QAZIM D. SHEHU: Poezia e Sami Mulajt është sintetike dhe eterike, plot kumbime dhe asosacione shprehish e imazhesh të pastra e ndjellëse
Sami Mulaj pas vëllimeve poetikë” Lisat e mi të diellit”, ”Buzëqeshja e së nesërmes”, vjen me vëllimin e ri “Dy anadrinët”, duke treguar dhe shpërfaqur një rritje të vazhdueshme të cilësisë së poezisë së tij, dhe njëkohshëm duke e zgjeruar spektrin tematik të krijimtarisë së tij. Ky vëllim, si dhe të mëparshmit, dëshmon se autori nuk i ndahet poezisë ose poezia bëhet ngacmim i tij i përditshëm. Edhe pse jeton në emigracion, atë e shqetësojnë temat dhe motivet e vendlindjes, të etnisë, ndërthurur këto me elementë etnografikë, mjedisorë, ardhur herë në trajtë kujtese, herë si aktualizim i vizitave që ai i bën vit për vit në vendlindje, të takimeve dhe përjetimeve të vjetra, që zgjohen nga këto kontakte.
Ai është gjithmonë i kudondodhur midis njerëzve të tij, miqve të vjetër e të rinj, duke biseduar me ta e duke u çmallur. Poeti e ka filluar krijimtarinë që herët, por për shkak të rrethanave , boton vonë, por kjo nuk është aq e rëndësishme , ndërsa na duhet të gjykojmë për krijimtarinë e tij të përmbledhur në tre libra interesantë, që vijnë si spikatje e një vargu të vrullshëm, pa komplekje, derdhur përmes një frymëzimi të vetvetishëm , ku krijuesi ndihet mirë dhe komunikon me verbin e tij të sinqertë… Vëllimi “Dy anadrinët” përmbledh një simbolikë të caktuar, që shënon etninë, ku ky lum sa ç`u bë shenjë e mallkuar e ndarjes, aq u bë shenjë e dëshirës së bashkimit…
Poezia e tij vazhdon rrugëtimin duke shëtitur në brigjet e tij, në kujtesë, në luftëra për liri, në trojet e të parëve(Tropojën e Vjetër), në Kosovë e në histori. Ajo bëhet bartëse e kuptimeve etnike dhe e genit dardan , krijon imazhe të forta të qëndresës e mbi të gjitha të dashurisë për trollin , që është amanet i të parëve. Kështu, libri lexohet me një frymë dhe sjell një freski e larushi temash e motivesh, të cilat shkëputen nga syri i mprehtë poetik i autorit dhe marrin jetë përmes vargjesh lakonikë, që derdhen lirshëm e flladisin e nxisin ndjesitë e lexuesit. I ndodhur larg, ai e mbart vendlindjen si kujtesë dhe si shtysë për të shkruar poezi: ”Largësia ka/një njësi matëse/të vërtetë/ajo është vendlindja ime”. Sepse:”Krojet u harruan/currilët e tyre/u thanë/kënga e bilbilit/në sytë e kroit nuk u pa. ” Vendlindja mbartet në mënyrë transcedentale jo vetëm si kujtesë, por edhe si dramë dhe kjo dramë është e dyfishtë:drama e ndarjes historike(Tropojë-Kosovë), drama e braktisjes politike-emigrative, ku njerëzit në këto troje të begata janë rralluar. Dhe kjo krijon për poetin një gropë pikëllimi teksa shprehet:”Një gropë në kuletën e xhepit/nuk është gropë/një gropë në shpirtin e njeriut/vetëm ajo është gropë”.
