ONITSHA. Fragment romani nga nobelistit Le Clézio. Përktheu:  Zymber Elshani

 

Fragment romani nga nobelistit Le Clézio, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2008.

Përktheu:  Zymber Elshani

 

(J. M. G. Le Clézio (Jean-Marie Gustave Le Clézio) është shkrimtar franko-mauritian, fitues i Çmimit Nobel për Letërsinë në vitin 2008).

 

 

“Onitsha është një nga romanet më të rëndësishme të J. M. G. Le Clézio, botuar në frëngjisht nga Gallimard në vitin 1991.Subjekti: Fintan, një djalë dymbëdhjetëvjeçar, udhëton në vitin 1948 me nënën e tij Maou drejt Onitshës, në Nigeri, për t’u bashkuar me të atin, Geoffroy, të cilin nuk e ka njohur më parë.Tematika: romani trajton udhëtimin, zbulimin e Afrikës, kolonializmin, përplasjen e kulturave, identitetin dhe kërkimin e një bote alternative ndaj qytetërimit perëndimor.Fintani e përjeton Afrikën jo vetëm si një hapësirë gjeografike, por si një zbulim shpirtëror dhe formues. Natyra dhe peizazhi marrin një funksion të fuqishëm simbolik.Dimensioni autobiografik: romani ka lidhje të dukshme me përvojat e vetë Le Clézio-s në Afrikë dhe me kujtesën e tij të fëmijërisë.Onitsha është një roman i formimit dhe i zbulimit, ku udhëtimi i një fëmije drejt Afrikës shndërrohet në një udhëtim drejt identitetit, lirisë dhe kritikës së botës koloniale.”

 

 

 

18 Janar 2010

 

 

 

 

ONITSHAK

 

 

 

 

ONITSHA206

 

 

 

 

O N I T SH A

 

Përkthyer nga Zymber Elshani

 

Në kujtim të M. D. W. Jeffreys

 

 

 

 

LUNDRIMI I GJATЁ

Surabaya anija e vjetër tre – qind – tonëshe e Linjes Hollandë – Afrikë, tani sapo kishte lënë ujërat e ndotura të grykëderdhjes Gironde, e nisur drejt  bregut perëndimor të Afrikës, dhe Fintani shikonte në mamanë e tij thuajse po e shihte për herë të parë. Ai mbase kurrë nuk e kishte kuptuar sa e re ishte ajo, sa e afërt kishte qenë me të, si të qe motër të cilën ai kurrë nuk e pati. Nuk ishte e bukur vërtet, por ishte aq e gjallë, aq e zhvilluar. Qe pasdite e vonë; dielli ndriçonte në flokun e saj të zi me pikëla – të arta, në përvijimin e profilit të saj, ballin e saj të lartë që rrumbullosej ashpër deri te hunda e saj, në modelin e buzëve të saj, në mjekrën e saj. Në lëkurë i vihej re push i qartë, sikur të qe push peme. Ai e shikonte atë, dhe e donte.

Kur e festoi ditëlindjen e dhjetë, Fintani vendosi ta thërriste të ëmën vetëm me nofkë. Emri i saj ishte Maria Luisa, por ajo ishte quajtur Mao; Fintani, si foshnjë, nuk mund t’ia shqiptonte emrin, dhe kështu kjo kishte bërë që emri t’i ngecte në fyt. Ai rroku mamanë nga dora, shikoi drejt në sytë e saj, dhe e vendosi: “Prej sot e tutje unë do të quaj ty Mao.” Dukej aq serioz sa ajo për një moment ngeli e pagojë, pastaj shpërtheu në gaz, në qeshuri të marrosur siç nganjëherë, pafrenueshëm, gazi e rrëmbente. Fintani, poashtu, kishte shpërthyer në gaz dhe kjo e qeshur e kishte vulosur pajtimin e tyre.

Mao-a u përkul në parmakun e drunjtë dhe shikoi tragën e ujit të shkumëzuar të anijes, në tragë vështronte dhe Fintani. Qe pasdite e vonë e së Shtunës, data e 14 Marsit të 1948-ës – datë të cilën Fintani nuk do ta harronte kurrë. Qielli e deti ishin me kaltërsi të thellë, pothuajse si në vjollcë. Ajri ishte pa erë, ashtu që anija duhej të ketë qenë duke lëvizur në shpejtësinë e rrymës së ajrit. Disa pulëbardha rrinin pezull në fluturimin e ngathët përmbi kuvertën e prapme të anijes, duke iu afruar asaj, pastaj duke fluturuar tutje direkut ku flamuri trengjyrësh valëvitej si të qe peshqir i vjetër pjate. Herë pas here pulëbardhat zbrisnin ngutshëm anash, duke nxjerrë klithmat në harmoni të çuditshme me gumëzhimën shoqëruese të helikeve.

