Marguerite Yourcenar: “Qumështi i vdekjes”, tregim ngas Marguerite Yourcenar. Përgatiti: Zija Vukaj

 

-tregimi për kështjellën e Rozafës-

            

“…Kur tre vëllezërit panë nga larg atë figurë të vogël, ende të vagëlluar, vrapuan drejt saj: dy të parët të shqetësuar në se dredhia e tyre kishte dalë me sukses apo jo, ndërsa i vogli, duke iu lutur Zotit. Më i madhi e ndaloi ofshamën dhe blasfeminë kur dalloi se nuk ishte zeshkania e tij; i dyti me zë të lartë falënderoi Zotin që ia ruajti vashën që i lante këmishët. I vogli ra në gjunjë, duke pushtuar këmbët e saj me krahët e tij, e duke i kërkuar të falur me rënkim. Pastaj u zvarrit drejt këmbëve të vëllezërve duke u kërkuar mëshirë për të. Më së fundi ai u ngrit. Metali i thikës i shkëlqente nën dritën e diellit. Një e goditur vareje në zverk e plasi vashën në cep të rrugës. E llahtarisur asaj i ra shporta nga dora dhe rreth ushqimeve të shpërndara andej- këndej u mblodhën qentë. Kur e kuptoi se ç’po ndodhte, ajo ngriti duart drejt qiellit: “Vëllezër që ju jam gjendur gjithnjë, vëllezër nga lidhja e martesës dhe bekimi i priftit. Mos më çoni drejt vdekjes. Çojini fjalë atit tim, prijësit malësor, që t’u sjellë një mijë shërbëtorë që mund t’i sakrifikoni këtu. Mos më vrisni. Unë e dua shumë jetën. Mos më ndani me gurë nga i dashuri im.

            Por papritmas ajo heshti, pasi vuri re burrin e saj të shtrirë në cep të rrugës, pa lëvizur qepallat, flokët e zinj të të cilit ishin njollosur nga gjaku dhe trutë e shpërndara. Atëherë, pa asnjë klithmë e lot ajo e la veten ta çonin drejt kamares së hapur në murin rrethues të kështjellës. Tashmë i kurseu lotët meqenëse po shkonte drejt vdekjes. Por në momentin kur i vunë tullën e parë para këmbëve të mbathura me sandale të kuqe, iu kujtua foshnjëza e saj që kishte zakon t’i brente me dhëmbë këpucët e tij, si një kone që luan nga kënaqësia. Lotë të nxehta i rrëshqitën përgjatë faqeve dhe u përzien me çimenton që mistria shtronte përmbi gurët. “O ju këmbët e mia, – tha ajo,- ju s’do të më çoni më në majë të kodrës që të mund t’i shfaqesha të dashurit tim. Ju s’do ta njihni më freskinë e ujit që rrjedh. Vetëm engjëjt do t’u lajnë mëngjesin e Krishtlindjes.”

            Tullat dhe gurët arritën deri tek gjunjët e mbuluar nga një fund i qëndisur. Ashtu drejt, në atë sfond të kamares, ajo kishte pamjen e Shën Mërisë, në këmbë, prapa altarit.”Lamtumirë gjunjët e mi të shtrenjtë, – tha nusja, ju s’do ta përkundni më foshnjën time, ulur nën pemët e kopshtit hijeplotë…”

*   *   *

Legjendën e Rozafës apo legjendën e murimit, populli shqiptar e futi në këngët e tij epike, këngë që u ngjizën nëpër vite, në shekuj, kënduar nga rapsodët popullorë, në veriun dhe jugun shqiptar, ku herë theksohet përkushtimi i nënës për fëmijën e herë pabesia e vëllezërve, e herë motivi patriotik i mbrojtjes së vendit. Kjo legjendë si shumë udhëtarë të huaj që përshkuan Shqipërinë, e mahniti dhe Margarite Yoursenarin (Margarite Crayencour) shkrimtaren dhe eseisten e njohur franceze, e cila e shkroi në mënyrën e vet këtë legjendë, që i kalon kufijtë shqiptarë e që këndohet nga shumë popuj ballkanikë, gjer larg në territoret aziatike.

