ME SYTË E DETIT, POEZI NGA PANDELI KOCI

 

 

MË NGRINË SYTË

Kam parë në një fotografi

sytë e një vajze kurde. Vetëm sytë.

 

Prej tyre buronte liri e mbështjellë

me brengë e trishtim,

rrezatonin mallkim e urrejtje.

 

Asnjë pikë vesë dashurie

mbi gjethet e pyllit që valavitej

në retinën e atyre dy syve të gjelbër.

 

Më ngrinë sytë tek ajo…

Tek ajo

bijë njerëzish të lirë pa liri.

 

 

 

I LIRË

                            Poetit rebel Pano Taçi –

                  

 

Kur flasin për të, pa dashur  u vizatohet

një buzëqeshje e habitshme

(nuk është as keqardhje e kotë, as simpati e rreme).

Poeti përçmonte vuajtjet, tallej me vdekjen,

po më tepër  gënjente jetën.

 

Atij i mjaftonte një pjatë pilaf, një krikëll birrë

dhe cigaret në duart plot kallo me nikotinë

që nuk i janë hequr as në varr.

Duart e tij – duar karpentieri të lartësive,

duar poeti aventurier.

Ai rrëfente copëra  të shkërmoqura nga  jeta e tij. Ai vetë

nuk e dinte  ku fillonte e vërteta

dhe ku mbaronte magjia e fantazisë.

E vërteta e Panos – e hidhur si burgu e vetmia,

e dëshiruar si seksi dhe erosi pa turp.

 

Askush nuk i çon qoftë dhe një lule

në varrin barmbuluar pa pllakë mermeri.

Po ai zemërgjerë, i ndjeshëm si valë deti

la pas tufa poezie të zeza e të kuqe

që lexuesit të kujtohen se vdekja

është tallje që duhet tallur,

se jeta është vuajtje që duhet vuajtur.

 

 

Pano Taçi – njeri i lirë

brenda burgjeve të ndyrë.

 

Ai e dinte që do të harrohej,

prandaj nuk harroi kurrënjëherë

të jetonte si rebel

me një tallje që duhej tallur,

me një vuajtje që nuk duhej vuajtur.

 

 

 

 

THIRRJE

 

Zemërim që nuk shpërthen,

të kanë lidhur me litar?

Ngordhsh e mbetsh në llapërçinë –

zbardhalaq e rrënjëdal!

 

Zemërim që nuk shpërthen,

kush guxoi në gjumë të vuri?

Ta ka shkrirë çdo qelizë

një përbindësh me kokë guri?

 

Zemërim që nuk shpërthen

si baruti krejt i lagur,

nga një shi i zi skëterrë,

përjetsisht ke për t’u kalbur?!

 

Nga një rreze ngrohtësie

fije barit botën tundi.

Zemërim, shtrëngoi dhëmbët,

hapi sytë e krahët shkundi!

 

 

 

EPIKË FETARE

 

Te derë e kishës, te derë e xhamisë kërkova shpëtimin.

Ndihmë i kërkova Zotit, as: ‘Ndihmo veten!’ nuk më këshilloi!

 

Lexova Kuranin, lexova Biblën, i urtë u bëra,

punova si kalë po mbeta që mbeta me xhepa të shpuar.

 

Te derë e kishës, te derë e xhamisë çdo ditë hynë e dalin

njerëz me mjekra – punëtorë të hënës, këngëtarë të shkretëtirës.

 

Te derë e kishës, te derë e xhamisë – mjeranë e  sakatë

luten e luten për pak lumturi, por mbesin të palumtur.

 

Te derë e kishës, te derë e xhamisë çdo ditë më shfaqen:

fantazma e Niçes, portreti i Migjenit.

 

 

 

 

ME SYTË E DETIT

 

Mos vallë prindërit e tu kanë gabuar?

Në vend të syve të kanë vendosur dy hëna të plota

të etura për ujë.

 

Nuk i zë besë rrenës së bardhë.

 

Sodis detin… befas

në sytë e tu rrjedh larmia e ngjyrave të valëve,

në buzët e tua frymon flladi i Jugut,

në gjinjtë e tu ndiej lëmimin e zajeve të bregut.