E teksa i kthehet vendlindjes herë pas here në formë ciklike, ndërsa e ka hedhur gurin e mallit në ujërat e kohës, poeti shprehet:”Ku peshon bjeshka?/në shpate me kaproj lozonjarë?a liqene sykaltër?Jo. Bjeshka peshon në lisa/…” Nga të gjithë elementët natyrorë të vendlindjes që merren herë si etyde e herë si detaje konkrete më të plotësuara , lisi bëhet kryefjalë e organizimit të një mendimi që shenjon kohën, njeriun, qëndresën , shpresën dhe këtu shkëndijohet e turbullohet ndjeshëm drama e mungesave, që vjen prej njerëzve të ikur, prej mallit e plagëve të së djeshmes e të sotmes. Poet i mallit dhe dashurisë për vendlindjen , ai këtë e sjell në mënyrë të sinqertë, të burueshme, larg çdo artifici apo poze, pa deklarativizëm dhe egoizëm, si një poet i vërtetë që vargun e tij duhet ta besosh vetëm prej një frymëzimi të pastër. ”Në tel të epërm/e kam vargun/shekullor të rëndë/e kam hapin/mbaj ballin/sapo në Prizren shkel pragun/”.
Vëmë re se, me pak vargje, poeti ndërton një tablo të të tërë, e cila thuret e sendërtohet përmes nënkuptimit e shtresave kuptimore kur flitet për këtë qytet- ikonë të historisë…Vende të ndryshme, qytete, fshatra të etnisë së Shqipërisë së Epërme nuk i shpëtojnë syrit të poetit pa i dhënë atij një motiv, ato vende të bekuara janë pjesë e qenësisë kombëtare e tharmit të saj, e lavdisë së historisë dhe Drini u kalon përmes, siç thotë Lasgushi…Poeti frymëzohet dhe çdo topos bëhet kështu një pikë referimi për një varg, për një fjalë, për një tingull në ato vise “ku bie fyelli dhe çiftelia”, aty ku: ”një lule e vetme/në një thep shkëmbi/vetëm puhizë ajri puth/”. Ku: ”Alfabeti nis/me germën e parë/të emrit të gjyshit”.
Në ato treva, siç specifikon poeti, :”I mbajmë dy shtëpi/një oborr/pa gardhe/pa derë”. Poeti shpalos vlerat më të mira të vendlindjes, ato tradita të bukura e mbresëlënëse jo vetëm të trimërisë, por edhe të dokeve, zakoneve, një kulturë e veçantë etnopsikike, e mbi të gjitha: të miqësisë dhe humanizmit, dashurisë njerëzore e shikueshmërisë vëllazërore midis njerëzve, bujarisë dhe mirësisë, tipare të rralla që e kanë mbajtur malësinë në këmbë dhe e kanë bërë të papërkulur në shekuj. Ky vështrim ia shton edhe më peshën ideoemocionale librit, e bën më interesant dhe vjen si zgjerim i frymëmarrjes ideotematike dhe i këndit konceptual. 2. Poeti është një intelektual i interesave të gjera.
Ai jeton në një botë të lirë pa komplekse, në botën e realizimit të individit, por edhe në një botë të trazuar me dilema, ankthe, probleme të ditura e të papritura. Mjaft poezi të këtij vëllimi ngjizen me një nerv shqetësues- filozofik, teksa ai vëzhgon, mediton dhe konkludon. Këtë mund ta shohësh te poezitë” Joyce Kilmer”, ”Të dua”, ”E drejta e munguar”, ”Më jepni një laps”, ”Përse fshihet Albert Ajnshtan”etj… Kjo është poezia filozofike, poezia që nuk mund të rrihet pa u shkruar, ardhur si një qasje e natyrshme e njeriut dhe poetit ndërsa i duhet të verifikojë realitetin me sytë e standardit të idealit dhe kuptimit domethënës që ai ka për jetën.
