Nadire Karadaku rrëfen 50 vitet e jetës me  bashkshkortin e saj, shkrimtarin e mirënjohur SHEFKI KARADAKU 

 

 

 

 

Nadire Karadaku: Shefkiu ishte në sintoni të plotë si shkrimtar dhe njeri i mrekullueshëm, dhe unë kam qenë me fat që për rreth gjysmë shekulli isha bashkëshortja e tij. Ai nuk jeton më, por kudo që rrotullohem në shtëpi më duket sikur e kam pranë, pasi kudo prek libat e shumtë të tij që përbëjnë një pasuri tejet të vyer, jo vetëm par familjen, por parasëgjithash për kulturën tonë kombëtare

 

BOX:

 

  • Mjafton të kujtosh analizën e shqiptaro-maqedonasit Lutfi Turkeshi në gazetën “Fjala”, (i panjohur për Shefkiun) i cili e quan “Kajani i ditëve tona” dhe “një autor i madh”… Moikom Zeqo e krahason me Jetsin, Halil Rama e quan “një poet dhe prozator gjenial”, Enver Kushi e quan “poeti i reve”; Xhevat Mustafa shkruan në “Nacional” ditën që Ai ndrroi jetë se “u shua një yll i lerësisë shqipe”. Erika Beermann, albanologe dhe studjuese e vendeve të Europës Juglindore e quan një nga autorët e famshëm të vendeve të Europës Juglindore dhe e boton me shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, në një antalogji me karakter studimor në vitin 1995 në Gjermani…Shefi i katedrës së albanologjisë të Universitetit të Sorbonës, Kristian Guut i shkruan se e vlerëson shumë lart krijimtarinë e tij.

 

 

 

 

-Nadire Karadaku është ndoshta nga zonjat e rralla, jo vetëm si frymëzuese e krijimtarisë së bashkëshortit të saj të ndjerë, shkrimtarit të mirënjohur e shumë të sukseshëm, Shefki Karadaku, por edhe mbështetësja e financuesja e botimit të 20 librave të tij. Noterja e mirënjohur, që në rininë e saj ka shkruar dhe botuar poezi, skica e tregime të arrira artistikisht dhe të vlerësuar nga lexuesi i asaj kohe, në këtë intervistë eksluzive për “NACIONAL” prezantohet jo vetëm si njohëse perfekte e letërsisë botërore e asaj shqiptare, por edhe si një kritike e mirëfilltë letrare.

 

 

  • Zonja Nadire, më 16 mars 2021 u ndaj nga jeta shkrimtari i mirënjohur Shefki Karadaku. Ju si bashkëshorte si u ndjetë në këtë moment të vështirë të jetës tuaj?

 

 

-Më 16 Mars 1991, rreth orës 10.30 u nda nga jeta bashkëshorti im, shkrimtari Shefki Karadaku. Nuk do mund ta harroj deri sa të jetoj atë moment të dhimbshëm. M’u duk sikur toka m’u rrotuallua nën këmbë dhe po rrëzohesha. Ai i mbylli sytë shumë i qetë, i rrethuar nga e gjithë familja që e donte aq shumë, si bashkëshortja, fëmijet, mbesat, motrat, bashkëshorti i vajzës, bashkëshortja e djalit si dhe disa miq të familjes.

 

  • Pak gra shkrimtarësh u janë përkushtuar bashkëshortëve të tyre si ju ndaj Shefki Karadakut, duke i krijuar një mjedis të qetë familjar, mbështetur dhe inkurajuar atë për shkruar dhe botuar librat, por edhe duke e këshilluar edhe me mëndime kritike. Nga ju buroi gjithë ajo dashuri e pashtershme ndaj Shefkiut?

 

-Unë e adhuroj letërsinë. Që në adoloshencën e herëshme kam lexuar klasikët e botës të përkthyer mjeshtërisht tek ne, si Tolstoin, Shekspirin, Dostojevskin, Pushkinin, Gogolin, Çehovin, Hemingujejin, Re Markun, Drajzërin, Hygoin, Balzakun, Mopasanin, Gollsuorthin, Arçibald Kronin e  shumë e shumë të tjerë.

Në këtë këndvështrim, isha me fat që bashkëshorti im ishte poet dhe prozator me shumë talent.

Gjatë periudhës së diktaturës, Shefkiu botoi 9 libra, sigurisht duke u munduar të ishin brenda kornizave të kohës. Krahas këtyre botimeve, duke filluar nga vitit 1972 deri në vitin 1985 shkroi gradualisht vëllimin me poezi “FENIKS” dhe në vitin 1976-77 novelat “Arkadia e largët”.

