Kurt Gostentschnigg: Dy plane konkurruese austro-hungareze të vitit 1918 – dërgimi i monumenteve antike drejt Sarajevës apo ndërtimi i një Muzeu Kombëtar shqiptar?

 

Dy plane konkurruese austro-hungareze të vitit 1918 – dërgimi i monumenteve antike drejt Sarajevës apo ndërtimi i një Muzeu Kombëtar shqiptar?

 

Më 23 janar 1916, trupat e korpusit të 19-të të ushtrisë austro-hungareze hynë në Shkodër dhe katër ditë më pas morën në zotërim Durrësin, pasi dëbuan prej andej trupat italiane.[1] Shpejt, ushtria pushtoi dy të tretat e Shqipërisë deri në lumin Vjosë dhe i zotëroi këto territori deri në fund të Luftës së Parë Botërore.[2] Me anë të një shpalljeve, pushtuesit austro-hungarezë deklaruan se nuk kishin ardhur si armiq, por si miq dhe se, do të mbronin njësoj si të krishterët ashtu edhe myslimanët. Gjatë kohës së okupacionit me mijëra shqiptarë luftonin në çeta dhe formacione vullnetarësh të rregullt në ndihmë të ushtrisë austro-hungareze. Shkodra ishte selia e administrimit ushtarak, d.m.th. e komandës së korpusit të 19-të dhe e këshillit civil administrativ. Komisari civil dhe konsulli i përgjithshëm, August Kral ishte kryetari i këshillit civil administrativ dhe përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme në administrimin ushtarak.

Kundërshtia e vazhdueshme midis Shtatmadhorisë së Ushtrisë dhe Ministrisë së Jashtme, çka solli një farë armiqësie midis korpusit konsullor dhe autoriteteve ushtarake, ndikoi negativisht në administrimin ushtarak të Shqipërisë.[3] Në vazhdimësi, ministri i Jashtëm Stephan Burián këmbënguli në depërtimin paqësor në Shqipëri, nëpërmjet politikës arsimore, tregtare dhe komunikative, ndërsa shefi i shtabit të përgjithshëm Conrad von Hötzendorf përkrahu aneksimin e territoreve të pushtuara.[4], Administrimi ushtarak u shoqërua me masa shtrënguese për popullsinë, sidomos në momentet e para të pushtimit. Konfiskimi i armëve, zotërimi i shtëpive, sekuestrimi i bagëtive dhe sendeve me vlerë, si dhe rekrutimi me detyrim krijuan një atmosferë armiqësore tek vendasit, veçanërisht tek shqiptarët e besimit mysliman.[5] Nga ana tjetër administrimi ushtarak u shoqërua me masa në fushën e infrastrukturës, ekonomisë, shëndetësisë dhe politikës sociale. Dallojmë këtu regjistrimin e parë të popullsisë, dekretimin e një bese të përgjithshme për anulimin e gjakmarrjes, formimin e Komisisë Letrare për njësimin e gjuhës dhe ortografisë shqipe, parandalimin e epidemive të tifos dhe kolerës, organizimin e policisë dhe xhandarmërisë, instalimin e një rrjeti telefonik, ndërtimin e rrugëve dhe sigurimin e monumenteve antike.[6]

Çështja e shpëtimit të monumenteve antike në territoret e administrimit ushtarak austro-hungarez të Shqipërisë në vitet 1916 deri 1918 konsiderohet një shembull shumë i mirë i kooperimit ndëraktiv midis aktorëve të fushës politike, ushtarake dhe shkencore. Krahas Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Përbashkët të Financave dhe Ministrisë së Luftës në Vjenë, aktorë kryesorë kolektivë në këtë bashkëpunim ishin edhe Instituti i Ballkanit e Muzeu Kombëtar në Sarajevë, pa lënë mënjanë komandën e korpusit të 19-të në Shkodër dhe Shtatmadhorinë e Ushtrisë austro-hungareze në Teschen në Silezinë austriake. Ndërsa, aktorët kryesorë individualë në terren në Shqipëri ishin komisari civil August Kral, si përfaqësues i Fushës Politike, Carl Patsch, drejtori i Institutit të Ballkanit në Sarajevë, si përfaqësues i Fushës Shkencore ose Albanologjike, si edhe oficerët albanologët Georg Veith dhe Camillo Praschniker në një pozicion të dyfishtë si përfaqësues të Fushës Ushtarake edhe asaj Albanologjike. Për zgjidhjen e çështjes së përmendur shtroheshin për diskutim dy opsione: monumentet të dërgoheshin në Austro-Hungari, ose ato të grumbulloheshin në ndonjë vend të sigurt në Shqipëri.

Më 12 korrik 1917, Ministria e Kultit dhe Arsimit i dërgoi Ministrisë së Jashtme një kopje të raportit[7] të Praschniker-it mbi ekspeditën arkeologjike të ndërmarrë në fund të vjeshtës 1916 në Mal të Zi e në Shqipërinë e Veriut. Me këtë rast, ai rekomandoi marrjen e masave të përshtatshme për ruajtjen dhe shpëtimin e monumenteve antike të Shqipërisë, të cilat konsistonin: nga njëra anë, në nxjerrjen e një dekreti mbretëror që ndalonte largimin e monumenteve antike nga vendet e pushtuara; nga ana tjetër, në nxitjen e autoriteteve ushtarake për grumbullimin provizor në një vend të sigurt të të gjitha monumenteve të vlefshme, me qëllim shpëtimin dhe shmangien e rrëmbimit të objekteve antikuare. Praschniker vuri në dukje se në Shqipëri ishte marrë prej vendasve dhe serbëve një pjesë e konsiderueshme e inventarit të monumenteve të njohura deri atëkohë. Përveç kësaj, ai u ankua për oficerët austro-hungarezë, të cilët blinin objekte antike prej shqiptarëve dhe i dërgonin ato në prapavijë. Shtatmadhoria duhej t’i lutej komandës së korpusit të 19-të në Shkodër t’u ndalonte pa përjashtim anëtarëve të ushtrisë blerjen ose përvetësimin e antikave. Shumë të rrezikuara ishin monumentet e Shqipërisë jugore, të cilat ndodheshin në kufi të dy zonave të pushtimit, asaj austro-hungareze dhe italiane. Të tilla ishin objektet e vlefshme në Apoloni, të cilat me një ndryshim të vogël të vijës së frontit, mund të binin në duart e italianëve. Për këtë arsye largimi i tyre këshillohej të bëhej në një zonë të sigurt austriake ose së paku në ndonjë vend të sigurt brenda Shqipërisë, siç konsiderohej Shkodra ose Durrësi. Sipas konventës së Hagës, të vitit …. të gjitha antikat mund të konsideroheshin si pronë shtetërore ose mund të depozitoheshin deri në një njoftim të ri, në një muze të vënë nën mbikëqyrjen shtetërore duke ruajtur përkohësisht të drejtat private të pronësisë.

