Partia Demokratike e Shqipërisë në jetën e saj 31 vjeçare ka një traditë të mbajtjes së Kuvendeve dhe Konferencave të Jashtëzakonshme. Duke qënë prej vitit 1991 anëtar i Këshillit Kombëtar i PD-së, si dhe për shumë vite gazetar i RD-së, kam konstatuar se thirrja e këtyre forumeve u ka dhënë zgjidhje konflikteve të brendshme për çeshtje parimore, të vendimarrjes në parti, por edhe luftës për lidërship apo për të kontrolluar partinë.
Mbledhja e këtyre forumeve ka shënuar gjithnjë kthesa të rëndësishme në jetën politike të demokratëve shqiptarë.
Këto konferenca dhe kuvende janë lejuar dhe përgaditur nga ish kryetarët demokratë Azem Hajdari, Eduard Selami dhe Sali Berisha. Që të tre janë ballafaquar me këto votime me burrëri si dhe i kanë njohur rezultatet që kanë dalë prej tyre, duke e parë si primare forcimin dhe fitoren e Partisë Demokratike dhe jo karrigen e tyre.
Rasti i parë kur një kryetar e gjen vetën në minorancë, pas propozimit të tij për një votim në parti, ka qënë Azem Hajdari(Kryetar i Komisionit Nismëtar i PDSH-së) në ditët e para të jetës politike të kësaj partie.
Në mëngjesin e 12 shkurtit 1991 në mbledhjen e Komisionit Nismëtar të PD-së, prof.Gramoz Pashko propozoi që në vend të Komisonit Nismëtar të deriatëhershëm të kalohej në “Komitet drejtues të PD-së, apo në një kryesi provizore.” Disa anëtarë të Komisionit e hodhën idenë e zgjerimit të këtij Komisioni, ndërsa Hajdari dhe studentët që dominonin këtë Komison shiheshin si të papërvojë për të drejtuar partinë në një ballafaqim me qeverinë komuniste dhe po kështu edhe nesër në pushtet.
Dy anëtarët e Komisionit Nismëtar, Sali Berisha dhe Arben Imami thanë në fjalën e tyre se ishin dakort për zgjerimin e Komisionit, por “kundërshtuan propozimin për mbajtjen e zgjedhjeve në organet drejtuese të partisë”. Berisha e mbrojti idenë e tij me frikën e përçarjes që mund të krijonte në parti e që mund të reflektohej edhe në strukturat e bazës.
Azem Hajdari, deri atëherë kryetar i Komisionit Nismëtar, mori anën e atyre që propozuan zgjedhje të reja për Komisionin Drejtues të Partisë, duke nxitur mbajtjen e tyre.
Dr. Berisha e kundërshtoi përseri idenë që kryesia të bëjë zgjedhje të reja , duke pohuar se “vetëm një aktiv kombëtar partie mund të kishte një mandat të tillë”.
Pas një mitingu të mbajtur në orën 12.00 të asaj dite, ndërsa Prof. Berisha dhe A.Imami shkojnë në një takim të thirrur nga presidenti komunist R.Alia me përfaqësues të partive politike, pjesa tjetër e Komisionit Nismëtar i rikthehen idesë së tyre për të mbajtur zgjedhjet në Komisonin Nismëtar.
Ata miratojnë përmes debatesh nismën për shndërrimin e Komisionit Nismtar në Komitet Drejtues. Mbledhja mori një kthesë të fortë kur pas akuzave të rënda ndaj A. Hajdarit bërë nga dy anëtarë të Komisionit Nismëtar, Azemi del nga mbledhja dhe në shenjë proteste shpall se kishte dhënë dorëheqje të parevokueshme.
Pavarësisht bojkotit të Hajdarit dhe mungesës së Berishës dhe Imamit, inisiatorët e mbajtjes së zgjedhjeve në Komision përcaktojnë procedurat e votimit për kryeytarin e ri. Në fund të votimit rezultoi që prof. A. Meksi të kishte marrë 7 vota, A. Hajdari 4 vota, G.Ruli 1 votë dhe M.Zaloshnja 1 votë.
Pas shpalljes së rezultateve Azem Hajdari dhe Arben Imami e denocuan këtë procedurë ‘si kurth të një klani”. Ata paralajmëruan se nuk do ta njihnin këtë votim, pasi nuk e kishte legjitimitetetin e nevojshëm për të bërë atë ndryshim.
Duket që ndarja e partisë ishte e pashmangshme dhe pasojat ishin të qarta.
Prof. Sali Berisha i cili deri atëherë kishte kundërshtuar përfshirjen e tij në këtë garë, për të menjanuar përcarjen, i ftoi anëtarët e Komisonit të anullonin procedurën e votimit për ta bërë në një ditë të përshtashme dhe të pranueshme nga të gjithë.
