Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë reagon pas deklaratës së presidentit serb se “Kosova është pjesë e Serbisë”

 

KUNDËR RETORIKËS SË URREJTJES DHE KËRCËNIMIT TË PAQES NË BALLKAN NGA PRESIDENTI SERB ALEKSANDËR VUÇIÇ

 

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë shpreh shqetësimin e saj të thellë për deklaratat e fundit të Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiç, i cili, në ceremoninë e promovimit të oficerëve të rinj të Forcave të Armatosura Serbe, deklaroi se “Kosova është pjesë e Serbisë”, duke e shoqëruar këtë pretendim me njoftime për fuqizimin e mëtejshëm të potencialit ushtarak të vendit të tij. Po aq alarmuese janë edhe deklaratat e ministres serbe Snežana Paunović, e cila shprehu publikisht mbështetje për konceptin e spastrimit etnik të shqiptarëve të Kosovës, një gjuhë që është dënuar me të drejtë edhe nga Bashkimi Evropian si e papranueshme dhe në kundërshtim me vlerat themelore të qytetërimit evropian.

Ne reagojmë jo si aktorë politikë, por si përfaqësues të ndërgjegjes kulturore të kombit shqiptar. Historia ka dëshmuar se luftërat nuk fillojnë me armët; ato fillojnë me fjalët. Ato lindin nga manipulimi i historisë, nga mohimi i së vërtetës dhe nga shndërrimi i miteve nacionaliste në doktrina shtetërore. Për këtë arsye, intelektualët nuk kanë të drejtë të heshtin kur gjuha politike fillon të rrëshqasë drejt revizionizmit historik dhe legjitimimit të konflikteve të reja.

Pretendimi i Presidentit të Serbisë se Kosova është pjesë e Serbisë përbën një shtrembërim të së vërtetës historike dhe një mohim të realitetit juridik ndërkombëtar. Kosova nuk ka qenë kurrë pjesë e e shtetit serb, ndërsa që nga lashtësia ka qenë një nga trevat qendrore të qytetërimit iliro-arbëror dhe shqiptar. Ndarja e saj nga shteti shqiptar nuk ishte rezultat i vullnetit të popullsisë autoktone shqiptare, por pasojë e vendimeve të Fuqive të Mëdha, veçanërisht e Konferencës së Ambasadorëve në Londër (1913), e cila, për arsye që dihen la jashtë kufijve të Shqipërisë  pjesën më të madhe të territoreve shqiptare.

Pohimi se “Kosova është pjesë e Serbisë” nuk përbën vetëm një deklaratë politike për konsum të brendshëm, e nxitur nga dështimet e Vuçiçit, frustrimet nga protestat e gjata kundër pushtetit të tij dhe ethet e zgjedhjeve të vjeshtës në këtë vend. Ajo është një mohim i realiteteve juridike, historike dhe ndërkombëtare të krijuara pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë.

Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran që nga 17 shkurti 2008. Opinioni Këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë i vitit 2010 konstatoi se Shpallja e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Ky është një fakt juridik me rëndësi themelore në arkitekturën bashkëkohore të së drejtës ndërkombëtare, i cili nuk mund të zëvendësohet nga deklarata politike apo interpretime të njëanshme kushtetuese.

Po aq i padiskutueshëm është edhe dimensioni historik. Kosova përfaqëson zemrën e Dardanisë antike, një nga hapësirat më të rëndësishme të qytetërimit ilir në Ballkan. Kur fiset sllave filluan të vendoseshin në Gadishullin Ballkanik gjatë shekujve VI–VII, qytetërimi iliro-dardan kishte tashmë një vazhdimësi shumë shekullore, me organizim politik, kulturë urbane, traditë juridike dhe jetë kishtare të konsoliduar. Pikërisht nga Dardania kanë dalë figura të shquara të qytetërimit evropian, ndër ta edhe perandorë romakë si Konstantini i Madh dhe Justiniani i Madh, si dhe personalitete të rëndësishme të krishterimit të hershëm.

Historia nuk mund të përdoret si instrument propagande. Ajo është disiplinë shkencore dhe kërkon argumente, burime dhe metodologji. Pretendimet territoriale të shekullit XXI nuk mund të mbështeten mbi mite politike të shekujve të kaluar.

Është po ashtu e domosdoshme të kujtohet se kufijtë politikë të Ballkanit nuk janë rezultat i një vazhdimësie historike lineare, por produkt i proceseve komplekse ndërkombëtare. Pas Luftërave Ballkanike të viteve 1912–1913, më shumë se gjysma e territoreve etnike shqiptare mbetën jashtë shtetit shqiptar të sapokrijuar si pasojë e vendimeve të Fuqive të Mëdha. Ky është një fakt i njohur në historiografinë evropiane dhe duhet të shërbejë si kujtesë për domosdoshmërinë e ruajtjes së paqes në rajonin e Ballkanit.

