Në moshën 56 vjeçare, autori paraqitet me 56 romane, Amedeo Baҫi dhe maratona e letërsisë së tij

 

  • Në moshën 56 vjeçare, autori paraqitet me 56 romane. Një rekord kombëtar në fushën e prozës së gjatë artistike.
  • Fitues i 5 çmimeve kombëtare dheçmimit të madh ndërkombëtar “Pinnacle Book Achievement Award” nga NABE, në SHBA, (organizimi më i lartë letrar që ndan çmime prej afro 40 vjetësh) për romanin më të mirë të vitit 2018 në zhanrin romantik.
  • Pjesëmarrës në pesë panaire të rëndësishme ndërkombëtare si në SHBA, Kinë, Meksikë, Frankfurt, etj.

Përgatiti Flamur Buçpapaj

 

 

Amedeo Baҫi është shkrimtari më i spikatur bashkëkohor me prurjen e tij të furishme në fushën e botimeve, ku prezentohet me një dhunti magjepsës, e mbi të gjitha me një vullnet të madh letrar, veti këto që nuk bëjnë dot pa njëra-tjetrën. Padyshim, jehona e letërsisë së tij qe e madhe dhe vazhdon të buҫasë si një kambanë në vigjilje hyjnore. E siҫ thotë edhe Bibla: “Të gjithë ata që kanë veshë të dëgjojnë, le të dëgjojnë”. Kjo jehonë është e njëjtë me kambanën e pragut të Krishtlindjeve që lajmëron lindjen e Mesisë. Sukseset letrare të arritura në pak vite krijimtari, falë një pune titanike mes shkrimeve e leximeve të ngjeshura, janë një fillesë hyjnore për letërsinë, një hap galopant, një prurje e re, një letërsi e mrekullueshme. Ajo që Amedeo sjell në këtë letërsi, tashmë njihet, sepse kemi dëgjuar e lexuar. E veҫanta e Amedeos, nuk është se ka shkruar një sagëautobiografike dhe shumë romane të tjerë jashtë kësaj linje. Janë të shumtë autorët që i kanë kushtuar homazh jetës së tyre. Letërsia e tij është estetikisht e veҫantë dhe shpreh në mënyrë të përsosur një realitet të tërë të endur në një pëlhurë të mëndafshtë nga një dorë e kujdesshme.

Përveҫ sagës romanore me histori personale, të ndarë në shtatë trilogji, një rekord absolut dhe unikal ndërkombëtar, binarin e dytë në të cilin këlthet lokomotiva e letërsisë së tij, e përbëjnë romane nga tematika të ndryshme jetësore, si: krimi i organizuar, narkotiku, prostitucioni (që kanë një trajtim të gjerë në disa romane), autizmi, homoseksualiteti, tema familjare, dilemat që shoqërojnë njeriun postmodern, i cili përjeton një krizë vlerash në realitetin ku jeton, klithjet e ndërgjegjes, gjakmarrja, tematika fetare (Një ngjarje në shtëpinë e jezuitëve, Misteret e një manastiri) dhe tema historike kushtuar (Dinastisë së Bushatlinjve në katër vëllime apo Seminaristi i pamposhtur) në fokus të të cilave janë histori reale njerëzore, ku prevalojnë dashuria, dhimbja, zhgënjimi, ringritja njerëzore, sfidat e jetës, etj. Tematikat e guximshme nga jeta sociale që trajton autori janë një shembull e njëherazi mesazhe të fuqishme për një shoqëri që prej shumë kohësh rreket të gjejë vetveten për të qenë në avangardë të shoqërive evropiane.

Kambana e sagës romanore tejҫohet nga zëri autorial, i cili është vazhdimisht në përndjekje të unit të vet, të protagonistit si shëmbëlltyrë e tij, si një lejtmotiv që e udhëheq në vijimësi. Dhe e ndjek pareshtur në të gjitha etapat kohore të jetës. E rrëfyer në vetën e parë, saga përcjell një linjë reale jetësore dhe zëri rrëfimtar në këtë rast, duke u shkrirë me protagonistin, formon portretin shpirtëror dhe intelektual të tij. Në të gjitha rrugët ku vijëzon rrëfimin, proza e Amedeos përcillet gjithnjë nga kontraste të fuqishme, edhe dashuria, edhe dëshpërimi; edhe shkëlqimi, edhe mjerimi; edhe e bardha, edhe e zeza.

Kështu, Amedeo Baҫi e trajton subjektin e tij me anë të personazhit, që në këtë rast është vetë protagonist, e ky ndiqet që në embrionin e tij, përcillet më pas në mënyrë objektive perspektiva e tij, rritja dhe zhvillimi gjer në kufijtë e një kohe që vazhdon, duke e lënë sagën të hapur, pa mbyllje. E, duke shpalosur embrionin e zanafillën e tij, ai nxjerr në pah edhe fatin e gjithë kolektivit, pa nevojë të posaçme për të ndriҫuar anët e tij të errëta. Bota e tij vetëshpaloset vetiu, hap pas hapi, porsi një kumbim e vigjiljes hyjnore.

I urojmë mikut tonë shkrimtar Amedeo Baçi që në vitet në vazhdim të na sjellë në mjediset e ngrohta mikpritëse të media-group “Nacional”, çmimin e madh të “Best Seller” nga mitikja “New York Times” , e në vijimësi çmime të tjera presigjoze ndërkombëtare.

 

 

Tiranë, më 10 maj 2019

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here