Plani fillestar për ruajtjen e monumenteve ishte përgatitur nga drejtori i Institutit të Ballkanit në Sarajevë, Patsch, me porosi të Vjenës. Sipas tij, monumentet nga Shqipëria duhej të dërgoheshin në Muzeun Kombëtar të Sarajevës. Në raportin dërguar Ministrisë së Jashtme, Patsch bënte me dije: “Më 28 shtator 1917, nëpërmjet dekretit nr. 181.238/V-4, kam marrë detyrën të shkoja në Cetinjë dhe Shkodër, për të vazhduar kërkimet e filluara nga Instituti i Ballkanit, veçanërisht për të bërë hulumtime lidhur me fatin e monumenteve me vlerë historike dhe artistike në manastirin Pojan\Apoloni, i cili ishte bombarduar nga italianët. Nëse rrethanat e lejonin, unë do të nxisja transportimin e tyre në Muzeun Kombëtar të Sarajevës.”[8]

Në nëntor të 1917-ës, Kral së bashku me Patsch hulumtoi disa prej vendgjetjeve më të rëndësishme arkeologjike. Në Fier atyre iu bashkua për dy ekspeditat e radhës, nënkoloneli Veith, i njohur edhe si studiues i antikitetit. Të tre vendosën t’i siguronin objektet në Shqipëri, në mbështetje të idesë së komisarit civil që monumentet të mbeteshin aty, me synim ndërtimin e një Muzeu Kombëtar shqiptar për strehimin e tyre. Mbështetur në përvojat e krijuara, Kral dhe Patsch panë edhe nevojën e angazhimit të një arkeologu më të ri për drejtimin e punimeve të nevojshme si dhe për konservimin dhe sigurimin shkencor të materialit të gjetur.[9]

Në raportin hartuar në mes të dhjetorit 1917, lidhur me ekspeditën kërkimore në Shqipëri në vjeshtë të po atij viti dhe kërkesën drejtuar Shtatmadhorisë të komisarit civil Kral mbi caktimin permanent të një arkeologu të ri në Shqipëri, Patsch i mbajti të hapura të dyja opsione. Sipas tij: “Për sa i përket sigurimit në Ballsh dhe Pojan si dhe në vende të tjera të Shqipërisë së Mesme dhe Veriore, u vendos në ujdi me komisarin civil Kral dhe nënkolonelin Veith, me kusht që të miratohet, si vijon: Për shkak të mungesës së mjeteve të duhura të transportit, monumentet e rënda duhet të mbeten në vend. Nga vendet e grumbullimit monumentet, ose do të dërgohen sipas udhëzimit më të lartë në një muze shqiptar, i cili duhet të themelohet, ose do të transportohen me anije në Monarki. Pretendimin më të madh do ta kishte Sarajeva, ku ndodhet  muzeu më i madh dhe më i rregullt në jug të Austro-Hungarisë dhe qendra më e afërt ballkanologjike, e cila ka treguar kujdesin më të madh edhe për antikat shqiptare. Me mbikëqyrjen e monumenteve dhe vendgjetjeve për momentin do të ngarkohet nënkoloneli Veith. Meqë kjo përkujdesje, për shkak të detyrave të tjera zyrtare, nuk mund të ushtrohet gjithmonë prej tij, duhet të përpiqeni që me këtë detyrë si dhe me hapjen e vendgjetjeve të tjera, drejtimin e gërmimeve, konservimin dhe transportimin e monumenteve të ngarkohet një arkeolog i rekrutuar si oficer. Si më i përshtatshmi duket togeri i artilerisë dr. Camillo Praschniker, docent privat i arkeologjisë klasike në universitetin e Vjenës, i cili kohë të fundit ka udhëtuar tashmë dy herë në Shqipëri dhe është provuar si një eksplorues energjik. Komisari civil Kral do të ndërmarrë hapat e nevojshëm në këtë kuptim”.[10]

Pas kërkesës së komisarit civil Kral drejtuar Shtatmadhorisë dhe nën nxitjen e drejtorit të Institutit Arkeologjik Austriak, në nëntor 1917, departamenti për Orientin në Ministrinë e Luftës e emëroi Praschniker-in si arkeolog pranë komandës së korpusit të 19-të. Emërimi i tij u bë me qëllim që të fillonte puna për shpëtimin, e propozuar nga ai vetë, të monumenteve antike të Shqipërisë. Puna do të niste me grumbullimi, për të vijuar me përshkrimin dhe katalogizim e tyre.[11]

