POETË   NGA   PLANETI. Përktheu: Anton PAPLEKA

 

César Vallejo, 1892-1938, Peru

 

NJË GUR I ZI MBI NJË GUR TË BARDHË

 

Do të vdes në Paris nën rrebeshin e shiut

Një ditë që tashmë më kujtohet.

Do të vdes  në Paris dhe nuk më vjen turp

Ndoshta një ditë të enjte si dita e sotme.

 

Do të jetë e enjte, sepse sot, të enjten

Kur i shkruaj si prozë këto vargje, më dhembin kërcinjtë

Dhe asnjëherë si sot, gjatë tërë udhës sime

Nuk e kam parë veten kaq fillikat.

 

César Vallejo-ja ka vdekur, atë e qëlluan të gjithë,

Ndonëse nuk u kishte bërë gjësend ;

Atë e goditën rëndshëm me një shkop

 

Dhe me një litar; për këtë kam dëshmitarë

Ditët e enjte dhe kockat e kërcinjve,

Vetminë, shiun, udhët…

 

Jabanananda Das , 1899-1954, Indi

 

PORTOKALLI

 

Kur ta lë këtë trup,

A do të mund të vij prapë në këtë botë ?

Ah, sikur të mund të vija

Një mbrëmje dimri

E shndërruar në tulin e shijshëm

Të një portokalli të freskët

Te koka e shtratit të një miku që heq shpirt.

 

Rafael Aberti, 19O3 Spanjë

 

ÇFARË ËSHTË NJË ULLI ?

 

Çfarë është një ulli ?

Një ulli

Është një plak, një plak, një plak ,

Por është edhe një fëmijë

Që mban në ballë një degë

Dhe ka varur në brez

Një trastë

Përplot me kokrra ulliri.

 

Amrita Pritam, 1919, Pakistan

 

UNË DO TË VIJ PRAPË TEK TI

 

Unë do të vij prapë tek ti

Ku ? Si ? Nuk e di fare

Ndoshta si një vegim i imagjinatës sate

Do të vendosem te tabloja jote

Mbase si një vijë e mistershme në tablo

E heshtur, unë do të të shoh.

 

Ndoshta si një rreze dielli

Do të shkrihem te ngjyrat e tua

Dhe e bashkuar me ato ngjyra

Do ta pikturoj tablonë tënde.

Si? Ku? Nuk e di fare.

Por unë do të vij tek ti.

 

Në mos po, unë do të bëhem një gurrë

Dhe si një ujëvarë

Do ta përkëdhel trupin tënd me pika uji,

Dhe ashtu si freskia

Do të të shtrëngoj në krahë.

 

Unë nuk jam asgjë tjetër.

Megjithëse koha fluturon,

E di mirë se kjo jetë nuk do të më lërë asnjëherë.

 

Kur vdes trupi,

Bashkë me të vdes gjithçka.

Por fijet e kujtimeve,

Janë bërë me atome të pavdekshme,

Unë do t’i mbledh këto atome të imëta

Për të bërë me to fije për të thurur.

Unë do të vij prapë tek ti.

 

 

Helvi Juvonen, 1919-1959, Finlandë

 

NË KOHËN E SHKRIRJES SË BORËS…

 

Në kohën e shkrirjes së borës,

Kur shkëmbinjtë shfaqen sërish,

Çdo shkëmb ka moshën

E fytyrës së rrudhur të nënës,

Një fytyrë e ngrohtë ku bie dielli,

Kur dashuria e ka shkrirë akullin.

 

VASKO POPA, 1922, Serbi

 

SHTËPIA

 

Pasi doli dielli i parë i dimrit

Na erdhi për vizitë Agimi

Sharrëtar nga anët e Prishtinës

 

Ai na solli dy mollë të kuqe

Të mbështjella në një shami

Dhe lajmin se kishte blerë një shtëpi

 

Agim, më në fund ti ke një çati mbi kokë

 

Unë nuk kam çati era e mori me vete

 

Sigurisht ti ke një derë dhe disa dritare

 

Unë nuk kam as dyer as dritare

Ato m’i ka shkallmuar dimri

 

Së paku ti ke katër mure

 

Unë nuk kam as katër mure

Unë  kam vetëm shtëpinë të thashë

Të tjerat do të vijnë vetvetiu

 

Hans Magnus Enzensberger, 1929-2022, Gjermani

 

HISTORIA E REVE

(ekstrakt)

 

Kundër stresit, andrrallave, xhelozisë, rënies shpirtërore,

Është e këshillueshme të soditësh retë.

Në mbrëmje, frizat e tyre të kuqe e të praruara

Qëndrojnë më lart sesa tablotë e Platinir-it e të Tiepolo-s.