Më 13 shkurt 1991 u mblodh Aktivi Kombëtar i PD-së, me kryetarët dhe sekretarët e degëve të PD-së, në të gjithë vendin, i cili zgjodhi Komisionin e ri Drejtues. Forumi i ri tashmë kishte pësuar shumë ndryshime nga ai i mesit të dhjetorit 1990. Ndërsa u zgjdhen rishtas N.Ceka, R.Uka, B. Çela, L.Dhamo, mjeku E.Trako, kishin mbetur jashtë disa studentë që kishin qënë anëtarë të kryesisë së Komisionit Nismëtar prej dhjetorit të vitit 1990, ndërsa punëtorët e Tiranës të cilët kishin luajtur rol të madh për lindjen e pluralizmit dhe fitoren e Levizjes Studentore, nuk kishin asnjë përfaqëues në komisionin e ri.
Si kompensim në Komitetein e Ri drejtues u zgjodhen Agron Çika mekanik dhe L.Toto, si përfaqësues të punëtorëve.
Më 14 shkurt 1991 u mblodh komiteti i ri drejtues i PD-së, për zgjedhjen e kryetarit dhe sekretarit. Qysh në fillim Azem Hajdari e akuzoi Pashkon se qëndronte pas klanit për zgjedhjen e prof. Meksit kryetar.
Mbledhja u përfshi qysh në fillim nga tensione dhe debate lidhur me propozimin e kandidaturave për
Kryetarin e ri të Komitetit Drejtues.
Në këto rrethana prof. Berisha refuzoi të kandidonte.
Duket se ka qënë ndërhyrja këmbëngulëse e prof. N.Cekës që votimi të mbahej me thirrjen se askush nga emrat e propozuar përfshirë Berishën, Hajdarin, Pashkon dhe Meksin të mos tërhiqeshin. Ceka, pasi mbrojti kandidaturën e S.Berishës si më të përshtashmen kërkoi që të hyhej në procedurë votimi.
Pavarësisht, refuzimit të Berishës për të kandiduar, ishte një tjetër anëtar i sapozgjedhur i Komisonit Drejtues të PDSH-së, mjeku L. Dhamo i cili kërkoi me këmbëngulje që të votoheshin të katër kandidatura, sic tha ai “në mënyrë që partia të mos hynte në krizë drejtimi dhe klanesh që do të rrënonin reputacionin e saj”.
Procedura e votimit për postin e kryetarit të Komisonit Drejtues të PDSH-së filloi dhe në fund të tij kishin këto rezultate: Sali Berisha kishte marrë 9 vota, A. Meksi 5 vota, Gramoz Pashko 4 vota, Azem Hajdari 1 votë.
Pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Komitetit Drjetues të PD-së Sali Berisha, pasoi votimi për sekretarin e PD-së, në fund të votimit Eduard Selami kishte marrë shumicën e votave duke lënë pas A. Imamin, G.Rulin, A.Demetin.
Pra ky ishte rasti i parë kur kryetari i deriatëhershëm i PD-së, Azem Hajdari e gjeti vetën në minorancë, por ai do të vijonte të ishte një nga figurat kryesore të partisë dhe përkrah Berishës do të luante rol qënësor në fitoren e demokratëve konservatorë më 22 mars 1992. Po kështu edhe prof. Meksi nuk shfaqi ndonjë pakënqësi që u pezullua nga posti i kryetarit provizor, duke u bërë një nga shtyllat e partisë në fitoren e 22 marsit 1992, ndërsa për katër-pesë vjetët në vazhdim kryeministër i qeverisë së PD-së(1992-1997).
***
Vetëm pak muaj pas mbajtjes së Kuvendit të parë të PDSH që do të mbahej më 26 Shtator 1991, ku Sali berisha u zgjodh kryetar, Partia Demokratike do të fitonte zgjedhjet e 22 marsit 1992. Me zgjedhjen e tij si president i vendit më 9 prill 1992, me 96 vota pro dhe 35 kundër, Sali Berisha kishte lënë bosh vendin e kryetarit të PDSH-së.
KONFERENCA E JASHTËZAKONSHME E 16 PRILLIT 1992, EDUARD SELAMI ZGJIDHET KRYETAR I PD-SË
Më 16 Prill 1992, do të mbahej Konferenca e Jashtëzakonshme, Kombëtare e PD e cila zgjedh në postin e kryetarit të partisë, si pasardhës të S. Berishës, Eduard Selamin, deri atëherë Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie.