 

Nuk i zë besë detit edhe kur duket i fashitur. Thellë vlon

i nervozuar – përgatit thikat për ndeshjet me tufanet,

më qesh ironik për dashurinë time foshnjore.

 

Mbrëmë në ëndërr t’u shfaq deti…

valët e egra… shkëmbenjtë kokëfortë…

dhe mbi ta

klithma vajtuese e pulëbardhës së dashuruar…

 

Te këmbët e mia – deti

dhe premtimi i syve të tu.

 

 

 

 

VETËMASHTRIM

 

E kapa Kohën për supesh,

më iku më la pa mëshirë.

Sërish pas saj renda

natë e ditë djersita gjuhëdalë…

Së fundi me frymë të zënë…

e arrita

për zverku e mbërtheva.

E theva qenen! – Brita i ngazëllyer.

 

Ashtu i lodhur, i kapitur,  i përgjumur

mes ëndrash djallzore dremita e fjeta…

Kur hapa sytë

Koha kishte fluturuar në pakthim.

 

 

 

SAZANI OSE PEIZAZH I NGRIRË

 

Sazani –

valëzim i gurtëzuar mbi det

herë hedh përdore një valle  me Adriatikun zemërak,

herë përqafohet me Jonin e ngrohtë kokëshkretë,

herë u nxjerr gjuhën brigjeve zilare të Puljes,

herë bën vetëvrasje – kthehet në shkretëtirë…

 

Herëherë këlthet e çirret

me duart si buri antike drejt tokës nënë:

Zgjohuni nga gjumi,

o të droguar nga hashashi i Lindjes, ndryshe

asnjë diell nuk u ngjall dot!

 

Sazani – ngrirë në bebet e syve tanë

përherë të përgjakur.

 

 

 

 

 

PROFECI

 

“Kostandin – i tha e ëma të birit

(atij që koha e pagëzoi “i madhi”) –

bëju i krishterë, se kryqi  të dha fitoren e madhe.

“Jo nanë –  ia ktheu ai me keqardhje – nuk mundem.

Mbrëmë pashë në ëndërr si u dogj e u përzhit mes flakëve

një qytet me emrin tim.”

 

 

 

PËRKOHËSI

 

Buzë detit

skulptori i moshuar po sodiste valët,

që dukeshin e zhdukeshin pa da

dhe pirgjet e rërës të ngrira si dhimbje.

Shtangu para një çifti të ri

që po putheshin ëmbëlsisht ulur mbi rërë

dhe i fotografoi  me sy. Pastaj,

pak metra më tej u ul në gjunj,

krijoi mjeshtërisht me rërë të njomë

çiftin e përqafuar.

“E paskam qarë!” – pëshpëriti plaku, njëherësh

edhe i kënaqur edhe i trishtuar.

Kalimtarët qëndronin dhe mahniteshin me atë skulpturë…

“Si kjo vepër e përkohshme

do të zhduket nesër edhe kjo dashuri e vërtetë”

tha me vete skulptori dhe nënqeshi hidhur.

 

 

 

NË ËNDËRR

 

Kapa një reze dielli,

e vërtita si fëmija një fill me buburecin fluturues.

Rrezen e rrotullova, e rrotullova, e rrotullova…

u bë spirale ylberi.

Mbeta brenda saj i llahtarisur

e përpëlitesha e përpëlitesha…

As që e kisha menduar që drita të kthehej në skëterrë

ku u dogja e u poqa dhe u shndërrova në hije.

 

 

 

NUK KAM KOHË

 

Nuk kam kohë të vdes

nuk kam kohë për vogëlsira

nuk kam më ëndrra

nuk kam kohë të gaboj

Kam vetëm ca dëshira të marra

që goja nuk m’i zë

dhe dora nuk don t’i shkruaj.

 

 

TË FALEM TOKË!

 

Pse nga dita në ditë krusem e krusem nga një milimetër

dhe gunga  e devesë më rritet mbi supe?

Ndoshta rëndesa e Tokës më tërheq pandalas,

derisa Toka të më marrë në gjirin e saj plot rrënjë e krimba…

Jo më kot thuhet: Nga balta në baltë.

Falemnderit Tokë!

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here