Mbaj mend se rreth viteve 1976- 1977 kishte shkruar dhe përgatitur për shtyp një roman. E çoi në Shtëpinë Botuese “Naim Frashëri” dhe nga reçensionistët u dhanë vlerësime pozitive, ndaj dhe libri hyri në shtyp për botim. Por kur prisnim të dilte romani, u njoftua se ky roman ishte kthyer në karton.

Shefkiu ishte tepër i ndjeshëm dhe erdhi në shtëpi i dërmuar moralisht. Pasi mësova se pse ishte dëshpëruar aq shumë, i thashë: Ti e kupton se në ç’kohë jetojmë! A bëjmë një pakt bashkë?! Ti vazhdo të shkruash dhe shkrimet e tua do t’i lexoj vetëm unë, nuk do t’i çosh për botim. Dhe natyrisht, poezitë e “FENIKS”-it apo novelat e “Arkadia e Largët”, nuk mund t’i dërgonte për botim, pasi kur doli në dritë botimi i tyre (viti 1993) ne do ishim harruar.

Dorëshkrimet e “Feniks”-it dhe “Arkadisë së largët” si dhe romanit “Puthja  ngrirë”, i kam ruajtur në shtëpi me fanatizëm.

Poezitë e “Feniks”-it i daktilografoi vetë në redaksionë e revistës “Ylli”, ku punoi për 20 vjet rresht. I përfundoi së daktilografuari rreth viteve 1986-1987. I kam lexuar mbasi i daktilografoi dhe i thashë: Nëse do vijë një ditë që të botohet ky vëllim, unë do të të lutem që të mos ia japësh askujt për redaktim, pasi këto poezi nuk kanë nevojë për t’u hequr dhe as për t’u shtuar asnjë pikë dhe asnjë presje.

Natyrisht, Ai e mori në konsideratë sugjerimin që i bëra. Dhe unë nuk isha gabuar. “FENIKS”-i u prit mjaftë mirë dhe u vlerësua me nota maksimale nga kritikë, specialistë të fushës dhe dashamirës të letërsisë. Mjafton të kujtosh analizën e shqiptaro-maqedonasit Lutfi Turkeshi në gazetën “Fakti”,  (I panjohur për Shefkiun) i cili e quan “Kajami i ditëve tona” dhe “një autor i madh”.

Moikom Zeqo e krahason me Jetzin, Halil Rama e quan “një poet dhe prozator gjenial”, Enver Kushi e quan “poeti i reve”; Xhevat Mustafa shkruan në “Nacional” ditën që Ai ndrroi jetë se “u shua një yll i lerësisë shqipe”. Erika Beermann, albanologe dhe studjuese e vendeve të Europës Juglindore e quan një nga autorët e famshëm të vendeve Juglindore dhe e boton me shkrimtarët më të mëdhenj të kohës, në një antalogji me karakter studimor në vitin 1995 në Gjermani.

Shefi i katedrës së albanologjisë të Universitetit të Sorbonës, Kristian Guut i shkruan se e vlerëson shumë lart krijimtarinë e tij.

 

  • Shefkiu, sapo mbaroi studimet e larta për gjuhë letërsi shqipe, më 1971 u caktua redaktor në revistën “Ylli”, në Tiranë, një revistë që u bë shkak edhe për njohjen dhe pastaj lidhjen tuaj? Si e kujton këtë kohë ?

 

-Në vitin 1971, me datën 1 mars, Shefkiu pa u diplomuar, ishte student i fakultetit gjuhë-letërsi në Tiranë, u emërua redaktor në revistën “Ylli”. Unë në atë kohë punoja në këtë revistë, ku u njohëm e më pas krijuam familjen tonë.

 

 

  • Si çdo familje e re dhe posaçërisht në atë periudhë edhe ju patët vështirësitë e ngritjes së familjes, përballimin e jetesës etj. Si e kujtoni këtë periudhë, si ishte jeta e një familje intelektuale e kohës në Tiranë?

 

-Në atë periudhë, krijimi i një familjeje të re kishte vështirësi jo të vogla dhe një nga vështirësitë ishte fakti se nuk mund të kishe një shtëpi, ku mund të strehoheshe. Por ishim të rinj dhe e përballuam mirë faktin që na u desh të jetonim për më shumë se dy vjet si bohem.

 

  • Shefkiu ra në sy të kritikës si lirik origjinal dhe me talent të spiktaur qysh me vëllimin e parë me poezi “ “Kënga e karrove të drithit”, botuar para se të vinte në Fakultet, por librat e më vonshëm do ta vinin në majë të poezisë lirike shqipe, bashkë me disa prej bashkëkohësve të tij. Si punonte Shefkiu, kishte një regjim të tijin që e respektonte çdo ditë apo punonte kur i vinte fryëzimi?

