MAXHUN OSMANAJ: NË VORBULLËN E KOHËS, TREGIM

Në ditën e dytë të vitit që hymë 2023, Malumi përfundoi një libër se lexuari, që ia kishte dhuruar një profesor universitar. Po e lexoj i tha vetes, sepse pas një kohe, pas ca muajve, koha do të më japë vërejtje, më gjykon, pse u hymë në hak ca librave , që nuk i lexojmë, por i hedhim diku në sirtarët e bibliotekës dhe koha e mbulon nga pluhuri i harresës.Eh, saherë kam gënjyer ca miq krijues kur më kanë pyetur se a ia kam lexuar veprën e tij.S’di, a është gënjeshtër apo jo, kur nuk më thirr vepra, shpirti i vargjeve apo rreshtave?!Ndoshta është dashur t’i them troç mikut se fatkeqësisht nuk më thërret vepra jote, por më duhet t’u them : s’po kam kohë.Koha qenka e artë për atë çfarë dhe si duhet shfrytëzuar. Këtë e mendoi, Malumi atë natë festive.Edhe koha qenka përzgjedhje se çfarë të të “ushqesh” në kohë dhe sa përmbush dhe shuan etjen shpirtërore dhe jo stomakun, i tha vetes.Kur kishte humbur në vorbullën e leximit, u bë sikur nuk dëgjonte një fjali të vajzës së madhe :” Ih, bre babë, saherë që vijmë, ti me krye mbi libër.Rri me çikat tua”,-ia tha troç në fytyrë çika e madhe, Tesa. Duket se e preku në nervin e ndërgjegjes dhe e fshehu dikun librin mos t’ia shkyenin mbesat e vogla që shashtriseshin në atë natë festive me lojë dhe zhurmë.Ai iu kthye mbesës Urtë, herë duke kërcyer, herë duke marrë ngrykë.Ajo sapo kishte shkelë në vitin e dytë të udhëtimit dhe nga celulari i nënës së saj imitonte ca vajza të vogla.Kjo gjë është e mirë, mrekulli, i tha vetes.Ajo ka nisur udhëtimin e gjatë, sado që e presin kthesa të shumta, por mirë që nuk e di.Çdo hap i saj leviz dhe mbahet në shtyllat e shpresës, ndërsa unë nisemi drejt një stacioni që ka një perëndim.Edhe ca muaj i them lamtumirë ditarit, punës fizike, pensionohem.Eh, sa e vërbër është padituria.Një ditë në formë keqardhje e pyeti një bashkëfshatar Malumin se çfarë do të bësh pas pensionimit? Oh, kam aq shumë projekte sa s’di a do t’i përfundoj, sepse njeriu nuk duhet të vdes për se gjalli, nëse pensionohet.E kishte lënë pa fjalë bashkëfshatarin.I kishte dhënë mesazh se njihi njerëzit..
Pasi ikën tri vajzat nëpër shtëpitë e tyre ku ishin të martuara, iu kthye pasionit të vjetër, leximit.Iriqin largoje prej therre, ai prapë në therrë, deshi kështu diçka t’i thoshte Fisnikja, por u përmbajt. Meriton ta përfundoj këtë libër, ndryshe s’është punë e kryer, s’je lexues i mirë,-i tha vetes.Ai kishte mbetur tash e një vit vetëm me të shoqen.Tjerrte kohën, bluante në mënyrën e vet, e mundonte mungesa e djalit dhe nipave në kurbet,por ai e dinte se malli gërryen edhe shkëmbinjtë. Qe nga martesa deri më tani e thërriste me emrin Fisnike.Ajo fluturonte nga ky emër, sikur rritej para të tjerëve, kur Malumi e arsyetonte këtë emër.Ajo kishte dhënë dëshmi kohe që meritonte këtë emër, sado që asnjëherë qielli i universit nuk rri i kaltër pa ndonjë re që shkakton vranësirë apo stuhi kalimtare…Para se të përplaseshin me ca fjalë dhe një “tërmet” i vogël n’mes shpirtit të tyre, ai e puthi në faqe si hajnisht, por duket se ajo ia vodhi kopilinë bashkëshortit me kohë.