NJË POROSI
U pa sikur të ishe jashtë kur je brenda ushton
Eh sikur të ishe aq larg kur s’e do mortjen fare
Mjegulla ndoshta veç sytë pllakos e të mundon
E sheh qiellin tunxh mbi kokën barra rëndon!
Brinjët e kafshës mund ta rrezikojnë fëmijën
A thua pa dije ngrihen lehje qensh krejt pranë
Rrethit i ngatërrojnë ecjen e i shurdhojnë zogjtë
Të mos reshë pluhur i botës sërish mbi ne të gjorë!
Ani se dashuria nuk fiket shpejt si zjarr-kashte
Ani se poterja e çallgia përzihen me një zë
Ruaju djalosh për mallkimin që vjell veç vrer!
MËDYSHJET E DALLËNDYSHEVE
(Pa çelë drita mirë vlojnë në ngordhësira shijshëm)
Me mund e gjen në fund guacën plotë ëmbëlsim
Ti s’je fajtor kur krejt epoka ishte një rrëfim i tillë
I leje anësh do rrëshira një ditë t’i shijoje të dëlira
E ruaje sipas atij gjykimi forcën të shfryjë dëshira!
S’ka çka të lexosh për ditën e sotme të stinës-kohë
Sa herë një damar ujë-fushe lehtë shteret e rilindë
Si një gjeth letrën bardhë dielli që godet dhe e djeg
Njerëzia na sollën blerimin falas nga maja deri n’breg!
Fantazma nis ushtrinë dredhë në atë Fushë-Mejdani
Kapiteni u thotë duhet detit gjerë pa frymë të notoni
Të gjithë e kanë dëgjuar parahistorinë nga të vjetrit
Piratët plaçkitnin në pushim i nxirrnin sytë njëri-tjetrit!
Kënaqësi vere duke thithnin atë e i kishte vënë n’kllapi
Armiqtë si dragonj mitologjik i hanin sy-qutë injorantët
Djalli i spërkatë me shurrën e vet në gjumë pa drojë
Ai i ngujonte qentë rreth avllisë me një asht në gojë!
Hop! Viktimat ende s’janë numëruar në fushëbetejë
Padashur pyetja bëhet po s’ka përgjigje pas ciklonit
E ardhmja kohë a do t’i shkëndijë etërit në shkëlqim
Dëgjo në Trojën e Verdhë bulurimë ujqish e acarim!
Kështu si kanë marrë ngrohje vezët e klloçkës sot
Kuajt e dëgjojnë zërin e Bririt të Mesjetës si kalërim
Druaj thëllëzë as pëllumb s’kthehet në do Pranverë
Letra thatë s’ka tekst prove ilaçet s’i pi ti rri në erë!
Veriu i mërdhinë të gjallët dhe verën tonë të thatë
Torishtat po zbrazën një nga një pa qengja trishtim
A do të ekzistojë ardhmja ajo dritë zogjtë janë lodhë
Fluturojnë mërzitshëm pa stinë pa këngë pa kthim!
TRANDJE GRINDAVECËSH
Si një vullkan trandë tash çobanët bjeshkëve pa fjalë!
Fleta e shkretë pa ngjyrë e pa grafitë palosur bardhë
Gurët e sokakut shndërrohen në akuj e strehë ngrirë
S’ke tekst për qytetin që natë-ditë e kujton si rri kallë
Feneri i atit tënd është varë në mur të skutës përballë!
Fletorja karbonizohet glasa minjsh mbushen rrokaqiejt
Ata i merr ëndrra e fëmijëve pshurrët në pelena plaçke
Avulli po hyn ngushtë e më thellë sa ora korridoreve
Vetëm krupë kundërmimi vjellë – ngecje atyre koreve!
Trumbetimi del i vejushave në stadin e aq kurvërive
Hapësirat e kristalta shndërrohen në rrënoja antike se
Kali i Trojës për ditë e natë po ekspozohet para-syve
Eufori grindavecësh shurdhin engjëj në Darkë t’Arave!
PO TË ISHTE TASH GJALLË…
Po të ishte tash gjallë ashtu si dëshironte ai vetë
Për të kaluarën të fliste e të fliste si një çakalle
Ashtu pa harruar asnjë fije nga ndodhitë në vjet
Njësoj si në të Parën dhe të Dytën poshtë përpjetë
Gjumashët fjaloseshin me njëri-tjetrin për do unaza
Flaka i digjte herë njërin herë tjetrin aty te votra
Po të ishte gjallë do të rrëfente pa hile për të gjithë –
Ujku ulur në shtrojën dardane i binte fyellit pa vrima
Mjaullijë ti! një këmbë e si ta kish’ zënë tjetrën dera
Po të ishte gjallë do të çmallej duke folur pa u ndalë
Rrafsh pa zmadhime për hapat e ngathtë e tinëzarë
Dhe për frikën tënde që mbete në këtë botë i gjallë
Si u çelë torishta për të jetuar – kafshët s’dinë më mirë
Zot’ e hëngrën krejt kopshtin pas e lanë rrethojën kallë
Si dje si dikur larg në do kohë veç në veshje ish’ ndërrim
Nuk më mbeti të them asgjë se më shpallen pa frymë!
ME DASHTË DIÇKA
E lutë Zotin të arrish moshën të jesh i gjallë pranverës
Sa të kujtosh verigën gjatë e gjerë të botës në meditim
Ç’duhet përkëdhelje e magjistares si urim e ngushëllim
Si gënjeshtra me stisje nga njeriu rob nën hije të agonisë!
Dhe dallëndyshet i qiellit varg-varg po vinë a po ikin s’di
Mallkim i truallit me çerdhet e ndërtuara “me çipë e thonj”
Plakut nis t’i dridhet koka deri te porta rreze-dielli të forta
Lexojmë gërditë që i lëshojnë kafshët të pa kuptim veç zëra!
Thua se në kopshtin zoologjik më i dashur e komik majmuni
S’ke ngarendje tutje ata as kuptojnë veç me instinktin e tyre
Lutja është si sharja prandaj more rrugën e vetmisë galerisë
S’është popullore e hiç shkencore me lojtarë të grykësisë!
DUKE KËRKUAR PËR NJERIUN
Si ëndrra kur përfundon në sekondë dhe çdo gjë tepron
Si shpuza e hijshme mbetur figurë e trupit pa prekur
E kërkon çarshisë me guxim takimin shumë të menduar
Asnjë vrimë site s’mbushet ajër as shi nga qielli pandërprerë!
Dy fjalë e shuajnë krejt dashurinë e kënga merr flakë
Trasta mbushet plotë me mbetje hedhur në lëmë
Era nuk fryn për t’i larguar kandrrat që aq pickojnë
Qentë janë të shumtë midis njerëzve të adaptuar!
Diçka mbetet e pa vërejtur e të merr malli për të
E druan se nuk arsyetohet mundi pas hiçit përsëri
E mundi e mbështjellë lëndën të atij kërcimtari
Këngë e valle i kanë hije pa shtriga atij djaloshari!


















