POETË TË SHQUAR ITALIANË, shqipëruar nga Laureta Petoshati

Vajtim i lashtë
Nga Giosuè Carducci ( Nobelist)

Pema ku ti zgjatje
atë foshnjoren dorë,
e blerta shegë kurorë
çel lulet si gjak aty,

në të heshturin kopsht që vetmon
tash prapë gjithçka bleroi,
dhe qershori e gjallëroi
me dritë dhe ngrohtësi.

Ti lule e bimës time
të rrahur dhe tharë për tmerr,
ti në jetën e pavlerë
e fundit, e vetmja lule ti.

je në dheun e ftohtë,
je në dheun që sterron
as dielli më s’të gëzon
as të zgjon kjo dashuri.

Shën Martini
Nga Giosuè Carducci ( Nobelist)

Mjegulla përmbi kreshta
në vesë shiu zbret,
dhe nën erën që të pret
deti buçet e zbardhon;

por nëpër rrugët e fshatit
nga kadet ku mushti fryhet
tharmi i verërave ndihet
shpirtrat krejt i gëzon.

Rrotullohet mbi trungjet gacë
helli që kërcet nga zjarri:
po fërshëllen gjahtari
te dera ku shënjestron

mes reve të kuqërremta
tufa zogjsh të zinj aty
si mendimet në arrati,
shtegtojnë sa muzgu shkon.
1887

Heshtje
Nga Giuseppe Ungaretti

Njoh një qytet
që çdo ditë mbushet me diell
dhe gjithçka rrëmbehet në atë çast

Ika prej andej një mbrëmje

Në zemër vazhdonte cingërima
e gjinkallave

Nga anija
e lyer me të bardhë
pashë
qytetin tim që zhdukej
duke lënë
për pak
një përqafim dritash në ajrin e turbullt
pezull

27 qershor 1916

Ribashkim
Nga Antonia Pozzi

Nëse do ta kuptoja
atë çfarë do të thotë
-nuk të shoh më-
besoj se jeta ime
këtu – do të mbaronte.

Por për mua toka
është vetëm plisi që unë shkel
dhe tjetri
që ti shkel:
çka mbetet
është ajri
në të cilin – argshe të lirshme – ne lundrojmë
për t’u takuar.

Në fakt, në qiellin e kthjellët
ndonjëherë shfaqen re të vogla
fije leshi
ose pupla – të largëta –
dhe kush vështron atje në pak çaste
sheh një re të vetme
që largohet.

17 shtator 1933

Stuhia
Nga Eugenio Montale ( Nobelist)

Stuhia që zbraz mbi gjethet
e forta të manjolës bubullimat e gjata
të marsit dhe breshërin,

(tingujt e kristalit brenda folesë tënde
të natës të kapin në befasi, të floririt
që është zbehur mbi mogan, mbi prerjen
e librave të rilidhur, ku ende digjet
një kokrrizë sheqeri në cipën
e qepallave të tua)

vetëtima që zbardh
pemët e murin dhe i befason në këtë
përjetësi të çastit – mermeri mana
dhe shkatërrimi – që brenda teje gdhendur
mban për dënimin tënd dhe të lidh
më shumë se dashuria për mua, motër e çuditshme, –
dhe më pas përplasja e ashpër, sistrumat, dridhja rrëqethëse
e tamburëve në gropën thithëse,
hapat e zvarritur të valles së fandangos dhe sipër
një gjest që bën të kapesh edhe pas një fije kashte…
Ashtu si ti
kur u ktheve dhe me dorë, çlirove
ballin nga reja e flokëve,

më përshëndete – për të hyrë në errësirë.

Ex voto
Nga Eugenio Montale ( Nobelist)

Ndodh
që afërsitë e shpirtit të mos arrijnë
gjestet dhe fjalët, por të mbeten
të përhapura përreth si një magnetizëm. Është e rrallë
por ndodh.