Pas dhjetëra vitesh, më së fundi u botua dhe në Shqipëri një nga veprat e Yoursenarit Novela Orientale përkthyer nga Mira Meksi, ku gjendet dhe tregimi për këshjellën e Rozafës, Qumështi i vdekjes. Një vepër e zakonshme, jo madhore në krijimtarinë e saj të gjatë letrare. Zakonisht, përkthimet e autorëve në gjuhë të huaj nisin nga veprat e tyre më të mira, por shkaku i kësaj nisme për të prezantuar akademiken franceze në Shqipëri nuk ishte prezantimi i kulminacioneve të saj artistike si Kujtimet e HadrienitAleksiOpus Negrum, etj, por thjesht ai pikëtakim që kjo shkrimtare me origjinë belge pati me Ballkanin, në veçanti me Greqinë, sllavët dhe Shqipërinë. Mathie Galey duke folur për vëllimin Novela Orientale të botuar nga Gallimard, shkruan se ato janë “legjenda të kapura flurthi, fabula ose apologje, që përbëjne një ngrehinë më vete në veprën e Yoursenarit, një ngrehinë të çmuar, si një kishëz brenda një pallati të pafund”.

Më 1932-1939 jeta e Yoursenarit u lidh ngushtë me Greqinë, si jeta artistike ashtu dhe ajo intime. Ajo punon gjatë me studiuesin grek Kostandin Dimaras, mik i poetit të shquar Kavafi. Ballkani zbuloi tek ajo imazhe të papara, veçanërisht mitologjinë e saj të pasur, çka e frymëzoi atë në një sërë veprash të mëvonshme, vepra romaneske, ese apo përkthime. Pikërisht në këtë kohë ajo u njoh me André Embirikos, një intelektual grek që jetonte në Paris, komunist, erudit, poet surrealist dhe me njohje të gjera në rrethet intelektuale e artistike parisiane, bir i një armëtari grek, që zotëronte anije lundrimi në itineraret e Adriatikut dhe Egjeut. Sipas disa biografëve, Yoursenar dhe Embirikos kishin marëdhënie intime, çka i çoi në shumë udhëtime të përbashkëta, veçanërisht në Ballkan, nëpër detin Adriatik, në Jon e More. Novela Orientale i dedikohet pikërisht Embirikos. Yoursenari ka qëndruar në Eube dhe aty ka takuar shqiptarë, për të cilët nuk ka lënë ndonjë shënim. Por gjatë këtyre udhëtimeve, duke përshkruar Kotorrin, Raguzën, Shkodrën, ajo dëgjoi për legjendat mesjetare ballkanike që vazhdonin të jetonin mes këtyre popujve. Ajo u mahnit nga baladat e gjata epike nga eposi shqiptar apo ai i ngjashëm sllav që siç shkruan në tregimin Buzeqeshja e Markos, “poezia epike serbe nuk ua njeh meritat shqiptarëve”. Por legjenda e murimit ka tjetër ritëm nën penën e saj.

 *  *  *

            “Muri ngrihej edhe më lart, ndërsa e reja vazhdonte:

“Lamtumirë o duart e mia të vogla e të shtrenjta që vareni përgjatë trupit tim. Ju s’do të gatuani më e s’do ta tirrni më leshin e dhenve, s’do të pështilleni më rreth të dashurit tim. Lamtumirë o beli im, dhe ti o barku im që s’do ta njohësh më shtatzaninë e as dashurinë. O ju foshnja që do t’ju lindja një ditë, o vëllezër më të vegjël që mund t’i lija birit tim të vetëm; ju do të më bëni shoqëri në këtë burg që do të jetë dhe varri im, ku unë do të qëndroj në këmbë, syzgjuar, deri ditën e “Gjykimit të Fundit”.

