Prof. dr. Gjovalin Shkurtaj: In memoriam për Marash (Bash) Zef Çukajn, regjisor, dramaturg dhe përfaqësues i njohur i artit dhe kulturës në Malësinë e Madh

 

Si sot 6 muaj, më 18 mars 2025, është ndarë nga jeta Marash (Bash) Zef Çukaj (1943-2025), regjisor, dramaturg dhe përfaqësues i njohur i artit dhe kulturës në Malësinë e Madhe.

Marashi (apo sikundër e thërrisnim me zbunim: Bashi) ishte i datëlindjes 1943, biri i një prej familjeve më të njohura e me emër të mirë në Bajzë të Kastarit, Zef Gjek Deda ( Çukaj). Jemi rritur e kemi shkuar mirë me Bashin  (që ishtë i një moshe me mua), po edhe me vëllezërit e tij, më të mëdhenj në moshë, po edhe të mirënjohur, si thotë fjala e urtë  e Malësisë sonë: njëri më i mirë se tjetri, të pashëm për kah duka, po edhe bujarë e fisnikë  si rrallë të tjerë në anët tona. Luigji (që e thërrisnim Lubi), Frani, që kishte kryer studimet në Universitetin e Bukureshtit (Rumani) dhe ka punuar për shumë vjet si pedagog i biologjisë në Konispol e në Rrëshen (Mirditë), kurse mbas shndërrimeve demokratike edhe si diplomat, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Rumani; Ndoshi, që ishte pedagog i edukatës fizike  dhe sportist me skuadrën “Besëlidhja” në qytetin e Lezhës.

Bashin, ndërkaq, e kisha më të afërt se të tjerët, sepse ai, meqë do të shkonte në universitet mbas një shkëputjeje  për disa vjet, hera e mbarë e pruri, që  në vitet ’70 ta kisha dhe student në lëndën “Teori drame”e “Kulturë gjuhe” në Degën e Kulturës në Universitetin e Arteve. Qysh atëherë, ndonëse i ri në moshë, kishte lënë edhe muskatët, të cilët i shkonin shumë me shtatin e tij të gjatë e të hijshëm e me flokët e dredhur e të zinj si pena e korbit. Prej asaj pamjeje të hijshme, po edhe për dhuntinë e tij e përgatitjen si profesionist i kulturës dhe i artit skenik, ai do të interpretonte edhe në filma të Kinostudios, duke realizuar figura të ndryshme, sidomos të atyre me karakater malësor. Deri në fillim të viteve ’80, me Bashin, shiheshim sa herë shkoja në Bajzë për të takuar nënën e të afërmit, më vonë jemi parë më rrallë, kur shkoja në ndonjë veprimtari në Bajzë a Koplik apo kur ai vinte në Tiranë për ndonjë detyrë dhe, natyrisht, shiheshim me kënaqësi. Gjithmonë ishte i interesuar për të ideuar e realizuar ndonjë projekt për artin a etnokulturën e Malësisë. Dhe, në fakt, në atë drejtim ai, sikundër e kanë përmendur edhe të gjithë ata që e kanë njohur e që kanë punuar me të, Bashi ka dhënë ndihmesa të rëndësishme,  ka qenë regjisor  i shumë dramave, autor i disa librave dhe producent në shumë aktivitete kulturore në Bajzën e Kastratit, ku jetonte e vepronte, po edhe në mbarë Malësinë e Madhe, ku e donin dhe e ftonin për të realizuar shfaqje ose veprimtari artisike dhe etnofolklorike. Marash Çukaj (Bashi) nuk ishte vetëm një regjisor e veprimtar kulturor i shkathët e i papërtuar, por edhe një njeri me zemër të madhe dhe shpirt atistik, ishte një figurë  përfaqësimtare  e denjë për kulturën në Malësinë e  Madhe, ku punoi rreth 50 vite.Ka vënë në skenë me grupet amatore të Bajzës drama të Fadil Krajës, Kolë Jakovës, Sulejman Pitarkës, si dhe disa nga dramat e shkruara  nga vetë ai.Trupa e teatrit të Qendrës Kulturore të Kastratit është nderuar me çmime e medalje dhe shfaqjet e dhëna  janë ndjekur nga qindra shikues jo vetëm nga Malësia, po edhe në shfaqje të realizuara në qytetin e Shkodrës, në Lezhë, Pukë etj. si dhe më larg, në Gjirokastër, Tuz e Ulqin.