Pas ndërhyrjes së Ministrisë së Financave në fund të shkurtit 1918 në Ballhausplatz u favorizua opsioni i dërgimit të monumenteve në Muzeun Kombëtar të Sarajevës. Më 22 shkurt 1918, Kralit iu kërkua të ndërhynte në këtë kuptim tek zyrat përkatëse ushtarake: “Ministria e Përbashkët e Financave na është drejtuar me lutjen që t’i sigurojmë Muzeut Kombëtar në Sarajevë një pjesë të arsyeshme në shpërndarjen e zbulimeve arkeologjike me vlerë  të manastirit Pojan-Apolloni në Shqipëri, e cila është shkatërruar nga italianët. Sipas raportit të përmendur, pjesët më të vlefshme nga gërmadhat e manastirit janë rrëmbyer tashmë. Edhe mbetjet ende të pranishme nuk do të ruhen në asnjë mënyrë, por do të rrëmbehen gjithashtu, kjo për shkak të mungesës në Shqipëri të një instituti shkencor ose të një instituti për historinë e artit. Në këtë situatë, na duket e justifikueshme marrja e një pjese të zbulimeve arkeologjike nga Muzeu Kombëtar i Sarajevës, i cili i kushtohet në veçanti edhe mirëmbajtjes së objekteve shqiptare. Ju lutemi të ndërhyni në këtë kuptim tek autoritetet kompetente ushtarake dhe të raportoni sa më shpejt mbi rezultatin.”[12]

Një muaj më vonë, më 23 mars 1918, Kral u përpoq të mbronte pikëpamjen e tij të kundërt, duke i drejtuar një raport të hollësishëm ministrit të Jashtëm austro-hungarez Ottokar Czernin lidhur me fillesat e një Muzeu Kombëtar shqiptar dhe emërimin e përhershëm të një arkeologu të ri në Shqipëri.[13] Që prej vitit 1916, komisari civil austro-hungarez ishte përpjekur të nxiste komandën e korpusit të 19-të të merrte masa në favor të ruajtjes së zbulimeve të shumta arkeologjike nga kultura romake e greke si dhe të monumenteve të artit, të rëndësishme për historinë e Shqipërisë. Kral-i besonte, se si rezultat i hapave të ndërmarrë prej tij, më 23 dhjetor 1916 u lëshua urdhri nr. 582 i komandës së korpusit, në pikën 12 të të cilit u kërkohej të gjitha komandave vartëse që të mbronin objektet e artit prej shkatërrimit dhe rrëmbimit. Ato do të transferoheshin në një ambient të posaçëm për këtë qëllim brenda ambienteve të komandës ushtarake austro-hungareze në Durrës, dikur pallati i Princ Wied-it. Kjo kërkesë përsëritej me urdhrin nr. 117, datë 27 maj 1917, pika 13. Më 7 dhjetor 1917 në të njëjtin kuptim lëshohej urdhëresa nr. 278, pika 12, e cila në dallim nga e para ishte shumë më e ashpër dhe energjike. Kjo për shkak se rrëmbimi i objekteve të artit nga oficerët austro-hungarezë, sidomos në zonën e Fierit, Lushnjes dhe Beratit, kishte arritur përmasa të mëdha, duke çuar siç dukej në një tregti të vrullshme nga ana e disa personave ushtarakë. Kështu Kral shkroi: “Kam dëgjuar madje për komandantë, të cilët kanë lënë të paketohen objekte arti me arka dhe të transportohen në prapavijë, ku disa skulptura antike, ndër të tjera edhe nga Muzeu i Oborrit austro-hungarez, janë blerë me çmime shumë të shtrenjta.”[14]

Në udhëtimin e tij të shërbimit në nëntor 1917 Kral i kishte kushtuar vëmendje të veçantë kësaj çështjeje kaq të rëndësishme për historinë e kulturës dhe artit shqiptar, madje kishte grumbulluar të dhëna të shumta për punën e mëtejshme në këtë fushë. Sipas tij, edhe dr. Patsch, i ardhur nga Sarajeva, i cili ndodhej rastësisht në Shkodër, ishte treguar i gatshëm për të ndërmarrë një udhëtim me qëllime të ngjashme. Të dy së bashku kishin hulumtuar së bashku disa nga vendgjetjet më të rëndësishme të mbetjeve antike. Në Fier atyre u ishte bashkuar nënkoloneli Veith, i njohur gjithashtu si kërkues i antikitetit, i cili kishte qenë në gjendje të jepte shpjegime të vlefshme. Për shkak të njohurive të mbledhura Patsch dhe Kral kishin arritur në përfundimin mbi domosdoshmërinë e caktimit të një arkeologu të ri për drejtimin e punimeve të nevojshme, për konservimin e objekteve si dhe për sigurimin shkencor të materialit të gjetur. Afërsisht në të njëjtën kohë ishte shfaqur në Shqipëri dr. Praschniker, docent privat i arkeologjisë klasike në Universitetin e Vjenës dhe toger i artilerisë austro-hungareze. Një vit më parë, ai kishte qenë anëtar i një komisioni studimor të dërguar nga Akademia vjeneze e Shkencave dhe në saje të vëzhgimit kishte kuptuar gjithashtu rëndësinë e marrjes së masave për sigurimin e zbulimeve arkeologjike. Ai kishte ardhur kësaj here, i ngarkuar nga Shtatmadhoria e ushtrisë, për qëllime të ngjashme, por fatkeqësisht për një periudhë të përkohshme. Megjithatë, ai ia kishte dalë të grumbullonte një numër të madh të antikave, të zbuluara tashmë, kryesisht në qarkun e Fierit, ku veçohej manastiri i Pojanit (Apolloni), në Ballsh dhe në Mallakastër, madje i kishte vendoste ato në një vend të sigurt. Monumentet më të rënda ishin lënë në kujdesin e komandave ushtarake austro-hunagreze të stacionit në Ballsh dhe Fier, ndërsa më shumë sesa tetëdhjetë objekte, lehtësisht të transportueshme, Praschniker i kishte dërguar në Durrës, të cilat pasi i kishte numëruara dhe klasifikuara, i kishte depozituar në ish-pallatin e Wied-it.