KONFERENCA E JASHTËZAKOHSME E PD E 13 GUSHTIT 1992, PASHKO, IMAMI, ZOGAJ, DEMETI, SHAHIN KADARE, RIDVAN PESHKËPIA, PERIKLI TETA, EDMOND TRAKO, TEODOR KEKO, PËRJASHTOHEN NGA PARTIA DEMOKRATIKE
Konferenca e jashtëzakohsme e PD, e mesit të gushtit 1992, do të ishte një tjetër moment kur divergjencat rreth kursit politik të kësaj partie do të çonin në një tjetër votim të brendshëm dhe debat të ashpër.
Disa anëtarë kryesie të Partisë Demokratike të cilët ishin dukshëm të pakenaqur nga ndarja e posteve në qeverinë Meksi, kishin paraqitur rezerva të mëdha për drejtimin, sipas tyre, esktremist të PD-së.
Ky qëndrim politik i formluar prej tyre në një “Mocion” pati marrë debate në mbledhjen e Këshillit kombëtar të PD-së, të mbajtur më 5 gusht 1992. Pashko, Imami, Zogaj, Demeti (anëtar të kryesisë së PD-së), kritikuan politikat e Berishës si ekstremiste të djathta dhe për këtë shkak të rrezikshme për të ardhmen e partisë.
Për t’u dhënë fund këtyre debateve Këshilli Kombëtar i PD-së, pati njoftuar mbledhjen e Konferencës së jashtëzakonshme të PD-së më 13 gusht 1992, mbedhje e cila u mbajt në sallën e Teatrit të Operas në Tiranë.
Pas një debati maratonë, “Mocionistët” e humbin betejën, njëkohësisht edhe vendin e tyre në drejtimin e Partisë, pas një votimi ku ata mbesin në minorancë. Pashko, Imami, Zogaj, Demeti, Shahin Kadare, Ridvan Peshkëpia, Perikli Teta, Edmond Trako, Teodor Keko përjashtohen nga Partia Demokratike. Azem Hajdari, sido që ishte përkrahës i mocionistëve, shpetoi pas një autokritike të momentit të fundit në sallë.
Pra ky ishte një tjetër rast kur drejtues të rëndësishëm të PD-së, kërkojnë mocion besimi dhe debati për shkaqe politikash drejtuese dhe në fund pranojnë rezultatin, duke krijuar pastaj një formacion të ri politik, siç ishte Aleanca Demokratike.
KONFERENCA E JASHTËZAKONSHME E PD-SË, E 5 MARSIT 1995 KRYETARI EDUARD SELAMI, HUMBET VOTIMIN BRENDA PARTISË
Në statutin e PD-së të miratuar në Kuvendin e parë të saj me27 shtator 1991, ishte sanksionuar që Kuvendi i partisë do të mbahej çdo dy vjet. Kështu që në Kuvendin e Dytë të PD-së të mbajtur në 4 dhjetor 1993 do të rizgjidhej në postin e kryetarit zoti Edurad Selami, Sekretar i Përgjithshem u zgjodh prof. dr.Tritan Shehu, ndërsa nënkryetarë, Ali Spahia dhe Engjell Hysenbegasi.
Rasti i dytë pas A. Hajdarit që kryetari i Partisë Demokratike do të ishte në anën e të humburve në votimin brenda partisë, është ai i Eduard Selamit.
Pas polemikave rreth njësimit të postit të kryetarit të partisë me atë të kryeministrit të vendit, i paraprirë nga diferenca qendrimesh me Presidentin e vendit Sali Berisha, për sa i përket procedurave për miratimin e referendumit për kushtetuten, i mbajtur në nëntor 1994, dhe humbjen dëshperuese të tij, etj, Eduard Selami do të humbiste vendin e kryetarit të PD-së pas rreth tre vjetesh në krye të kësaj partie.
Fillimisht në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PDSH-së mbajtur në fund të janarit të vitit 1995 propozimi i Eduard Selamit (Kryetar i PD-së) që kryetari i partisë të zinte vendin e kryeminsitrit, u rrëzua.
Një Konferencën e Jashtëzakonshme të PD-së, e mbajtur me 5 mars 1995 do të votonte qëndrimin e Selamit dhe të Berishës dhe në fund do ta shkarkonte Selamin pas një procesi votimi të hapur. Plot 607 delegatë nga 664 gjithsej kishin votuar kundër ideve të Selamit. Nga ana e tij Eduard Selami e pranoi burrërisht rezultatin edhe pse ishte përbetuar se të mbronte postin e kryetarit të partisë. Ai vazhdoi të ishte anëtar i PD-së dhe kryetar i Komisionit të Jashtëm në Kuvendin e Shqipërisë edhe për dy vitet në vazhdim, duke shmangur qartësisht një përçarje e cila do ta demtonte Partinë Demokratike.Ai mbeti vazhdimisht një figurë e respektuar në parti, ndërsa vite më vonë, në zgjedhjet e vitit 2009 u bë deputet i forcës së tij politike. Ai garoi për postin e kryetarit të PD-së në korrik të vitit 2017, një garë të cilën e humbi. Ai edhe pse i konstestoi këto zgjedhje për parregullsi të mëdha, ai e njohu rezultatin e tyre.
