Në 20-vjetorin e vdekjes. PUBLICISTIKA DHE PRIRJET LETRARE E ARTISTIKE TË ISUF RASHES. Nga Halil RAMA & Sakip CAMI

 

Në publicistikë, letërsi, art dhe kulturë, pasioni sjell talentin. Këtë e provon më së miri edhe trashëgimia publicistike, letrare dhe artistike e Isuf Rashës. Ndonëse nuk është ndonjë autor i njohur, në labirinthet e laboratorit të tij krijues, (të shprehur në formë ditari) gjen dhjetra artikuj problemorë, poezi, skica etj (disa të botuar në gazetën lokale “Ushtima e maleve, por shumica të pabotuara) ku reflektohen fakte historike, por edhe shqetësimi për mbarëvajtjen e punëve në Zall Dardhën e tij të largët.
Ndonëse e donte dhe dashuronte jetën, ai iku për në botën e përtejme para 20 vitesh, duke lënë pas një trashëgimi të pasur dokumentare. Mjaftojnë qoftë dhe dhjetra ditaret e lënë në dorëshkrim (nëpër blloqe a fletore të asaj kohe), për të kuptuar punën e tij të thelluar studimore, duke përshkruar gjer në detaje fakte e ngjarje historike të zonës së Zall Dardhës me histori të lavdishme, toponiminë, për Simpoziumin e organizuar në Zall Dardhë nga zona e Reçit dhe Dardhës me rastin e 75 vjetorit të pavarësisë etj. Për vlerat e rralla të I.Rashës flasin bashkohës të tij, personalitete të mirrënjohura si Prof.dr.Petrit Bara, Dine Kaca, Xhelil Cibaku, Isuf Xhediku, Muharrem Xhoka, Nazmi Shira etj.
Nëse dëshiron të njohësh një njeri lexo ditarin e tij që ka lënë. Nëse dëshiron të njohësh një periudhë kohore historike lexo ditarët dhe shtypin e kohës.
Nëse ke mbajtur ditar tregon se je njeri i rregullt, i vëmendshëm, parashikues, optimist, krahasues, dhe vizionar.
Një nga të rrallët, por edhe të veçantët njerëz me botë të madhe shpirtërore është Isuf Rasha. Këtë e thonë ditarët e tij, që fatmirësisht bashkëshortja Hyrie dhe gjashtë djemtë e tij i kanë ruajtur si sytë e ballit. Janë ditarë shumë të thjeshtë , të vegjël, blloqe të vegjël, me një shkrim të imët, por me kaligrafi, që flasin shumë.

Studjues bashkohor
Intelektuali erudit I.Rasha, pa iu larguar profesionit të llogaritarit, angazhohet në studime serioze, në funksion të rritjes së vlerës së ditës së punës. Të tilla janë studimet për rritjen e efektivitetit nëpërmjet projekteve të sistemit të tokave, drenazhimeve, tarracave etj,-procese këto për të cilat sipas një vendimi të qeverisë së asaj kohe, financoheshin nga shteti.
Studime të tilla si dhe ai për rritjen e rrezes së bukës, të botuara në shtypin e kohës kanë patur jehonën e duhur, jo vetëm në qarqet intelektuale të Dardhës, Reçit, Çidhnës e Lurës, por pothuajse në gjithë rrethin e Dibrës.
Në këto studime (të botuara dhe të pabotuara) si edhe në kronikat, skicat apo essete (që dëshmojnë publicistikën e tij) reflektohet bota shpirtërore e një intelektuali të mirëfilltë që në çdo aspekt të imponon qasje të reja, metoda efektive në funksion të zgjidhjeve të problemeve, të ndërtimit dhe përkufizimit të koncepteve për strategji zhvillimore, planifikim strategjik, menaxhim efektiv të projekteve, gjithnjë në koherencë me realitetin objektiv.
Pikërisht kryellogaritari i një ekonomie bujqësore provinciale, që jo vetëm i kishte të koleksionuara, por edhe të mirëstudjuara revistat “Shkenca dhe jeta” dhe “Bujqësia”, do të ishte udhërrëfyes në aplikimin e metodologjisë së punës shkencore, duke mundësuar një ambientim të ri në stdudime, një cytje drejt përvetësimit të njohurive bashkokore dhe aplikimit të tyre në praktikën e  përditshme, në sektorë të tillë, si pemëtaria, blegtoria, bletërritja apo deri dhe te projektimi e ndërtimi i rrugëve të ndërmjetme mes fshatrave të Dardhës.
Me fjalë të tjera, I.Rasha ishte intelektiali bashkëkohor, i cili edhe në kushtet e  rrethanat e izolimit total, në një ekonomi provinciale, hartone dhe zbatonte projekte që konsistonin në doza optimale të materialeve teorike, për t’i dhënë rëndësi punës praktike, nga e cila krijonte bazamente të qëndrueshme për vepra po të qëndrueshme, disa prej të cilave i hasim edhe sot pas më shumë se tri dekadash, si blloku i pemëve (sipër shtëpisë së tij, apo dhe ndonjë rrugë ndërlidhëse fshtatrash….