Në këtë kohë Kral-i zbuloi planin e tij: “objektet së bashku me disa poçe antike, të gjetura nën citadelën e Shkodrës në kohën kur ishin hedhur themelet për ndërtimin e kishës së Marisë, të vëna për ruajtje në bashkinë e Shkodrës, mund të formojnë bazën e një muzeu të ardhshëm kombëtar shqiptar, themelimin e të cilit e kam ndër mend.”[15] Si rrjedhojë e kalimit të vrullshëm të trupave ushtarake, si edhe për shkak të operacioneve të tjera luftarake, ekzistonte rreziku imediat i rrëmbimeve të mëtejshme të shumë objekteve të artit që më vonë do të ishin sigurisht të pazëvendësueshme. Duke ditur se në kohë lufte ky rrezik nuk mund të shmangej as edhe përmes urdhrave më të prerë, Kral mendonte se sakaq duhej të fillonte  një punë intensive grumbulluese për muzeun e ardhshëm kombëtar, madje të niste organizimi i vetë muzeut, të paktën në trajtat e tij fillestare.[16] Në mbyllje të raportit, ai e bënte këtë vlerësim realist: “Është e qartë se nuk mund të bëhet fjalë as për një përzgjedhje ose ndërtim të një godine të ardhshme muzeu, as për ndonjë masë tjetër përfundimtare, përderisa rrethanat politike dhe ushtarake nuk janë sqaruar plotësisht. E vetmja, por edhe më e rëndësishmja që duhet bërë, do të ishte gjetja e një personaliteti të përshtatshëm, e një arkeologu të ri energjik austriak ose hungarez, jo për një udhëtim studimor të përkohshëm, por për një qëndrim më të gjatë, për gjithë kohën e mbetur të okupacionit tonë. Ai do të duhej të grumbullonte, sistemonte dhe përpunonte shkencërisht me shpenzimet e Shqipërisë edhe objekte antike edhe objekte të tjera të rëndësishme për historinë e artit dhe folklorin e Shqipërisë.”[17]

Në një shkresë tjetër drejtuar ministrit Czernin në mes të prillit 1918 lidhur me Praschniker-in dhe rrëmbimin e objekteve të artit, Kral raportoi madje se në Shkodër nuk dihej asgjë rreth idesë për shpërndarjen e zbulimeve arkeologjike me vlerë të manastirit të Pojanit.[18] Ai i tërhoqi edhe një herë vëmendjen eprorit të tij se Praschniker, i dërguar në fund të vitit 1917 në Shqipëri për përcaktimin dhe sigurimin e gërmadhave antike, të cilat gjendeshin lehtësisht, kishte punuar me zell të veçantë në Pojan dhe kishte shpëtuar sidomos nga manastiri i atjeshëm dhe rrethina e Fierit, 70 monumente antike të artit, të cilat i ishin dorëzuar për ruajtje komandës së stacionit të etapës[19] në Durrës. Me anën e raportit, Kral i kishte dërguar ministrit të Jashtëm një kopje të regjistrit të Praschniker-it si dhe raportin e komandës së përmendur në Durrës, nëpërmjet të cilit ishin njoftuar sipërmarrja dhe depozitimi i atyre 70 objekteve. Përveç regjistrit të skulpturave, raporti ushtarak përmbante edhe një të tillë mbi objektet antike të artit, të cilat ishin zhdukur që nga viti 1916 në zonën e brigadës së 14-të malore austro-hungareze. Në lidhje me këtë të fundit, Kral lutej për fshehtësi absolute: “Duke marrë parasysh karakterin delikat të këtyre të dhënave, më e mira do të ishte që në kopjimin e shtojcës për t’ua dhënë zyrave të tjera, të hiqet pjesa mbi objektet e rrëmbyera të artit. Gjithashtu ju lutem të hiqni dorë nga çdo tregues për personin tim. Nuk dihet ende, nëse komanda e korpusit do të vendosë të marrë masa kundër fajtorëve në bazë të raportit të Praschniker-it“[20].

Pavarësisht urdhrave të lëshuar në kohë, antika të ndryshme të epokës helenike dhe romake ishin rrëmbyer nga Shqipëria dhe ishin çuar për tregti në Vjenë. Në këtë situatë, në fillim të dhjetorit 1917 komanda e korpusit në Shkodër lëshoi një tjetër urdhër lidhur me rrëmbimin e antikave dhe të monumenteve të artit si dhe me marrjen e masave të sigurisë.[21] “Çdo komandë e ka për detyrë të transportojë vepra të tilla arti ose mbetjet e tyre në një vend të sigurt. Në qoftë se ato nuk mund të hiqen, të marrin të gjitha masat për t’i ruajtur nga dëmtimi i qëllimshëm ose i rastësishëm dhe nga ndikimet e tepruara të motit. Përveç kësaj të gjitha komandat e rrethit duhej të njoftonin deri më 1 janar 1918, deri ku ishin përfillur këto urdhra, cilat antika ishin gjetur, për ku ishin transportuar dhe çfarë urdhëresash ishin lëshuar për sigurinë e tyre.”[22]. Në urdhëresë, sërish u tërhoq plot ngulm vëmendja e të gjitha komandave në Shqipëri për urdhrat më të hershme të komandës së korpusit nr. 582, pika 12, viti 1916 dhe nr. 117, pika 13, viti 1917, sipas të cilave të gjitha monumentet e artit në vend duheshin mbrojtur patjetër nga shkatërrimi ose rrëmbimi.

Pas pak ditëve nga komanda e stacionit të etapës në Durrës erdhi njoftimi se shumë nga antikat në fjalë ishin muruar në muret e shtëpive, kështu që ruajtja e tyre në vend ishte e siguruar.[23] Mbetjet e vogla të lëvizshme të monumenteve antike në zyrën e bashkisë dhe në komandën e stacionit të etapës ishin grumbulluar. Ashtu siç ishte diskutuar edhe me Praschniker-in, do të ishte në interes të mirëmbajtjes së monumenteve, në qoftë se themelohej në pallatin e Wied-it një muze për të gjitha antikat e Shqipërisë. Por mbetjet e mëdha të kulturës antike duhej të liheshin në vend. Për shkak të peshës së tyre nuk ekzistonte rreziku të rrëmbeheshin nga trupat austro-hungareze. Komanda e rrethit në Tiranë shprehu dyshimet e saj në lidhje me vendosjen e monumenteve në pallatin e Wied-it: “Krijimi i një muzeu në pallatin e Wied-it do të ishte një ambient i sigurt për objektet e vendosura atje, vetëm në qoftë se një oficer i lartë i stacionuar atje merrte përsipër personalisht përgjegjësinë për ruajtje. Siç dihet, një pjesë e madhe e objekteve të çmuara, pronë e princ Wied-it, është rrëmbyer, megjithëse në pallat kanë qenë të stacionuara gjithmonë komanda të larta”.[24]