Fintani e vrojtonte nënën e tij, dhe me vëmendje pothuaj të bezdisur dëgjonte zërat përreth, zërin e lartë të pulëbardhave. Ndjente si valët rrëshqisnin nën bashin e anijes, si ngriheshin në përpjekjen e zgjatur të ngrinin anijen lart, thuajse ishin lënë pa frymë.

Kjo ishte hera e parë. Ai pa fytyrën e Mao-as, anën e majtë të saj, ndersa kjo fytyrë pak nga pak bëhej profil i saktë në shkëlqimin e qiellit dhe diellit. Po, mendoi ai, kjo ishte ajo, hera e parë. Dhe ai nuk mund ta kuptonte ende ngushtësinë e shtrëngimin në gurmazin e tij, ndjenjën e cila bëri që zemra t’i rrahte me vrull dhe sytë t’i rrëmbusheshin me lot, pasi kjo ishte poashtu dhe hera e fundit. Ata ishin duke u larguar, asgjë më nuk do të ishte sikur kishte qenë dikur. Matanë tragës së bardhë të ujit të shkumëzuar rripi i tokës ishte duke u fshehur.  Lymi nga grykëderdhja e gjerë papritmas i la vendin të kaltrës së thellë të detit.  Gishtat e rërës prej kallamësh majë mprehtë – ku kasollat e peshkatarëve dukeshin sikur vogëlima, dhe gjithë pamjet e çuditshme në breg – kullat, fenerët, rrjetat me rrathë metalike, guroret, grupi i shtëpive – të gjitha ishin humbur me lëvizjen detit, kredhur në baticë.

Në bash të anijes disku i diellit ishte duke u lëshuar drejt horizontit.

“Eja dhe shih feksjen me ngjyrë të blertë.” Mao-a e tërhoqi Fintanin afër vetes; ai mendoi se mund ta dëgjonte rrahjen e zemrës së saj nëpërmjet trashësisë së veshjes që mbante. Në kuvertën e klasit të parë, tek balli i anijes, njerëzit ishin duke e duartrokitur dikë, duke qeshur për diçka. Detarët me rrobat e kuqe ngjyrash të ndezura ishin duke nxituar në mesin e udhëtarëve, bartnin litarët, duke nxituar poshtë pasarelit të anijes.

Fintani e kuptoi se nuk ishin vetëm. Njerëzit ishin në çdo vend. Ata, energjikë, vinin e shkonin, vazhdimisht, në mes kuvertës dhe kabinave të tyre. Përkuleshin në parmakë, duke provuar të shikonin; thërrisnin njëri – tjetrin, nxirrnin dylbitë dhe teleskopët e tyre. Mbanin veshur pallto boje hiri, kapela, shalla. Shtyheshin, flisnin me zë, tymosnin cigare të padoganuara. Fintani dëshiroi ta shohë profilin e Mao-s edhe një herë, hije kundruall dritës së qiellit. Por ajo me sytë që poashtu i shkëlqenin, ishte duke i folur, atij.  “Je mirë? Ke të ftohtë? Dëshiron të zbresësh te kabina; ke dëshirë të pushosh para vaktit të drekës?”

Fintani mbahej në rrethojen mbrojtëse. Sytë e tij dukeshin sikur haliçë të tharë, të përzhitur. Ai dëshironte të shikojë; nuk donte ta harrojë këtë çast kur anija hynte në detin e thellë, duke ikur befas prej rripit të larguar të tokës. Franca ishte duke u kullufitur nga e kaltëra e mbyllur e dallgëve të detit: me fushat, qytetet, shtëpitë, pamjet e kredhura, tundur në tragën e shkumëzuar të anijes, kur në ballë anijeje – matanë siluetave të udhëtarëve të klasit të parë drejtpeshuar në parmakë sikur zogj pendë shprishur, me britmat dhe qeshjet e tyre, dhe matanë zhurmës së rregullt të makinave në brendinë e thellë  të Surabaya- s që tronditej në shpatullat e valëve të vërsulura, kumbuese dhe të varura si copa ëndrre në ajrin e palëvizshëm, – matanë bashi, ku qielli futej në det, sikur gisht nëpër bebëz të eksploronte thellësitë e kokës, shpërtheu me shkëlqim të papritur feksja e blertë.