 

-Shefkiu ka botuar që herët cikle me poezi në gazetat “Drita” e “Zëri i Rinisë”, në revistën “Nëntori” etj, por botimi i vëllimit të parë “Kënga e karrove të drithit” më 1967, do të mbetet si një nga vëllimet me lirikat më dinjitoze dhe më të lexuara në atë kohë, pasi janë lirika në kuptimin e plotë të kësaj fjale dhe jo ditirambe për diktaturën apo diktatorin. Kjo është dhe një nga arsyet që e adhuroj letërsinë e Shefkiut, përveç faktit që vargun e  tij në poezi e lexon dhe e rilexon me shumë endje.

Shpesh i thoja: Shefki, ndër shkrimtarët botërorë që adhuroj është Çehovi, novelat e të cilit i kam lexuar 6 herë, kurse poezitë e “Feniksi”-t tënd i kam lexuar 12 herë dhe ju kthehem sërish si nga e para. Po ashtu edhe novelave të “Arkadisë së largët”, të cilat i kam lexuar mbi 5 herë, jo vetëm për tematikën e larmishme, por edhe për stilin krejtësisht të veçantë.

Shefkiu nuk e programonte kohën kur shkruante. Kishte ditë që ulej para tavolinës dhe shkruante për 10 orë rresht. Shpesh çohej edhe nga gjumi dhe shkruante për disa orë edhe natën… Nuk kishte regjim të caktuar, por pas viteve ‘’90 ai shkroi me shumë temp dhe botoi shumë libra.

Përveç vëllimit me poezi “Feniks”, vëllimit me novela “Arkadia e largët” dhe romanit “Puthja e ngrirë” që u shkruan në kohën e dikaturës dhe u ruajtën me shumë kujdes nga ne të dy, pas viteve ‘’90 shkroi e botoi shumë libra si: “Njëmijë vejt dashuri”, “Argonatutët”, “Vila e magjepsur”, Salamandrat”, “Filantropi”, “Gjenerali nuk dëshiron të vdesë kot”, “ Njëzet novela për dashurinë”, “Sagë mbretërore”, “Lumi me 100 zemra”, “Elbasan-dashuria ime”, “Gjergj Elez Alia”, Toraks” etj…

E adhuronte Elbasanin, të cilit i kushtoi disa libra. Njëherë i thashë: Sa shumë ke shkruar dhe sa shumë e do Elbasanin! Po Elbasani ç’bëri për ty?!

 

  • Poetët janë njerëz me huqe të medha, tekanjoz dhe shpesh grinden edhe me vetëveten. Ju si i përballonit huqet krijuese apo njërëzore të Shefkiut?

 

 

-Po. Kam dëgjuar për poetë të ndryshëm dhe huqet e tyre. Dua të theksoi se Shefkiu nuk kishte huqe, ishte njeri i qetë, human, tepër i ndjeshëm, me shumë humor dhe shumë familjar. I deshi dhe i respektoi prindërit e tij deri në fund të jetës. E adhuronte familjen e tij dhe sakrifikoi shumë për të.

 

  • Poetët mbahen si njerëz të dhembshur dhe humansitë, biles edhe dorëlëshuar kur vjen puna për të ndihmuar miqtë, shokët në nevojë por edhe familjarët. Shefkiu si i kishte marrëdhniet me paratë, kursente apo duhej gjithnjë që ti t’ia mbaje llogaritë?

 

-Nuk mund të jesh një lirik brilant dhe të mos jesh i dhembshur apo human. Po e ilustroj me një ndodhi. Një ditë vjen në shtëpi dhe më thotë me shumë dhimbje: A e di që sot pashë një kolegun tim që ka qenë gazetar, ka botuar edhe dy libra dhe shiste banane në rrugë. Sa keq e kam ndjerë veten!!!….

Ju përgjigja se ne qemë me fat që unë punova shumë vite si notere, sepse të njejtin fat mund të kishim patur edhe ne. Tek kolegu i tij i mbeti mendja për shumë kohë.

Ndjeshmërinë e Shefkiut po e ilustroj edhe me një shembull tjetër. Ne kemi një shtëpi në një fshat të Tiranës. Shkonim në çdo fundjavë. E adhuronte atë shtëpi pasi natyra atje është e virgjër. Kur niseshim për në fshat nuk harronte të merrte me vehte ushqim për zogjtë apo për ndonjë kafshë shtëpiake që mund të kishte mbetur pa ngrënë (ne nuk mbajmë kafshë në shtëpi). Kënaqej kur ndihmonte financiarisht banorët e fshatit. Ishte njeri me zemër të madhe. Ndjente kënaqësi të paparë kur redaktonte librat që i jepnin shokët apo miqtë…dhe gjithshka e bënte falas dhe me shumë kënaqësi.