Tri ditë më vonë komanda e stacionit të etapës në Durrës njoftoi se gjatë muajit prill 1916 kishte marrë informacione nga persona civilë, sipas të cilëve oficerë dhe persona të ekuipazhit austro-hungarez kishin blerë relike të vogla nga njerëz privatë.[25] Një trafik i tillë privat veprash arti kryhej vazhdimisht dhe kishte të ngjarë që antikat e epokës helenike dhe romake të futura në tregtinë e Vjenës të kishin mbërritur aty nga Durrësi, prej nga persona privatë i kishin blerë dhe i kishin marrë me vete në Perandori. Sipas njoftimit, situata kishte ndryshuar qëkur komanda e stacionit të etapës kishte marrë përsipër shërbimin nga brigada malore e 20-të. Që atëherë trashëgimia e kohës klasike mbahej në evidencë dhe kontrollohej. Shumica ishte instaluar në muret e kështjellës dhe në shtëpi private, ku ato mund të rrinin pa pasur rrezik, deri në themelimin e një muzeu. Një pjesë tjetër ishte e paprekur dhe e siguruar për shkak të peshës së saj të palëvizshme. Relikte të lëvizshme gjendeshin tek komanda e stacionit të etapës, disa pjesë ruheshin mirë në zyrën e kryebashkiakut dhe në shtëpinë e mitropolitit të qytetit. Në përfundim të njoftimit, komanda e stacionit të etapës në Durrës propozonte si vijon: “Siç është planifikuar tashmë në përgjithësi, duhet të realizohet ndërtimi i një muzeu të vogël në Durrës, ku duhet të grumbullohen të gjitha mbetjet e antikitetit nga Shqipëria. Gjurmimi i Epidamnosit të zhdukur dhe i akropolit të Dyrrahut antik do të ishte një punë e lavdishme shkencore. Por kjo i duhej lënë një specialisti, i cili do të ishte i aftë, që pas studimeve përkatëse, të kryente këtu një hulumtim të saktë.”[26]

Krahas njoftimit nga Durrësi, një tjetër i radhës mbërriti në komandën e korpusit të 19-të, nga komanda e rrethit në Berat. Në të bëhej fjalë mbi rrëmbimin dhe shpëtimin e antikave, ku për herë të parë përmendej edhe emri i një oficeri: “Nga ekzemplarët, vendndodhja e të cilëve nuk mund të jepet me siguri, duhet të jetë një pjesë e konsiderueshme ende në pronësi të kapitenit Buchberger[27], i cili, siç është provuar, ka marrë një ngarkesë të madhe me vete në prapavijë … Nënkoloneli Veith është duke bërë kërkimet përkatëse, për të cilat do të raportohet. Këto vepra arti janë dërguar nga kapiteni Buchberger edhe me transporte më të mëdha.”[28] Në Kalos (Mallakastër) ishin gjetur para dy muajve një kokë satiri dhe një reliev varri me tri figura nga ranori i butë. Për shkak se ndodheshin të ekspozuara nën zjarrin “armiqësor” të artilerisë, ato ishin çuar në Fier, ku ishin marrë nën përkujdesjen e nënkolonelit Veith. Të dyja objektet ishin katalogizuar nga Patsch dhe Praschniker dhe ruheshin të sigurta në Fier. Lidhur me transportimin, inventarizimin dhe sigurinë e antikave dhe objekteve të artit të manastirit të Pojanit, komanda e 47-të kishte marrë masa dhe kishte njoftuar komandën e rrethit që të gjitha objektet duhej të dërgoheshin në Berat, ku duhej të merreshin përsipër dhe të siguroheshin me mirëkuptimin e mitropolitit Zacharias. Meqë këto objekte nuk kishin mbërritur ende në Berat, po bëheshin kërkime mbi vendndodhjen e tyre, rezultati i të cilave do të njoftohej. Në fund të raportit, sërish bëhej fjalë për një muze shqiptar, i cili duhej ndërtuar: “Për t’i siguruar të gjitha këto monumente të artit dhe objekte nga rrëmbimi dhe dëmtimi, do të ishte e udhës të ndërtohej një muze provizor në brendësi të vendit. Meqë Berati gjendet tepër afër  frontit dhe derisa nuk është projektuar një Muze Kombëtar në Shkodër, për momentin në konsideratë mund të merrej Peqini në Shqipërinë e Jugut, sepse transporti deri atje mund të realizohej lehtë, me anën e hekurudhës. (Tirana për mungesë hekurudhe zor të merret në konsideratë. Kavaja është e ekspozuar tepër ndaj ndikimit armiqësor nga ana e detit.) Meqenëse transporti i shpeshtë i rrezikon veprat e artit, dërgimi i tyre në një Muze Kombëtar, i cili duhet ngritur në Shkodër, do të ishte zgjidhja më e mirë. Për këtë arsye një gjë e tillë do të kërkohet me shkresë, megjithëse shqiptarët jugorë ndoshta nuk do ta përshëndesin. Vetëm monumentet fetare, të cilat ruhen me siguri në shtëpitë e Zotit, mund të liheshin në Shqipërinë e Jugut.”[29]