 

Atë natë, natën e tyre të parë në det, Fintani nuk mundi të fle. Ai nuk lëvizi fare, e mbante frymëmarrjen e tij, ta dëgjonte frymëmarrjen e rregullt të Mao-s. megjithë dridhjet dhe kërcitjet e trupit të anijes. Kurrizi i dhimbte nga lodhja – rrjedhojë e orëve të pritjes në Bordeaux, në mol, në erën e ftohtë; nga udhëtimi me tren prej Marseilles-it. Dhe pastaj nga të gjitha ditët që i paraprin nisjes së tyre, lamtumirat, lotët, zëri i Gjyshe  Aurelia-s duke i thënë njëmijë rrëfimet e saj komike me qëllim të mos mendohej se çfarë ishte duke ndodhur. Nga qarja, zbrazëtia e ngelur në kujtesën vetiake. “Mos qaj, bellino, mendo se unë vij dhe të shoh ty atje!” Lëvizja e ngadaltë e dallgëzimit të oqeanit shtypte në kraharorin dhe kokën e tij: kjo ishte lëvizje që të shtinte në dorë e të përlante, lëvizje përqafimi dhe harrese, sikur dhimbja, sikur brenga. Në krevatin e ngushtë Fintani shtypte krahët për trupin e tij, duke lejuar lëvizjen ta rrotullonte në këllkun e tij. Ai ishte duke u gremisur, mbase, sikur më përpara, gjatë luftës; po rrëshqiste në drejtim të kundërt, drejt anës tjetër të botës. “Çka ka atje? Atje larg?” Mund ta dëgjonte zërin e Tezes Rose: “Ç’është ajo aq e jashtëzakonshme me atë vend? Mos do vdisni atje?”  Ai donte të shihte përtej feksjes së blertë, përtej pikës ku qielli zbriste në det. “Njëherë e një kohë na ishte vendi ku ti arrite pas lundrimit të gjatë, ishte vendi ku erdhe kur gjithçka u bë e harruar, kur më gjatë as e dije, kush ishe…”

Zëri i Gjyshe Aurelisë kumbonte mbi det. Në luginëzën e pakëndshme të krevatit të tij, me motorët duke ia drithëmuar trupin, Fintani dëgjonte zërin e të folurit vetmevete, duke provuar ta kapte fillin e jetës tjetër. Tashmë atij i dhimbsej ta harronte jetën e lënë prapa vetes. “E urrej, e urrej atë. Unë nuk dua të largohem, nuk dua të shkoj atje. E urrej atë, ai nuk është babai im!” Trupi i anijes rënkonte në secilën valë. Fintani provoi ta dëgjojë frymëmarrjen e qetë të nënës së tij. Pëshpëriti zëshëm, “Mao! Mao!” Kur ajo nuk dha përgjigje, ai rrëshqiti jashtë krevatit të tij.  Kabina ishte ndriçuar nga vrimat mbi derë, nga gjashtë të çarat vertikale. Në anën tjetër, pikërisht në korridor, ishte llamba elektrike. Ndërsa ishte duke ecur, mund të shihte fijen e hollë të llambës duke ndriçuar nëpër secilën të çarë. Kjo ishte dhomë kabine, pa dritare anësore; dhe ishte e gjitha që ata mund ta kishin të ofruar. Ajri në të ishte i ndenjur, ajër me lagështi dhe që ta zinte frymën. Me sytë e hapur, Fintani provoi ta shquajë formën e mamasë së tij të fjetur në shtratin tjetër derisa dhe ajo poashtu ishte duke u syrgjynosur prapa matanë oqeanit të lëvizshëm. Trupi i anijes gërvinte, duke u munduar nëpër dallget e detit ndërsa valët e shtynin, e frenonin, pastaj e shtynin përsëri.

Sytë e Fintanit u rrëmbushën me lot; ai nuk e dinte vërtet përse. Ndjeu dhimbje thellë brenda trupit të tij, në pikën ku kujtesa e tij ishte duke u bërë fije – fije dhe duke u zhdukur.