Poezia…..
Jo më në Zall Dardhën e largët, por ndoshta edhe këtu në Tiranë, metropolin shqiptar, rrallë mund të gjejsh një bibliotekë aq të pasur sa ajo që i la trashëgim familjes së tij Isuf Rasha. Pikërisht, intelektuali bashkohor që kishte lexuar (e madje konspektuar), Tolstojin, Shekspirin, Dostojevskin, Uilliam Folkner, Çarls Dikens etj, dalëngadalëm, nëpërmjet leximeve. përjetimeve e asosacioneve, do të formonte profilin e tij letrar.
Dhe jo vetëm kaq. Nuk është rastësi që në arkivën e tij personale gjejmë koleksionin e të gjitha nr. të revistës “NëNTORI”, si dhe shumicën e nr. të gazetës “DRITA” nga ku ai, jo vetëm lexonte letërsinë e kritikën letrare bashkëkohore, por edhe mësonte rreth stilistikës të të shkruarit letërsi.
Ndonëse krijimtarinë e tij nuk e publikoi, nuk është rastësi që atë e ruajti me fanatizëm në “sepetet” e familjes, me bindjen se një ditë ajo do të “zbulohej”, e madje do të gjente dritën e botimit.
Brenda arsenalit të tij krijues, mjafton qoftë edhe poezia (e lënë në dorëshkrim “RREBESHET E SHKUARA MË NUK KTHEHEN”, për të konkluduar në peshën e fjalës, gjuhën e pasur e mjetet shprehëse brilante të një poeti të talentuar. Ligjërimin e tij poetik e gjejmë të sintetizuar qoftë edhe në vargjet: “Dikur në këto brigje qe zënë dielli/Errësira kishte bllokuar edhe qiellin/ Errësira, skamja, padituria/ U duk sikur në këto male kanë zënë rrënjë…”
Qoftë edhe vetëm në këto vargje tingëllon e bukur fjala poetike e Isuf Rashës. Më tej në vargjet: “Ngado që ngjitem në maja të larta/ Ngado që shkel buzë kufirit/ Zemra më gufon me afshin e pastër/ Rrofsh në jetë të jetëv O Shqipëri!…” duket sikur shkelim në sinorët poetikë të Isuf Rashës që janë më të bukura se rudinat e
Korabit. Na sjell kështu ai një shpirt të madh poetik, gati parajsor që të magjeps….

