POEZI NGA FEDERICO GARCIA LORCA, 1898- 1936. Përktheu: Anton PAPLEKA

Në prag të 80-vjetorit të pushkatimit të Lorkës nga frankistët

Nga të gjithë ata poetë të frymëzuar, Lorka qe më i frymëzuari, qe ai që dashuroi më shumë dhe që e deshën më shumë, qe ai që rrezatoi më shumë. Nga të gjithë, ndoshta ai qe poeti, tek i cili doli në pah në mënyrë më të gjallë, më efikase, ajo bindje ekzaltuese, se të krijosh poezi do të thotë të krijosh miqësi, miqësi me të afërmit dhe me të gjithë njerëzit, të krijosh marrëdhënie njerëzore, një lidhje të ngushtë me popullin. Pikërisht kësaj breznie të fundit që iu afrua aq shumë shpresës më të lartë, i takoi të vazhdonte misionin e brezit të mëparshëm, të lavdishëm: të rizbulonte shpirtin e Spanjës, t’i lidhte fijet e këputura me gjeninë e saj, me gjeninë e saj autentike, të harruar, të nxirrnin në dritë vlerat e saj.
Jean Cassou

FEDERICO GARCIA LORCA, 1898- 1936

KËNGË NEGRE NGA KUBA

Kur të vijë hëna e plotë, do të shkoj në Santiago de Kuba,
Do të shkoj në Santiago,
Me një kaloshinë prej uji të zi,
Do të shkoj në Santiago,
Do të këndojnë çatitë prej palme,
Do të shkoj në Santiago,
Kur palma do të jetë lejlek
Do të shkoj në Santiago,
Kur druri i bananes do të jetë meduzë,
Do të shkoj në Santiago.
Me kokën bionde të Fonseca-s,
Do të shkoj në Santiago.
Me trëndafilin e Romeos e të Zhulietës
Do të shkoj në Santiago.
O Kubë! O ritëm i farave të thata!
Do të shkoj në Santiago.
O brez i ngrohtë dhe pikëz druri!
Do të shkoj në Santiago.
Harpë trungjesh të gjalla. Kaiman. Lule duhani.
Do të shkoj në Santiago.
Gjithnjë kam thënë se do të shkoj në Santiago
Me një kaloshinë prej uji të zi.
Do të shkoj në Santiago.
Puhi dhe alkool në rrota,
Do të shkoj në Santiago.
Korali im në errësirë,
Do të shkoj në Santiago.
Deti i mbytur në rërë,
Do të shkoj në Santiago.
Vapë e bardhë, frutë e kalbur,
Do të shkoj në Santiago.
O freski gjedhësh në fushat me kallama!
O Kubë! O lakore psherëtime dhe balte!
Do të shkoj në Santiago.

POEMA E SOLEAS

Tokë e thatë
Tokë e qetë
Në netët
E pamatura.

(Era në ullishtë,
Era në male.)

Tokë
E moçme
Kandila të ndezur
E dhimbje.

Tokë
Me stera të thella.
Tokë
Ku vdekja është pa sy,
Ku fluturojnë shigjetat.

(Era nëpër rrugë.
Puhia në plepa.)

SOLEA

Mbështjellë me vello të zeza,
Ajo mendon se bota është e vogël
Dhe zemra është tejet e gjerë.

Mbështjellë me vello të zeza.

Ajo mendon se psherëtima e dhembshur
Dhe klithma
Zhduken në rrymën e erës.

Mbështjellë me vello të zeza.

Ballkonin e lanë hapur
Dhe në agim,
Nga ballkoni u hodh brenda tërë qielli.

Obobo! Aaaah!
Mbështjellë, po, me vello të zeza!

PESHORE

Nata gjithnjë e qetë.
Dita ikën dhe vjen.

Nata e vdekur dhe e largët.
Dita ka vetëm një flatër.

Nata mbi pasqyrat e sheshta
Dhe dita e rrahur nga era.

HARDHUCI I KA SYTË PLOT LOT…

Zonjushës Teresita Guillén
që luan në pianon e saj me gjashtë nota

Hardhuci i ka sytë plot lot,
Hardhuca i ka sytë plot lot.

Hardhuci dhe hardhuca
Me përparëse të bardha e të ngushta.

Ngaqë qenë të pakujdesshëm,
E humbën unazën e martesës.

Ajmé, e humbën unazën prej plumbi,
Unazën e tyre të bukur prej plumbi!

Asnjeri në qiellin e paanë
Ku një rruzull zogjsh ngrihet lart.

Dielli, kapiten dërdëng,
Mban një krahol prej sateni.

Shikoni sa të plakura janë!
Sa të plakura janë këto hardhje!

Dhe sa shumë qajnë, o Zot,
Dhe se si i kanë sytë plot lot!

PEIZAZH

Rita-s, Cocha-s, Pepe-s e Carmencica-s

Gabimisht
Mbrëmja u vesh me ciknë.

Pas xhamave të veshur me avull
Të gjithë fëmijët shohin
Një pemë të bukur verdhoshe
Se si shndërrohet në zogj.

Mbrëmja u shtri
Përgjatë lumit të vogël
Dhe mbi çatira fërgëllon
Një kuqëlim molle.

PORTOKALL E LIMON

Portokall e limon.

