Prof. Hajrullah Hajdari: SI U SHKËPUTËN NGA TRUNGU MËMË-SHQIPËRIA, ULQINI, KRAJA, ANA E MALIT, HOTI E GRUDA, TUZI E KELMENDI, PLAVA, GUCIA E RUGOVA DUKE JU DHWNW ANEKSOHESHIN NGA MALI I ZI.

Traktati i Shën Stefanit dhe masakrimi i trojeve shqiptare nw Mal tw Zi

SI U SHKËPUTËN NGA TRUNGU MËMË-SHQIPËRIA, ULQINI, KRAJA, ANA E MALIT, HOTI E GRUDA, TUZI E KELMENDI, PLAVA, GUCIA E RUGOVA DUKE JU DHWNW ANEKSOHESHIN NGA MALI I ZI.

“Vendimet e Kongresit të Berlinit do të ashpërsojnë edhe më tepër gjendjen në viset shqiptare që duhej të aneksoheshin nga Mali i Zi. Ulqini përkohësisht u la jashtë kufijve të Malit të Zi ndërsa Hoti e Gruda e Plava e Gucia me të madhe i kundërshtonin vendimet e Kongresit të Berlinit duke iu bërë me dije Fuqive të Mëdha të kohës se “asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk do t’i japim Malit të Zi”.