            Muri i gurtë arriti tashmë gjoksin. Një drithërimë e përshkoi të renë që nga maja e kokës, ku sytë e saj lutës kishin të njëjtin imazh me duart e saj të shtrira përpara.”Kunetër, – u tha ajo,- jo për mua, por për vëllain tuaj të vdekur, mendoni për fëmijën tim dhe mos e lini të vdesë urije. Mos ma murosni gjoksin, gjinjtë nën këmishën time të qëndisur, m’i lini jashtë e çdo ditë ma sillni fëmijën, në mëngjes, në mesditë dhe kur të bjerë dielli.Gjersa të kem dhe fillin e fundit të jetës, jeta do të zbresë nga gjinjtë e mi për të ushqyer fëmijën, ndërsa ditën që s’do të kem më qumësht ai do të rrufisë shpirtin tim. Pranojeni këtë o vëllezër të këqinj, e në se ju ma bëni këtë, ditën që do të takohemi te Zoti, unë dhe im shoq i shtrenjtë nuk do t’u qortojmë.”

            Vëllezërit të trembur pranuan t’ia përmbushin këtë dëshirë të fundit dhe rregulluan një vend bosh prej dy tullash në lartësinë e gjinjve. Në çast nusja pëshpëriti:”Vëllezër të dashur, vërini tullat para gojës sime, sepse puthjet e të vdekurve i tmerrojnë të gjallët. Por më lini një të çarë para syve të mi që të mund të shoh në se biri im do të pijë qumësht apo jo.

Ata bënë siç u tha ajo dhe një e çarë horizontale u la në lartësinë e syve. Kur dielli perëndoi, në kohën që e ema kish zakon t’i jepte gji, fëmijën e sollën përgjatë rrugës së pluhurosur plot me kaçube ku kullsnin dhitë. Ajo e përshëndeti ardhjen e foshnjes me klithma gëzimi, duke i bekuar të dy vëllezërit. Qumështi vërshoi nga gjinjtë e saj të fortë e të nxehtë dhe kur fëmija fjeti i pështetur në gjoksin e saj, ajo këndoi me një zë që përshkonte lehtësisht trashesinë e tullave. Kur foshnja u shkëput nga gjinjtë e saj, ajo u tha ta çonin të flinte tek kasollja. Gjithë natën, kënga monotone që dëgjohej nën qiellin me yje, nanurisja përkundëse në largësi, bënin që foshnja të mos qante. Të nesërmen, ajo nuk këndoi më, por me një zë të mekur pyeti se si e kish kaluar natën Vania i saj…

 *  *   *

Megjithese nuk kemi ndonjë të dhënë që ajo të ketë qënë në Shkodër, duke shkruar për tregimin Qumështi i vdekjes, “se ajo është një histori e vjetër për të cilën flitet në Shkodër”, mund të besohet që ajo e ka vizituar këtë qytet,i cili në atë kohë kishte interes për udhëtarët e huaj. Ajo ç’ka e ka mahnitur Yoursenarin në këtë legjendë është përkushtimi i nënës për fëmijën, që merr permasa të jashtëzakonëshme. A thua ishte gjithashtu një përkushtim, që Jursenari, e ndarë që e vogël nga familja e saj, e shkëputur që në lindje nga nëna që kurrë nuk enjohu, kish nevojë ta shkruante këtë legjendë? “Ajo qe do të doja për nënë,- shkruan ajo përmes personazhit të këtij tregimi, – do të ishte një pasardhëse e vogël e legjendës shqiptare”. Jursenari e përjetoi gjatë këtë mungesë, që vërehet edhe në rradhët e kujtimeve të saj. Në librin Ana Soror, nëna e dy te rinjve humbet shpejt nga ethet… Kur shkruan tregimin Qumështi i vdekjes, ajo është 34 vjeç dhe e shkruan në frymëzim e sipër, nëpër Ballkan, ashtu siç shkroi librin Safo,diku në bordin e një anije të ankoruar në Bosfor.