Këto kryevepra më jetëshkurtra sesa gjithë të tjerat ,

Të cilat është më vështirë t’i numërosh sesa një kopé renash,

Nuk përfundojnë në asnjë muzé.

 

Arkelolgjia e reve – një shkencë

Për engjëjt. Po, po, pa retë,

Gjithçka që rron, do të vdiste. Ato janë shpikëse të mëdha :

Pa retë, nuk do të kishte zjarr, as dritë elektrike.

Po, në rast lodhjeje,

Tërbimi dhe dëshpërimi, është e këshillueshme

T’i ngresh sytë drejt qiellit.

 

Ante Popovski, 1930, Maqedoni e Veriut

 

ARDHJA E PRANVERËS

 

Në mesnatë, befas frynë

Ato erëra të marrosura pranvere

Që i bëjnë të kërcasin trarët e shtëpive.

 

Ato u ngjanin ishujve të gjelbër që i merr uji

Një litari të nderur mbi det

Ato ishin flurudha e kthimit të frutave…

 

Dhe papritmas u fik qiriu i ndezur

U hap kanati që tundej

Dhe përtej kodrave

Fillimisht vërshoi një bardhësi e kryehershme

U turr drejt qiejve

Pastaj shpërtheu drejt tokës dhe drejt shpirtit

Solemniteti i pranverës së pafundme.

 

Rutger Kopland, 1931-2012, Holandë

 

DAVIDI*

 

Nuk ishte fjala për t’i bërë shtatoret,

Ato duhej “t’i çliroje nga mermeri”,**

Si të paskeshin qenë aty jetë e mot.

 

(Qershor i qetë në një ishull të bardhë

E të pabanuar, te një det i kaltër në të gjelbër.)

 

Dhe vërtet ai gjeti një gur madhështor,

Nën lëkurën e vet, gjeti një makinë të përsosur

Prej truri, muskujsh, zemre.

 

Dhe kurrfarë mundimi, kurrfarë vrapi

Nga koha e dikurshme deri tek ardhmëria,

Vetëm një qëndrim, një forcë krenare

 

Prej miliarda kristalesh,

Kopje e përkryer e rinisë.

 

*Skulpturë e Mikelanxhelos

**Citat i Mikelanxhelos

 

 

Makoto Ooka, 1931-2017, Japoni

 

ZGJEDHJA E VDEKJES

 

Këtë verë unë ndenja ca kohë në Havai

I mbytur në punë siç isha, as që bëhej fjalë të lahesha në det

Mezi kisha kohë të luaja duke u hequr si turist

 

Ajo që më lë më shumë mbresë në Vaikiki

Qe një peshk i Qendrës Oqeanografike

Por nuk qe fjala

As për një peshk tropikal

As për një peshkaqen

As për çfarëdo lloj peshku tjetër që notonte në akuarium

 

Në një kënd të korridorit

Në ekranin e një aparati televiziv

Një akrep deti sa hap e mbyll sytë

I përpinte me një kafshatë viktimat e tij

Skena zhvillohej në heshtje të plotë

 

Akrepi i detit qëndronte i përgjumur

Befas para tij përhapej një re rëre

Por ai që ngjante tëpkë si një shkëmb

Nuk kishte lëvizur fare nga vendi

Sa i përket peshkut të gëzuar që nuk mendonte fare për rrezikun

Nga mugëtira ai ra në terrin e zi

Duke ndërrur vendbanim vetëtimthi

 

Sa fat që pati

Ai peshk i vogël që vdiq

Duke kapërcyer me aq lehtësi

Kufirin që ndan jashtësinë nga brendësia

Tashmë i shtrirë në shtratin e butë

Ku e priste një shtresë e trashë lëngu gastrik

Ai nuk ka gjasa të zgjohet ndonjëherë

 

Rui Nogar, 1935-1993, Mozambik

 

ALTRUIZËM (NË EMËR TË LAVUAZIERIT)

 

Dëshiroj të vdes

Në kohën e duhur

 

Të kem një qivur plumbi

Lotët e familjes

Dhe një kufomë gjeometrike

 

Por prift nuk dua

Bëj durim, nënë

Qielli ku ti mendoje se do të shkoja

Do të jetë toka që do të më presë

 

Dhe kur askush

Nuk do ta ketë mendjen tek unë

Dhe plumbi do të lodhet nga gjeometria

Dhe unë nuk do t’i hyj më në punë askujt

 

Do të kthehem në tokë qetë-qetë

Dhe me gjithë dëshirë

Me gjithë dëshirë ju betohem

Do t’i ngop

Me mijëra parazitë

 

Këtë do të bëj që të mos thonë

Se nuk hyra në punë për asgjë

 

Lucille Clifton, 1936, SHBA

 

MUA MË AKUZOJNË…

 

Mua më akuzojnë se merrem me të kaluarën

Sikur atë ta kisha krijuar unë,

Sikur ta kisha gdhendur si skulpturë

Me duart e mia. Unë nuk e kam bërë këtë gjë.

