…Mëngjezi i bukur i së mërkurës së 12 qershorit 2019 më gjeti në avionin e linjës ajrore për në Prishtinë. Kjo është e dyta herë që udhëtoj me avion për në shtetin më të ri dhe më energjik të Europës. Herën e parë qëndrova 4 ditë. Respekti i madh i banorëve ndaj meje, historia e lashtë dhe moderne e këtij vendi në zemër të Europës dhe atraksionet e shumta turistike më rrëmbyen si me magji duke më detyruar të rikthehem përsëri në këtë trevë sa të lashtë, aq impresionuese. Kosova është bërë tashmë për mua një atdhe i dytë, të cilën e dua shumë, po aq sa dua edhe Francën. “Nuk është për t’u habitur që “Lonely Planet” e vendosi Kosovën në top 10 vendet evropiane që duhet vizituar në vitin 2018, -shkruan prestigjiozja londineze “Independent”. Gjatë qëndrimit në Prishtinë dhe Prizren bleva dhurata me simbole shqiptare për vete dhe për miqtë e mikeshat e mia në Francë. Bleva një çfteli me simbolin e shqiponjës për mikun tim të mirë nga Shqipëria, Mentor Hoxha, i cili ka punuar si profesor dhe gazetar profesionist në disa gazeta dhe revista të njohura në Shqipëri, por që prej 3 vitesh banon në Francë dhe disa dhurata për shoqet e mia, Blerinën nga Kosova dhe Achan nga Algjeria, të cilat banojnë në Francë.
Udhëtimi im këtë herë në Kosovë ka një simbolikë të veçantë, pasi përkon me 20- vjetorin e hyrjes së forcave ushtarake të NATO-s në Kosovë. 12 qershori cilësohet nga populli kosovar si Dita e lirisë së Kosovës dhe festohet çdo vit. Këtë herë u festua si kurrë më parë, pasi morën pjesë tre nga personalitetet më të larta botërore që vulosën çlirimin e Kosovës: ish- Presidenti amerikan, Bill Clinton, ish- Sekretarja amerikane e Shtetit, Madeleine Albright dhe ish gjenerali i NATO-s, Wesley Clark. Atmosfera festive dhe dashuria që shqiptarët kishin për Amerikën dhe për këto tre personalitete botërore akoma nuk më shqitet nga memoria. Mijra kosovarë me flamuj kombëtarë mbushën më 12 qershor sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë për t’u shprehur atyre falënderimet më të përzemërta, sidomos Klintonit, të cilit i kanë ngritur edhe një shtatore të madhe në zemër të Prishtinës.
Kosova njihet historikisht si tokë shqiptare. Kur u krijua shteti shqiptar më 28 Nëntor 1912 në qytetin e Vlorës, Shqipëri, Kosova dhe disa qytete të tjera në Maqedoni dhe në Mal të Zi nuk u bashkuan me Shqipërisë, por padrejtësisht i’u dhanë Jugosllavisë nga Fuqitë e Mëdha fituese të Luftës së Parë Botërore, të cilat përcaktuan hartën e re të Europës. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosova mbeti nën juridiksionin e Republikës së Serbisë. U desh të vinte 12 qershori i vitit 1999, që ajo të fitonte lirinë. Pamjet e tmerreve të luftës së 1999-ës që mbushnin ekranet e mediave botërore, sot janë zëvendësuar me ikonat kosovare të muzikës botërore, si Rita Ora, Dua Lipa, Era Istrefi, apo të xhudistes së artë kosovare, Majlinda Kelmendi.
MES HISTORISË DHE VENDEVE TURISTIKE TË PRISHTINËS
…Prishtina është destinacioni i parë turistik dhe porta kryesore ajrore në Kosovë, kështu që ndalesa ime e parë u bë në aeroportin e Prishtinës. Ai mban emrin e komandantit legjendar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, i flijuar familjerisht për lirinë e Kosovës më 7 mars 1998. Emrin e tij e mbajnë shumë rrugë dhe institucione të rëndësishme publike në Kosovë, ndërkohë shumë buste dhe shtatore gjigande të tij ngrihen në Kosovë, Tiranë, etj. Gjatë qëndrimit tim dy ditor në Prishtinë më shoqëroi, shoqja ime nga Gjilani, Almadina Muja, e cila erdhi nga Gjilani bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët e saj. Fjeta në hotelin luksoz “Princi i Arbërit”, një hotel me një emër mjaft domethënës dhe me një staf të mrekullueshëm. Këtë herë shoh ndryshime të mëdha në Prishtinë. Ka më shumë ndërtesa moderne shumëkatëshe, parqe te bukura, sheshe të mëdha, qendra kulturore dhe argëtuese, si dhe mjaft kafene dhe hotele luksi. Nga muzetë dhe qendrat historike, përshtypje më la Muzeu Kombëtar dhe Muzeu Etnologjik i Kosovës, Xhamia e Madhe e shekullit XV, Xhamia e Llapit e ndërtuar më 1470 gjatë Perandorisë Osmane, xhamia e Jashar Pashës, Manastiri i Graçanicës, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s dhe Kisha Ortodokse Serbe e ndërtuar në Kompleksin e Universitetit të Prishtinës. Nuk mund të rrija pa bërë një shëtitje në sheshin e famshëm “Nënë Tereza”, i pagëzuar me emrin e murgeshës së shenjtëruar shqiptare dhe në sheshin “Skënderbeu“, i pagëzuar me emrin e Heroit Kombëtar të shqiptarëve. Emrin e tij e mban edhe një shesh i madh në Paris. Prishtina dominohet nga besimi musliman, por ka dhe katolikë, ortodoksë, ateistë dhe njerëz të feve të tjera, që jetojnë në harmoni me njëri-tjetrin dhe kanë objektet e tyre të kultit.