Nëna e saj kishte vdekur dhjetë ditë pasi kishte lindur ajo, dhe njerka e mëvonshme donte ta kishte atë larg saj.Fotografitë e nënës së vdekur ajo i pa për herë të parë në moshën tridhjetepesëvjeçare. Ajo kurrë nuk u martua dhe asnjëherë nuk pati fëmijë, e megjithatë,nëpër rreshtat e këtij tregimi mund të kuptosh shumë më thellë botën e saj.Dihet që në atë kohë ajo iu përkushtua dhe miteve antike e më pas do të shkruajë për Elektrën, (Elektra apo rënia e maskave), Klitemnestren, Orestin, Edipin, apo minotaurin (Kush nuk e ka minotaurin e tij?).

Por gruaja e legjendës shqiptare nëpër shekuj e kish krijuar mitin e vet.

 *  *   *

            … Një ditë më pas ajo heshti, por merrte ende frymë, pasi nga frymëmarrja, gjinjtë,në mënyrë gati të padukshme uleshin dhe ngriheshin brenda atij kafazi. Disa ditë më vonë edhe zëri edhe fryma iu shuan, por gjinjtë e saj të palëvizur nuk kishin humbur asgjë nga ai burim i ëmbël dhe i bollshëm që rridhte, dhe fëmija që flinte midis gjinjve, ende priste zemrën e saj. Më pas, kjo zëmër që kishte rrahur aq kohë, pushoi. Sytë e saj plot shkëlqim u shuan si refleksi i yjeve në një çisternë pa ujë dhe përmes së çarës nuk dalloheshin veçse dy bebëza të xhamtë që nuk e shihnin më qiellin. Kokërdhokët e njomë u kishin lënë vendin dy gropëzave, në fund të të cilave dukej vdekja, por megjithatë gjoksi i saj mbeti i pareshtur dhe gjatë dy viteve, në agim, në mesditë dhe në perëndim të diellit, ku çurgu mrekullues rridhte gjersa fëmija e preu gjirin.

            Vetëm atëherë lëfyti nga rridhte u thërmua dhe në cep të murit me tulla mbeti veçse një e dalë prej hiri të bardhë. Për shekuj me radhë, gratë nëna vinin të mallëngjyera dhe ndiqnin me gisht përgjate tullave te kuqe atë vazhdë të qumështit mrekullues. Pastaj dhe kulla përreth u zhbë dhe pesha e kubesë nuk rëndoi më mbi skeletin e brishtë të asaj gruaje. Së fundi, dhe kockat e brishta u përhumbën dhe nuk mbeti gjë tjetër veç këtij plaku francez tashmë të ngujuar në këtë vapë ferri, që i dërdëllet të parit udhëtar që kalon këtë histori të denjë për të frymëzuar poetët, të cilët do të na shkaktonin po aq lotë sa dhe ato përAndromakën.

*   *   *

Njohja me Ballkanin i dha një ton krejt tjetër letërsisë së mëvonshme të Yoursenarit, duke e bërë atë më të thellë, më mistike, sensuale dhe mitike. Nga 1929 gjer më 1939 ajo botoi pesë libra. Më pas, gjatë luftës së dytë botërore u tërhoq në heshtje dhe vetëm më 1951 ajo botoi Kujtimet e Adrianit, një nga veprat e veta më të mira. Jeta e saj ishte një udhëtim i pareshtur, si jeta e Heminguejt apo e shkrimtarëve të tjerë: Monte Carlo, Gjenevë, Itali, Vienë, Skandinavi, Spanjë, Portugali e më pas në Evropën Qendrore e gjer në jugun e Amerikës. Yoursenari vdiq në moshën 84 vjeçare, jo shumë vjet pasi ishte zgjedhur anëtare e Akademisë franceze, e para grua që hyri në tempullin e kësaj akademie. Botimi i librit Novela Orientale në gjuhën shqipe ishte veçse fillimi i këtij pikëtakimi me letërsinë e Yoursenarit që përfshin epoka historike që ngërthejnë ngjarje që nga shekulli II i erës sonë, shekulli i 16-të e më pas në shekullin e 20-të. Më pas, botime të tjera do të vinin në shqip shkruar nga pena e saj, duke filluar nga Kujtimet e Adrianit.

Përgatiti: Zija Vukaj