Sa e trishtuar është ajo
Që dashuria e mundon!

Limon e portokall.

Sa e trishtuar je ti,
Vashëz e bardhë!

Limon.

(Si shkëlqente
Dielli biond.)

Portokall.

(Mbi guralecat
E valës.)

SERENATË

(Homazh për Lope de Vega-n)

Në brigjet e lumit të vogël
Shiheni natën se si lahet shteç.
Dhe mbi gjinjtë e Lolitës
Vdesin nga dashuria buqetat.

Vdesin nga dashuria buqetat.

Nata lakuriq këndon me zë të ulët
Mbi urat e muajit mars.
Lolita në banjo stoliset
Me ujë të njelmët e nard.

Vdesin nga dashuria buqetat.

Nata prej anansoni dhe argjendi
Ndrit mbi çatitë e qytetit.
Argjend i ujërave shkëlqimtare.
Anason i kofshëve të tua të bardha.

Vdesin nga dashuria buqetat.

AGIM

Kambana të Kordovës
Në ag.
Kambana të agimit
Në Granadë.
Ju dëgjojnë tërë vajzat
Që vajtojnë solean e dhembshur,
Të përzishme.
Vajzat e reja
Të Andaluzisë së Poshtme
Dhe të Epërme.
Vajzat e Spanjës
Me këmbë fine,
Me funde frushullitëse,
Që kanë vënë drita
Në të gjitha kryqëzimet.
Oh, kambana të Kordovës
Në ag,
Dhe ju kambana të agimit
Në Granadë!

HARKËTARË

Harkëtarët e errët
I afrohen Seviljes.

Guadalkivir i hapur.

Kapela të gjera, të hirta
Pelerina të gjata që zvargen.

Ah, Guadalkivir!

Ata vijnë nga vendet e largëta
Të pikëllimit.

Guadalkivir i hapur.

Dhe ata shkojnë në një labirint.
Dashuri, kristal dhe gur.

Ah, Guadalkivir!

LOPA

Luis Lacasa-s.

Lopa e plagosur u shtri.
Drurë e rrëké i kacavareshin te brirët.
Turiri i saj përgjakte qiellin.

Turiri i saj me bletë
Nën mustaqen e ngadaltë të jargës.
Një ulërimë e bardhë e ngriti në këmbë mëngjesin.

Lopët e ngordhura e të gjalla,
Kuqëlim drite apo mjaltë stalle,
Me sy të mbyllur, pallnin.

Le ta dinë rrënjët
Dhe ky fëmijë që mpreh thikën,
Se më në fund mund ta hanë lopën.

Atje lart
Zbehen dritat dhe damarët e qafës.
Katër thundra dridhen në ajër.

Le ta dijë hëna
Dhe kjo natë me shkëmbinj të verdhë:
Iku lopa e përhimtë.

Iku duke muallitur
Nga shembja e qiejve të ngrirë
Ku pijanecët shtrohen në ksodhen e tyre.

GAZELA E DASHURISË SË DËSHPËRUAR

Nata nuk pranon të vijë,
Me qëllim që të mos vish ti,
Dhe unë të mos mund të iki.

Por unë do të shkoj,
Ndonëse tëmthin ma kafshon një diell akrepësh.

Por ti do të vish
Me gjuhën tënde të djegur nga shiu prej kripe.

Dita nuk pranon të vijë,
Me qëllim që të mos vish ti
Dhe unë të mos mund të iki.

Por unë do të shkoj,
Duke u dhënë zhabave karafilin tim të thyer.

Por unë do të vij
Nëpër gjirizet e turbullta të errësirës.

Nata as dita nuk duan të vijnë,
Me qëllim që unë të vdes për ty
Dhe për mua të vdesësh ti.

KASIDA E TRËNDAFILIT

Trëndafili
Nuk e kërkonte agsholin:
Pothuaj i përjetshëm në degën e tij,
Diçka tjetër kërkonte.

Trëndafili
Nuk kërkonte as dije as hije të errët:
Kufij trupi dhe ëndrre,
Ai kërkonte diçka tjetër.

Trëndafili
Nuk kërkonte trëndafilin.
I palëvizshëm në qiell,
Diçka tjetër kërkonte ai.

KËNGA E SHTATË ZONJUSHAVE
(Teoria e ylberit)

Këndojnë
Të shtatë zonjushat.

(Harku në qiell
Gama e perëndimit të diellit.)

Një shpirt në shtatë zëra
Të shtatë zonjushat.

(Në ajrin e bardhë,
Shtatë zogj viganë.)

Vdesin
Të shtatë zonjushat.

(Përse nuk qenë nëntë…
Apo njëzet?)

Askush nuk mund t’i shohë,
Sepse uji i merr me vete.

SHPELLA

Nga shpella dalin
Dënesa të gjata.

(Ngjyra vjollcë
Mbi të kuqen.)

Cigani kujton
Vende të largëta.

(Kulla të larta dhe njerëz
Të mistershëm.)

Sytë e tij shkojnë
Me zërin e tij të ndërprerë.

(E zeza mbi të kuqen.)

Dhe me bardhësi gëlqereje
Shpella dridhet midis të praruarës.

(E bardha
Mbi të kuqen.)

Përktheu: Anton PAPLEKA