MAGJI
Ti je magji…
Përqark peme,
Cdo degëz e veçantë
Do të thotë “depërtim,”
Në rrathët magjikë,
Mbi bisqet majuce,
Dielli shkëlqen me rrezëllim.
Ti je magji…
Me zemër të dehur,
Me qafên e butë si mjelmë,
Mbështjellur me bukuri,
Valëvitesh si një sirenë
Mes hapësirave,
Mbyllesh në vetvete si një fshikëz,
Ku vlojnë ëndrrat përvëluese…
Ti je magji…
E kthjellët mes muzgjeve,
Mëngjeset kthehen në përjetësi,
Cdo gjë është e kaltër…
Rrezet krehin kurmin tënd,
Magji…!
Ti je magji,
Toka nën këmbët e tua frymon,
Era si harpë me tela fillon akordohet,
Një këngë zgjon,
Këngën e shqetësuar,
Ndërsa ti…
Ti ecën,
Troket fluturimthi,
E shenjtëruar.
Ti je magji…
Me emrin në cepin e buzës tënde,
Me gjëmimin e betejës në shpirtin tënd,
Me psherëtimat…
NËN AKULL, DY FLAKË
Në akull zemre zbathur shkova,
Një lastar shprese kërkova.
Mes mjegulle e malli ftohtë,
Pashë lumturinë që qante lot.
Emrin tënd e thirra lehtë,
M’u kthye zë i thyer, i shkretë.
Çdo hap dhimbje më dhuronte,
Por zemra prapë s’u dorëzonte.
Nën akull dritë pashë fshehur,
Një zjarr i vogël më shpërtheu.
Me frymë ngroha çdo kristal,
Që dashuria të bëhej valë.
Nëse shkrin ky dimër i gjatë,
E çel lastari në çdo shtrat,
Do jem aty, pa fjalë, pa zë,
Veç me zemër… të dy flakë.
LUTJE PËR TOKËN QË MË LINDI
O nënë e heshtur,
ti që më mësove të ec pa më folur,
më mbajte në kraharor përpara se ta njihja botën
dhe më mësove emrin tim përpara se ta shqiptoja,
si mund të të harroj?
Vendlindja ime je ti-
jo si tokë, por si zemër që rreh nën këmbët e mia.
Në çdo hap ndiej frymën tënde,
në çdo erë dëgjoj zërin tënd,
dhe kur mbyll sytë, më përqafon aroma jote
si duar nëne që nuk plaken kurrë.
Më fale librat si dritë,
por më more pafajësinë si çmim.
Më mësove të shoh larg,
por zemrën ma lidhe fort pas teje.
Çdo dije ishte një largim i vogël,
çdo largim një mall që më rrite në shpirt.
Jeta më mori pa të pyetur,
siç merren bijtë nga shtëpia herët.
Më hodhi në rrugë të huaja,
më mësoi të jem e fortë,
por në çdo rënie,
unë thirra emrin tënd si lutje.
Sot jam larg,
por rrënjët e mia pijnë ende nga gjiri yt.
Jam rritur, por zemra ime kthehet fëmijë
sa herë të përmend.
Ti je atdheu im i gjallë,
nëna që nuk më qorton për largimin,
por më pret si të mos kisha ikur kurrë.
Nëse një ditë lodhem nga bota,
më hap gjirin tënd prej dheu,
më mbulo me heshtjen tënde të shenjtë
dhe më lejo të pushoj,
sepse askund nuk jam më e sigurt
se në dashurinë tënde pa kushte.
EKZALTIM
Ja, muzgu ra atje mes gjelbërimit pafund,
Lulet shumëngjyrëshe me ty binjakëzohen,
Nga mali vjen era dhe flokët t’i tund,
Vështrimet e ëmbla nuk të largohen.
Të vështroj herë tinzërisht e herë përballë,
Përpiqem, aromën tënde nga larg ta ndjej,
Por ti veç ngre qerpikët e bukur ngadalë,
Ah, mos e fshih shikimin e bukur, hedhur tej.
Dhe më bëhet se mbi ty derdhen ujëra të kristalta,
Nga burimet e krojeve që i ke lënë pas,
Si një shtajzovalle shpërndan drita të arta,
Unë veç me vështrime të ndjek nga pas.
Dhe ulem… endem me mendjen time të marrë,
S’di ç’të bëj teksa mes lëndinës të shoh,
Filloj grindem me veten si kurrë më parë,
Dua të jem aty… dhe shpirtin ta ngroh…
KUR DIGJET LARGËSIA
Kur nata bie rëndë mbi sytë e mi,
heshtja më zhvesh nga durimi;
largësia digjet si plagë e hapur,
por zemra s’njeh kufij —
ajo vrapon drejt teje, pa frikë.