VEPRA E QËNËSISHME E PIKTORIT AUTODIDAKT
Një shpirt poetik i derdhur edhe në telajo….Një pikturë mbresëlënëse e një piktori autodidakt, që ndonëse e diktuar nga ideologjia sundese e regjimit në të cilin ai punoi, i ka rezistuar kohës.
Dhe për vetë faktin se shumica e punimeve të Isuf Rashës janë të skalitura në xham, gjithkush do të mendonte se ai ishte piktor i një stili të veçantë. Kështu, duke pikturuar në xham portrete e peisazhe të natyrës ai krijoi individualitetin e tij krijues edhe në gjininë e pikturës.
Një nga këto vepra, siç është ajo e klasikëve të M-L shpreh parasëgjithash botën krijuese të një piktori që të magjeps me veprën e tij…
Dhe ndonëse për të pikturuar peisazhe apo portrete të çfarëdolloji, ndjehej disi i pavarur, kishte dhe raste kur survejohej, e në këto rrethana venitej disi shpirti i tij krijues. Madje, kur donte të hidhte në një pikturë në xham portretin e ish dikatorit komunist E.Hoxha,(jo se e donte shpirtërisht, por për të shpëtuar nga intrigat që i thurrnin ziliqarët e kohës skëterrë) këtë nuk mund ta bënte kurrësesi pa lejen e Komitetit të PPSH të rrethit.(!)
Ndoshta edhe rrethanat ia “diktuan” Isuf Rashës ushtrimin e talentit të tij në pikturë. Se pikërisht në një periudhë kohore, kur qe ndëshkuar padrejtësisht nga kupola me masën e përjashtimit nga administrata e ish kooperativës bujqësore, për të mbajtur familjen do të “prodhonte” dhjetra piktura në xham, të cilat do t’ua shiste bashkëfshatarëve, që aq shumë i kërkonin për të zbukuruar më to shtëpitë e tyre.
Ndodhte kështu, pasi në peisazhet e portretet e pikturuara nga I.Rasha dominonte filozofia humaniste që nënkuptonte marrdhënien e tij shpirtërore me njeriun, me njerëzimin, me natyrën, me  botën që na rrethon.  Pikërisht në ato rrethana spikat një perceptim i ri i këtij piktori autodidakt, kur ky talent i veçantë arrin të vetëpërcaktohet dhe të kultivojë dhuntitë e tij, me të cilat mund të mbizotëronte fatin e paracaktuar dhe të dominonte natyrën duke e modifikuar.
Dhe vërtetë, kur shikon punimet e tij artistike, (të ruajtura me fanatizëm nga bashkëshortja, djemtë e vëllai i tij) qoftë në pikturë, qoftë në grafikë, sheh mjaftë peisazhe nga ambiente të origjinës së tij, pra nga Zall Dardha, kjo perlë e natyrës shqiptare. Në këto punime ku dominojnë lulet dhe natyra e qetë, duhet thënë se lidhja e tij me vendlindjen është një lidhje emocionale…është edhe një krenari për historinë e lavdishme të Dardhës dhe bukuritë mahnitëse të natyrës së saj.

“Shkenca dhe Jeta”, revista më e dashur e Isufit

Isufi lexonte shumë. Ai ishte i abonuar me shtypin e kohës.(jo në atë partiak, por në shtypin letrar e shkencor). Lexonte gazetën “Drita” , “Zëri i Rinisë”, etj. Por revista më e dashur për Isufin ishte revista “Shkenca dhe jeta”.
E lexonte me ëndje këtë revistë sepse tek ajo gjente nga vehtja e tij, gjente përvojë, kërkime shkencore. Një herë postieri nuk ja solli revistën në fshat. Isufi u mërzit shumë. Ai e ripagoi postierin që ta blente revistën në Peshkopi dhe t’ja sillte.
Revistat i mbante koleksion, i shfletonte herë pas here, nxirrte shënime, dhe këto shënime i vinte në praktikë. Shikonte emisione shkencore në televizor, emisione sportive e kulturore. Dëshira e tij e madhe për të zgjeruar horizontin kulturor ishte e jashtëzakonshme.

RREBESHET E SHKUARA MË NUK KTHEHEN
(Poezi e lënë në dorëshkrim)

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here