen e fshatit Xhebaj dhe të filantropes dhe zonjës britanike Eglantine Jebb në Shqipëri.


















