MBAHET FESTIVALI I POEZISË SË DETIT, DURRËS 2026, nga Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës

 

Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës organizon veprimtarinë poetike

MBAHET FESTIVALI I POEZISË SË DETIT, DURRËS 2026

Poetë, shkrimtarë dhe artistë nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e diaspora u mblodhën në Durrës në një aktivitet të madh letrar kushtuar detit dhe fjalës artistike. Me çmimin e parë u vlerësua poetja Merita Kuçi Thartori.

 

 

 

në aktivitete te tjera.

 

Nga Nuri Bufi

Me detin janë frymëzuar e trimëruar mijëra marinarë, ndërsa qindra prej tyre janë kthyer në shkrimtarë e poetë, duke thurur vargje për bukurinë hyjnore të detit. Origjina e vargjeve dhe e parodive të kënduara për dashurinë ndaj atdheut dhe detit vjen nga kohë të hershme, me trimëritë dhe këngët kushtuar trimave. Të tilla janë këngët e Milosaos dhe trimëritë e Selam Musait të Salarisë, me hedhjen në det të pushtuesve italianë në Luftën e Vlorës të vitit 1920.

Tashmë deti Adriatik dhe ai Jon, më shumë se kurrë, janë të dashuruar me bijtë e tokës shqiptare; janë të dashuruar me vegjëlinë që rritet pranë detit dhe me dashurinë kreative. Shkrimtarët e poetët vijnë me fjalën e shkruar si një nga format më të larta të vetëdijes dhe të shprehjes artistike. Ajo vjen si nevojë ekzistenciale për të artikuluar përjetime, ndjenja dhe përvoja që nuk mund të shprehen në komunikimin e zakonshëm.

Arti i vërtetë funksionon si pasqyrë e brendshme e qenies njerëzore. Fjala artistike e poetike ka aftësinë të kapërcejë kufijtë e kohës dhe të hapësirës. Ajo bëhet urë komunikimi mes shpirtrash që nuk janë takuar kurrë, duke krijuar një lidhje të heshtur, por të qëndrueshme. Kështu, poezia nuk është vetëm akt estetik, por edhe akt etik e human, sepse ndërton empati dhe ndjenjë përkatësie.

Referimi i një poezie shndërrohet në përvojë dialogu, ku zëri i autorit dhe ndërgjegjja e dëgjuesit ndërthuren. Poezia, si art i shpirtit, nuk mund të kufizohet nga norma të ngurta estetike; ajo zhvillohet lirshëm, duke gjetur forma të reja dhe duke sfiduar kufijtë tradicionalë të gjinisë letrare. Poezia, në veçanti, nuk është thjesht rimë apo organizim metrik; ajo është zë i brendshëm, kujtesë kolektive dhe proces i vazhdueshëm rilindjeje shpirtërore.

Letërsia, e në veçanti poezia, funksionon si një pasqyrë e vërtetë e realitetit njerëzor. Në të, individi gjen mundësi të kuptojë veten, të pranojë dobësitë dhe të kapërcejë ndjesitë e kohës. Vlera e shkrimit, e leximit dhe e ndijimit është hapësira ku njeriu ndihet i pranuar dhe i kuptuar. Në këtë mënyrë, poezia si fjalë artistike shndërrohet në dëshmi të përjetshme të ekzistencës njerëzore.

Në thelb, poezia dhe fjala artistike përfaqësojnë përpjekjen e njeriut për t’i dhënë kuptim jetës së tij. Ajo është akt vetëdijeje, rezistencë ndaj harresës dhe dëshmi e nevojës për të lënë gjurmë në kohë. Përmes artit, njeriu sfidon përkohshmërinë, duke e shndërruar përjetimin individual në vlerë universale. Në substancë, poezia dhe fjala artistike mbeten jo vetëm mjet shprehjeje, por edhe themel i vetëdijes njerëzore dhe i vazhdimësisë shpirtërore.