Sami Mulaj e realizon këtë lloj poezie me lirshmëri, pa një mendim të thatë dhe të kërkuar, edhe këtu ai ngacmohet nga ngjarje apo të ndodhura përreth tij në Amerikë, nga leximet e tij nëpër libra, radio, televizioni, rrejetet sociale etj… Kjo përbën anët qytetare të çdo poeti, në relacionin me mangësitë apo çmenduritë e kësaj bote herë të trazuar e herë të paqë. Poeti kurrë nuk është indiferent dhe i detyruar ta thotë fjalën e ta ngrejë zërin e tij. Ky qëndrim na kujton vargjet e poetit grek Tasos Livadhitis, teksa ai shprehet: ”Krijimi i botës. /ende s`ka mbaruar/e përsosin atë çdo ditë/punëtorët dhe poetët/’.
Edhe në sendërtimin e kësaj ideje, Mulaj përsos diçka nga shprehësia e vargut të tij. 3. Librin e përmbyll një cikël erotik, prej ku mund të qëmtosh minisubjekte interesante, disa prej të cilave mund të marrin gjerësinë e të shkruarit në tregime. Ato krijojnë situata nganjëherë, ku ndihet humori dhe vjen e papritura. Në to nuk ka moralizime, po rrëfime, detaje dhe mbresa që vijnë nga zgjimi i ndjenjës, kuptimit e moskuptimit, pa rënë në banalizime e thjeshtëzime të tepruara. Poeti ka ditur të japë bukur dhe besueshëm në to disa trajta dialektore të cilat merren si vlerë e pasuri e hershmërisë së gjuhës.
Erotika është pjesë e rëndësishme e jetës njerëzore, ajo trajtohet nga shumë të tjerë autorë, por Sami Mulaj ka këndin e vet të vështrimit përmes origjinalitetit të jetës në malësi. 4. Poezia e Sami Mulajt në këtë vëllim është një shfrim i lirë ndjenjash dhe përjetimesh, një thelb i nxitur e ngjizur përmes një frymëzimi spontan dhe të lirë. Ajo njeh atë tematikë që ia sugjeron frymëzimi dhe vetëdija e një poeti që jeton me poezinë dhe e do poezinë, që lexon poezi dhe interesohet për të, sepse poeti ”Tjerr mjegullën e qielltë/të rudës poezi” e “bën me të/tufa me ngjyra ylberi”.
Ky vetëdijesim për poezinë vjen tek ai vetvetiu nga tharmi i të shprehurit dhe nga e fshehta e frymëzimit që e përfshin pa e ditur e që nuk mund të rrihet pa u materializuar. Kjo alkimi delikate në poezinë e tij ka sjellë tek ai poezinë e frymës së ngrohtë dhe të transfigurimit të sendeve në imazhe malli e ndjesish origjinale. Pamundësinë dhe mundësinë, misterin dhe qartësinë, mjetin përcjellës të figurës herë si simbol, herë si krahasim a metaforë, pasurinë e gjuhës së gjallë të dialektit gegë etj. Poeti herë rrëfen e herë sintetizon, herë e mbart kujtesën si imazh e herë e lëshon të lirë ta gjejë veten qoftë në një detaj a etyd.
Është një poezi që nuk vjen njëtrajtshëm e që nuk i përket një organizimi strikt strofik, por që e ruan mirë ritmin dhe intonimin e tij brenda gjatësive të caktuara të vargjeve. Elementi narrativ vjen herë -herë si nxitje, por përgjithësisht poezia e Mulajt është sintetike dhe eterike, plot kumbime dhe asosacione shprehish e imazheve të pastra e ndjellëse. Vëllimi i ri ”Dy anadrinët”, të plotëson një çast, një imazh të munguar, flet për një poet origjinal, të pasionuar e këmbëngulës, që nuk përton as nuk ka drojë ta thotë fjalën e tij ashtu siç e di, siç e do, siç e ndjen, por gjithmonë me dashuri për vendlindjen, për DARDANINË, PËR KOMBIN, E MBI TË GJITHA, PËR NJERIUN. Kjo e bën atë poet dhe jo vetëm kjo, por edhe estetika e vargut, një estetikë që e zgjeron kuptimin në kërkimin në të bukurën e pafundme të kësaj bote.