Shqetësimi ynë bëhet edhe më i madh kur deklarata të tilla shoqërohen me retorikë militarizuese dhe me një proces të intensifikuar armatimi. Asnjë shtet nuk mund të qortohet për forcimin e kapaciteteve të veta mbrojtëse, por kur kjo shoqërohet me pretendime territoriale ndaj një shteti fqinj, mesazhi politik fiton një kuptim krejt tjetër. Historia evropiane e shekullit XX  dhe luftërat shfarosëse të nxitura nga Serbia në vitet 1990  në ish-Jugosllavi, na mësojnë se nacionalizmi agresiv, revizionizmi historik dhe militarizimi i diskursit publik kanë qenë paraprirësit më të rrezikshëm të konflikteve.

Ne nuk mund të harrojmë se në fund të viteve tetëdhjetë dhe në fillim të viteve nëntëdhjetë ishin pikërisht shkrimtarët, studiuesit dhe intelektualët shqiptarë të Kosovës ata që paralajmëruan se politika e Serbisë së Madhe do ta çonte ish-Jugosllavinë drejt tragjedisë. Paralajmërimet e tyre nuk u dëgjuan me seriozitetin e duhur. Pasojat janë të njohura: luftëra shkatërrimtare, qindra mijëra viktima, miliona njerëz të zhvendosur dhe plagë që vazhdojnë të rëndojnë ndërgjegjen e Evropës.

Prandaj, çdo rikthim i gjuhës së viteve nëntëdhjetë duhet të konsiderohet një sinjal alarmi.

Veçanërisht të papranueshme janë deklaratat që relativizojnë ose justifikojnë spastrimin etnik. Krimet kundër njerëzimit nuk mund të bëhen objekt nostalgjie politike. Ato nuk mund të relativizohen dhe as të paraqiten si alternativa legjitime të veprimit shtetëror. Një retorikë e tillë cenon drejtpërdrejt dinjitetin njerëzor, kujtimin e viktimave dhe themelet morale mbi të cilat është ndërtuar Evropa e pas Luftës së Dytë Botërore.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë u bën thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s, Këshillit të Evropës, Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe të gjitha institucioneve demokratike ndërkombëtare që të mbajnë një qëndrim të qartë dhe të vendosur kundër çdo retorike që cenon sovranitetin e shteteve, nxit urrejtjen etnike ose krijon klimë pasigurie në Ballkan.

Procesi i integrimit evropian nuk mund të jetë i shkëputur nga përgjegjësia historike. Serbia, ende pa marrë përgjegjësinë për gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirat etnike shqiptare të ish-Jugosllavisë, ka nisur sërish një retorikë që rikthen kujtesën e politikave të dhunës, agresionit dhe spastrimit etnik.

Çdo shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të dëshmojë jo vetëm përmbushjen e kritereve teknike, por edhe pranimin e plotë të kulturës demokratike, të së drejtës ndërkombëtare, të pajtimit dhe të respektit për fqinjësinë e mirë.

Retorika serbe që mohon shtetësinë e një vendi fqinj ose rehabiliton koncepte të lidhura me spastrimin etnik bie ndesh me vetë frymën e projektit evropian.

Shkrimtarët dhe artistët nuk shkruajnë histori për të ndezur urrejtje, por për të mbrojtur kujtesën. Ata nuk mbrojnë kufij me armë, por mbrojnë qytetërimin me fjalë. Pikërisht për këtë arsye, ne e konsiderojmë detyrim moral të ngremë zërin përpara se historia të përsëritet.

Serbia, e cila ende nuk ka pranuar përgjegjësinë historike, politike dhe morale për krimet e rënda dhe gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe në hapësirat etnike shqiptare të ish-Jugosllavisë, spastrimit etnik dhe krimet e kryera ndaj kroatëve, boshnjakëve dhe shqiptarëve gjatë luftërave të viteve 1991–1999, po rikthen një retorikë revanshiste që evokon politikat e dhunës, agresionit shtetëror dhe spastrimit etnik.

Ballkani nuk ka nevojë për mite të reja lufte. Ai ka nevojë për një kulturë paqeje, për dialog, për respekt reciprok dhe për pranimin e së vërtetës historike.

Vetëm mbi këto themele mund të ndërtohet një e ardhme evropiane për të gjithë popujt e rajonit. Shqiptarët do të jenë bashkë në përgjigje të  çdo sfide dhe agresioni ngado që të vijnë.

LIDHJA E SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË

Dr. Mujë Buçpapaj

KRYETAR