Këta shkrimtarë e poetë, me artikulimet e tyre shpirtërore, i kanë kënduar dhe vazhdojnë t’i këndojnë, duke i thurur vargje kurorës së bukur dhe brigjeve të kaltra të bregdetit Jonian e Adriatik. Këto dy pllakëza tektonike letrare, jugu dhe veriu, me afrimin kundrejt njëra-tjetrës, bashkohen pranë brigjeve të Durrësit të vjetër.

Kjo verë shënoi risinë e gjallërimit të artistëve krijues me zë e penë, me grumbullimin e tyre në Tiranë për zhvillimin e Kuvendit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, si dhe me zgjedhjen e kryetarit të LShA-së, zotit Mujo Buçpapaj.

Jo shumë ditë pas këtij kuvendi, do të ishte qyteti i Durrësit ai që do të mblidhte këta shkrimtarë, artistë e poetë, por me një ndryshim: këtu ata nuk do të bënin zgjedhje, por do të legjitimonin fjalën artistike e shpirtërore dhe ndjenjat frymëzuese ndaj detit, në aktivitetin e titulluar “Festivali i Poezisë së Detit”.

Shtëpia pritëse e Shkrimtarëve dhe Artistëve Durrës, me kryetar Agim Bajramin, organizoi zhvillimin e këtij festivali pranë resortit modern “Blue Fafa” të Durrësit. Mikpritja ishte e një profesionalizmi tepër të ngrohtë, në përputhje me traditat tona dhe ato europiane.

Resorti turistik “Blue Fafa” është një hotel konkurrues në vendin tonë, i cili zë një sipërfaqe mbi tre hektarë, me një personel shërbimi prej mbi 500 punonjësish. Në funksion të shërbimeve ofrohen: salla konferencash, hoteleri, restorante, qendër shëndetësore, butik, pishina, lavanderi, bibliotekë, ambiente çlodhëse me gjelbërim, siguri detare, guida turistike, sistem informacioni, parkim automjetesh etj.

Akomodimi i shkrimtarëve dhe poetëve ishte maksimal, falë edhe interesimit personal të presidentit të këtij resorti, zotit Fatos Çerenishti, i cili përshëndeti përzemërsisht shkrimtarët dhe poetët e pranishëm në sallë.

Ky takim, me zhvillimin e Festivalit të Poezisë së Detit, kishte përmasat e një aktiviteti kombëtar, ku merrnin pjesë shkrimtarë e poetë nga rrethe të ndryshme të vendit, si dhe nga Kosova, Maqedonia dhe diaspora. Merrte pjesë edhe kryetari i LShA-së, zoti Mujo Buçpapaj, si dhe botuesi i njohur i shtëpisë botuese “Ada”, zoti Roland Lushi. Nga Tirana, në cilësinë e panelit frymëzues të aktiviteteve kulturore e artistike, përfaqësoheshin Agim Xheka, Hava Muçollari etj.

Festivali u hap me ekzekutimin e Himnit të Flamurit Shqiptar. Ky festival, nisur edhe nga ambientet ku zhvillohej, ishte madhështor, falë organizimit të kryetarit të Shtëpisë së Shkrimtarëve dhe Artistëve, z. Agim Bajrami, i cili në fjalën prezantuese përmendi shkrimtarët e poetët nga Tirana, Durrësi, Kukësi, Vlora, Saranda, Lushnja, Rrogozhina, si dhe nga Prishtina, Prizreni, Struga etj.

Aktiviteti nisi me interpretimin e një poezie të njohur të Bukovskit për detin. Prania e zonjës Dalina Beshiri si moderatore, me profesionalizmin e saj, i dha festivalit atmosferën e duhur dhe ritmin e konkurrimit.

Kjo madhështi i referohej edhe prurjeve poetike gjithëpërfshirëse nga shkrimtarë e poetë vendas dhe miq. Ishte një bum shpirtëror që jo vetëm tronditi Durrësin, por i dha këtij qyteti muze dritën joniane e adriatikase të shpërthyer nga shpirtrat e qindra poetëve e poeteve brenda asaj salle.