Të gjitha këto raportet e komandave nga Durrësi, Tirana dhe Berati të përgatitura në kapërcyell të viteve 1917/1918 kishin të përbashkët faktin, se nga njëra anë përmendnin në unison planin e nisur nga Kral për themelimin e një muzeu shqiptar, ndërsa nga ana tjetër nuk i krijonin asnjë hapësirë planit të favorizuar deri atëherë nga Ballhausplatz për çuarjen e monumenteve të zbuluara në Shqipëri në Muzeun Kombëtar të Sarajevës. Qysh në fund të shkurtit 1918 u arrit të dërgohej në Durrës një koleksion pikturash dhe mbishkrimesh antike, pjesërisht me shumë vlera, për të krijuar bazën e një muzeu shqiptar të antikitetit. Por, në udhëzimin e Ministrisë së Luftës, më 11 mars 1918 drejtuar komandës së korpusit në Shkodër lidhur me gjetjen e objekteve të artit të zhdukura në Shqipëri nuk bëhej fjalë as për njërën, as për tjetrën alternativë. Sipas tij: “Në shtojcë dërgohet një regjistër i objekteve të artit, të cilat nuk gjenden më në zonën e brigadës malore austro-hungareze, megjithëse janë konstatuar më parë atje, me kërkesë që këto objekte arti të sigurohen sipas mundësive … Ministria e Luftës kërkon të bëhen kërkime të hollësishme në këtë drejtim, për të vënë në udhë sigurimin e këtyre objekteve të artit, të cilat paraqesin vlera të paçmueshme për shoqërinë.”[30]

Në një letër drejtuar komandës së korpusit lidhur me çështjen e sigurisë dhe të vlerësimit shkencor të monumenteve antike shqiptare, Veith tërhoqi vëmendjen se deri atëherë 70 objekte ishin siguruar nga ai dhe Praschniker, të cilat gjendeshin në ruajtje nga ana e komandës së atjeshme të stacionit në Durrës.[31] Lidhur me fatin e tyre të mëtejshëm Veith theksoi se vlera e këtyre objekteve nuk ishte vetëm specifikisht artistike, por në një shkallë shumë më të lartë, ajo ishte një vlerë kulturo-historike. Në radhë të parë, ato vinin në konsideratë si dokumente të kronologjisë dhe topografisë historike, e më tej si dokumente për historinë e artit dhe zanatit. Andaj vlerësimi i tyre në këtë kuptim, kërkonte një analizë të hollësishme shkencore. Sipas Veith-it ishte shumë e pasigurt nëse kjo punë mund të kryhej në Shqipëri ose nëse shteti shqiptar i pavarur do të ishte në gjendje ta bënte këtë punë. Pas luftës, Shqipëria do të duhej t-i përdorte mjetet e pakta financiare që kishte në dispozicion, për punë më urgjente sesa për ndërtimin e muzeve dhe angazhimin e specialistëve shkencorë. Por depozitimi shumëvjeçar provizor, siç parashikohej në këto kushte, jo vetëm ia hiqte këto objekte trajtimit të dëshiruar shkencor, por edhe mbante në vetvete rrezikun e rrëmbimit ose shkapërderdhjes së përsëritur jashtë shtetit, meqë gati askush nuk do të kujdesej për to për interes personal.

Duke iu referuar çështjes së paritetit[32], Veith mbajti një fjalë të nxitur nga argumente politike dhe shkencore për Muzeun Kombëtar dhe Institutin e Ballkanit në Sarajevë si dhe për mikun e tij Patsch: “Vlerësimi i menjëhershëm dhe i shterueshëm mund të kryhet vetëm në një institut shkencor të pajisur në çdo drejtim për këtë punë. Në qoftë se propozimi im synon që objektet të dërgohen për këtë qëllim në Muzeun Kombëtar, respektivisht në Institutin e Ballkanit të lidhur ngushtë me të në Sarajevë, atëherë kjo ndodh për arsye politike edhe shkencore.

  1. Në rrethanat e njohura përkatës, dërgimi i tyre në një institut austriak ose hungarez do të provokonte vetëm çështjen e paritetit. Do të dilnin vështirësi, të cilat do të pengonin ndoshta gjithë aksionin, ose të bënin të nevojshme një ndarje të koleksionit, gjë që do të ndikonte përpunimin shkencor në mënyrë shumë të pafavorshme. Ndërsa institutet në Sarajevë si institucione të përbashkëta i mënjanojnë këto fërkime.
  2. Instituti i përmendur për hulumtimin e Ballkanit në Sarajevë është nën drejtimin e drejtpërdrejtë të themeluesit të tij dr. Patsch, nga i cili, në cilësinë e tij si shef i Departamentit për Art, Shkencë dhe Letërsi në qeverinë e Bosnjës dhe Hercegovinës, varet gjithashtu Muzeu Kombëtar. Ky dijetar është aktualisht pa dyshim njohësi i parë i arkeologjisë së Shqipërisë. Vepra e tij e botuar më 1904‚”Das Sandschak Berat in Albanien” është ende sot puna themelore në këtë fushë. Një pjesë e madhe e objekteve, kësaj radhe të siguruara, janë trajtuar tashmë prej tij. Prandaj, Patsch do të ishte specialisti më i aftë për kryerjen e kësaj pune.“[33]

Në një shtojcë të padatuar të letrës drejtuar Patsch-it më 15 mars, Veith u shpreh për depozitimin e përkohshëm të gjetjeve arkeologjike për qëllime studimore në Durrës, mbështetur në raportin që kapiteni Matolci i kishte drejtuar atij.[34] Në zonën e brigadës malore të 14-të, përkatësisht në gërmadhat në Apoloni dhe Bylis, ishin zbuluar gjetje të vlefshme arkeologjike, për grumbullimin dhe përcaktimin e të cilave që prej javëve gjendej në Fier arkeologu dhe togeri i rezervës Praschniker, që përkrahej efektshëm nga nënkoloneli Veith. Ky i fundit në interes të kërkimeve, propozoi grumbullimin e të gjitha gjetjeve arkeologjike të Shqipërisë në Durrës, ku ato duheshin depozituar dhe studiuar nga Instituti i Ballkanit deri në ngritjen e një muzeu në Shqipëri. Letra përfundonte me një lavdërim tjetër për Patsch-in si vijon: “Drejtori i Institutit të Ballkanit Dr. Patsch është aktualisht hulumtuesi më i rëndësishëm i Ballkanit. Prandaj ai është garanti që shkenca do të përfitojë vërtet nga ky koleksion. Ai do t’i drejtohet së shpejti Shtatmadhorisë me lutjen që të marrë lejen për organizimin e hulumtimit shkencor në Shqipëri … Shtatmadhoria synon të miratojë lutjen e Patsch-it.”[35] Veith pra, i cili parimisht sikurse Kral dhe Patsch ishte edhe për ngritjen e një Muzeu Kombëtar shqiptar, për shkak të vlerësimeve të tij pesimiste për Shqipërinë e ardhshme, ndërhyri për një transferim provizor të monumenteve në Muzeun Kombëtar të Sarajevës, ose të paktën për depozitimin provizor të tyre në Durrës për qëllime studimore nga ana e Institutit të Ballkanit.