“Unë nuk dua të shkoj tek Afrika,” Kjo qe diçka që ai kurrë nuk ia kishte thënë Mao-as, apo Gjyshe Aureli-së, apo dikujt tjetër. Përkundrazi, kjo e kishte ngushtuar shumë; kjo ngushti e digjte përbrenda, e kishte bërë të mos mbyllte sy, as në Marseilles, as në apartamentin e vogël të Gjyshe Aurelisë. Kjo e kishte djegur përbrenda dhe e kishte mbushur me ethe, edhe në trenin e nisur për Bordeaux. Nuk dëshironte të dëgjonte zëra, as të shihte më fytyra. Kishte për t’i mbyllur sytë dhe për t’i zënë veshët ta bënte çdo gjë më të lehtë. Dëshironte të ishte dikush tjetër, dikush i cili do të ishte më i fortë, që as do të fliste, as do të qante, as do ta ndiente zemrën si rrahte me vrull apo barkun si i dhimbte shumë.

Burri do të fliste anglisht, do të kishte dy rrudha vertikale në mes të vetullave të tij, siç burrat rëndom i kanë, dhe Mao-a nuk do të ishte më gjatë nëna e tij.  Burri që priste atje, në fund të lundrimit, kurrë nuk do të ishte babai i tij. Se ishte një i huaj fare i cili kishte shkruar letra me qëllim që ata t’i bashkoheshin në Afrikë. Ai ishte njeriu që as kishte grua, as kishte fëmijë, njeriu të cilin ata nuk e njihnin, të cilin kurrë nuk e kishin parë – kështu pse ai rrinte duke pritur?  Kishte emër, emër të mirë, kjo qe e vërtetë; emri i tij ishte Geoffroy Allen. Por kur ata të arrinin, në fundin tjetër të lundrimit, atje në mol, do t’i kalonin shumë shpejt pranë, dhe njeriu as që do të shihte diçka, nuk do ta njihte askë, dhe në shtëpi do të kthehej tamam duar – zbrazët.

Lart në kuvertë era kishte filluar të frynte natën: erë oqeani, që fishkëllonte nën dyer, dhe e cila fytyrat i godiste me pëllëmbë. Fintani eci drejt bashit të anijes në drejtim të kundërt me erën. Lotët në sytë e tij ishin të njelmët sikur stërpikat e valëve. Ata lot rridhnin tash lirshëm, shkaku i erës që në tokë qante. Te jeta në Marseilles, në apartamentin e Gjyshe Aurelisë; dhe para kësaj, te jeta në Saint-Martin, tek ecja e gjatë në anën tjetër të maleve, te lugina e Stura-s, tek Santa Anna. Era frynte dhe e çonte atë larg dhe i shkaktonte lotë në sy. Fintani ecte nëpër kuvertë, përgjatë murit të gjatë metalik, dhe nga llambat elektrike e zbraztësia e zezë e detit dhe qiellit ishte lëbyrur sysh. Nuk e ndiente të ftohtët. Këmbëzbathur, lëvizte para, duke u kapur për rrethojën mbrojtëse, shkonte në drejtim të kuvertës së klasit të parë pa vënë re njeri aty. Ndërsa kalonte pranë kabinave mund të shihte siluetat nëpërmjet dritareve, nëpërmjet perdeve muslin; dëgjonte zëra të grave, qeshje, muzikë. Në fund të kuvertës ndodhej dhoma kryesore, një sallë ndenjieje e klasit të parë, ku njerëzit ende qëndronin pranë tryezave, në kolltukë të kuq; duke pirë duhan e lozur me letra. Më tej para ishte kuverta për mallra, me kapakët e hambarëve të gjithë të mbyllur, pastaj direku, kabina e detarëve ndriçuar nga një llampë e verdhë, pastaj era e fortë dhe valët duke u thyer në re avulli që shkëlqente në llogaçe sikur rrebeshet e shiut në rrugë. Fintani e shtyu dhe futi kurrizin e tij si pykë, në mes dritareve të dhomës së ndenjies, dhe shikoi, pa lëvizur, pothuaj pa marrë frymë. Ai qëndroi duke vrojtuar kohë aq të gjatë aty sa ndjeu se ishte duke u rrëzuar përpara, pasi anija ishte duke u anuar e rënduar drejt thellësive të oqeanit. Zbraztësia e zezë e oqeanit dhe qiellit u rrit në sytë e tij. Një detar Holandez, Christofi, ndodhi të ishte duke shëtitur përgjatë kuvertës dhe Fintanin e gjeti tamam kur ishte në buzë të alivanosjes. Ishte çuar në dhomën e ndenjies, dhe pasi që ishte pyetur nga oficeri i parë, qe kthyer prapa te kabina e Mao-as.