Trupi im fle nën një qiell të huaj,
nën një dritë që s’di emrin tënd,
por shpirti të kërkon me etje,
udhëton pa frymë, pa pushim,
sepse dashuria njeh vetëm një drejtim…
Kur malli shpërthen,
të ndiej thellë në gjakun tim,
si zjarr që s’ka nevojë për flakë,
si dorë që më mban edhe në mungesë,
si zë i brendshëm që më ndalon të dorëzohem.
Dashuria nuk jeton në vende;
ajo ngrihet në mish e në shpirt,
më merr frymën sa herë mungon
dhe më mban gjallë
vetëm me shqiptimin e emrit tënd.
Largësia është veç një provë e ashpër,
një mur që e rrëzojmë me durim e dëshirë;
ajo ndan trupat, jo betimin,
sepse ne jemi rrugë
që kthehen gjithmonë te njëra-tjetra.
Dhe kur koha të thyhet më në fund,
zemrat tona do të përplasen sërish,
jo të lodhura, por më të etura,
sepse ata që digjen vërtet për njëri-tjetrin
nuk humbin kurrë —
ata dinë të presin.
NJË VARG
Një zë, një fllad më vjen nga larg,
Puhizë e ëmbël sonte më ndjell,
Marr penën që të hedh një varg,
Ky varg i rrallë përjetë do ngelë.
Një varg si rreze që më afrohet,
E hedh të nxehtë përmbi fletë,
Fleta me petale zbukurohet,
Një varg shkrepëtime që zbret nga retë.
Dhe pushon ëmbël vargu mbi fletë,
Kjo fletë si një fushë lulëzon,
Ky varg si një rrëke shiu rrëshket,
Një varg që ëndrra të bukura zgjon.
E marr k’të varg të dëshiruar,
E ngre në qiellin e paanë,
Ky varg, oh, sa më kish munguar,
Ky varg si urë mes nesh më ngjan…
KËMISHA E BUZËQESHJES TĒNDE
Këtë mbrëmje
vesha këmishën e buzëqeshjes tēnde.
Jo çdo “e dashur” di
të qepë trille kaq të brishta mbi një zemër.
Ajo u shqep ngadalë
dhe prej saj doli trupi im,
i fshehur aty brenda prej kohësh,
si një mendim që kërkon të bëhet frymë.
Ti nuk më bëre dot të qesh
sado u përpoqe këtë mbrëmje;
kurrë s’kisha veshur një këmishë kaq të rëndë,
as një heshtje kaq të thellë sa e jotja.
Sepse dashuria, ndoshta,
është vetëm një mënyrë për t’u zbuluar
para shpirtit të tjetrit,
pa frikë nga nata që na rrethon.
Dhe në errësirën që mbeti mes nesh
pashë një dritë të vogël në sytë e tu;
e vesha sërish buzëqeshjen tënde mbi lëkurë,
si një përqafim që më mëson çdo natë të rilind.
DRITA JOTE
Më mbushet zemra kur të shoh,
Ndërsa mendimet më spërkaten nga drita,
M’u krijua djegja… shpirti m’u ngroh,
Asgjëja ra në agoni, gjersa të prita.
Një furtunë e çmendur drite u shfaq në çast,
Nga mungesa jote shpirti më përvëlohet,
Është një etje mëkatesh
që më rri ngjat,
Një etje prej të marreje, që s’më largohet.
Ndërsa drita përbrenda fillon e me mbush,
Në zemër kurorën shumëngjyrëshe mbjell,
Kurorën që gjer sot s’ta ka dhuruar askush,
Porsi shtajzovalle magji tek Ti përcjell.
C’është kjo dritë sysh që më ekzalton?
Teksa përpiqem të fle, përbrenda trazohem,
Ti me dritën tënde edhe errësirën shpon,
Përmes lumturisë, në imagjinata harrohem…
PUTHJA
Një puthje e lehtë si era e hënës mbi det të qetë,
rrjedh si dritë e argjendtë që ngjitet mbi male yjore,
prek shpirtin pa zë, si një reflektim i qiellit në pasqyrën e kohës,
dhe zgjon ndjenja të fshehura si galaktika të harruara.
Në atë çast, koha shpërbëhet si rërë në duar,
bota shkrin në mjegull,
mbetet vetëm një vëzhgim i pafund i heshtjes,
që flet më thellë se çdo rrufe qiellore.
Është zjarr i brendshëm që nuk digjet,
një meteor që ndriçon heshtjen e shpirtit,
një kujtim që fluturon mbi lumenjtë e ëndrrave,
si aurora që pikturon qiellin me ngjyrat e pafund.
Në atë puthje gjej universin tim të fshehur,
ku zemra rreh në ritmin e galaksive,
një dashuri që s’njeh kufij,
por udhëton përtej hënave, yjeve dhe kohës,
dhe jeton si drit…


