Në letrën dërguar Patsch-it në fillim të qershorit 1918 nga Shqipëria, duke marrë parasysh situatën e ndryshuar të luftës në vend, Praschniker devijoi nga ideja fillestare për ndërtimin e një Muzeu Kombëtar shqiptar dhe favorizoi tanimë idenë e dërgimit të objekteve antike për në Sarajevë.[36] Sipas tij, Vjena kishte nisur një aksion për transportimin e një ngarkese, të përzgjedhur me pjesët më të mira të objekteve arkeologjike shqiptare, për në Austri. Ai ishte i mendimit se, brenda mundësive, gjithçka e gjetur në tokën shqiptare, nuk duhej të copëzohej, por të ruhej e bashkuar. Ai kishte menduar gjithmonë vetë për Shqipërinë, por tashmë kishte arritur në përfundimin se një gjë e tillë, në rrethanat e momentit dhe në të ardhmen e afërt, ishte e pamundur. Në këtë situata, nuk kishte aspak siguri për pjesët e dërguara në Durrës. Pa dashur të kundërshtonte qëndrimin e institutit të tij, Praschniker përshëndeste planin me Sarajevën, duke e konsideruar atë si shumë të mirë. Kushti i vetëm për të ishte që Muzeu Kombëtar aty të bëhej strehë për të gjitha objektet e grumbulluara prej tij. Me këtë rast togeri nuk e kurseu më kritikën ndaj eprorëve të tij ushtarakë, të cilët, megjithëse e kishin urdhëruar të bënte punën e specialistit në Shqipëri, nuk e kishin konsideruar të rëndësishëm mendimin e tij në këtë çështje.[37]

Praschniker u detyrua t’i ndërpriste punimet e tij, për shkak të ofensivës armike në fillim të korrikut 1918. Në letrën e tij drejtuar Patsch-it më 21 tetor 1918 nga Vjena, ai raportoi plot zhgënjim mbi fundin e pasuksesshëm të punës së tij të mundimshme. Njëkohësisht iu drejtua drejtorit të Institutit të Ballkanit në Sarajevë me një lutje konkrete për shpëtimin e një ekzemplari të shkëlqyer antik, siç konsiderohej prej tij koka në mermer e një djaloshi: “Po e shkruaj këtë letër në nxitim të madh. Zhvillimi i fundit në Shqipëri e ka shkatërruar suksesin e veprimtarisë sime, grumbullimin e antikave. Vërtet nuk kam asnjë lajm nëse antikat e depozituara nga unë në Durrës janë shpëtuar apo jo, por kam frikë se kjo fatkeqësisht nuk ka ndodhur dhe, ne duhet të heqim dorë prej tyre. Në korrik, kur Durrësi ishte bërë tepër e pasigurt, unë kam marrë me vete arbitrarisht në Shkodër ekzemplarin më të bukur që ne njohim në përgjithësi në Shqipëri, një kokë të mrekullueshme djaloshi, në madhësi reale, prej mermeri, origjinal të shekullit të katërt, dhe e kam depozituar pikërisht në zyrën e drejtorisë së administratës së etapës të  komandës së korpusit të 19-të. Drejtuesi i zyrës e ka marrë përsipër arkën me kokën brenda. Prej këtu unë nuk mund të ndërmarr asgjë që mund të sjellë një sukses të shpejtë – dhe një i tillë është i domosdoshëm. Kam frikë, me të drejtë, se koka do të zhduket në rrëmujën e tërheqjes, qoftë se dikush e vjedh, qoftë se ajo thjesht flaket tutje. Prandaj, unë ju lutem, sepse ju njiheni nga komanda e korpusit, të ndërhyni sa me shpejt në këtë çështje dhe të ndihmoni që koka të transportohet, mundësisht në Sarajevë. Më vjen shumë keq që në korrik nuk e kam çuar vetë në mënyrë arbitrare menjëherë në Sarajevë. Mjerisht i kam respektuar tepër shumë urdhrat, për të cilën gjë pendohem tani shumë. Do të gëzohesha pa masë, në qoftë se dëgjoja për një ndërhyrje të suksesshme nga ana juaj.”[38]

Në këtë situatë, disfata e Austro-Hungarisë në Luftën e Parë Botërore diktoi njëkohësisht edhe dështimin e të dyja planeve konkurruese për fatin e monumenteve antike shqiptare. Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ideja fillestare e Kral-it u rimor në konsideratë nga qeveria shqiptare, e cila më 1922 ngarkoi Patsch-in me punën organizative për themelimin e një Muzeu Kombëtar shqiptar. Fatkeqësisht, për shkak të trazirave politike të brendshme në vend, puna e tij mbeti veçse në fazën planifikuese.[39]

 

 

[1] Ky punim është realizuar mbështetur në rezultatet e projektit “Albanologjia austro-hungareze 1867–1918 – një rast i imperializmit kulturor?”, kryer në vitet 2014–2017 në Institutin e Historisë, dega e Historisë dhe Antropologjisë së Europës Juglindore, të Universitetit të Gracit, Austrian Science Fund (FWF), project nr. P26437–G15.

[2] Shih Helmut Schwanke, Zur Geschichte der österreichisch–ungarischen Militärverwaltung in Albanien (1916–1918), Wien: Dissertation, 1982.

[3] Shih Kurt Gostentschnigg, “August Ritter von Kral. Aktori kryesor i Austro-Hungarisë në trojet shqiptare”, në Studime historike, nr. 3-4, 2016, Tiranë: 2017, f. 64–67.