 

  • Shefkiu ishte po kështu edhe aq i përkushtuar ndaj teje, të mbështeste dhe gjendej kudo. Pyetja ime ka të bëjë përsëri me ndonjë veçori njerëzore të tij?

 

-Në të gjitha kohët ka qenë njeri me mendime përparimtare. Në çdo periudhë të sikletshme që kam kaluar, kam qenë me fat që pranë vetes kam patur një shok të mrekullueshëm që me fjalët e këshillat e tij të lehtësonte çdo situatë të vështirë.

 

  • A shpenzonte Shefkiu për botimin e krijimtarisë së tij, për bibliotekën e madhe dhe mirëmbjatjen e saj? Shpeshherë gratë e shkrimtarëve bezdisen nga shpenzimet e bashkëshortëve për botimete Në këtë aspekt si kanë qenë marrëdhëniet tuaja?

 

-Shefkiu nuk shpërdoronte. Ishte kavalier, i pëlqente që t’i qeraste shpesh shokët e miqtë, por pjesa e tij që nuk e njihte kursimin ishte shpenzimi për të botuar librat, pjesën më të madhe të të cilëve e falte.

Ai kishte shpirt artisti dhe jo tregtari…Të gjithë librat e Shefkiut, (26 botime pas viteve ‘’90) janë botuar nga vetë familja pa asnjë subvencion.

Sikurse ju thash më parë, unë e adhuroj letërsinë dhe krijimtarinë e Shefkiut e kam çmuar si brilante, prandaj kam patur kënaqësi të shpenzoj për botimin e librave të tij, i cili i la kulturës shqiptare 35 botime me vlera të mëdha artistike, por edhe për mesazhet që ato përcjellin.

 

  • Në disa libra të Shefkiut dominon tema e patriotizmit. Nga i buronte kjo ndjenjë krenarie për atdheun dhe kombin?

 

-Shefkiu, përveç të tjerave ishte shumë patriot dhe nuk e kuptonte kurrë jetën jashtë Shqipërisë. Më kujtohet një moment, rreth viteve 1995-1996, në një bisedë me Klemanthi Koçin, një nga civilistët më të mirë të Shqipërise por dhe me kulturë të gjerë, i cili më thotë: I kemi lexuar me një frymë familjarisht librat e Shefkiut dhe na kanë pëlqyer shumë. Por vetëm dua të di, me kë është, sepse librat e tij kanë sens kritik?

I thashë se edhe unë e kam pyetur Shefkiun për këtë, por përgjigja e tij ishte: Jam me Shqipërinë dhe shqiptarët, sepse sado i mirë të jetë një shtet apo një elitë e caktuar politike,  gjithmonë ka vend për t’u kritikuar. Dhe nëse shkrimtari bëhet palë me shtetin, ai nuk është më në misionin e tij…Një shkrimtar dinjitoz është gjithnjë në opozitë me shtetin. Kjo është arsyeja që Ai adhuronte shkrimtarët e mëdhenj shqiptarë që nga Naimi, Çajupi, Ndre Mjeda, Migjeni, Fishta, Kuteli, Poradeci, Petro Marko, të cilët i çmonte jo vetëm për penën e tyre të artë por edhe si shkrimtarë dinjitozë.

Si prozator e poet brilant, por edhe si piktor shumë i mirë që i dha aq shumë vendit të tij, Shefki Karadaku u shpërblye me një pension fare modest.

Rreth tre muaj përpara se të ndrronte jetë, i them: Shefki, më habit fakti se përveç se je një nga autorët më të mirë që ka patur dhe ka Shqipëria, ti je dhe shumë njerëzor. Pse ky qëndrim kaq i heshtur ndaj teje?

-Ka një arsye m’u përgjigj se, nëse letërsisë time do t’i jepej vendi që meriton, duhej të rrëzohej letërsia e realizmit socialist, pasi në librat e mi është pasqyruar realisht jeta e çdo kohe për të cilat kam shkruar, pa zbukuruar e idealizuar periudhat e vështira që kemi kaluar, veçanërish atë të kohës së diktaturës.

Për ta përmbyllur do të thoja se Shefkiu ishte në sintoni të plotë si shkrimtar dhe njeri i mrekullueshëm, dhe unë kam qenë me fat që për rreth gjysmë shekulli isha bashkëshortja e tij. Ai nuk jeton më, por kudo që rrotullohem në shtëpi më duket sikur e kam pranë, pasi kudo prek libat e shumtë të tij që përbëjnë një pasuri tejet të vyer, jo vetëm par familjen, por parasëgjithash për kulturën tonë kombëtare.

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here