E mbramja herë që jemi takuar me Bashin ka qenë në qytetin e Koplikut, në shkurt të vitit 2023. Kishte ardhur enkas për të marrë pjesë në ceremoninë e dorëzimit të titullit “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe” dhe, Bashi, bashkë me një tubë dashamirësh e farefis nga Bajza ime kishin ardhur për të më përgëzuar e përqafuar. Me atë rast, Bashi më dhuroi dhe librin e tij  “Pema e lotëve” (Gjashtë dramë një një libër), FIORENTINA, Shkodër, 2019.

Libri çelet me vlerësimin “Një zë krejt i veçantë i shtohet “korit” të dramaturëgëve shqiptarë”, nga Dashamir Cacaj, shkrimtar e botues, cili, në atë parathënie, në fakt, jep një përmbledhje të thukët, po edhe të arsyetuar e të qartë të prurjeve letrare dhe artistike e të ndihmesave të Marashit si dramaturg nga Malësia jonë e Madhe. Dramat e përfshira në këtë libër janë: “I huaj në shtëpinë e vet”, për të cilën, kam shkruar këtë vlerësim: “Tema e kësaj drame ngjan me komedinë “Orëmira”  të drameturgut Arbëresh  Zef Skiro i Majit (Giuseppe Schiro di Maggio), thelbi i së cilës është bjerrja e gjuhës shqipe në diasporën arbëreshe e shqiptare në dhe të huaj. Kumti (mesazhi) i  dramës është në fakt një kushtrim i trishtueshëm atdhetarie e atdhedashurie. Bashi, ashtu si të gjithë sa jemi të lindur në ato vende të Malësisë së Madhe, e përjeton me shqetësim e trishtim situatën e pamirë që ka sjellë shpërngulja gati masive e të rinjve e të rejave nga Malësia në SHBA dhe gjetiu në metropolet e Evropës e të mbarë botës.

Pesë të tjerat janë: “Babë, ka kjo vajzë?!”, “”Zemër që fal”. “Në familje”, “Plagë të kohës” dhe”Ringjallja e një nate”. Marashi ka shkruar drama  të shkurtëra, duke ndjekur modelin e dramave të sotme evropiane, që synojnë të mos e lodhin shikuesin, por prekin me urtësi problemet më aktuale dhe “djegëse” të shoqërisë së sotme. Natyrisht, duke u dhënë përparësi atyre dukurive me interes të madh shoqëror e etnokulturor shqiptar, që janë më tipike për mjediset malësore,që ai i njihte, po edhe i donte aq shumë.

E kisha marrë më nge dhe  i kam lexuar dramat e tij duke bërë edhe shumë nënvizime fjalësh e togfjalëshash të Malësisë, që do të më duhen edhe për t’i përfshirë në fjalësin e Fjalorit tim të Malësisë së Madhe, gjithashtu, e kisha ideuar që, sapo të gjeja një grimëherë të lirë, t’ia bëja dhe një recension për këto drama, duke ia përmednur edhe vlerat e meritat që i takojnë si dramaturg e si njohës i mirë i traditive,zakoneve  dhe së folmes së sotme të Kastratit e të krejt Malësisë.  Por, mortja, u tregua më e shpejtë… na e mori Bashin, regjisorin, dramaturgun e veprimtarin e njohur të artit e të kulturës. Dhe, shokun e mikun tim të paharrueshëm.

Qysh nga 18 marsi unë kam një shok e mik më pak, natyrisht edhe një pikëllim më shumë, kurse Bajza e Kastratit dhe krejt Malësia jonë e Madhe, bashkë me kujtimet e pashlyeshme për këtë njeri të mirë e të kulturuar, do të ruajë dhe do të përmendë me respekt të gjitha ndihmesat, veprimtaritë e botimet që ka lënë i paharrueshmi  Marash Zef Çukaj.

Ai ishte, pa dyshim, një lëvdues e përfaqësues i denjtë i krenarisë dhe i shpirit artistik, të bijve e bijave të Malësisë sonë të Madhe.

Tiranë, 11 shtator 2025