Kjo e kaluar më priste

Kur erdha në jetë,

Një foshnjë që nuk shihej me sy dhe pa emër,

Dhe unë, e shtyrë nga një dëshirë nëne,

I dhashë gji

Dhe i vura emrin

Histori.

Tashti ajo është bërë njerëzore

Duke mësuar gjuhën e përditshme,

Duke sjellë ndër mend fytyra, emra, data.

Kur të jetë në gjendje të udhëtojë fillikat,

Ajo do ta bëjë këtë gjë,

Ruhuni prej saj.

 

Vladimira Cerepkova, 1946, Çeki

 

PËR EVA O.

 

Mos fol me mua si me një të vdekur

Mos fol me mua si të isha një njeri i ndjerë

Fol me mua

Sikur unë të mos kisha lindur

Fol me mua sikur të isha një pemë

 

Abdul  Hadi V. M., 1946, Indonezi

 

FATI NJERËZOR

 

Në mes të pyllit të stërgjyshërve të mi

Unë jam veç një pemë mangoje

Ajo nuk lidh fruta, nuk nxjerr gjethe

Im atë më thotë : Vërtet trualli ku ke mbirë

Nuk është pjellor, por ti me bulçitë plot

Gjithnjë vazhdon të hash fruta

Nga pema e gjyshit tim.

 

Hera-herës, netëve

Pa e marrë vesh gruaja ime

Unë vjedh e ha fruta ende të papjekura

Nga pema e tim biri

 

Torild Wardenaer, 1951, Norvegji

 

HIR

 

Në pyll

Nata

Një fatbardhësi e errët

Hir

Prani hutinësh

Dhe engjëjsh

Unë jam

Një pikë e artë

Në sqepin e një zogu shtegtar

Që çlodhet.

 

Maria Mercé Marçal, 1952-1998, Katalonjë (Spanjë)

 

NATA MË KAFSHON…

 

Nata më kafshon

Me dhëmbin e saj të mprehtë

Dhe qafa ime rrjedh gjak.

Poshtë gurëve,

Akrepi

Hedh e stërhedh valle.

Shiu udhëton

Deri te dhoma ime

Ngadalë-ngadalë.

Shkalla e errët

E dëshirës

Nuk ka përmakë.

 

Kamal Zerdouni, 1953, Marok

 

Në valixhen time:

Varri i nënës sime

Lagjet e fëmijërisë

Pakëz nga kjo tokë

Që i qetëson bredhjet e mia

Eukalipti dhe hibiskusi

Për të yshtur

Gështenjën dhe rrapin

Dhe trishtimin e atyre që më dënojnë me vuajtje.

Në valixhen time:

Buzëqeshjet dhe zërat

E një grushti njerëzish të gjallë

Që kanë shumë rëndësi për mua

Dhe e ndalin në vend kohën

Fundin e trallisjes

Bashkojnë të shkuarën e të tashmen

Afrikën dhe Europën

Duke i bërë një kontinent

 

Francis Combes, 1955, Francë

 

EUKALIPTI

 

Eukalipti

Zot i nderuar i kodrinave

Magjepsës i lodhur

Si një profet i moçëm

Që do t’i kishte rënë kryq e tërthor tokës

Në kërkim të paqes e të së vërtetës

Dhe të ishte sëmurur nga lebra.

Lëkura e tij bie përdhé çika-çika

Duke na dhuruar

Pergamenët e tij

Të rëndësishëm e të palexueshëm

Dhe trashëgimin e frymëmarrjes së tij

Kundërmuese dhe balsamike.

Eukalipti, Bamirësi.

 

 

 

Hélène Dorion, 1958, Québec (Kanada)

 

PYJET E MIA…

 

Pyjet e mia janë trungje historie

Ato janë akrepa që sillen

Nëpër stinë ato shkojnë

Nga lindja deri në perëndim deri në jug

Dhe deri në veri

Pyjet e mia janë kafazë vetmie

Listela druri të vëna në njëfarë largësie

Në një natë që është aq e errët

Ato janë shtëpi pa familje

Trupa pa dashuri

Që presin t’i gjejë dikush

Në mëngjes ato janë

Fraza që dikush u ka hequr vizë dhe pendime

 