-Na sjell atë shishe të vogël vere, oj Fisnike, – iu drejtua butësisht! Ta pimë këtë kohë që po na ikën hajnisht, pleqëria si koprrac na rri kërrusur në prag, se e nesërmja s’dihet kah na hedh në valët e saj.-Ih, më mbyte me këtë filozofi,-iu ktye ajo.Pasi ia solli verën, u ulën që të dy dhe cakërruan gotat duke e shigjetuar në sy njëri- tjetrin,por ugari i lavrës së fytyrës të dyve jepte shenja të një rruge që kishin udhëtuar gjatë, shumë gjatë….Në oqeanin e syve të Fisnikes notonin beteja, njerëz, drama, por aktet dhe skenat i kishte përballuar burrërisht, meqë nuk ka ditë që globi i Tokës nuk përjeton ndonjë dridhje qoftë të vogël që nuk e hetojmë, pos sizmografi apo ndonjë tërmet i madh që e përjetojnë njerëzit me dëmë të mëdha. Gazetarja e televizionit lajmëronte lajme ditore festive, si dhe uronte në forma nga më të bukura.Ai afroi një fletore dhe laps kimik skaj veti.Nisi diçka të bluante, të tjerrte në arkivin e mendjes apo hapi arkivin e minierës.Dehja në kohë, nisi t’ia shtrydhte shpirtin sikur kur dikush shtrydh një limon. Ndonëse vetëm një cakërrim , s’mund të ishte fjala për një dehje fizike.-Hë tash, çfarë do me këtë fletore?,-iu drejtua Fisnikja.-Haha,haha! Çfarë do? –E si çfarë do moj Fisnike?!-Po unë, arat e punës i kam shqelmuar moti.-Unë dhe Zoti, fëmijët i kemi sistemuar moti.-Po unë, s’është hera e parë që bashkëjetoj pos me Ju, edhe me të dashurën L..,e…,tërsi.-Uh, ç’më mbyte, ia ktheu me ironi.Hajt gëzuar edhe njëherë Fisnike dhe lëri fjalët, ia ktheu ai.- Edhe kësi burri ?! Si e mendon burrin, me mustaqe apo oj Fisnike?! Malumi tani shpërtheu si një vullkan i papritur.-Ky që jam.Unë mund të bëhem edhe më i bukur, qeshi me ironi të papritur.-Po, mund të bëhesh më i bukur,-ia ktheu ajo me një injorim reciprok.-Unë rri me shpirtra dhe plotësoj shpirtin me shpirtra, me kohë, me breza…Kjo fjali mbylli dialogun e nisur në një çast festiv.Kah ora 11 natës ajo iku për në gjumë.Malumi e kuptoi ikjen e saj si e penduar, pse i foli ashtu sipas asaj e mllefosur.Iku pa i thënë : as a po vjen, as natën e mirë.Kështu e meriton, ndoshta kishte menduar këtë fjali.Do me luftuar me kohën, iu kujtua Malumit kjo fjali, që në një rast ia kishte thënë Fisnikja Malumit. Kjo fjali, Malumin e ndali për ca orë deri në mesnatë.Betejën e ndau në tri faza jete.Cilën mund ta mundë më lehtë, i tha vetes?! Por diçka si një rrufe i erdhi në mendje.Iu kujtua thënia e Horacit të famshëm :”Sinjalet e poezisë vijnë nga larg dhe duhet që të ngutesh ngadalë” .Filloi shpejt e shejt vargjet që e vizituan “Ky shpirt rebël”