Ka të ngjarë
që të jetë e vërtetë vetëm largësia,
e vërtetë harresa, e vërtetë gjethja e tharë
më shumë se lastari i freskët. Kaq e diçka tjetër
mund të ndodhë ose të thuhet.

E kuptoj
vullnetin tënd kryeneç për të munguar gjithmonë
sepse kjo është mënyra e vetme, me të cilën shfaqet
magjia jote. Të panumërta dredhitë
që kam ndërmend.

Unë këmbëngul
të të kërkoj te fija e kashtës dhe kurrë
te pema me degët e shtrira, kurrë te plotësia, gjithmonë
në boshllëk: në atë që edhe turjelës
i bën ballë.

Ishte apo nuk ishte
vullneti i perëndive që mbrojnë
vatrën tënde të largët, të çuditshmet
kafshë shtëpiake me shumë shpirtra e forma;
ndoshta ishte ashtu siç më dukej
apo ndoshta jo.

Nuk e di
nëse mosekzistenca ime përmbush fatin tënd,
nëse e jotja mbush timin që grafullon,
nëse pafajësia është faj apo
gjendet në pragun e shpirtrave të tu mbrojtës. Sipas meje,
unë di gjithçka për ty, të gjitha
nuk i di fare.

P.S. “Ex voto” është shkurtim i shprehjes latine “ex voto suscepto,” që do të thotë “sipas premtimit të bërë”.

Të puth
Nga Franco Arminio

Të puth në heshtje.
Ti qëndron e përmbajtur.
Ta mbaj fytyrën ndërmjet duarve.
Ti thua faleminderit.
Të puth kockën që lidh brinjët.
Frymëmarrja jote shtohet.
I vendos duart mbi ijet e tua.
Ti buzëqesh dhe ijet e tua zmadhohen.
Të përqafoj të tërën.
Ti bëhesh më e vogël.
Të prek duart.
Ti i hap të gjitha si një mace,
Të puth qafën.
Ti e zgjat dhe qafa bëhet me aromë.
Të shtrij dhe vendosem sipër teje.
Ti mbyll sytë, nuhat ajrin:
tashmë në këtë dhomë
ndodhen të gjithë trëndafilat e botës.

Nuk ia vlen të dish shumë gjëra
Nga Franco Arminio

Nuk ia vlen të dish shumë gjëra:
nëse s’ke gëzim
ti s’ di asgjë.
Shkenca dhe besimi mund të të ndihmojnë
por nëse s’ke gëzim
ti s’ shikon asgjë.
Gëzimi është përsosmëria që ia mohojmë vetes
kur lëmë pas fëmijërinë,
kur mendojmë se gjërat e errëta
janë më të mira se ato të qarta,
kur mendojmë se gjërat e thjeshta
janë paksa të rëndomta.
Gëzimi s’ka vendbanim të caktuar, ti s’ mund
ta kërkosh në një sirtar,
mund të vijë nga një dashuri që fillon,
nga një dhimbje që mbaron.
Gëzimi është një fjongo e padukshme
që të bashkon, që na bashkon.

Kur të shoh në ëndërr
Nga Alda Merini

Kur të shoh në ëndërr
zbehem si vdekja.
Çfarë dukurie është kjo
se unë dhe ti jetojmë tjetërkund
mbartur nga duart e Zotit?
Përse jemi dy duar kaq të epshme
sa çfarëdolloj idhulli mund të na çojë larg?
Çfarë ishim ne më parë?
Çfarë do të bëhemi më pas?
Unë çdo natë vesh rrobat më të mira
dhe ti m’i zhvesh ato,
por s’do t’ia dalësh kurrë të më kthesh në skllave.
Edhe lakuriq vishem si mbretëreshë
sepse unë dhe ti nuk mëkatojmë kurrë,
sepse unë dhe ti nuk jemi parë kurrë.
Megjithatë ne e shohim njëri-tjetrin çdo ditë,
megjithatë ne jemi aq të varfër
saqë nuk duhet ta blejmë më as vdekjen
sepse atë na e dhuron jeta.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here