Ato janë një lëmsh në grykë

Kur zogjtë rifillojnë të fluturojnë

Pyjet mia janë gishta që tregojnë

Vise që ndodhen gjetiu vise nga ku nuk ka kthim

 

Pyjet e mia janë gjemba që zgjaten në të gjitha drejtimet

Ato e dinë se çfarë ka vendosur mosha

Ato janë vija të hequra me laps

Në letrën e kohës

Ato kanë në vetvete peshën e detit

Heshtjen e reve

 

Pyjet e mia janë një kalim i gjatë

Në fjalët tona për ekzilin dhe mbijetesën

Pak shi mbi plagë

Një rreze që mban gjatë

Me butësinë  e saj

 

Dhe kur unë shëtit në to

Këtë e bëj për të lundruar si në det të hapur

Drejt vetvetes

 

Farhad Pribal, 1961, Irak

 

*

Kafka thotë: gjithçka është e zezë.

James Yoyce thotë: gjithçka është ngjyrë hiri.

Modgliani thotë: gjithçka është qafë e gjatë dhe  e hollë.

Strindbergu thotë: gjithçka është një konflikt i përjetshëm

midis burrit e gruas.

Darwini thotë: gjithçka është lavdi fitimtarëve.

Lawrence-i thotë: gjithçka është seks.

Einsetein-i thotë: gjithçka është relative.

Marx-i thotë: gjithçka është para.

Gorki thotë: gjithçka është luftë e klasës punëtore.

Bretoni thotë: gjithçka është ëndërr.

Aragoni thotë: gjithçka është Elsa.

Hedayat-i thotë: gjithçka është fantazi.

Monet-ja thotë: gjithçka është pambuk.

Unë them: gjithçka është pengesë

për të arritur te bukuria.

 

Liu Xia, 1961, Kinë

 

KARRIGE E ZBRAZËT

 

Karrige e zbrazët karrige e zbrazët

Kaq shumë karrige të zbrazëta

Nëpër botë

Karrigia e zbrazët në tablonë e Van Gogh-ut

Ka një bukuri dalldisëse

Unë jam ulur fshehurazi në të

Doja të tundja këmbët

Por fryma që kalonte pranë karriges

I  kallkanosi

Ato nuk mund të lëvizin më

 

Van Gogh-u tund penelat

Të nisesh të nisesh të nisesh

Këtë mbrëmje nuk do të ketë ceremoni natore

Van Gogh-u më hedh një vështrim zhbirues

Unë i ul qepallat

Si një poçe e sapomodeluar

Unë ulem midis flakëve të luleve të diellit

 

8 gusht 1999

 

Hassan Sulton, 1966, Taxhikistan

 

ROBINSONI

 

Historitë që i kam lexuar në fëmijëri janë harruar,

Historitë e fëmijërisë janë shkëputur nga unë.

Unë renda atje ku më shpunë jeta dhe fati,

Historitë e fëmijërisë kanë mbetur prapa meje.

 

Por mua më kujtohet një histori,

Një histori e bukur dhe e këndshme si një kujtim fëmijërie,

Historia e një udhëtari që dallgët e hodhën në një ishull të shkretë.

 

Po, po,

Historia e famshme e Robinson Crusoe-s.

 

Por sa keqardhje të madhe që ndiej, sa keqardhje të madhe!

Unë që kam qenë si Robinsoni,

Koha ime robinsoniane ka ikur.

Lavdia ime mbretërore ka ikur.

 

Tashti, unë jam skllav i Premtit,

Varfanjak e fatkeq në kthetrat e Premtit.

 

Maarja Kangro, 1973, Estoni

 

HISTORIA E DORËS SË PADUKSHME

 

Një ditë që lart nga qielli

Zuri të binte gjak :

Me gjasë, dikush kishte kafshuar

Dorën e Padukshme

Të rregulluesit të madh.

Vallë, kush e kishte bërë këtë gjë?

Një revolucionar i shkollës së vjetër?

Një besimtar që donte t’i zhbënte besimet?

Një Frankenstein plot shpresa?

 

Gjaku ushqyes rridhte,

Gurmaze rënkuese pinin me shumicë.

Gjithnjë e më shumë kishte

Energji që vjen nga gjaku, kurmagjak,

Mullinj me gjak, motorë me gjak.

Panglos-i deshi të thoshte diçka me zë të lartë,

Por goja e tij ishte

Plot me gjak të shijshëm.

 

Atëherë gjaku

Zuri të mpiksej.

Qielli u kthjellua, u bë i kobshëm,

Disa vetë deklaruan

Se dora nuk kishte ekzistuar ndonjëherë

Dhe se gjaku që kishte rrjedhur

Nuk kishte ardhur nga qielli.

 

2008

 

Përktheu: Anton PAPLEKA