Nga Hajrullah Hajdari, Ulqin

Plava e Gucia, në kohën e okupimit turk bënin pjesë në Vilajetin e Kosovës. Jeta dhe kushtet jetësore nën okupimin e Turqisë dhe okupuesve sllav më vonë, si edhe në viset tjera të banuara me shqiptarë, ka qenë e vështirë e ngarkuar dhe e trazuar, veçanërisht ka qenë e vështirë në viset kufitare. Ajo u bë edhe më e vështirë pas paqës së Shën Stefanit. Në bazë të dispozitave të Traktatit të Shën Stefanit, vendet të banuara pothuajse tërësisht me shqiptar, pa përfillur asnjë kriter ndërkombëtar për përcaktimin e kufijve shtetëror, pa argumente historike, gjuhësore, etnografike, apo topografike, shqiptarët në Malin e Zi u shkëputën nga trungu mëmë-Shqipëria. Ulqini, Kraja, Ana e Malit, Hoti e Gruda, Tuzi e Kelmendi, Plava, Gucia e Rugova duhej të aneksoheshin nga Mali i Zi. Kjo do të vështirësonte edhe më tepër kërkesën e popullit shqiptar për krijimin e një shteti kombëtar, aq më tepër kur tokat shqiptare që iu ishin dhuruar shteteve sllavo-ortodokse ishin shpërndarë e coptuar në katër shtete. “Paqa e Shën Stefanit për turqit ishte një mjerim, për ne shqiptarët ishte një helm vdekjeje” kishte shkruar Kristo Dako në librin e tij “Lidhja e Prizrenit” botuar në Bukuresht në vitin 1922. Vendimet e Kongresit të Berlinit do të ashpërsojnë edhe më tepër gjendjen në viset shqiptare që duhej të aneksoheshin nga Mali i Zi. Ulqini përkohësisht u la jashtë kufijve të Malit të Zi ndërsa Hoti e Gruda e Plava e Gucia me të madhe i kundërshtonin vendimet e Kongresit të Berlinit duke iu bërë me dije Fuqive të Mëdha të kohës se “asnjë pëllëmbë tokë shqiptare nuk do t’i japim Malit të Zi”. Sidoqoftë, Fuqitë e Mëdha në vitin 1880 vendosën që në vend të Hotit, Grudës, Plavës e Gucisë, Mali i Zi të kompensohet, poashtu me tokë shqiptare duke i dorëzuar Ulqinin Malit të Zi. Fatin e Ulqinit do ta përjetonin edhe Hodi e Gruda dhe Plava e Gucia në vitin 1912, kur do të zaptohen poashtu nga Mali i Zi.
Mali i Zi pas Kongresit të Berlinit i shpeshtoi provokimet në kufi dhe herë pas here ndërmerrte sulme sporadike duke hyrë thellë në territorin e Plavës dhe Gucisë. Në çdo sulm të malazezëve kishte të vrarë shqiptarë dhe bagëti të grabitura. Jeta u bë e padureshme. Mbrojtja e Plavës dhe Gucisë u bë opsion i shqiptarëve. Humbjet e ushtrisë malazeze në Nokshiq dhe në Velikë-Pepaj nuk i mbushi mend malazezët. Në dhjetë vjetët e ardhshme ata pandërprerje vazhduan provokimet individuale dhe të organizuara në kufi duke vrarë e plaçkitur popullatën shqiptare. Por as shqiptarët nuk rrinin duarkryq. Ata kërkonin hakun e tyre, kërkonin të marrin gjakun e të keqen t’ju kthenin malazezëve me të keqe, si kërkonin edhe ata. Si duket të dyja palët vepronin sipas thënjes popullore “ vrit e prit – merr gjak e ik” , kështu që numri i të varëve nga të dy anët vetëm nga viti 1882 deri në vitin 1892 i kishte kaluar 250 veta! Jeta ishte bërë e rrezikshme. Për të punuar fushën apo për të shkuar në xhami apo kishë shkohej me armë në brez, sepse sulmet ishin të fshehta e të paparapara. Pothuajse çdo ditë ndodhte nga një vrasje!
– Dokument interesant kufitar nga viti 1892 për krahinën e Plavës dhe Gucisë
Krejt rastësisht duke bërë hulumtime në njësinë arkivore “Nikolla I” në Cetinë, në fondin e ashtaquajtur “Arkivi personal i Krajl Nikollës” më tërhoqi vemendjen mungesa e një dokumenti në kutin për vitin 1892. Tue qenë se raste të tilla kamë pasur edhe në Arkivin Shtetëror, e sidomos në fondin MUD (Ministria e Punëve të Brëndshme) dhe MID (Ministria e Punëve të Jashtme) mungonin dokumentet të regjistruara për Isa Buletinin, kërkova me ngulm gjetjen e këtij dokumenti. Me pretekstin se ishte pështjellur gabimisht ditën tjetër e gjetëm dokumentin në fjalë si dokument i veçantë i ndarë nga lënda bazë. Bëhët fjalë për dokumentin origjinal “Protokoli i Komisionit të Përzier Turko-Malazez për Pajtimin e çdo veprimi që ka ndodhur deri tani: gjaqet, lëndimet, vjedhjet, grabitjet dhe të katërtat e agallarëve ndërmjet Vilajetit të Kosovës dhe rretheve kufitare malazeze”. Teksti është shkruar paralelisht në dy shtylla: sllavisht dhe osmanlisht në 34 faqe, prej të cilave nga 2 faqe veç në sllavisht e veç në osmanllisht. Duke cilësuar këtë kontratë kufitare si një dokument interesant dhe të një rëndësie të veçantë të asaj periudhe kur shqiptarët duke luftuar për mbrojtjen e tokave të tyre arbërore humbën shumë njerëz e në fund edhe pavarësinë e tyre, vendosa ta publikoj në tërësi duke besuar se pas më shumë se 130 viteve nuk do të shkaktojë lëndime apo pakënaqësi të asnjërës anë.