Emocionues ishin edhe tingujt e muzikës dhe këngëve që kumbonin në sallë, interpretuar nga këngëtarët Ylli Çifti, Dhimitër Stefa dhe Luljeta Strefi. Notat poetike me prurjet e shkrimtarëve e poetëve, mes vargjeve që i këndonin bukurive të detit dhe pranisë së ëmbël të tingujve muzikorë, bënë që salla të elektrizohej.

Me shpalosjen e mbi 100 konkurruesve dhe mes ovacioneve të poetëve, ku fuqishëm spikatën vargjet mbi bukurinë dhe fantazinë që mbart deti, u theksua edhe një herë binomi: “Deti dhe poetët kanë qenë dhe mbeten miq të pandarë”.

Mes konkurrimit, veçojmë disa vargje poetike:

Nga poetja Merita Kuçi Thartori:
“Kur nata ul spirancën rregullt,
E bën ëndrrën përbindësh pa breg,
Dhe fari përballë atij trazimi të thellë,
Dëgjon atë dallgë që dot s’e mbyt…”

Nga poeti Shpend Topollaj:
“Ti buzë liqenit, qetësisht,
Shëtisje vetëm, i menduar,
Dhe ashtu mbete përjetësisht,
O djalë plak i dashuruar.”

Nga poeti Shahin Ibrahimi:
“E ndjej në shpirt detin,
Me valët e tij bisedoj,
Aq ëmbël më përkëdhel fytyrën,
Sa të fshehtat e zemrës i tregoj.”

Nga poeti Bajram Sulejmani:
“Mbi ato valë e kam shkuar jetën,
Në bregun e tyre ndërtova dhe një port,
Fanarët në atë breg si yje u ndezën,
Ai breg më i ndriçuari ishte në botë.”

Nga poeti Nuri Bufi:
“Mes mureve të dallgëve
Ndjeva atje përjetësinë,
Mbi kristalet e valëve
Një flamur të bardhë vendosa kufirin.”

Nga poetja Nada Minguli:
“Toka mban në gji plagët e kohës së vjetër,
Ndërsa deti i lan me kripën e përjetësisë.
Në këtë përqafim mes materies dhe eterit,
Lind dashuria si një valë e ngrohtësisë.”

Poetja Hava Muçollari erdhi me esenë e titulluar “Zëri që dëgjohet larg”, kushtuar poetit Selim Ramadani. Ndërsa shkrimtari dhe poeti Alim Xheka solli një poezi kushtuar moshës së rinisë pranë detit.

Në përfundim të konkurrimit, juria e përbërë nga Dorianin Agalliu, Eva Kacanja dhe Skënder Milaqi, pasi bëri vlerësimin e konkurruesve, ndau këto çmime:

Me çmime të treta u vlerësuan:

  1. Poeti Astrit Lula
  2. Poetja Bujana Gorenja
  3. Poetja Sabrije Kurti

Me çmime të dyta u vlerësuan:

  1. Poetja Nada Minguli
  2. Poetja Valbona Arbëri

Me çmimin e parë u vlerësua poetja Merita Kuçi Thartori.

Me çmime të ndryshme u vlerësuan gjithashtu shkrimtarë e poetë si: Trendafile Visha, Myrteza Mara, Valbona Hadri, Teuta Dhima, Mimoza Rexhvelaj, Edlira Gorenja dhe Elona Basha.

Njëkohësisht, falënderimet dhe motivacioni për kontributin e pakursyer shkojnë edhe për presidentin e resortit “Blue Fafa”, zotin Fatos Çerenishti.

Më pas, të pranishmit kaluan drekën me një pritje dinjitoze pranë restoranteve të këtij resorti modern “Blue Fafa”.

Shtëpia e Shkrimtarëve dhe Artistëve falënderon të gjithë poetët pjesëmarrës dhe u uron atyre suksese!