ME 17 KORRIK 1999 U MBAJT KUVENDI I PESTË I JASHTËZAKONSHËM I PARTISË DEMOKRATIKE, VENDOSET FUTJA E PD-SË NË PARLAMENT
Në shtator 1998 Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike, me një vendim unanim, pati vendosur bojkotimin e parlamentit të Shqipërisë.
Vrasja e themeluesit të PDSH-së Azem Hajdari, në oborrin e kësaj partie, pati çuar në revolta të përgjithshme në të gjithë vendin, por edhe edhe në bojkotimin e parlamentit në shenjë proteste për dhunën qeveriatre ndaj njerëzve të PD-së.
Me 17 korrik 1999 u mbajt Kuvendi i Pestë i Jashtëzakonshëm i Partisë Demokratike( Kuvend jo zgjedhor). Ku Kuvend vendosi rifutjen e PD-së në parlament, i cili ishte bojkotuar pas ekzekutimit nga strukturat e policisë së shtetit të njëres prej figurave kryesore të PD-së, deputetit Azem Hajdari, më 12 shtator 1998.
Pra si në rastin e daljes nga Kuvendi pas një vendimi të Këshillit Kombëtar, ashtu edhe të rikthimit në Kuvend, u morën vendimet e forumeve drejtuese të PD-së, pas një konsultimi të gjerë më anëtarësinë në bazë.
Kuvendet që erdhën në vijim qënë Kongrese të rregullta, me përjashtim të Kuvendit të 11 dhjetorit të vitit 2021.
KUVENDI I JASHTËZAKONSHËM I 11 DHJETORIT ËSHTË KUVENDI I DYTË I JASHTËZAKONSHËM I PARTISË DEMOKRATIKE, PAS ATIJ TË MBAJTUR MË 17 KORRIK 1999.
Kuvendi i Jashtëzakonshëm i 11 dhjetorit, në fakt është i jashtëzakonshëm në të gjitha pikëpamjet pasi thirret nga anëtarësia e Partisë Demokratike, apo delegatët e Kuvendit, bazuar në nenin 43 pika 2 e Statutit të Partisë Demokratike miratuar më 17 korrik 2021, dhe jo nga kryesia e PD-së.
Kuvendi është thirrur për të shkarkuar nga funksioni kryetarin në detyrë Lulzim Basha si dhe miratuar një statut i ri i cili ka për qëllim demokratizimin e drejtimit dhe vendimarrjes si dhe krejt sistemit të zgjedhjeve në parti.
Ndryshe nga të gjithë kryetarët e mëparshëm të PD-së, si Azem Hajdari, Eduard Selami apo Sali Berisha që u përmballën me votëbesimet e brendshme dhe i pranuan rezultatet e tyre, Lulzim Basha ka zgjedhur të provojë të thërrasë një kuvend tjetër, apo antikuvend sic thotë Sali Berisha, duke i ikur debatit, përballjes me vendimet e tij si dhe llogaridhënjes pas humbjes në katër palë zgjedhje vendore dhe kombëtare.
Basha injoroi kundërshtimin e përhapur ndaj tij në parti, refuzim që nga njëra foltore në tjetrën erdhi duke u zgjeruar dhe forcuar deri në revoltë shpërthyese të anëtarësisë së zhgënjyer prej tij.
Qysh prej humbjes së zgjedhjeve parlamentare të qershorit 2017, anëtarësia e pa qartë se Basha nuk do të ishte në gjendje të çonte Partinë Demokratike në pushtet dhe të mundte qeverisjen e korruptuar dhe arrogante të Ramës. Ai demonstroi vit pas viti se ishte më i interesuar të arrinte një marrëveshje me regjimin në fuqi, se sa ta rrëzonte atë. Prova më dëshpëruese për këtë platformë dezertuese ishte marrëveshja e 17 majit 2017 me kryemisntrin Rama.
Partia Demokratike e ka jetike kthimin e legjitimitetit të të zgjedhurve të saj në të gjitha nivelet, demokratizmin e sistemit të zgjedhjeve të brendshme, ose për ndryshe do ta shohë vetën jashtë pretendimeve të verteta për të qënë forcë e besueshme për pushtet.
Basha e ka marrë me nge rrëzimin e qeverisë së korruptuar socialiste, e cila ndodhet në mandatin e tretë të qeverisjes, por demokratët jo! Prandaj ata do të mblidhen më 11 dhjetor 2021.