Në të vërtetë historiani malazez Risto Dragiqeviq, këtë dokument e ka sistematizuar në arkivin e ashtuquajtur “arkivi personal i Nikollës I” në vitin 1939, por për historiografin shqiptare është i panjohur dhe i pabotuar deri më tash.
– Teksti i Protokolit
Ndërmjet shtetasve të Perandorisë Cariste-Otomane nga vilajeti i Kosovës dhe shtetasve të Principatës Malazeze të cilët kufizohen më këtë Vilajet, nga kohrat më të vjetra ka ekzistuar një adet i keq, sipas të cilit shtetasit e njërit dhe tjetrit shtet kanë vrarë njëri tjetrin dhe kanë bërë hakmarrëje, kështu që të njëjtëve nga të dyja anët u kanë ndodhur shumë vrasje dhe plagosje dhe shumë jetë u shkatrruan. – Veprimet e tilla, Lartëmadhërisë së Tij Sulltanit dhe Lartëmadhërisë së Tij Princit të Malit të Zi nuk u ishin të këndshme, dha nuk kanë qenë në interes të marëdhënieve miqësore të tyre.
Në mënyrë që të gjitha ato vrasje dhe armiqësi ndërmjet fqinjëve të përmendur të marrin fund dhe të vendoset në mes tyre një rend i mirë dhe miqësor, – Lartëmadhëria e Tij Sulltani dhe Lartëmadhëria e Tij Princi i Malit të Zi me urdhërimin e tyre të lumtur na emruan ne komisarëve të poshtëshenuar, që të gjitha këto t’i qetësojmë dhe të vendosim një rend të mirë në mes të tyre.
Sipas nevojës tonë për këtë punë në Vinickë, me 7 gusht 1892 (1308), thirëm krerët e të dyja anëve të fiseve në konflikt, nga të dy shtetet, dhe për këtë urdhër të lartë e të gëzuar njoftuam të dy pushtetarët e lartë, dhe ata-krerët, na dorëzuan listat e të vdekurve dhe të plagosurve të tyre si më poshtë në këtë protokoll:
Vijojnë emrat e 252 të vrarëve…….
Të mbledhur në Vinickë, krerët e të dyja anëve paraqitën dëshirat e tyre, e të cilat janë:
Meqenëse nga të dyja anët janë bërë shumë vrasje, plagosje, vjedhje e grabitje, – e sikur një nga një ato të pajtoheshin e të shpagueshin asnjëherë nuk do i delej në fund kësaj pune, prandaj krerët njëzërit vendosën dhe na propozuan që njëri tjetrin ta falin dhe për të gjithë të vëndosët një qetësi e përgjithshme, për të cilen na luten edhe ne komesarët e nënshkruar që të veprojmë ashtu si ne kemi vendosur.
Pasi edhe ne u vërtetuam se kjo është mënyra më e mirë, ashtu si krerët nga të dyja anët na propozuan, – prandaj nga të njëjtit morëm nënshkrimet dhe detyrimin, se ashtu dëshirojnë dhe se këtë e pranojnë.
Në bazë të këtyre dëshirave dhe detyrimeve të krerëve dhe popullit filluam, me pelqimin e Qeverive tona të Larta, këtë punë dhe u dokorduam se do të zbatojmë.
1. Në këtë Protokoll, aq sa është mundur, janë regjistruar me emra shumë të vrarë e të plagosur nga të dyja anët, që janë gjetur nga njëra dhe tjetra anë – të kohës më të re, sa edhe janë evidentuar në këtë protokoll.
Përveç këtyre, të evidentuar në protokoll, ka edhe të tjerë të vrarë e të plagosur nga kohët e kaluara të cilët nuk janë evidentuar; disa, ka mundësi, që janë harruar, ndërsa disave, është e mundur, me gabimet e lajmëtarëve u janë ndërruar emrat, – dhe për kët arsye të gjithë të vrarët dhe të plagusurit nga kohët më të hershme nga të dy shtetet, njëri tjetrit ja falën dhe për të gjithë hodhën „gurin në ujë“.
2. Vjedhjet dhe grabitjet nga të dyja anët, pra nga të dy shtetet, sado që te kenë qenë – edhe për at të kohëve më të hershme e deri në ditën e nënshkrimit të këtij protokoklli hidhet „guri në ujë“ që për ata as njëri e as tjetri shtet nuk kanë të kërkojnë asgjë, sikur të mos ketë ndodhur asgjë.
3. Shtetasit malazezë – Piperi – , të cilët janë vrarë dhe plagosur ndërmjet Bjelo Polës dhe Sjenicës më 2 tetor 1891, Qeveria e Malit të Zi as për ata nuk do të kërkojë asgjë nga Qeveria e Turqisë, por Qeveria e Malit të Zi është e detyruar që trashegimtarëve të të vrarëve nga Piperi t’ju plptësoi kërkesat.
Po ashtu edhe për shtetasit e Qeverisë Cariste Osmane – Dasmorët turq të Kollashinit – të cilët janë vrarë e plagosur nga nënshtetasit malazez në Tarë, më 20 shkurt 1892, as për ata dhe as për kuajt e mbytur dhe as për dëmët matriale Qeveria Cariste-Otomane nuk do të kërkojë asgjë nga Qeveria e Malit të Zi, por vet Qeveria Cariste është paraqitur që t’i përmbush dhe kënaqë ata, – ndërkaq nënshtetasit malazez, që kanë vdekur e janë plagosur në këtë grindje, Qeveria e Malit të Zi do t’i përmbushë kërkesat e familjeve të vrarëve e të plagosurve.

– vijon –