Prof.dr.Ylber Sela: FJALË RASTI NË PROMOVIMIN E LIBRIT “BOTA SHQIPTARE” TË SKËNDER ASANIT

Më lejoni që edhe unë të bëhem një pjesë e vogël e këtij aktiviteti lidhur me librin e madh “Bota shqiptare” të Skënder Asanit. E them kështu për arsye se ky libër ngërthen brenda vetes një çështje vërtet të madhe, siç është bota shqiptare e cila vuan nga sprovat dhe paradokset historike e politike. Të gjitha këto situata të ndërlikuara, autori i trajton në mënyrë induktive dhe deduktive, domethënë duke e parë këtë botë si një pjesë të veçantë brenda tërësisë së përgjithshme, përkatësisht shqiptarët në kontekstin ballkanik, europian dhe në atë botëror.
Si një vëzhgues dhe përsiatës jashtëzakonisht i mprehtë i tyre, ai vazhdimisht prononcohet si rezultat i një shtyse intelektuale, politike, kombëtare dhe shkencore, gjithmonë duke nxjerrë konkluza esenciale dhe determinuese. Në fakt ky libër është një vrojtim historik dhe politik i çështjes shqiptare. Dhe pikërisht si i tillë na çon në thellësi të saj, duke zbuluar e shpërfaqur shkaqet dhe arsyet e ngjarjeve të ndryshme, por edhe duke ofruar zgjidhje vizionare për veprim të drejtë e legjitim.
Krahas ngjarjeve dhe proceseve që kanë ndodhur në kohë dhe në hapësirë, autori njëkohësisht merret edhe me personalitetet shqiptare si Skënderbeu, Nënë Tereza, Hasan Prishtina, Gjerasim Qiriazi, Parashqevi Qiriazi etj., të cilët janë bartës të idesë dhe të kauzës kombëtare në kuptimin etnik dhe kulturor.
Në këtë kontekst, mund të vërehet se një vëmendje të veçantë ia kushton edhe Shkupit si njëra nga qendrat e rëndësishme të shqiptarëve gjatë historisë, ku janë zhvilluar shumë ngjarje, procese, vendime, lëvizje, kryengritje etj. Ky qytet nuk është thjesht vetëm një topos i nostalgjisë dhe i krenarisë historike, por sigurisht edhe një vizion aktual ku zhvillohen shumë aktivitete e nisma në interes të kauzës kombëtare. Pra, zëri intelektual i Skënder Asanit dëgjohet pikërisht nga Shkupi si induksion gjeografik dhe politik, për të shkruar drejt një deduksioni kombëtar dhe ndërkombëtar. Natyrisht këtë e bën me një vetëdije të lartë intelektuale, njerëzore, qytetëruese dhe shkencore, thjesht duke nxjerrë në sipërfaqe vlerat e shëndosha kulturore si një argument i pakontestueshëm për ekzistencën historike, politike e kulturore të shqiptarëve.
Në këtë mënyrë mund të themi me gojën plot se ky libër paraqet një mozaik historik e politik i cili medoemos kërkon të riaktualizohet dhe të ridimensionohet. Pa dyshim, ky është libër i ndërgjegjes intelektuale e shkencore, libër i kauzës njerëzore dhe kombëtare. Bota shqiptare nuk është botë e një individi, por botë e çdo shqiptari pavarësisht se ku jeton e vepron.
Në fund, uroj që ky libër të lexohet nga sa më shumë shqiptarë, të shërbejë si një doracak për të gjithë ne, për ta shkundur ndërgjegjen tonë dhe për të na orientuar drejt esencave dhe vizioneve të qarta kombëtare e qytetëruese.
Ju falemnderit për vëmendjen!