Si nuk të lodhi koha as mosha/për t’u rebeluar arsyeshëm?!/edhe kur të ndrydha dhe shtrydha pa-fajësisht/ky shpirt i sontëm, gjakim bukurie/univers i ndjenjave dhe minierë diamantësh/le të përulet para gjakut t’shenjtëruar/që sot frymoj-më/vërbëria në kohë marrëzie/do të na mallkojë/do të na shitojë n’udhëtim/atëherë e sotmja dhe e nesërmja s’do të kenë kuptim/pse unë jetoj sot?/ti shpirt, ti sofër dashurie/në ty ushqehemi të gjithë…/…dhe na mban të gjallë përjetësisht”. Tri kohët i bluante në mënyrën e vet: të shkuarën, të sotmen dhe të nesërmen. Fëmijëria më ka mundur!-pse ndërhyri një Zë i brendshëm, krejt i befasishëm.-Betejat e fëmijërisë s’kam mundur t’i shënoj diku.Disa i kam arkivuar në arkivin e kujtesës,por kujtesa është një tradhtare e përbetuar , ia ktheu Zërit…Stuhitë e autobiografisë sime m’i ka fshirë harresa, ngase nuk i kam shënuar të gjitha.Harresa dhe kujtesa nuk falin, janë të përçudshme, s’kanë shpjegim.Edhe arkivi i kujtesës, edhe shpirti zhvillojnë beteja,por ku ta di unë cili do të dalë fitues, përballë erozionit të ngjarjeve dhe kaosit që na rethon,ia ktheu Zërit.Malumi nisi një shfajësim rrëfyes para Zërit.Unë, s’jam fajtor para kësaj kohe të shthurur,sepse çdo betejë s’pata armë që ta fitoja.Fundja , çdo betejë nuk fitohet.Zoti është fitues i betejave, ne sprovohemi që mos të dorëzohemi.Për mua mosdorëzimi ishte betejë, fitore.Kaq kam për të thënë. Tani e kam më lehtë; betejat e ikura po i arkivoj në letër aq sa më fal dhuratë kujtesa…-Po çfarë të lodhë e shkuara?- ndërhyri Zëri.-Oh, mos më pyet, dhimbje dhe trishtim.Por brenda këtyre dy manifestimeve shpirtërore ndërtova kalanë e shpresës dhe mosnënshtrimit.Vetë u bëra arkitet i pallatit të ëndrrave, vetë shqelmova përtacinë.Atëherë më thërriste e ardhmja me një zë të bukur që asnjëherë s’e kisha dëgjuar.Më thonj të qëndresës gërmova në lavrën e besimit, kërkimit dhe dashurisë.-Kjo është e shkuara ime, që tani rregullisht e marr përdore me vete dhe udhëtojmë.Ndoshta ju mërzita ,ia ktheu Zërit. –Jo, jo, vetëm po ju dëgjoj.-Po e sotmja çfarë ju flet?-ia ktheu Zëri.-Hë, të sotmen po e shoh, po e prek, por mjerisht s’po mund të jetoj me të!-Pse?-Pse, mos më pyet! Nuk besoj që jeton ndokush në të sotmen.Marrëzi.Njerëzit jetojnë vetëm me të shkuarën.Ndoshta jam i vërbëruar nga koha! “Jeta për mua është aq ngazëllyese sa që atë nuk mund ta mbaj për vete.Thjesht këtë dua t’ua tregoj njerëzve”(Richard W. Childin). Udhëtimi në kohë qenka filozofi në vete..E sotmja më ndihmon ta shënoj. Ndali mendimin, sepse Zëri i dytë iku, nuk iu përgjigj dhe e la në betejën e vetmisë.Nesër të tjerët jetojnë me të sotmen time dhe të tjerëve. Po e nesërmja çthotë për ty, iu lajmërua prapë Zëri? Oh, për të nesërmen asgjë s’dua të di.Mund të jetë mjegull, mund të jetë acar, ndoshta pranverë pas ikjes sime.S’dua të flas pas ikjes sime.Njerëzimi ka jetuar pas shumë gjenive që kanë ikur fizikisht,por ne jetojmë me frymën e tyre në të shkuarën.As mirupafshim, as natën e mirë me Zërin.Do të provoj, këmbënguli Malumi, me rrezet e mendjes dhe kujtesës ta shënoj të shkuarën , sepse njeriu vetëm me të shkuarën po jetuaka.E nesërmja përherë qenka ëndërr e paparë. Mesnata kishte ikur me bindjen se njeriu s’po jetuaka me të sotmen….Ndoshta e kishte dehur tepër koha e ikur, ndoshta të sotmen e kishte ngushëllim, të nesërmen pakuptimësi…
Istog, më 3 janar 2023

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here