  • [4] Shih Marvin Benjamin Fried, Austro–Hungarian War Aims in the Balkans during World War I, Basingstoke, New York: Palgrave Macmillan, 2014, f. 161–167 si dhe Ledia Dushku, “Shqiptarët përballë ushtarakëve dhe diplomatëve austro–hungarezë (1914–1916)”, në Studime historike, nr. 3-4, 2016, Tiranë: 2017, f. 73–90.

[5] Shih Ledia Dushku, “Shqiptarët përballë ushtarakëve dhe diplomatëve austro–hungarezë (1914–1916)”, në Studime historike, nr. 3-4, 2016, Tiranë: 2017, f. 73–90 si dhe Syrja Vlora, Kujtime. Nga fundi i sundimit osman në luftën e Vlorës, përgatitur për botim nga Marenglen Verli dhe Ledia Dushku, Tirana: Iceberg, 2013, f. 156–164.

[6] S. Vlora, Kujtime…, f. 161.

[7] Haus-, Hof- und Staatsarchiv Wien (më tej: HHStA), Ministerium des Äußeren (më tej: MdÄ), AR, F 74/3, Nr. 67433/8, raport i Praschniker-it nga Ministria e Kultit dhe Arsimit dërguar MdÄ-s, 12.7.1917.

[8] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 187, 2.3.1918, Raport i Hofrat C. Patsch më 16.12.1917 lidhur me udhëtimin studimor të tij në Shqipëri në vjeshtë 1917.

[9] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 309, 8.4.1918, Raport politik i Kral-it drejtuar ministrit të Jashtëm Czernin, 23.3.1918.

[10]Po aty.

[11] Camillo Praschniker, Muzakhia und Malakastra. Archäologische Untersuchungen in Mittelalbanien, Wien: Hölder, 1920, Vorwort, Sp. (= Spalte, shqip shtyllë) 7 v..

[12] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 187, 2.3.1918, Shkresë e MdÄ drejtuar Kral-it në Shkodër, 22.2.1918.

[13] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 309, 8.4.1918, Raport politik i Kral-it drejtuar ministrit të Jashtëm Czernin, 23.3.1918.

[14] Po aty.

[15] Po aty.

[16] Po aty.

[17] Po aty.

[18] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 318, Shkresë e Kral-it drejtuar ministrit të Jashtëm Czernin, 18.4.1918.

[19] Gjerm. „Etappenstationskommando“.

[20] Po aty.

[21] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Präs. Nr. 309, MdÄ drejtuar Kral-it në Shkodër lidhur me fillimet e një Muzeu Kombëtar shqiptar dhe caktimin permanent të një arkeologu të ri për Shqipërinë, 8.4.1918; Urdhër e komandës së korpusit Nr. 278, 7.12.1917, Pika 12, lidhur me rrëmbimin e antikave dhe monumenteve të artit si dhe me marrjen e masave të sigurisë.

[22] Po aty.

[23] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Raport „Antikat në Shqipëri. Rrëmbimi dhe mbrojtja e tyre“, prill 1918; Njoftim i komandës së stacionit të etapës në Durrës, 11.12.1917, E. V. Nr. 832/I.

[24] Po aty.

[25] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Raport „Antikat në Shqipëri. Rrëmbimi dhe mbrojtja e tyre“, prill 1918; Njoftim i komandës së stacionit të etapës në Durrës, 14.12.1917, E. V. Nr. 1189.

[26] Po aty.

[27] Nuk ka të dhëna biografike rreth kapitenit Buchberger, i cili nuk mund të jetë i njëjti person me diplomatin austro-hungarez Carl Buchberger, që në atë kohë ka qenë me shërbim në Berlin.

[28] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Raport “Antikat në Shqipëri. Rrëmbimi dhe mbrojtja e tyre”, prill 1918; Raport i komandës së rrethit në Berat, 8.1.1918, E. V. Nr. 50/2, drejtuar komandës së korpusit të 19-të mbi rrëmbimin dhe mbrojtjen e antikave.

[29] Po aty.

[30] HHStA, Konsulatsarchiv Skutari, K 21–4 Forschungsreisen: Raport “Antikat në Shqipëri. Rrëmbimi dhe mbrojtja e tyre”, prill 1918; Ministria e Luftës drejtuar komandës së korpusit të 19-të, 11.3.1918, O.A. Nr. 6738/IV, lidhur me sigurimin e objekteve të artit, të zhdukura në Shqipëri.

[31] Bayerisches Hauptstaatsarchiv (më tej: BHStA), Bestand des Südost–Instituts (më tej: BSOI), Nachlass Patsch, K 6, AE 284: Letrat e Georg Veith-it drejtuar Carl Patsch-it 1910–1918, letra më 15.3.1918, shtojca 2 = Shkrimi i Veith-it drejtuar komandës së korpusit të 19-të më 25.2.1918, ad Depesche (mesazh i shpejtë) Nr. 3240 më 22.2.1918.

[32] Punësimi i zyrtarëve të ministrive dhe institucioneve të përbashkëta bëhej në bazë të parimit të paritetit\barazisë nacional midis Austrisë dhe Hungarisë.

[33] Po aty.

[34] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 6, AE 284: Letrat e Georg Veith-it drejtuar Carl Patsch-it 1910–1918. Shih letrën e datës 15.3.1918, shtojcë pa datë 1.

[35] Po aty.

[36] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 5, AE 278: Letrat e Praschniker-it drejtuar Carl Patsch-it 1913 dhe 1918. Shih letrën dërguar nga Shqipëria, më 6.6.1918.

[37] Po aty.

[38] BHStA, BSOI, Nachlass Patsch, K 5, AE 278: Letrat e Praschniker-it drejtuar Carl Patsch-it 1913 dhe 1918. Shih letrën dërguar nga Vjena, më 21.10.1918.

[39] Mbi këtë shih: Nathalie Clayer, “Carl Patsch et le Musée national de Tirana (1922-1925)“, në: Revue germanique internationale, 16, CRNS Editions: 2012, f. 91-104.