…Ndonëse Prishtina është kryeqyteti i shtetit më të ri të Evropës dhe ka 20 vite si kryeqytet i Kosovës, rrënjët i ka që në lashtësi. Kjo dëshmohet nga 50 mijë objektet arkeologjike, historike dhe etnokulturore që ndodhen në Muzeun Kombëtar të Kosovës dhe që datojnë nga epoka neolotike, mijra vjet para Krishtit e deri në ditët e sotme, duke përfshirë edhe perëndeshën neolitike në terrakotën e fronit, të gjetur pranë Prishtinës më 1956 dhe të përshkruar në emblemën e qytetit. Pjesë përbërëse e këtij muzeu është edhe Muzeu Etnologjik me 4 ndërtesa, dy prej të cilave datojnë nga shekulli i XVIII dhe shekulli i XIX. Këto ndërtesa përfaqësojnë ciklin e jetës në Kosovë nga lindja, jeta dhe vdekja. Arkitektura moderne në Prishtinë përfaqësohet nga Biblioteka Kombëtare dhe Universitare e Kosovës dhe nga ndërtesat e larta të ndërtuar në vitet e fundit, ndërkohë bukurinë dhe oksigjenin, qytetit ia japin parqet madhështore që shtrihen në gjithë territorin e Prishtinës, si Parku i qytetit, Parku Taukbahqe, Parku i Arbërisë dhe Parku Kombëtar i Gërmisë me një florë dhe faunë të mrekullueshme.
NË PRIZREN, KRYEQENDRËN HISTORIKE, KULTURORE DHE GASTRONOMIKE TË KOSOVËS
…Përgjatë udhëtimit tim 3 ditor në Prizren, shoqja ime nga Prizreni, Amfora Banjaska, më shoqëroi në vendet më historike dhe më të bukura të qytetit. Prizreni është qyteti i dytë më i madh në Kosovë, pas Prishtinës. I ndodhur në Jug të Kosovës dhe në fund të maleve të të mrekullueshme të Sharit, ky qytet njihet për historinë e lashtë dhe për mikëpritjen, për dyqanet e shumta tradicionale artizanale dhe për kuzhinën e shijshme tradicionale me çmime shumë të lira, për objektet historike dhe fetare, si dhe për shumë vende të bukura. Cilësohet si kryeqendra historike, kulturore dhe gastronomike, jo vetëm e Kosovës, por e mbarë trojeve shqiptare. Përgjatë historisë, Prizreni ka njohur pushtime dhe perandori të ndryshme. Kjo shihet te prania e arkitekturës bizantine dhe osmane në qytet. Arkitektura osmane ndihet rreth qytetit të vjetër, sidomos rreth Shatërvanit dhe në Urën e vjetër të Gurit që daton nga shekulli XVI. Prizreni njihet në historinë shqiptare si vendi i përpjekjes për të bashkuar të gjithë shqiptarët në një shtet të vetëm, kjo falë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878-1881), e cila kundërshtoi me armë vendimet politike të Kongresit të Berlinit (1878) që cënonin tërësinë territoriale të Shqipërisë. Të gjithë këto e bëjnë Prizrenin, qytetin më të vizituar nga turistët dhe vendasit. Sipas guidave turistike vendase dhe të huaja, pesë vendet më të vizituara në Prizren janë: Muzeu dhe Kompleksi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, Kalaja e Prizrenit, Kafiç, Lumbardhi dhe Kinematë e Dokufestit. Muzeu dhe Kompleksi i Lidhjes së Prizrenit të njeh me historinë dhe traditën shqiptare. Kalaja e Prizrenit i përket shek. XI dhe dëshmon historisë e lashtë të qytetit. Ndodhet majë një kodre të lartë lart, në majën e qytetit, qëndron e hapur 24 orë dhe mund të vizitohet pa pagesë. Si një qytet me popullsi dërmuese myslimane, qyteti ka 20 xhami, ku spikat xhamia e Sinan Pashës me ngjyra të modelit arab, e konsideruar si një nga objektet më të rëndësishme në Prizren si dhe xhamia Bajrakli. Fantastike janë edhe Kisha e Shën Gjergjit afër Shatërvanit dhe Kisha e Shën Premtes e shekullit XIV, pjesë e UNESCO-s. Pranë sheshit Shadërvan të qytetit të vjetër dhe buzë lumit ka restorante të mrekullueshme tradicionale me çmime shumë të lira, ka ëmbëltore që përgatisin tollumba apo bakllava dhe qebaptore e bare të mrekullueshme. Restorantet e peshkut ndodhen në Luginën e Zhupës, kurse ato të ushqimit malor në rajonin e Hasit. Qyteti ka mbi 10 dyqane artizanale të filigramit me punime dore dhe suvenire me simbole shqiptare. Nuk mungojnë në qytet festat me këngë, valle dhe kostume tradicionale, apo mbrëmjet muzikore me muzikë moderne. Gjumin në Prizren e bëra në hotel Theranda, një hotel shumë cilësor me një personel të mrekullueshëm.
[1] Autorja e këtij reportazhi brilant për Kosovën, Fatima Zahra Sahel banon në Francë.