Azem Hajdari (Bajram Curri, 11 mars 1963 – 12 shtator 1998) ka qenë lideri i lëvizjes studentore 1990-91 që çoi drejt rënies së regjimit komunist në Shqipëri. Më tej u bë një politikan i Partisë Demokratike të Shqipërisë. Ai simbolizon nisjen e periudhës demokratike në Shqipëri. Ka qenë deputet i Kuvendit shqiptar dhe kryetar i Komisionit Parlamentar të Mbrojtjes. U vra në Tiranë më 12 shtator 1998.
Më 2 tetor “1998” Hajdari e nderuan pas vdekjes me titullin Qytetar Nderi i Tiranës dhe më 2007 u dekorua me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” nga Presidenti Bamir Topi.
Në nder të Hajdarit dhe Besim Çerës u ngrit një monument në vendin ku u vranë.
Rinia
Azem Hajdari u lind në Tropojë më 11 mars 1963. Shkollën e mesme e kreu në vendlindje. Në vitin 1993 përfundoi studimet në degën e Filozofisë në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1995 diplomohet në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës.
Veprimtaria politike
Studenti Azem Hajdari ishte udhëheqës i Lëvizjes Studentore të dhjetorit 1990, që çoi në përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri dhe vendosjen e pluralizmit politik. Ai ishte një nga themeluesit e Partisë Demokratike të Shqipërisë, partia e parë opozitare, dhe Kryetar i Komisionit Nismëtar të kësaj partie. Azem Hajdari ishte deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë që nga viti 1991 e deri sa u vra në shtator të vitit 1998.
Mbas ardhjes në pushtet të Partisë Socialiste të Shqipërisë në vitin 1997, Azem Hajdarit iu bënë disa atentate.
Në qershor të vitit 1997, në Shkallnuer të Durrësit, Azemi Hajdari tentohet të vritet me bombë. Atentati dështoi.
Në gusht të vitit 1997 bandat e krimit i zënë pritë në Sarandë, në Qafën e Buallit.
Më 18 shtator të vitit 1997, mbetet i plagosur i qëlluar me pesë plumba nga deputeti i Partisë Socialiste Gafurr Mazreku, në korridoret e Kuvendit të Shqipërisë.
Më 14 shkurt 1998, organizohet prita e Milotit nga forcat e policisë, të cilat qëlluan me breshëri plumbash në makinën e tij që për fat ishte e blinduar, ku përveç të tjerëve, ndodhej edhe djali i tij 14-vjeçar.
Më 3 qershor 1998, në kohën që po mbështeste luftën në Kosovë, Azemit iu organizua një atentat nga forcat e policisë, të cilat e mbajtën të rrethuar 3 orë. Në këtë atentat mbeti i plagosur ish Drejtori i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar Bardhyl Pollo.
Më 12 shtator 1998 vritet pabesisht para selisë së Partisë Demokratike nga drejtues të Komisariatit të Policisë të Tropojës.
Lajmi për vrasjen e Azem Hajdarit, u publikua nga të gjitha mediat kryesore në botë, nga stacionet televizive më prestigjioze të botës dhe vdekja e tij u cilësua si një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.
Shkrimtari i mirënjohur shqiptar Ismail Kadare e konsideroi vrasjen e Azem Hajdarit si “Vrasja e Shekullit”.
Presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, në vitin 2002 dekoroi Azem Hajdarin me Urdhrin “Nderi i Kombit”.
Mirënjohjet
Urdhri “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002
Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë
Urdhri “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”